GazetaObserver.com, 09/04/2019
(Më 9 prill 1999 ranë 187 dëshmorë
për ta fshirë kufirin.
Ndër të plagosurit është vëllai im.
Ky është rrëfimi i tij.)
edhe po desha ta harroj Kosharen
nuk më lini ju
më kapni pa fjalë për fyti
e ma bëni me gisht nga rrasat mbi krye
edhe po desha të tërhiqem nga Rrasa e Zogut
nuk më lini ju
se më bjen hise t’i zdirgjem kokulur Kosovës
t’i bie derë më derë
e të jap kudo kumtin e vdekjes suaj
si ju fikën shkëndijat e fundit në sy
sa ftohtë sa trishtë ishte
kur e dhatë grahmën e mbramë
e unë nuk mundem more
nuk mundem se qaj
prandaj nuk zdirgjem dot nga këto rrëpira
më mirë ta mbrojmë edhe sonte bashkë Rrasën e Zogut
unë në këtë botë e ju në atë botë
le ta fusim prapë gishtin nëpër helmeta të shpuara
e të tallemi se kujt i ra sonte bingo granata
hije nga balta e gjaku në transhet e moçme
vëllezërit e mi motrat e mia
le të presim edhe sonte bashkë përforcime
me tjerë të rinj të padërsirë që do të vriten nesër
mos ta lëshojmë frontin as sonte
edhe këtë natë ta mbrojmë
Rrasën e Vdekjes
unë e ju hijet e mia
se edhe kur dua ta braktis Kosharen
nuk më lini ju
më kapni pa fjalë për krahu
e ma bëni me gisht kah fushat e Kosovës