Romani ‘DËGJO FLORIRI IM’ – një fragment

0
756

Me rastin e 10 vjetorit të botimit, të romanit voluminos: ‘DËGJO FLORIRI IM’ – një fragment

Kristaq Turtulli

Rubini, ballë sedefi, vështroi miletin me sytë gazmorë, bëri disa lëvizje të lehta, në majat e gishtave, si valltar klasi që përgatitet të fillojë vallen e zemrave, ashtu shtatlartë, kaçurrelin çapkën të zi, harlisur në ballë. Eci madhërishëm në korridorin e mbushur me dasmorë drejt qendrës së dasmës, ku qëndronte e zgjedhura, nusja e tij, Retina.
“Çfarë bën Rubin,’ ia thanë prindërit e habitur dhe të shqetësuar njëherësh. I dolën përpara ta ndalnin:’ Mos u lajthit biro?! Dale. Mos na bëj me zemër, mos na leqendis. Kitara në dasmë është e sazexhinjve, jo e dhëndrit. Lëri sazexhinjtë t’i bien avazit. Ne për atë pune i kemi thirrur në dasmë.”
Rubini u buzëqeshi ëmbël dhe rregulloi me nge rripin e kitarës në shpatull. Akordoi telat, mbajti vesh me kujdes tinguj e lehtë, pastaj lëvizi me shkathtësi gishtat mbi telat e hollë. Balli i gjerë iu tendos dhe sytë i shkreptinë. Ajo copës dërrasë me ca tela të ndehur, të lidhur nyje, sikur bënte magji.
‘Flake brengën njeri dhe mbill gëzimin…’
Prej kitarës u dëgjuan tinguj të ëmbël, si cicërimat e bilbilave, kanarinave, të gjithë shpendëve këngëtarë! Erdhën befasisht nga pylli i madh i dushqeve, fluturuan, u ulën zhurmshëm në telat e kitarës së gjyshit Rubin. Shtëpia e madhe u mbush me gëzimin e mrekullueshëm të pranverës, me kënaqësinë e çiltër të jetës. Dasmorët lanë zhurmat, fjalët, thashethemet, u kthyen si me komandë nga dëgjoheshin tingujt magjepsës të kitarës. Shumë prej tyre erdhën vetëm të dëgjonin Rubinin kur t’i binte kitarës dhe të këndonte. Ai u premtoi! Nuk dilte nga fjala Rubini! Hej, heshtni, dëgjoni! Po i bie kitarës Rubini, kantautori, mjeshtri i serenatave.
E ëma i fliste zë ulët dhe gjithë përgjërim:
“Rubin, të keqen nëna. I bukuri i nënës, shpirti i nënës, ne i paguajmë sazexhinjtë tu bien tamburave, jo t’i lemë të shqyejnë sytë dhe të zbardhin dhëmbët me ne kur të dehemi. Ata janë dreqër me brirë, mbushin barqet se ngrëni dhe të fryjnë xhepat me paratë tona. Hë t’u bëftë nëna, shko tek nusja dhe thith aromë gruaje!”
Rubini qeshi, shkujdesur dhe eci përpara. Të dy prindërit e merakosur e ndoqën nga pas. Ata ishin njerëz të urtë. Stërgjyshja Dhora, në lektisjet e para të dritës së mëngjesit doli në mëhallë me kanistrën plot të shpërndante karamele për fëmijët dhe llokume me arra për të rriturit. Le të ëmbëlsoheshin me lindjen e dritës së mëngjesit në dasmën e djalit!
“Dasma është e imja dhe qejfin dua ta bëj unë dhe jo sazexhinjtë,” tha Rubini dhe bëri një rrotullim rreth vetes, telat zhurmuan këtë herë me furi, si të ishin zërat dhe erërat e pyllit. Kaçurreli i zi valëzoi në ballin e gjerë, gishtat e hollë dhe të shkathët i fluturuan nëpër tela.
