Historia e parashutistit antikomunist, martirit Hamid Toshi (Saiti)

0
504

Klajd Kapinova

Për dekada mbeti në harresë

Shumë vite më pare miku im, ish i burgosuri politik Viktor Luka, duke parë koleksionin e pasur të fotografive (një arkiv për martirët antikomunistë), ndër të tjera më foli një nga një për emrat e fotove historike të parashitistëve me unifomë ushtarake, të hedhur me parashut për mission antikomunist në Shqipëri.

Ata të gjithë ishin stërvitur në kampet ushtarake në Itali nga personeli ameirkan dhe Italian, të cileët u dërguan me mision në bashkëpunim me Komitetin Shqipëria e Lirë, me qenër në New York.

Fotot origjinale, i ruante si relike të rrallë shkodrani Zef Luka vëllai i Viktorit.
Mbi 100 parashutistë asokohe zbarkuan në Shqipëri, me detyrën special dhe të rëndsishme për të përmbysur regjimin e hijenave dhe vendosur lirinë e vërtetë për popullin shqiptar.

Libri në formë ditari me autor parashitistin Zef Luka, mban titullin: “Njiqind shqipe që erdhen me prue lirine”.

Sa më shumë që futesha në labirinthet e librit të shqiptaro amerikanit Zef Luka aq më shumë bindesha se ai dhe miqtë e tij martirë, që nuk jetojnë më, sikurse ishte edhe martiri Hamid Toshi (Saiti), ishin të mbrujtur me ideale të bukura e fisnike, për Shqipërinë, duke qenë krenarë për detyrën deri në flijim, që kishin marrë përsipër.

Ngjarje, njerëz, vende, fjalë, rrethana tragjike parakalojnë në këto fletë në mendjen time që asnjëherë nuk i ka lexuar këto episde që përshkruhen thjeshtë, por që ruajnë në vetvete një epizëm homerik, ashtu sikurse kanë qenë e mbeten të thjeshta të gjitha gjërar sublime.

Vetësakrifica e tyre ka pasur një qëllim fisnik të përbashkët dhe e cila nuk u shua asnjëherë: zgjimi i ndërgjegjës së dremitur të popullit shqiptar, që jetonte gjumin letargjik dhe për më keq një pjesë e rinisë, që e mbështeste diktaturën e dhunshme sovjetike të proletariatit, ishte dehur nga frazat e bukura plot gënjështra të komunizmit në Shqipëri, që si sëmundje kancerogjene po e brente dalë e ngadalë vetëdijën kombëtare të popullit të vet, që iu nënshtrua më ose padëshirë dhunës më të egës të diktaturës komuniste, që zgjati për 50 vjet më rradhë në tokën e zhuritur shqiptare.

Familja bujare Toshi

Prindërit e Hamitit, Saiti ishte një baba dhe shok për të birin që e donte aq shumë, sikurse nëna që qysh në djep e lëkundi dhe i mëkoi me gjirin e saj dashurinë për tokën ku kishte lindur, miqtë, shokët dhe të afërmit e tjerë.

Ajo shpesh e përkëdhelte edhe kur vogëlushi Hamit, vinte në shtëpi së bashku me shokët e tjerë të fshatit, sepse ishte shumë i dashur me të gjithë. E me këto ndjenja fisnike shqiptare hodhi shtat, duke pasur përherë edhe përkujdesin e tre motrave, që sot jetojnë: një në Ulqin (Vladimir, në Mal të Zi), një në Trush dhe një në Dajç të qarkut të Shkodrës.

Kjo familje me shumë virtyte fisnike të traditës shqiptare ka qenë një derë e madhe. Prindërit e Hamitit kishin 6 fëmijë, 3 djem e 3 vajza.
Kështu, sikurse mësojmë edhe nga të afërmit e familjes, Muhameti ka qenë më i madhi, pastaj vinte Isufi dhe në fund vëllai i vogël çamarrok, Hamiti, ndërsa motra e tyre qenë Pashe në Trush, Cace në Ulqin dhe më e vogla Gjylana në Dajç.

