Gazeta TemA, 17 prill 2019
Kryetari i Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha sot se deputetja holandeze që propozoi kthimin e vizave për shqiptarët është mike e Lulzim Bashës.
Balla deklaroi në studion e news24 se populistët po përdorin çdo mjet që të denigrojnë kombin shqiptar.
“Së pari duhet të kuptojmë se Parlamenti i Holandës funksionon më ndryshe se tek ne, çdo deputet ka mendimin e tij.
Deputetja që e propozoi rezolutën është mike e ngushtë e Lulzim Bashës.
Populistët po përdorin çdo mjet, që të denigrojnë kombin shqiptar. Lidhur me këtë rezolutë. Nuk janë shqiptarët grupi problematik i krimit në Holandë. Kriminaliteti i shqiptarëve që jetojnë në Holandë është 20 herë më pak se i polakëve”, tha Balla.
Reagimin e opozitës në Shqipëri, Balla e quajti të turpshëm.
“Ajo që e bënë shqetësuese është reagimi i turpshëm politik që ndodh në Shqipëri. Frenat e dorës nga BE për regjimin e vizave ngrihen vetëm kur ka azilkërkues, ky ka rënë.
Por, së bashku me këtë ka rënë edhe kriminaliteti.
Reagimi zyrtar i Holandës qetësoi shpirtrat e trazuar. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer mes të dyja vendeve.
Ajo që është për të ardhur keq, është reagimi antishqiptar nga politika në vend”, tha Balla.