APOLOGJETËT E ISA MUSTAFËS NË DEGËN E LDK-së NË ZVICËR

1
1330

Kush po e përçan diasporën?

Përpjekja për të mbrojtur me çdo kusht dështimin e Isa Mustafës, duke i atribuuar atij merita të paqena është apologji, ndërsa ata që mbrojnë këtë mendim janë apologjet.

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Apologjetët e Isa Mustafës janë bërë zëra të shumtë, tashmë ata janë mjaft aktivë dhe gjenden kudo, veçmas nëpër rrjetet sociale, duke përdorur një fjalor linçues dhe përjashtues, sidomos është e papranueshme për kulturën akademike të LDK-së. Por, apologjetët e Isa Mustafës nuk zgjedhin mjete as mënyra për të diskredituar të gjithë ata që guxojnë për me kundërshtuar kryetarin e LDK-së, i cili në krye të kësaj partie ka ardhur në mënyrë klandestine.

Apologjetët e Isa Mustafës nuk mungojnë as në Zvicër?! Pavarësisht se specifikat e tyre në këtë vend dallojnë me të atyre në Prishtinë, megjithatë duket se janë më vulgarë, me një fjalor pervers, thuaja nuk kanë mësuar gjë nga kultura politike që aplikohet në Zvicër. Edhe pse vetëm dy-tre veta, mund të kenë interesa personale, militantët e tjerë mbllaçitin në mënyrë voluntare, ndoshta pse në shpirtin e tyre u ka hyrë djalli, i cili ua ka shti një lloj inati.

Por paradoksi i apologjetëve të Isa Mustafës, që jetojnë në diasporë është se Degët e LDK-së gjatë viteve të nëntëdhjeta e patën hequr të zitë e ullirit nga Isa Mustafa, atëherë kur ai ishte ministër për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e Bujar Bukoshit, por militantizmi dhe përkrahja e apologjetëve ka shkelur në shkallën e marrëzisë. Tashmë një pjesë e sojnikëve janë bërë demokratë dhe thirren si rugovistë të paepur, mu sikurse shefi i tyre. Edhe pse publikisht duket se mund t’i numërojmë në gishtat e njërës dorë, apologjetët voluntarë janë më shumë sesa ne që mendojmë.

ATA QË DIKUR NUK E DONIN RUGOVËN

Këta militantë dikur ishin kryesisht veprimtarë të Fondit të ‘3-përqindëshit‘, atëherë kur nuk njihnin LDK-në dhe sidomos ishin kundër institucionit të Presidentit të Kosovës, që udhëhiqej nga Dr. Ibrahim Rugova. Qysh atëherë apologjetët e Isa Mustafës ishin të zëshëm kundër LDK-së, tamam siç po bëjnë sot kundër zërave kundërshtues dhe atyre që kërkojnë reforma substanciale në LDK. Por, një është e ditur se kjo luftë e ashpër kundër LDK-së do të fillojë në vitin 1993, atëherë kur u shkarkua nga Kryetari i Fondit Humanitar ing. Nazmi Peci, dhe pak më vonë u detyrua të tërhiqet edhe kryetari i Degës së LDK-së mr. Shaip Latifi, i cili as sot e kësaj dite nuk e ka thënë të vërtetën e asaj dorëheqjeje?! E përmendëm këtë detaj pasi Shaip Latifi kohëve të fundit është parë duke bërë selfie me apologjetët e Isa Mustafës, të cilët kanë vendosur Degës së LDK-së në Zvicër t’ia qesin pelikorin e vdekjes.

Por, se ka qenë një përpjekje e vazhdueshme e Isa Mustafës për ta dobësuar pozitën dominonte të Ibrahim Rugovës, i cili kishte marrë popullaritet të famshëm s’ka dyshim. Ndërsa, ambiciet e tyre u shfaqën menjëherë pas vdekjes së Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, veçmas me daljen nga LDK-ja të fraksionit LDD. Kjo pykë e sherrit krijoi çarje të madhe edhe në Degën e LDK-së në Zvicër. Apologjetëve të Isa Mustafës iu krijua mundësia reale për ta pushtuar në mënyrë të heshtur Degën e LDK-së në emër të një “rimëkëmbjeje?!”, prandaj u gjet Haki Latifi, aktivist i LDK-së dhe i Fondit të ‘3-përqindëshit‘, për ta kamufluar pushtimin e heshtur, andaj atij do t’i besohet udhëheqja e LDKsë.

Tashmë në kryesinë e Degës ishte futur edhe Arif Baftiu, anëtar i bordit në UFORK, për të cilin flitet se prokuroria ka nisur hetimet, Gani Hoxha, ish-kryetar i Fondit të ‘3-përqindëshit‘, që as ai nuk duhet të përjashtohet nga ato hetime. Me sa di mjaft aktiv ka qenë edhe mr. Shaip Kastrati, i cili si krah i fortë i Gani Sylës, dhe si punëtor administrativ për vite të tëra në zyrën e qeverisë Bukoshi në Zvicër, vazhdimisht ka bërë propagandë për Isa Mustafën, tamam si në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të Degës së LDK-së në Zvicër, që u shqua për destruktivitete dhe njëanshmëri, madje ai ishte edhe ndezësi i fitilit për ta braktisur një pjesë e caktuar sallën ku mbahej kuvendi.

