SI MUND TË PËRPAROJNË SHQIPTARËT KUR SECILI E NDJEN VETEN PËR SKËNDERBE, NDËRSA PUNËT DHE VEPRIMET I BËJNË MË ZI SE MOISI GOLEMI DHE RENEGATË TË TJERË?!

0
535
Abdulla Mehmeti
Abdulla Mehmeti

Abdulla Mehmeti

Për gjendjen e sotme të shqiptarëve në Maqedoni

Si mund të përparojnë shqiptarët në këtë shtet, ku shumica e politikanëve dhe partive politike e luftojnë njëra-tjetrën dhe nuk bashkohen për ta luftuar të keqen e përbashkët (sundimin dhe shfrytëzimin nga të huajt), që e rëndon mbi një shekull popullin shqiptar në Maqedoni?

Si mund të përparojnë shqiptarët, kur politikanët e tyre me çdo kusht mundohen t’i imponojnë interesat e partive të tyre mbi interesat e përgjithshme të qytetarëve dhe mbi interesat kombëtare?

Si mund të përparojnë shqiptarët në këtë shtet, ku maqedonasit janë të organizuar në 29 parti politike, madje edhe romët kanë 7 parti politike të tyre, por veprojnë të bashkuar në skenën politike në dy blloqe, dy koalicione të mëdha të udhëhequra nga partitë më të mëdha, ndërsa secilit lider shqiptar të ngritur në skenën politike të këtij vendi i ka penguar dhe i pengon, e kanë luftuar sistemin shumëpartiak, pluralizmin, në të gjitha mënyrat dhe me të gjitha mjetet, duke i afirmuar partitë që ata drejtojnë si të vjetëmjaftueshme, edhe kur ato kanë dështuar totalisht në skenën politike të këtij shteti?

Si mund të përparojnë shqiptarët, kur secili politikan dhe intelektual mundohet të bëhet tjesë e pushtetit, e institucioneve politike dhe jopolitike, të kulturës, arsimit, shkencës, mediave, jo për të imponuar vlera të reja, demokratike, kombëtare dhe qytetëruese, por vetëm për realizimin e interesave personale, grupore dhe partiake?

Si mund të përparojnë shqiptarët, kur afër tri dekada me radhë, në përjashtim të dy viteve të para të pluralizmit, 1990-1992, të gjitha partitë politike i kanë kordinuar aktivitetet e tyre përmes një Këshilli kordinues të partive politike në të gjithë hapësirën shqiptare, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, ndësa gjatë gjithë periudhës së mëvonshme, edhe përkundër përpjekjeve në vitin 2001 dhe 2017 (me nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët dhe zotimit për kordinimin e tyre përmes një Tryeze të përbashkët), në vend se t’i harmonizojnë qëndrimet dhe ndërmarrin aktivitete të përbashkëta për tejkalimin e krizës dhe përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, ndasitë, divergjencat dhe përçarjet me tyre vazhdojnë të thellohen edhe më tej?

Si mund të përparojnë shqiptarët kur asnjë forum nuk kanë krijuar për realizimin e interesave të përbashkëta, jashtë ndikimit të partive politike, edhe në sektorin joqeveritar, mes shoqatave dhe asociacioneve jopolitike (shoqatës së shkrimtarëve, shoqatës së arsimtarëve, shoqatës së historianëve, forumeve për liritë dhe të drejtat e njeriut, shoqatave kulturore dhe profesionale etj.)?

Si mund të përparojnë shqiptarët, pa programe zhvillimi, pa vizion të qartë për të ardhmen, të përçarë, me teke dhe ambicie individuale për pushtet, famë pesonale dhe pasuri, kur secili e ndjen veten një Skënderbe modern, ndërsa me veprimet e tyre (me dashje e pa dashje) i dëmtojnë gjithnjë e më shumë interesat e përgjithshme të popullit dhe qytetarëve që i përfaqësojnë, siç nuk do të arrinte asnjë armik i huaj ta bënte më keq, siç nuk i kanë dëmtuar shqiptarët as renegatët më të ligë që ka pjellë raca shqiptare përgjatë historisë?

Nuk zhvillohet e përparohet asnjë popull duke bërtitur ditenatë kundër popujve të tjerë, se ata janë fajtorë për gjendjen tonë, ndërsa ditenatë punojmë për interesa personale, duke i përçarë, dobësuar dhe katandisur shqiptarët, vetëm për ta ndërtuar karierën dhe famën personale.

Asnjë popull i qytetëruar i botës nuk e lejon që interesat e individëve të caktuar (qofshin ata edhe heronj), të partive politike apo grupeve të interesit, të vihen mbi interesat e përgjithshme të tij!

(13 prill 2019)