Qysh herët, në fillim të shekullit XX dhe më saktë në vitin 1912 i ati Saiti, ka pasë 3 vëllezër si pjesmarrës në lufën e Taraboshit, në vitin 1912, kundër ushtrisë malazeze, ku edhe plagoset me të shoqen dhe më pas, si pasojë e pezmatimit (infeksionit) të plagës, humb edhe jetën mbas dy vjetësh.
Me vdekjen e të atit shtylla e shtëpisë ekonomia e brishtë e familjes nis të vështirësohet dhe përkeqsohet deri në vitet 1930.

Gjatë pushtimit fashist të vendit më 7 prill 1939, Muhameti ka luftuar me armë në dorë okupatorët e huaj. Ai gjithnjë ka ruajtur marëdhënie të mira me familjet e vjetra tregtare shkodrane, sikurse ishin asokohe familja tregtare Muzhani, Myftia, Danhasani, Bianchi, etj.
Edhe pse nuk ka qenë e një niveli ekonomik, ai sikurse shumë familje qytetare e fshatare shkodrane, ka mbajtur të hapur dyert i mikpritjes, bujari e cila ka qenë dhe mbeti tipike edhe sot nga stërnipërit e tyre.

Pranë shtëpisë së tyre herë mbas here kanë qenë edhe persona publikë të njohur të qytetit të Shkodrës, sikurse kanë qenë Hasan Isufi e Caf Beg Ulqini, Prek Cali, etj., të cilët kanë qenë eksponentë në Lëvizjen e Parë Antikomuniste në Evropën Lindore siç ishte ajo e fshatit të njohur Postribë (pak kilometra larg qytetit të Shkodrës), në vitin 1946.

Duke shfletuar disa dorëshkrime dhe nga kujtimet e pjestarëve të fisit të tyre, mësojmë se pak muaj para se të kapitullonte Italia fashiste, është rrethuar shtëpia e tyre për të kapur të gjallë Hamitin dhe Muhametin.

“Çlirimi”
i vendit e kalvari i vuajtjes së familjes…

Pikërisht vitet 1944-1990 janë periudha më e dyshimtë, të cilat historiografia komuniste, dje e sot në të gjitha nivelet “kulturore” në Shqipëri, janë defiçitare në “vërtetësinë”, që ata, i kanë bërë jetës së njërëzve, ku, ata që kanë qenë kundërkomunistë, janë denigruar deri më sot.

Ndoshta është një rast i veçantë për të shprehur shpirtin e tij human, Hamiti, me inisiativën e vet, shkon vullnetarisht ushtar, për të mos shkuar disa djem të rinj që vinin nga familjet më të varfëra, e ishin djem të vetëm në familjet e tyre.

Familja Toshi, tashmë kishte një djalë ushtar që vinte nga Villgara, Ana e Malit – Oblikë. Gjatë rekrutimit për ushtar, tek shtëpia e Brahim Dulit, kujtojnë të afërmit e Hamitit, krimineli komunist Zoi Themeli, që asokohe ishte shefi i Degës së Punëve të Brendëshme për Shkodrën u bëri thirrje që të dorëzojnë armët.

Ata pasi i dorëzuan armët, iu komunikua për të shkuar në qytetin jugor të Gjirokastrës, në një kohë që ata ishin caktuar për të qëndruar si ushtarë në fshatin Obot në Oblikë.

Hamit Toshi, pa pasur aspak frikë e kundërshton hapur këtë vendim të padrejtë dhe shumë tendencioz që personalisht i bëri përfaqësuesi i Sigurimit komunist, Zoi Themeli. Ndër të tjera Zoi Themeli i thotë Hamitit me përçmim dhe tallje: “Po të ishe burrë i mirë, nuk i dorëzoje armët!”.

Duke ruajtur gjakftohtësinë, Hamiti menjëherë del nga rreshti, përkulet, nxjerr një pistoletë nga çorapi dhe ia hedh përpara syve Zoi Themelit.
Ai ka pasur gjithnjë me vete deri në tre pistoleta. Me pistoletën e tretë ai e fton oficerin komunist Zoi Themelin, të marrë pjesë në dyluftim, mbasi burri i armatosur në sy të burrave të tjerë nuk fyhet.