Këndonte bukur, në fustanin e bardhë të nuses u ulën të gjithë zogjtë e pyllit. Ai ishte dhëndri, muzika, hareja, gjithë bota. Gjyshi Rubin me trupin e drejtë si selvi, të zhdërvjellët hyri mes grumbullit të dasmorëve kënduar dhe luajtur në kitarë. Balli i gjerë i djersitur, gjithë shkëlqim, si i mbuluar me margaritarë. Hodhi këmbën e majtë përpara, përkuli trupin, si të bënte përshëndetje fisnikërie, zgjati qafën, ngriti kokën. Bëri një gjysmë rrotullim, fshikulloi ajrin, këndoi:
Qyteti është sy zgjuar, po përgjon,
Doli flladi, rrugicave rrëshqet,
Falma moj Retinë syn e zi,
Dale moj, me gojë pse s’më flet…
Por Retina qe sy të kaltër dhe flokët gështenjë. Vështronte sy ngulur e hutuar burrin e saj. Po e puthnin të gjithë të ftuarit e dasmës. Dreqet ishin të zellshme, e puthnin pa u lodhur në buzë dhe në faqe. Disa femra të paturpshme, bile edhe mesogra, iu varën në qafë si të papara, gati t’i marrin shpirtin, lanë gjokset e mëdhenj të bardhë t’u dalnin jashtë, si pellgje me leshterikë. Ato donin ta joshnin, t’i hidhnin grepin, ndaj i kacavirreshin ashtu. Hëm, i përdridheshin pa turp dhe namuz. Oh nëne, kërkonin ta mbytnin burrin e saj të ardhshëm në pellgoret e marrëzisë dhe dëshirës së papërmbajtur femërore! Largohuni tutje!
Retina do të klithte me të madhe, të shkundte dasmën. Të pacipat ende s’po i shqiten, i marrnin frymën burrit të saj! Ku u gjendën gjithë ato oaze mishtore në dasmë! E dinte shumë mirë Rubinin mashkull të bukur, por mbytja në pellgje me leshterikë të gjokseve femërore ishte mbytje madhe, e papërballueshme, tmerrësisht e padurueshme për një nuse të brishtë, që nuk dinte se çfarë qe prekja mashkullore. Nata e parë e martesës duhet të jetë si porta e thurur me ar e parajsës. Ajo duhet të hynte në atë portë si një bulëz e freskët vese, të prekej, të shijohej vetëm nga mashkull i pashëm Rubin.
Xhelozia, si krimb i vogël i hynte në shpirtin e brishtë, s’e linte të qetë. ‘Rubin të lutem, mbaje të freskët, të pa prekur afshin, flladin dhe aromën e mrekullueshme të burrit, mos e lejo ta rrëmbejnë epshet e femrave gjoks përveshura! Lëre kitarën. Të përgjërohem. Eja ulu këtë pranë meje, si gjithë dhëndurët e tjerë! I marrosi gratë e botës… ‘
Por ai qe meteor verbues, përvëlues! Vetëm majat e gishtërinjve të këmbëve i preknin dërrasat e lara, të kruara me kujdes të dyshemesë. Ishte një kërcim i rrallë, elegant, siç dinte të kërcente vetëm ai. Balli i shkëlqente, sikur drapri i hënës preu qindra cepa yjesh dhe i derdhi në ballin e në trupin e tij…
Gjyshen e mbërthente meraku. Donte të lëvizte, të turrej, ta tërhiqte prej andej, ta kishte të tërin për vete. Sa të vështirë e paskan nuset, sidomos nuset e reja, kur kanë burrat e bukur, të gjallë, të shkathët si Rubini! Oh, Zot, një vajzë e re, gërshetë gjatë si litarë, nga mëhalla e kasapëve, vrapoi drejt tij. Dale moj. Ja iu var në qafë, seç po i thotë! Oh jo, oh nëne! Ja ngjiti buzët burrit të saj si e ndërkryer. I mbajtka të mbërthyera fort, s’ ja shqit, si t’i rrëmbejë të gjithë bukurinë mashkullore!
Po i thahej buza dhe korseja i merrte frymën, ishte gati t’i këpuste telat e korsesë, të lirohej nga sikleti. Vallë a do kishte vend në fytyrën e tij për puthjet e saj të mëvonshme? Të jenë kaq të ndezura femrat! Zuskat kishin meshkujt e tyre në krah, ç’duan me mashkullin e botës dhe aq më tepër me një dhëndër! Donte të ngrihej, paçka që dikush i vendosi dorën mbi sup. Ngriti kokën ngadalë, vështroi nëpër mjegull fytyrën e lodhur të nënës së saj. Retina nuk kishte zë t’i fliste nënës, së paku të largonte dorën nga supi. Kërkoi sytë e saj por dhe ajo i kishte tretur mbas dhëndrit. U mundua të merrte frymë thellë por në sallë ajri ishte i rrallë. Dasmorët ishin ngjeshur njëri mbas tjetrit dhe Rubini humbi mes tyre.
