“Po vjen koha që femrat në vendin tonë do shkojnë t’i kërkojnë dorën meshkujve për t’u martuar”

0
768
Anisa Bega

JOQ | 26/04/2019

Në ditët e sotme teknologjia i ka “pushtuar” njerëzit, duke shmangur gjithmonë e më shumë komunikim ballë për ballë me shoqërinë, por edhe me familjarët madje.

Koha që ne shpenzojmë duke naviguar në internet është vërtet e frikshme, në raport me kohën që na marrin aktivitetet e tjera, që janë më të dobishme sesa të rrimë të mbërthyer para një ekrani të vogël, siç është ai i celularit, apo dhe pajisjeve të tjera teknologjike.

Nga Anisa Bega

Teknologjia kudo në botë po i largon njerëzit, duke i bërë më shumë dembelë për të bërë gjëra në jetën reale. Virtualiteti si sëmundje po i pushton të gjithë dhe një gjë që më ka rënë në sy është iniciativa që kanë meshkujt sot për të ngacmuar, propozuar dhe marrë vendime për dikë që pëlqejnë. Shkrimet i bëj pasi nxitem nga realiteti, pa i zbukuruar gjërat dhe duke i shtuar doza negativiteti. Nuk po mbaj as anën e femrave, por as të meshkujve, pasi çdo gjë është shkak-pasojë për të dyja palët.

Vitet e fundit kam vënë re nga ana e femrave një zhgënjim të madh ndaj meshkujve, të cilët nuk marrin guximin të të ftojnë as në kafe. Mjafton një add në Facebook, ose follow në Instagram dhe çdo gjë nis dhe mbaron aty. Nga ana tjetër, dëgjoj meshkuj që ankohen se femrat janë bërë të vështira, materialiste, etj. Lind pyetja: Po si do shijohet dashuria, ndjenja më e bukur në botë, derisa të zgjidhen këto probleme?!

Fajësojnë njëri-tjetrin dhe në fund përfundojnë jo të lumtur, nuk i shprehin ndenjat e tyre dhe mbyllen në atë botën e ankesave, ku merr vetëm dëshpërim dhe energji negative. Disa mikesha, të cilat janë gjithashtu beqare më kanë thënë që kur dalin edhe për jetë nate, lyhen, bëhen seksi, flirtojnë por në shumicën e rasteve asnjë mashkull nuk merr guximin t’i ftojnë për ndonjë kërcim dhe të krijojnë ndonjë njohje.

Njëra më tha: “Më ka marrë malli të ndihem “pjeshkë”, të vij dikush dhe të më ngacmojë”. Madje te brezat e mëparshëm kanë pasur lezet mbrëmjet e vallëzimit, pasi njiheshin me njëri-tjetrin me mundësitë që kishin dhe kënaqeshin më shumë. Si shprehja e njohur: “O goce, a ka mundësi një minutë?

Ndërsa tani, oraret e daljes janë më të gjata, mundësi komunikimi kemi më shumë, por veprimi është shumë i ulët.

Një tjetër femër më tha: “Kishte lezet kur të ngacmonin edhe në rrugë kur shkojë blije bukën te lagjia dhe të thonin ndonjë kompliment. Ndërsa tani, kemi tangërllik dhe rrallë herë të bëjnë ndonjë kompliment.”

Para disa kohësh bëra një pyetje në rrjetet e mia sociale: Nëse do duhej të shkonin në luftë për të mbrojtur vendin, sa prej meshkujve do ishin të gatshëm? Kisha shumë mesazhe nga femrat, të cilat ankoheshin pafund për guximin e meshkujve, madje njëra më shkruajti këtë: “Këta nuk marrin guximin për t’u martuar dhe jo më të shkojnë në luftë”.

Besoj se po vjen dita që femrat në Shqipëri do shkojnë t’i kërkojnë dorën familjes së mashkullit për t’u martuar. Ndoshta do dali si modë dhe mesa duket është drejt asaj rruge për t’u bërë realitet. Shprehini ndjenjat tuaja, pa e menduar frikën e refuzimit. S’ka gjë më të keqe se të ndjesh diçka dhe të druhesh të veprosh. Gëzuar!