Me këtë veprim prej trimi, Hamiti bën që të gjithë ushtarët të qëndrojnë në Obot për 6 muaj dhe më pas i transferojnë në Delvinë.

Zgjedhjet
e para “demokratike”, 2 dhjetor 1945

Ëndrra dhe dëshira e pashuar e tij ishte për një atdhe dhe shoqëri shqiptare pluraliste; Shqipëri përparimtare dhe demokratike; Respektimin e votës së lirë të individit; Zhvillimin e vendit, sipas modelit të vendeve më të përparuara demokratike të Europës Perëndimore dhe demokracisë së lirë të Shtetëve të Bashkuara të Amerikës etj.

Edhe sot, po t’i hedhësh një sy librave të historisë që janë në përdorim deri në Universitetet politike shqiptare, do të shohësh se asgjë nuk ka ndryshuar nga historiografia 50-vjeçare komuniste dhe se zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, përmenden si votime e zgjedhje të “lira”, kur asokohe opozita votonte në një kuti të veçantë me kokrra.

Kështu, më 2 dhjetor 1945, Isufi ka qenë në komisionin zonal në qendrën e votimit. Një natë para se të bëhen votimet arrestohet nga UDB-ja jugosllave dhe dërgohet me ndihmën edhe të forcave të Sigurimit Shqiptar për në Ulqin.

Me kërkesën e Shefqet Hamza Dulit, villogradas (asokohe kryetar këshilli i fshatit) insistohet dhe sillet në burgun e madh të qytetit të Shkodrës, i kapur prej krahësh nga dy kolonelë jugosllavë. Arsyeja ende sot ka mbetur enigmë.

Gjatë pyetjeve që i bën në hetuesi Zoi Themeli, në prezencë të oficerit gardian Elez Mesi dhe dy kolonelëve jugosllavë, në provokim e sipër, Isufi nuk duron më dhe i drejtohet Zoi Themelit: “Jugosllavëve nuk ua kena pa hajrin denbabaden dhe jo t’ia shohim tashti”.

Ndërsa kryexhelati oficer i Sigurimit Zoi Themeli, i thotë t’a përkthejë shprehjen, që t’a marrin vesh edhe jugosllavët se ç’ka do të thotë në gjuhën e tyre jugosllave. Në çast u thuhet përfaqësuesve të huaj se Isufi, si bandit, kërkon të prishë miqësinë shqiptaro – jugosllave.

Në ato momente, gardianët së bashku me drejtuesin e tyre Elez Mesin e lidhin Isufin, e ulin ratë (poshtë) dhe më pas të dy kolonelët jugosllavë, me çizmet me thumba, njëri i hyp në kokë dhe tjetri në bark dhe e mbajnë për disa minuta në gjëndje torture. Torturat në forma dhe metoda fashiste kanë vijuar edhe në ditë të tjera, por Isufi asnjëherë nuk është përkulur.

Ai në burg si bashkëvuajtës ka pasur persona të njohur në Shqipëri, sikurse është Mandela i gjinisë femnore Drita Kosturi, Terezina Pali, Padër Mati Prenushi, Gulielm Suma pronari i Kafes së Madhe, etj.

Duke parë se nga Isufi nuk nxjerrin asgjë të rëndësishme për Sigurimin komunist, ashtu sikurse kishin vepruar edhe me të burgosur të tjerë, në mënyrë që të mos i lirojnë për mungesë provash, dhe se dënimi ishte i domosdoshëm (porosi e Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës për të gjithë antikomunistët), akuza, nga prishja e miqësisë shqiptaro – jugosllave, i kthehet si organizator apo ndërlidhës i Lëvizjes Kundërkomuniste të Postribës për zonat Postribë, Shkodër, Ulqin, Krajë dhe Ana e Malit.