Krejt befasisht Rubini u shfaq përpara saj. S’e la nusen e tij të tirrte gjatë. E tërhoqi butë nga krahu, qëndroi në mes të sallës, si t’i thoshte se jeta i pastron shumë shpejt yjet e rreme dhe mbjell yje me vlerë.
Ajo u përpoq të kundërshtonte, përpëliti qerpikët, mërmëriti disa fjalë të pakuptimta, por në realitet donte të thoshte: Në qoftë se atë arrakatin e bukur e mbërtheu syri i keq, që e shtyu të vepronte kësisoj, e pazakonshme për zakonet dasmore… Nuk mundej, nuk kishte sesi. Ishte nuse, dasmat janë të nuseve dhe, veprimet e tyre mbahen mend deri në vdekje. U përpoq ti largonte krahun. Zhurmëtar kish qenë përherë. Donte të shkonte, s’e linte syri xheloz, e shigjetonte. Por… nuk mundte. I ngjau vetja si zogu i vogël i pulës. Donte të bërtiste. Zëri i humbi në folësen e gjoksit.
Rubini ia bleu mendimet nuse, Retinës, me lëvizje të vrullshme i shkoi krahun poshtë belit, si të rrëmbente puhizën pranverore. Gishtin e madh e futi poshtë kopsës së korsesë, pastaj bëri një rrotullim si fllad së bashku me të. Retinës iu morën mentë, ishte e përhumbur, por njëherësh e përshkënditur. Në dasma nuset janë epiqendra dhe njëkohësisht harresa e saj. Rubini me një shikim të shpejtë përfshiu gjithë gjendjen dhe përkuli me delikatesë trupin e Retinës si t’i jepte krahë fluturimit në valsin e ëndrrave. Drejtoi trupin një copë herë, u përkul lehtë, ngadalë. Koka u drejtua drejt kokës të mbushur me lule të nuses. Cepi i mustaqes së hollë lëvizi me vrull dhe me solemnitet i dhuroi nuses së tij puthje gjithë afsh sa që shkaktoi në sallë një psherëtimë të gjatë.
Nuk dashuroj as unë as ti
Por dashuron dashuria….
I pëshpëriti në vesh. Rubini vërtet Rubin i çmuar. Nuses iu morën mente. Çfarë trille të çuditshme kishte burri i saj! E mbante të shkëputur nga toka, si të ishte re e vogël pupëlore, në qiell të pafund, të përmbytur nga vështrimet xheloze të femrave të botës. Pastaj i rrëmbeu buzët, si të ishin dy copëza qershie, duke i marrë frymën me puthjen legjendare, që u përfol në qytet për vite me radhë.
Gjyshi Rubin mbajti nusen në krahë. E çoi në dhomën e çiftit të ri. Perdet të ngritura dhe hëna e plotë, e argjende, nazemadhe. E lëshoi ngadalë në shtratin e madh me dyshek të trashë, me pendë shpendi dhe i pëshpëriti në vesh:
“Hiqi teshat, zhvishu, shtojzovallja ime.”
Retina luajti kryet ngadalë dhe vështroi përreth e hutuar. Të zhvishej, çfarë thotë ky Rubin! Prapa derës përgjonin dasmorët, gjysmë të dehur. Perdet e dritareve të hapura. Hëna përtej, në qiell u kishte ngulur sytë paturpësisht, gjithë shkëlqim hënor. Ai e tërhoqi ngadalë, butë nga vetja dhe i rrotulloi me kujdes kopsën e parë të fustanit të nusërisë. Ajo u drodh.
“Të lutem, mos,” murmuriti: “Hëna është përtej.”
“Çfarë?! ia pat Rubini me drithërimë të lehtë në trup. Lëkura e bardhë e gruas e pështjellonte. Ç’punë kish nusja e tij me hënën e hutuar që qëndronte shumë lart në qiell: “E pastaj, se qenka hëna! Ajo është qore.”
“Nuk është qore hëna jo, shiko si shkel syrin. Mbulohemi me kuvertë më mirë,” pëshpëriti dhe ngriti cepin e kuvertës me lule: “Zhvishem nën rroba dhe pastaj të flemë së bashku. Hë të lutem! Mirë?”
