TË KËRKOVA

0
551

Zymer Mehani

Të kërkova nëpër male,
Në fusha e lëndina
N’ bjeshkë të larta të kërkova
Ku rri gjeraqina

Të kërkova në gjethnaja
Në suka, gremia
Nëpër kopshte të kërkova
Ku k’ndon kanarina

Të kërkova në vërri
Te kroi e bashtina
Nëpër pllaja të kërkova
Ku fryn suferina

Të kërkova nëpër shkrepa
Në arat me grurë
Dhe n’ujëvara të kërkova
Në pyjet me drurë

Te liqeni të kërkova
Te zalli me gurë
Nëpër brinja të kërkova
Në të fresktën gurrë

Të kërkova nëpër lagje
Në fshat e qytet
Në rrugica të kërkova
Kudo cep më cep

Poshtë e lart Ty të kërkova
T’ kërkova dhe n’ lumë
Një fjalë zemre të ta them
Se të dua shumë


ZEMRA IME…

Zemra ime, dënes e qaj
Derisa të ketë furtunë e stuhi mbi ne
E mes nesh të ketë pabesi
Qaj dhe dënes, imja zemër
Derisa të kesh të kohës sime plagë
Copëtohu, ndahu në dysh, kallu, digju flakë
Dënes e qaj shpirti im
Derisa në ty të ndritë shkëlqimi
E dhimbja njerëzore
Dhe ti loti im piko mos u ndal
Mbi gurët e përflakur
Mbi varret e dëshmorëve
….aty u përfal
Zemra ime, rend rrugëve të pambarim
Kah fjala e besës, rrugëto
E mos i ndal tik-taket shtigjeve të jetës

GJERAQINA

As më thua,
Pse të quajnë gjeraqinë?

Pse ke sqep të kthyer,
Gjithnjë je vetëtimë ?

E sillesh, shëtitesh,
Mbi Atdhe vërtitesh!?…