Përsëri tortura të llojeve të ndryshme, të ushtruar me saktësi nga xhelatët specialistë dhe të dhunshëm e të pashpirt.
Biruca, ku ata kanë qëndruar për shumë kohë, ishte rreth 1.5 metra gjërësi dhe 2 metra gjatësi. Të gjithë të prangosurit në burg ishin të lidhur me njëri – tjetrin, ku i fundit dhe i pari ishin të lidhur në mure në mënyrë që të mos kishin mundësi që të lëviznin.

Një ditë prej ditësh, kujton nipi i tij Xhevahiri, gardiani Elez Mesi hap sportelin e birucës dhe vështron të burgosurit. Isufi po bisedonte dhe ai dëgjonte.

Gardiani merr Isufin së bashku me Padër Mati Prenushin dhe i çon në gropën e zezë të WC-së ku gishtat e këmbëve nuk u hasnin në tokë.
U vendos vetë nën sqetull vezë të ziera, kuja pishe në thua, i fusin deri në bel në gropën e zezë për t’i gjunjëzuar martirët e fesë dhe të lirisë, deri sa të dy shqiptarëve të lidhur, herë pas here, u binte të fikët nga torutrat e njerëzve të pashpirtë të Sigurimit komunist.

Një ditë tjetër, kur kanë ardhur në vehte tregtari i nderuar shkodran Guliam Suma dhe kleriku katolik padër Mati Prenushi (1887-1948), në atë gjëndje të vështirë që ishin, kanë kërkuar që më mirë t’i vrisnin, se sa t’i linin gjallë e për gazep, nën torturat çnjërëzore që bënte xhelati i pashpirt Elez Mesi me të tjerët.

Më mbas, ata janë pushkatuar pa mëshirë nga togat e zeza të pushkatimit, të ngritura vetëm për të bërë vrasjen e shqiptarëve martirë. Isufi, në vitin 1947, lirohet nga burgu. Gjatë kohës që ai ishte në burg, Hamiti (vëllai i vogël) arratiset në Greqi.

Më pas nis kalvari i familjes së tij, ku menjëherë forcat e ndjekjes komuniste të Sigurimit arrestojnë Muhametin në vitin 1949 dhe e dënojnë me akuza fallco me 9 vjet heqje lirie, sepse “deshti t’i bënte një atentAtë një punonjësi të Sigurimit”.

Para se të burgosej, Muhameti me disa miq të tij, kanë nxjerrë jashtë shtetit, për t’i shpëtuar përndjekjeve, qytetarin Zija Myftia. Dy vjet më pas, gjatë kohës që axha ishte në burg, vijon në kujtimet e tij Xhevahiri, ai vritet në Dukagjin.

Aktiviteti
kundërkomunist i Hamit Toshit në vitin 1951 e vijim

Duke iu rikthyer edhe një herë librit të autorit Zef Luka me titull: “Njiqind shqipe që erdhën me prue lirinë” (Ditar) ndër të tjera, për Hamitin, ai kujton në faqet e tij se si e kishte marrë vesh ngjarjen e vrasjes së Hamitit.

Ai kujton: “Millë. Në mbramje vërejmë se rreth orës tetë kalon përmbi ne një aeroplan. Thamë se asht tue hedhë letra. Ne e nesre rinia e Sigurimi dolën me i mbledhë për të mos ra në dorë të popullit, tue na vue edhe ne kështu në rrezik. Ne nesre, sapo zbardhi dita, ndiem pushkë e mitraloza.

Unë mendova, se asht tue ba manovra ushtria, por ma vonë mora vesh se ishin hedhë parashutista në Livadhet e Barit, në Cukal. Ata luftuan e u vranë deri sa arritën në Kir. Grupi që kishte parashutuar ishte i Komitetit Shqipëria e Lirë. Personi parashutist që ndër ta kishte mbetur i vrarë ishte shoku im më besnik, i ikun prej Brigadës XV Sulmuese, Divizioni I, Kompania II e Delvinës, Hamit Toshi (Saiti), prej Villgarit, Ana e Malit, Shkodër. Ai pat edhe një vëlla që më duket e thirrshin me emrin Isuf, si edhe një motër të martueme në Ulqi., Tokat i kishn në kufi me Jugosllavinë” (Luka, f. 95).

