Arben Çokaj
Në kohën e Enverit nuk ekzistonte perceptimi publik, se paratë e pronat publike vidhen si sot.
Kur ne sot e denoncojmë hajninë e korrupsionin, kemi si shembull jo shtetin e Zogut, se edhe ai i ngjashëm me këtë të sotmin ishte, në ‘slow motion’, por kemi referencë për shtetin e Enverit, i cili po të mos ekzistonte, do i kishim shmangur disa gjëra, që sot i diskutojmë së tepërmi si anormale.
Hajninë e korrupsionin, shitjen e interesave kombëtare, shkretimin fetar etj. të gjitha këto do të na ishin dukur normale, po të mos ekzistonte shteti funksional i Enverit.
Enveri bëri një përjashtim, na nxorri nga kjo gjendje e anarkisë mbisunduese dhe shqiptarët sot e shajnë atë ma shumë se pushtuesit osmanë e turq!
I fortë është ai shqiptar që bën një shtet funsional si të Enverit, por me ligje demokratike. Kam frikë se është iluzion, si kjo puna e feve, që besojnë dhe presin kur po u del bar!
Një email nga gazetari i njohur, Frank Shkreli:
Përshëndetje Arben
– nëqoftse pikë referimi është qeverisja e Enver Hoxhës, si një alternativë e gjendjes aktuale politike në Shqipëri, atëherë mos Zot ma keq për shqiptarë!
Nëqoftse nuk mund të ndërtojmë një sistem më të mirë qeverisës, se regjimi Enverist, atëherë, ndoshta e kemi merituar Enver Hoxhën dhe meritojmë këta që kanë qeverisur Shqipërinë për 29 vjet-post-komunizëm!
Miqësisht,
Frank Shkreli
Përgjigjia ime:
Frank, e trishtueshme.
Boll pesimist jam. Realisht kur e sheh shtetin e sotëm, të veniten shpresat, se mund të bëjmë shtet ndonjëherë. Nuk e di, a ke jetuar nën regjimin e Enverit ndopak?
Ai shtet komunist ishte, e unë jam një ndër studentët, që u ngritëm ta rrëzonim regjimin e tij më 1990, por me idenë e një Shqipërie Evropiane, e jo me idenë e një shteti anarkik, që kemi krijuar tash 29 vjet, ku secili drejtues politik, apo shtetëror, shikon me gjetë mënyra për pasurim personal, dhe përgjegjësia publike është tepër e ulët dhe sa për sy e faqe. E po mendoj se po të mos ishte shteti i Enverit, ku strukturat e shtetit në atë kohë kishin përgjegjësi të lartë dhe korrupsioni ishte tepër i ulët, ne as idenë e shtetit, se si duhet të jetë, si shqiptarë nuk do e kishim.
Sot kemi kaluar nga një shtet i kontrolluar deri në bllokim të frymëmarrjes, që ishte shteti i Enverit, në një shtet që jo vetëm nuk kujdeset për popullin e vet si duhet dhe për zhvillimin ekonomik etj. të vendit, e ku të respektosh ligjin e t’i trembesh shkeljeve ligjore ndihet si turp në disa raste, nga ata që kanë 29 vjet, që abuzojnë me pasuritë tona publike, etj. Prandaj edhe po lulëzojnë më shumë kriminelët dhe abuzuesit…
Aty e kemi Evropën, e ndihma amerikane në 29 vjet, nuk na ka munguar, por habitem, si nuk po dimë të mësojmë dhe përfitojmë prej modelit të shtetit Perëndimor, të organizuar prej tyre?! Me paratë që kanë hyrë në Shqipëri tash 29 vjet, jam i sigurtë se do kishim një standard jetese këtu sot, për të mos ia patur zili as Evropës e as Amerikës, por ka një shpërdorim galopatnt tepër të madh, aq sa të dhemb zemra, kur sheh se si jepen paratë si në Gjermani, për rrugë e vepra publike dhe bëhen aq keq dhe për faqe të zezë, si në Zimbabve, Afganistan, etj. Turp i madh! Dhe problemi është i ndërlikuar, se nuk po shoh kund një orientim racional të shoqërisë sonë. Nuk po dritë në fund të tunelit…
Kur e shkrova shkrimin e shkurtër në fjalë, pashë një video, se si abuzonte Bashkia e Tiranës me rrugët, dhe më trishtoi. Atë fenomen nuk e sheh vetëm në Tiranë, por gjithandej, deri në Malësi të Madhe, dhe askush nuk e kontrollon krimin ekonomik, abuzimin rrënqethës, dhe hajnia e abuzimet vazhdojnë e vazhdojnë dhe po na rrënojnë! Po na e vrasin të tashmen e të ardhmen…
Të uroj më të mirat,
Arbeni
Përgjigje nga Frank Shkreli:
Zotni Arben, të falem nderës për mesazhin.
Fatëkeqsisht, unë i ndajë me ty shqetësimet që shprehë më poshtë. Unë shpresoj në ndihmën e Zotit, por edhe Zoti ka thënë “mundoju pak se të ndihmoj shumë”. Këta jo vetëm që nuk po mundohen të përmirësojnë punët, por po i keqësojnë edhe më tepër duke qeverisur anadollakçe.
Nëqoftse i ke ndjekur shkrimet e mia, është pikërisht kjo situatë për të cilën kam paralajmëruar me vite se autoritarizimi i udhëheqësve shqiptarë dhe flirtimi i tyre me erdoganat e putinat e kësaj bote, do të shkatërrojnë Kombin tonë. Ju që jetoni atje, e dini më miër, por, fatkeqsisht, duke se profecia ime po realizohet.
Shëndet e gjithë të mirat,
Miqësisht, Frank Shkreli
Përgjigjia ime:
Frank, i kam lexuar e publikuar.
Ndjeshëria juaj ka qenë pasqyrim i këtij realiteti. Një gazetar i vërtetë, atë thotë, të vërtetën. Pavarësisht se dhemb, e qëllimi është që dhimbja të na bëjë t’i thirrim mendjes, por nuk po i dëgjojnë kambanat pa rënë, këta që merren me politikë, për ta kuptuar se rruga nëpër të cilën po ecin, është e gabuar edhe e dështuar.
Të vetmen zgjidhje që shoh unë është, që klasa politike të ndërgjegjësohet, dhe ndërgjegjësimi vjen ose përmes dijes, ose përmes zorit. E dijen nuk po e duan këta, vetëm zori mund t’i detyrojë…
Ne bëjmë pjesën tonë, për ata që duan të kuptojnë!
Arbeni