NDALONI PAK, TI PRESIM SHQIPTARËT!

0
1055
Rexhep Kasumaj

Berlin, fror 2016

Triptik

(Mbi prrallëzimet politike)

1.
“Çfarë esencash e forcash, çfarë stinësh e zonash hyjnore nuk janë përzjerë” (si do thoshte Niçe), në Kosovën republikane, por një përskajim gjithësor është ravijëzuar, tashmë, mbi kryetemat kombëtare të saj: të prekshme deri në dhimbje. Është Breja e brendshme dhe, shemra e saj e dashur, Rrëmoja e jashtme.

Ndërsa, pra, këndej, shtetin e hipotekuar e bren deri në palcë korrupsioni me luspën e demokracisë, andej ndërkaq – e rrëmon Serbia me formulën 100 vjeçare të sundimsisë. Dhe midis tyre, për çudi, ndërtohet disi natyrshëm një përplotësim imanent: Rrëmoja s’mund të përbirohet assesi pa tërheqjen e Brejës, po as kjo e fundit s’mprehë dot thonjët e saj pa zelltarinë bashkëpunuese që ia njeh dytësja e parë besnike..!

Përse, ndaj, s’tubohet populli në një rezistencë stuhimadhe, që si një ortek, do të rrafshonte figurantët pushtetarë, vjedhësit e shpresës së tij?

Kultura e munguar e lirisë?
Pazotësia përshtatëse me diellin lëbyrës, pas territ të gjatë robnor? Tranzicioni traumatik i trefishtë: nga pushtimi, nga lufta dhe nga doktrina komuniste?

Kam hedhur vetë ide të tilla dyshimtare në shkrimet e mia ndër vite. Mbase kjo do të ketë dhe një votër eterne, sepse (si thotë sërish korifeu i naltcituar) ngurrimi, tërheqja a rrotullimi rreth vetes, ngrihet mbi faktin që instinkti i turmës trashëgohet më shumë se asnjë tjetër..!

Megjithatë, mua, duke përfillur këtë mësim të hollë, sidoqoftë, më bëhet sikur dhe një shtysë tjetër është etabluar poashtu thyeshëm e frenuese: deshpërimi total me të gjithë klasën politike.

Rrjedhimish, pra, ç’repart përfaqësues do të ndiqte populli për të kundërshtuar këtë nyjëtim të keq?

Me krerë partie opozitare, zyrtari i lartë i së cilës ishte pjesë e, madje, një kohë i printe kuvendimit me serbët në Bruksel? Apo me flamurtarin e vonë të etikës së shplarë, i cili vetëm në mbyllje të legjislaturës kuvendare, pat thënë se keqardhej që paskësh kryesuar për katër vjet një parlament votash të vjedhura, pa çka se voli vetë privilegjet e pushtetit të trafikuar?

Alternativa është, prandaj, e vështirë dhe, veç tjerash, edhe këtej rrah të shpjegohet kjo apati që prodhon vetminë refuzuese të shesheve…

2.
Lexova këto ditë një prononcim të Adem Demaçit dhe do të përjetoja një ndjesi të dyfishtë. Së pari, kje gëzimi i ngrohtë që pushtoi zemrën time: sa mirë, thashë më vete, që paskësh kaluar rrëzomën shëndetësore. Por fill pas saj, vinte i ftohtë zhgënjimi sëmbues nga kumti i tij politik.

Ai thoshte: serbët lëre që s’do marrin tokë në veri, por kanë borgj për të kthyer dhe territoret shqiptare deri tek Molla e kuqe! Sepse, vijonte me patos argumentimin, ata patën përçmuar dhe gjasën e pavarësisë së Kosovës, por, ja, ia doli të shkëputet nga stema e saj.