Pra Hamiti kishte rënë me parashutë vetë i katërti në një nga lëndinat e malit Cukal, por edhe këtu kishte rënë në pritë. Me sa duket, Sigurimi komunist ishte në dijeni më përpara për këtë zbarkim nga ajri të njerëzve që kërkonin lirinë e popullit shqiptar.

Komandanti i grupit ka qenë vetë Hamit Toshi, i cili, shoqërohej në misionin e tij fisnik nga tre persona të tjerë shqiptarë. Ata ishin Hazis Rustja nga Bërdica, Dedë Hili nga Dukagjini dhe Rifat Zyberaj.

Tradhëtia e agjentit të dyfishtë
anglezo rus Kim Philby dhe vrasja e Hamitit

Për hir të realitetit duhet vënë në dukje se shpesh edhe disa gazeta të djathta bien në pozitAtë e gazetave të majta komuniste në Shqipëri, duke iu referuar autorëve që kanë qenë në kupolën e Sigurimit komunist, saqë shpesh ata e nxjerrin Sigurimin shqiptar si më i përsosuri në “dështimin” e komploteve kundër tyre.

Duke shfletuar faqet e librit: “La missione tradita” (Come Kim Philby sabotoge l’invasione dell’ Albania) me autor Nichollas Bethell, kushdo e kupton sesa fallco e komike kanë qenë e mbeten filmat propagandistikë komunistë, që rishfaqen sot si “kryevepra” të kinematografisë “shqiptare”.
Grupi i kryesuar nga Hamit Toshi ka rënë në grackë qysh në fillim, si pasojë e lojës së dyfishtë të agjentit Kim Philby, për të cilin “Gazeta Shqiptare”, asnjëherë nuk ka shkruar a thua se nuk ka aq burime e literaturë për ta trajtuar sesi veproi ai kundër parashutistëve shqiptarë dhe të huajave në shumë vendeve të tjera të Europës Perëndimore.

Kur grupi i kryesuar nga Hamit Toshi, ka rënë në tokë me parashutë, ata kanë qenë të tradhëtuar qysh në ajër dhe jo si pasojë e aftësisë së Sigurimit. Parashutisti Rifat Zyberi, plagoset rëndë dhe, për të mos rënë i gjallë në duart e Sigurimit, vret edhe veten.
Për më tej tre të parashutistë të tjerë kanë qenë të rrethuar dhe mbasi qanë rrethimin, kanë ikë rrugën drejt pjerrësisë së Malit të Cukalit dhe më pas janë nisur për në Dukagjin.

Me të arritur në Dukagjin, të lodhur, të uritur dhe pa gjumë, kanë shkuar për të bujtë në shtëpinë e mikut të tyre bashkëluftëtar, dukagjinasit parashutist Dedë Hili, pikërisht në fshatin Kir. Ardhja e tyre, merret vesh nga një spiun malësor vendali, që punonte si hafije për llogari të Sigurimit.

Mbas spiunimit, pas disa çastesh, shfaqen si miza toke në shkrepat e Dukagjinit mbi 800 forca të ndjekjes komuniste të cilat edhe ato, për çudi, kryesoheshin nga një komandant që ishte po vendali nga zonAtë e Dukagjinit.

Menjëherë krisi pushka mes parashutistëve të vendosur për misionin e tyre për të shpëtuar popullin nga zgjedha komuniste dhe forcave të Sigurimit që luftonin nën simbolin e Titos dhe të proletarëve pa fe, atdhe, ide dhe qëllim luftimi.

Mbas dy orë luftimi të përgjashëm, vritet heroikisht trimi i vendosur Azisi dhe, pas 6 orëve të tjera, mbetet i vrarë Hamit Toshi dhe i fundit, mbas 8 orë luftë, i vetëm përballë shumë kriminelëve të Sigurimit, vritet dëshmori i lirisë, dukagjinasi Dedë Hili.