Rubini ndjehej i paduruar. Ishte i ndezur, zjarr. U ngrit me nxitim dhe tërhoqi perden e trashë. Dhoma u përmbyt nga errësira. Ndërkohë Retina hoqi fustanin. Ai ndezi dritën. E trembur nusja mbuloi me nxitim trupin me cepin e kuvertës.
“Mos,” ia klithi ajo: “Të lutem mbylle dritën!”
“Çfarë bën! Ne jemi në dhomën tonë dhe është nata jonë e parë e shenjtë. Këtë natë gjumi është për të marrët dhe dashuria është për të mençurit.”
“Kam ndroje,” murmuriti ajo.
“Oh Retinë, ne tani jemi një trup. Hë de zhvishu, hiqi të linjtat. Po përvëlohem, po zhuritem si qiriu!”
“Kam frikë Rubin, kam shumë frikë, mos gjesh ndonjë të metë në trupin tim dhe do të detyrohem të vras veten,” pëshpëriti ajo.
Nusja e re fërgëllonte si një lule në erë. Ai buzëqeshi lehtë dhe përkëdheli butë flokët e saj.
“Me të puthura do të vrasësh veten moj e mira ime?” foli zë ulët.
Retina lëvizi kryet gjithë naze dhe vari buzët. Si t’i thoshte atij, tallu ti tallu, por s’ është e lehtë për një nuse kur i gjenden të meta në trup. Ai qeshi me të madhe dhe e puthi gjithë afsh në gushën e bardhë. Ajo u shtriq. Retina ishte vërtet një nuse e vogël e paditur. Ai e puthi ngadalë në buzë. Ajo u drodh, picërroi sytë, lëvizi qafën me nervozizëm të lehtë dhe shtrëngoi kuvertën në gjoks. Buzët e tij ishin të ngrohta, të njomura, provokuese, gjithë nektar dhe ajo dëshironte të puthej akoma më tepër, por jo të zhvishej në dritë të plotë. Rudini me delikatesë i largoi kuvertën dhe kundroi gjithë dëshirë gjinjtë e bardhë, të rrumbullakët, të pafajshëm. Ajo rrëzoi sytë përdhe, nisi të merrte frymë me vështirësi, si t’i pengohej diku brenda gjoksit të saj.
“Më duket se kam gjinj të mëdhenj,” foli ajo zë ulët si pëshpërimë, dhe vuri duart në gjoks. Ai i largoi duart me kujdes pa u mërzitur. Ajo nuk kundërshtoi.
“Ke gjoks të vogël, të mrekullueshëm Retina ime, si dy korrka portokaj gjithë aromë. Më lër të thith aromën e tyre, të prehem, të ndjehem si në parajsë.” dhe vendosi kokën e bukur në gjoksin e saj.
Ajo u skuq nga kënaqësia, donte t’i thoshte mbi dyshimin e përhershëm. Sa gjokse femrash ke prekur, por nuk mundi. Ai nuk ishte i dhunshëm, po i ngacmonte lehtë thithkat e vogla. Po luante me gjinjtë e saj dhe trupi i bëhej mornica. I u lut përsëri që të futeshin ne shtrat, pastaj ai le të bënte çfarë të donte me të. Ai nuk ia prishi u futën së bashku në shtatin e madh dhe filluan të ngacmoheshin, të përkëdheleshin dhe të kërlesheshin si kurrë ndonjëherë….
Kur valët e epshit ishin shuar, u ngrit nga shtrati dhe eci ngadalë drejt dritares, e zhveshur lakuriq, si një shtojzovalle. Vështroi jashtë, përtej dritares, në qiell, hëna ishte akoma aty, por dukej e zbehtë e lodhur, gati e fikur. Rubini u rrotullua në krah, vështroi trupin e saj të mrekullueshëm, të zhveshur që lëpihej xhelozish prej dritës së dridhshme të hënës. I foli, i thirri zë ulët, të fillonin të bënin dashuri nga e para. Ajo u kthye, eci ngadalë në majat e gishtave mbi qilimin e trashë. Ngjante si një statujë klasike. U ndeh gjithë naze drejt tij, gjoksi iu var mbi të si fruta të dëshiruara. Ai zgjati duart dhe ia shtrëngoi fort. Ajo fërgëlloi e tëra.
“Të ndez dritën?” i pëshpëriti.
“Ndize!” i foli ajo zë ulët.
Ai qeshi lehtë dhe e rrëmbeu vrullshëm në krahët e tij…