OPOZITË E SKENARËVE TË SHËMTUAR TË ISA MUSTAFËS

Posa kuvendi i VIII-të i Degës së LDK-së në Zvicër regjistroi ndryshime substanciale, duke zgjedhur një kryesi larg kontrollit të Isa Mustafës, apologjetët do të nisin lojën e nëntokës, natyrisht duke iu prirë anëtari i bordit në UFORK, Arif Baftiu, të cilit më vonë iu bashkëngjit edhe aktivisti i ‘3- përqindëshit‘ Haki Latifi. Por, askush nuk mund ta thotë pse Hakiu ndryshoi shpejt? Një burim i paverifikuar thotë se atij i kanë afruar poste në diplomaci, kurse në anën tjetër flitet se dikush ia paska rikujtuar një biznes të hershëm.

Megjithatë nëse i besojmë një komenti në gazetën “Bota Sot”, të datës 22.06.2016, ku thuhet se Haki Latifi “përfaqëson Isa Mustafën dhe Bujar Bukoshin ndërsa në vitin 2002 ka hapur një agjenci sigurimesh, për t’i fshehur parat e vjedhura të 3% nga Isa Mustafa dhe Bukar Bukoshi”, qëndrimi i tij mohues justifikohet si një lloj dhune që mund t’i bëhet atij nga nëntoka e Isa Mustafës?! Pikërisht ishte ky koment për të na kthyer mendjen te firma e sigurimeve “LATIMO”, dhe për të menduar nëse krejt rastësisht qenka gjetur ky aktivist i Fondit të ‘3-përqindëshit‘ për ta ringjallur LDK-në?!

Gjatë mandatit si kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi do t’u shmanget kontakteve me aktivistët e tjerë të Fondit ‘3-përqindëshit‘, të cilët qysh atëherë kanë dëshmuar se janë opozitë e skenarëve të shëmtuar të Isa Mustafës, kurse Hakiu pa hezitim i rehabilitoi njerëzit e Isa Mustafës në Degën e LDK-së në Zvicër. Edhe nëpër mbledhjet e Kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër, Latifi është treguar tepër i njëanshëm dhe tejet selektiv, madje nuk ka lënë intelektual pa e lënduar, duke krijuar një klimë të ashpër dhe mbytëse. Në këtë berihaje dallohej se ka qëndrim kundër intelektualëve, prandaj pa u skuqur fare sot mohon edhe vlerat që i kanë të 18 librat e shkruar nga unë, të cilët jo vetëm mua si autor, por do të duhej vetë LDK-ja të krenohej me punën e një aktivisti të LDK-së, i cili me krijimtarinë e tij është bërë faktor i pakontestueshëm në Zvicër.

NJË LUKUNI ARGATËSH TË DREQIT

Madje apologjetët e Isa Mustafës duhet ta dinë se krijimet e tij janë theksuar, cituar, përfshirë dhe përfaqësuar edhe të paktën në 150 libra të autorëve të tjerë, duke u bërë pjesë e trajtesave akademike në njërën anë, dhe në anën tjetër ka përfaqësuar me dinjitet intelektualin e LDK-së edhe nëpër qendrat më të mëdha botërore, që grumbullojnë librin shqip, prandaj si duket përpjekja për të mohuar vlerën, është bërë pjesë programore e apologjetëve të Isa Mustafës.

Siç thamë edhe më herët, vargu i apologjetëve të Isa Mustafës edhe në Degën e LDK-së në Zvicër është i gjatë, por për fjalor vulgar dhe për shprehje perverse dhe pa karar shquhen Xhevat Rexhaj, Ajet Avdyli me të bijën, dhe një lukuni argatësh të dreqit, të cilët nëpër rrjetet sociale nuk lënë gjë pa shpifur e pa shantazhuar, madje këta apologjet i kanë keqpërdorur edhe familjarët e viktimave dhe kanë shpërdoruar edhe autoritetin e deputeteve dhe deputetëve të Parlamentit të Kosovës vetëm e vetëm për të krijuar imazhe të rrejshme dhe favorizuese.

Shikuar në përgjithësi, Dega e LDK-së në Zvicër pengohet vetëm nga apologjetët e Isa Mustafës, të cilët ose janë pjesë e bordit në UFORK, ku flitet se kundër tyre kanë nisur hetimet, ose kanë qenë aktivistë të Fondit ‘3-përqindësh‘, duke luajtur role të dyfishta edhe në LDK. Prandaj ky detaj e qet në pah skenarin ogurzi kundër Degës së LDK-së në Zvicër, që po e bëjnë apologjetët e Isa Mustafës.

St. Gallen, 01 korrik 2016.

1 KOMENT

  1. Nuk ka LDK, PDK, AAK, VVC….. jasht Kosoves. Pik kush don politike te Kosoves, le te vjen ne Kosove.

Komentet janë mbyllur.