Nga fryma e mesrrjeshtave, rezultonte shpallja solemne: do rikthehet e deri atje do mbërrijë këmba shqiptare. Në mbarim, shoqëruar nga një ofshamë klasike (si shkruante njëherë me dhimbje Ali Sutaj…), do të evokoja vetishëm urtinë popullore, se bjeshka i përket t’zotit të deleve…Turri i ekspandimit serbian me hekur e gjak (pas Berlinit fatkeq), do të ndalej diku në veriun arbnor dhe ajo, aherë, sot e gjithmonë ka popullin e saj, siç ka, poashtu, dhe ky tokën e vet…

E kush do të kërkonte lirinë nën hijen e harruar të t’famshmes, poetikes dhe kujtesëmekurës Mollë? Njeriu i dëbuar, varret që s’janë, vdekja e paemër? Apo, ndoshta, shtetet çalamane shqiptare që s’kanë as potencën ushtarake, mandej as fuqinë ekonomike dhe, së fundmi, as sfondin e tumirjes ndërkombëtare për të pretenduar të drejtën mbi trojet historike?!.. Do të ishte e mjaftë, gati një mrekulli e shekullit, sikur ata të përthekonin jetëhapsirën etnike që, dhe ajo, kërcënon të rrudhet e shprishet vazhdimisht.!

Ndaj dhe, megjithë retorikën e çiltër nacionale, fluturime të tilla fantazmagorike nuk kthjellojnë mendimin politik kombëtar. Përkundrazi. E terrojnë atë në shkallën që fsheh e mugëton horizontin e largët. Është vizioni tejpamës, i sendërtueshëm e realist, që nëvojit ëndrra shqiptare për ditëbukurën e nesërme. E ky lloj prrallëzimi i entuziastit të pandreqshëm e, shpesh, naiv, nuk ishte kurrësesi!

3.
Megjithë vendzënjen në një pikë të ndjeshme rruzullimi, veçansinë në familjet e mëdha të kombeve e, që këtej, trysnitë jashtësore, vonesa është fakti, kuptimi dhe metafora që përthekon ecjen politike shqiptare.

Ben Gurioni proklamonte rezolutivisht se Izraeli pikësynonte tre objektiva madhorë strategjikë: shtetin, demokracinë dhe territoret biblike… Mirëpo ky traktat aspiratash nuk është bërë ende jetë. Çifutët dhe çështja ekzistenciale e tyre, vërtetë, janë të rrethuar nga faktorë të mnershëm limitues. Shqiptarët, poashtu. Madje, në kufi të një krahasimi të mahnitshëm përgjasues…

Por, sërish, kultura inteligjente e flijuese e organizimit hebraik, është e largët si yjet për shqiptarët.

Ndershmëria, ky është virtyti nga i cili nuk mund të çlirohemi, ne shpirtërat e lirë, thotë sërish një titan i mëndjes njerëzore. Dhe parzmues i saj duhet të jetë, veçanërisht, titullari që vulos fate kolektive. Zeja e politikës, natyrisht, ka trillet e saj. Dhe pabesitë, poashtu. Mitëpo s’mund të ketë një të tillë, që do të cilësohej efektive, e përkorë e shërbyese ndaj atyre që japin tagrin e Fuqisë, pa një fill, sado të hollë, të saj. E pikërisht ky virtyt është qëmoti në degjenerim e zhdukje… Madje, duke mos qenë vetëm tipar krenarie patogjene e të habitshme vetëm ndër dinastët e errtë folklorikë, zvetnimi megashtegton tutje, poshtë e gjithkah, për ti bërë robër të bindur të gjithë…

Rrjedhimisht, ndaj, këlthitet në kupë të qiellit: të vonuar për lirinë, të vonuar për shtetin, të vonuar për demokracinë, të vonuar për mirëqenien sociale të shumicës… Më keq akoma: të ngecur, prapakthyer e çorientuar në udhëkryqet që krijojnë vetë e vuajnë vetë…
Athua, pra, do ti mëshirojë Koha duke urdhëruar kombet e lira e plot adhurim, që “dehen n’epopena t’veta”: ndaloni pak, ti presim shqiptarët!?

R. K.

Një shpërpjestim humnershëm i thellë, vulos netët e mugëta të Kosovës. Në një anë është guverna dramatikisht e keqe, kurse mbanë tjetër, heshtja, tkurrja lapidare e atyre që i kanë dhënë asaj besimin politik.