Edhe në atë gjendje të rëndë dhe skene makabre përpara bjeshkëve të Dukagjinit, kunata e Dedës, një grua trimëreshë dhe fisnike e Kanunit të Lekë Dukagjinit, pa iu trembur syri për pasojat, që mund të rridhnin nga veprimi i saj, i kërkon komandantit komunist ta lejonte për të marrë trupat pa jetë të të tre martirëve për t’i varrosur.

Më pas, kur janë larguar forcat e komandës dhe të policisë komuniste, ajo i ka varrosur të tre.
Pas shumë dekadash, në vitin 1991 trupat e tyre janë gjetur për t’u rivarrosur nga të afërmit e tyre me ceremoni, mbasi Zoja ka shënuar emrin e secilit prej tyre, duke e mbajtur sekret, deri kur ata janë rivarrosur nga bashkëvuajtësit.

Ngjarje
të tjera të familjes së patriotit Hamit Toshi

Për aktivitetin e madh të Hamitit shkruan edhe miku i tij më i afërt, Zef Luka, i cili edhe kur shkoj në Shqipëri në vitin 1992, bëri një vizitë të shkurtër tek të afërmit e tij, duke u theksuar edhe një herë se e kishte patur një mik dhe shok shumë besnik dhe se ai kishte qenë me të vërtetë një antikomunist i vendosur.

I ndjeri Zef Luka, në një nga kapitujt e librit të tij, përmend edhe tradhëtinë e madhe që i bëri agjenti i KGB-së Kim Philby, i cili i humbi Shqipërisë për ambicjen e vet personale dhe për të holla, bijtë më të mirë dhe trima të popullit shqiptar dhe për më tepër qytetit më antikomunist në Shqipëri, Shkodrës dhe rrethinave të tij, bijtë që sot nderojnë qytetin dhe familjet e tyre për aktivitetin e vendosur antikomunist me jetën që dhanë për çështjen e atdheut.

Kalvari

Familja Toshi dhe veçanërisht vëllezërit e Hamitit ndiqen nga persekutimet e njëpasnjëshme.
Kështu, në vitin 1956 Muhamet Toshi, lirohet nga burgu (që e ka vuajtur në kam[et më të këqia në Shqipëri duke tharë këneta), mbasi kishte qëndruar në kampet e Maliqit, Vlorës dhe Bedenit të Kavajës.

Në fund ai lirohet nga Rinasi. Ai është njohur me Prof. Arshi Pipën, Ragip Lohen, Hajdar Rusin, Muharrem Sahitin, Muhamet Fejzon, Prof. Sami Repishtin dhe shumë klerikë të besimeve të ndryshme të Shqipërisë.

Fill mbas daljes nga burgu, ka shoqëruar për jashtë “burgut të madh” të Shqipërisë shumë vetë, meqenëse e njihte shumë mirë zonën kufitare.
Një ditë të bukur, pas ditës së fundit të festës së Bajramit, kalon kufirin dhe shkon për Bajram tek motra e tij në Vladimir të Ulqinit.

Atë e kishte njohur një person vendas, i cili menjëherë e spiunon tek forcAtë e Sigurimit jugosllav dhe ata lidhen me Sigurimin komunist shqiptar.
Gjatë kthimit në vendlindje i bëhet pritë dhe, në kthim, pa paralajmërim, shkrehin breshëritë e automatikut kallashnikov mbi trupin e një fetari islam të devotshëm.

Gjeografia e kalvarit
dhe vitet e burgut të familjes Toshi?

Menjëherë mbas vrasjes së Muhamet Toshit, forcat e Sigurimit, si të xhindosur, i vërsulen shtëpisë së familjes së tij dhe e bastitsin, duke bërë rrëmujë çdo vlerë materiale të vënë me mund e sakrifica mbijetese.

