Rrustem Geci është emër i njohur i letrave tona. I takon brezit të intelektualëve e veprimtarëve shqiptarë, të cilët në kohën e dhunës dhe robërisë serbe, sidomos në vitet ‘80-’90 të shekullit të kaluar, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të viseve të robëruara të Shqipërisë, u detyrua të përcaktohet për rrugën e mërgimit, e cila poetit i hap edhe varrë të reja, jo vetëm në botën e perceptimit dhe komunikimit poetik. Larg Atdheut, larg vendlindjes, brengat, shqetësimet sa vinë e shtohen. Atyre brengave u shtohen edhe shqetësime të tjera nga jeta në mërgim, në një vend të huaj, pavarësisht sa mund të jetë mikpritës, sepse “guri i rëndë peshon në vend të vet, sepse guri i shkulur njëherë vështirë ngulet sërish”. Pavarësisht nga këto mesazhe dokesore shqiptare, jeta është dhënë për ta
jetuar, qoftë edhe në dhe të huaj, madje qoftë edhe nën robëri, gjithnjë me aspiratë për çlirim.
Alfa dhe omega e krijimtarisë poetike të këtij poeti e veprimtari, ka qenë dhe po mbetet Shqipëria, e cila është një dhe e tërë në shpirtin dhe frymëzimet e tij, por vazhdon të lëngojë e ndarë dhe e përçarë në shumë pjesë, si moti e tani. Vazhdon të jetë zë i ngritur peshë në ndërgjegjen të tradhtuar të Evropës Plakë e njerkë në të njërën kohë, sepse:
Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
më shumë se një shekull
jam nën degë të rrufesë!..Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
e v r o p a t më copëtuan
kur Evropa s´ish e drejtë.
(Çka tha liria)
Poeti mediton e shkruan për një Shqipëri, që përballoi sunduesit më të egër të botës, fqinjët më grabitqarë e hileqarë që i njeh historia, një Shqipëri që edhe kështu si është nuk jepet, sado e mekur, sado e keqtrajtuar, sado e ndarë dhe e nakatosur. Me besimin e pa tundur për realizimin e aspiratave të natyrshme të bashkimit të pjesëve në një tërësi, me besimin e poetit që kurrë nuk e tradhtoi poezinë e fjalën e lirë, me entuziazmin e intelektualit që kurrë nuk dorëzohet ai porositë:
“Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës
ji shpërthim i flakëve të shpirtit
je lavdi e popullit të përgjakur”
(Antologjia e zemrës)
Rrustem Geci, duket se ka lindur me poezinë, për poezinë, me fjalët që “fluturojnë” lartë e ulët dhe janë prore në një sferë të preokupimeve të trurit. Ato fjalë që duhet prore të jenë të gatshme për t’i kapur dhe për t’i bërë zap mendimet në kohën e reflektimeve, fjalë që bëjnë roje për ta kapur motivin, që është bërë një me kuantet që janë kudo të pranishme, të lëvizshme, reflektuese. Janë fjalët fillim e mbarim, Kosovë, Shqipëri, Liri, pavarësisht se bota ecën me të veten, në trajektoret e saja, qoftë edhe në zjarrmi e theqafje, sepse koha për asnjë çast nuk ndalon…
Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi
Kosovës kudo ngulmon gjak i ri
arti i çlirimit nuk njeh kufij
në të gjitha kohërat ka emrin, liri!..
(Antologjia e zemrës)
Jeta nuk do të kishte kuptim pa tokën, pa atë pjesë të tokës që quhet Atdhe, Mëmëdhe. As Atdheu nuk do t’i kishte hiret e veta pa lirinë, pa më të shtrenjtën e njeriut. Andaj toka dhe liria janë njëzuar në botën e poetit, ato janë si mishi e thoni, nuk bëjnë dot njëra pa tjetrën…
Imja është kjo tokë
foli liria, vetëtima e saj
unë jam e juaja, sa të më
mbroni, dhe të më mbani
(Çka tha liria?)
Poezia e Rrustem Gecit kryesisht është poezi lirike me nota të theksuara atdhetare, është poezi e angazhuar në kuptimin realist dhe motivues të fjalës, sepse ajo i drejtohet njeriut, brengave e shqetësimeve të tij, i drejtohet Atdheut, trojeve të lira, por edhe atyre ende të robëruara, i drejtohet Shqipërisë. Si e tillë krijimtaria e këtij poeti nuk mund të jetë ndryshe pos poezi e angazhuar me të gjitha tiparet pozitive, me tërë koloritin kombëtar, nganjëherë edhe me mesazhet që nxjerrin kokë larg në kohët e historisë, që nxjerrin zëra lirie nga Pirroja, Teuta, Skënderbeu e deri te Legjendari, Adem Jashari. Në totalitetin e saj, kjo poezi e begatë së sasi e cilësi, i referohet sinkronisë dhe diakronisë shqiptare, së kaluarës e së tanishmes, kohës dhe hapësirës, sepse nuk ndahet dot e sotmja nga e djeshmja, nga e cila rrjedhë dhe në varganin e së cilës degëzohet e lidhet në tërësinë e saj.
Poeti, në tërë krijimtarinë e tij i ka kushtuar kujdes të duhur gjuhës, sepse poezia e tij buron prej kësaj gjuhe “hyjnore” me të cilën shprehet më së miri bota jonë, preokupimet e shqetësimet tona, gëzimet e hiret tona, vuajtjet e mjerimet, por edhe fitoret e ngadhënjimet.
Për dallim nga disa poetë që pretendojnë të jenë super të moderuar, futuristë e arrivistë, Rrustem Geci ndihet fare mirë duke qenë pjesë e traditës, e vargut të rimuar por edhe të lirë, pjesë e fjalës që thyen gurin, pjesë e trashëgimisë bashkëkohore poetike, pjesë e një tërësie të kthjelltësisë së kështjellës poetike shqiptare.
Në rrugën e tij të gjatë, i preokupuar prore me poezinë, Fjalën e lirë, Lirinë, Atdheun, me mallin e Roganës e të Dardanisë, të Kosovës, Çamërisë, të tërë Shqipërisë, poeti ka krijuar stilin e tij të shprehjes poetike, mjaft origjinal si në formë ashtu edhe në brendi.
Karakteristikë e kësaj poezie është stilistika e pasur, fjalët e kursyera, fjalëformimi poetik, gjuha e begatë, natyra e çiltër pa depresion e pesimizëm.
Ahmet Qeriqi, 11 shkurt 2015
Te lumte per pozei fenomenale dhe shum patriotike,…..veç emrin e paske katastrof…. Rrustem c.c.c.c.c.c. ne vitin 2016 me e mbajt akoma emrin turkoarabik…..marrreeee.
Edhe une e kam pase emrin Gafurr Novosella, por e kam bere Dardan Gashi….. 32 euro ne vitin 2009, komuna e Prishtines…… u kenaqa.
Komentet janë mbyllur.