Për familjen fillon menjeherë internimi për 3 vjet në Gradishtë të Lushnjës.
Më mbas ata kthehen nga internimi në vendlindjen e tyre në vitin 1956. Po atë vit arratiset jashtë shtetit djali i Muhametit, Xhemali, duke qenë i kërcënuar për jetën nga spiunët e Sigurimit dhe sot ai jeton në New York të ShBA-së.

Familja e tij riinternohet në fshatin Hajmel gjatë viteve 1955-1970. Më 1970 ata lirohen nga internimi.
Në vitin 1973, vëllai i Hamitit, Isufi, dënohet me burgim me nenin famëkeq “55” për Agjitacion e Propagandë, duke i theksuar në gjyq se ka mbajtur Ramazan, se ka thënë se malli kinez është i keq, se ka thënë që ka shkuar sateliti në hanë, se nuk i del buka, ka thanë se sa e madhe është minarja në Vladimir të Ulqinit.

Në gjyqin famëkeq kundër tij i kanë dalë dëshmitarë 5 vetë, që ishin njerëz të dënuar ordinerë, që sikur thoshte populli, ishin spiunë me 1200 lek ($12).

Burgun Isufi e kalon në kampin e tmerrshëm të Spaçit e në Ballsh së bashku me dom Nrekë Kroqi, njeriun kurajoz e trim Fadil Kokomani, Spartak Ngjela (sot një ndër avokatët e njohur të mbrojtjes së demokracisë), Dylber Merdani, Pjetër Loro, Pashuk Loro, Zeqir Ceni etj.

Më 2 Prill të vitit 1990, Isufi lirohet nga burgu. Kjo familje më përpara ishte internuar edhe në Lumas të Beratit, më 25 Qershor të vitit 1980, duke qëndruar për 5 vjet me motivacion që “të mos kishte të drejtë kthimi në vendlindje”.

Përfundimi i dramës Toshi

Familja Toshi ka të pushkatuar dy vetë: Muhamet Tusha (Toshi), 29 Maj 1961, Hamit Toshi, vrarë më 16 Gusht të vitit 1951; të burgosur: Muhameti 8 vjet, Isufi 8 vjet; internim: Isufi 5 vjet, Menja Tusha 5 vjet, Xhevahiri, i biri, 5 vjet (1980-1985); familja Muhameti: Internimi i parë 1960-1963, pas vrasjes së Muhametit: Zadja 3 vjet (1960-1963), e bija Nadirja, (1960-1963); Xhemali, i biri (1960-1963); Melihaja, kur ishte 2 vjeç (1960-1963).

Mbas arratisjes, i biri 19 vjeçar, Xhemal Fusha, vjen në New York, ku jeton edhe sot.
I gjithë kalvari i familjes Toshi, përfshihet në 42 vjet internim, 16 vjet burg dhe 2 të vrarë barbarisht nga forcat “popullore” të Sigurimit komunist.

Mbijetesa e kësaj familjeje, është madhështi

Nuk do te jetë asnjëherë e saktë historia e popullit tonë në të gjithë trojet etnike shqiptare, nëse nuk do të shkruhet me saktësinë e kohës për bijtë më të mirë të nacionalizimit, atdhetarët e idealeve të pastra liridashëse, përparimtare, demokratike, për të cilat vlera ata flijuan edhe jetën e tyre dhe janë sot një pasqyrë nderi dhe krenarie, për misionin fisnik të shkëputjes së Shqipërisë nga kthetrat e komunizmit të zi.

Literatura:
1. Zef Luka, “Njiqind shqipe që erdhen me prue lirine”, USA, 1950.
2. Tomë Mrijaj, “Historia e parashutistit Alush Leshanaku (1913-1950)”, revista Jeta Katolike, f. 13-14, 2008.
3. Alush Leshanaku: “Gjendja e Shqipnis në Prill 1949”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 20 Dhjetor 1954, f.4.
4. “Alush Leshanaku – Lajmtar e Fatos i Liris”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 28 Nëndor 1951, f.2.
5. “Me histori në dorë”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 28 Nëndor 1952, f.3.
6. Kolë Çuni, “Ditët e fundit me Alushin”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 20 Dhjetor 1954, f.6–7.