GJUHA-KOMBI-SHTETI ËSHTË TRINOMI SHUMË I RËNDËSISHËM

0
662

Hasan Elshani, redaktor i librit “TË DASHUROSH NUK ËSHTË MËKAT” të bashkautorëve Ymrije Beriqi dhe Hysen Ibrahimi

Historiku i poezisë shqipe ndër shekuj, ndahet konkretisht në tri etapa të zhvillimit të poezisë: asaj të Rilindjes, post-Rilindase dhe poezisë së sotme moderne. Një shkrim në Italinë e viteve 40-ta të shekullit të kaluar thoshte se “shqiptarët janë popull luftëtarësh dhe poetësh”. Shkrimtarët francez A.Bosquet dhe M. Métais, që në vitet e 70-ta, gjatë prezentimit të veprës së Kadaresë para lexuesit francez, theksonin posaçërisht shpirtin poetik të popullit shqiptar ndër shekuj dhe kështu futën dy poezi të Kadaresë për vite me radhë në një Antologji letrare për kolegjet franceze.

Populli ynë ka krijimtari poetike gojore të lashtë, që përbën themelin historik të vetë poezisë së shkruar. Kjo traditë e poezisë gojore shqipe dhe folklori jonë tradicional i pasur deri tek polifonia e mrekullueshme e Jugut, njihet edhe nga Evropa që në mesjetën e hershme, duke përfshirë këtu edhe Eposin tonë të njohur të kreshnikëve! Nga poezia e hershme gojore e deri tek poezia e shkruar moderne, u kultivua dhe u mbajt gjallë shpirti poetik i një populli të tërë.

Dashuria është temë e përjetshme e frymëzimit të përhershëm të artistëve, duke filluar nga piktorët e vjetër, poetët dhe filozofët antik e deri në ditët e sotme. Të gjithë poetët e mëdhenj botëror, por edhe poetët e prezentuar në këtë antologji, kanë parë diçka të veçantë dhe të jashtëzakonshme tek tematika e dashurisë. Poezitë në këtë antologji janë thurur nga përditshmëria e jetës, realitetit dhe të vërtetës, plot me ndjenja të thella të dashurisë dhe imazheve të fuqishme që nuk zhduken lehtë nga shpirti dhe nga kujtimet. Është shumë e vështirë për të veçuar një poezi të bukur nga kaq shumë që janë përfshirë këtu, sepse secila është thurur bukur në stilin e vet. Disa autorë janë prezentuar me dy e disa deri në pesë poezi, mirëpo kjo nuk ia humb apo shton vlerën asnjërit autor. Dua të theksoj një risi të rëndësishme të kësaj antologjie: i është kushtuar vëmendje e merituar poeteshave, sepse anashkalimi i tyre do të ishte poshtërim i poezisë dhe femrës në përgjithësi. Si risi tjetër mund të merret përfshirja e autorëve të cilët janë relativisht të rinjë në këtë krijimtari, së bashku me poetët që shkruajnë për dekada të tëra.

Është fakt se, megjithatë, pa gjuhë nuk ka komb. Gjuha – kombi – shteti është ky trinomi shumë i rëndësishëm. Të krijosh poezi nuk është improvizim, sepse ajo është thellësisht akt individual, që përfshinë imagjinatën e poetit si një shërbëtor i fjalës dhe ajo nuk njeh kufinj.
Poezia i kontribuon pavdekësisë dhe zhvillimit të gjuhës, pra nuk lejon zhdukjen e gjuhës në të cilën është shkruar. Poezia dhe vetëm ajo e ka fuqinë që ta rinojë vazhdimisht gjuhën duke ia rritur diapazonin e mundësive shprehëse. Poetët janë njerëz më shumë ose më pak të talentuar që gjuhën e kanë një lloj mbretërie, pasurie, kufinjtë e së cilës i përcakton vetëm talenti.

Antologjia që kemi në dorë dëshmon që poezia sot jo që s’ka vdekur apo s’është zbehur, por është shumë e pranishme në raport me zhanret tjera. Poezi nuk janë vetëm veprat e poetëve që sot jetojnë e krijojnë shumë poezi, e në fakt, vazhdojnë të paraqesin veprat e tyre dhe talentin nëpër “panairet” e fjalës së shkruar, siç janë manifestimet letrare. Meqë poezia nuk vjetrohet, sikurse vera, tani janë ende të lexuar edhe Dante e Pushkini, Goethe, Neruda, Poradeci, Agolli, Podrimja, F.Arapi, Mirko Gashi, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa e deri tek më të rinjtë si Ag Apolloni, Rrezëarta Samiu, Azem Deliu etj.

Sigurisht, poezia nuk jeton vetëm nëpër libra si kjo Antologji. Poezia edhe mund të bëhet këngë ose të tregohet, të bartet siç thuhet “brez pas brezi” sikurse krijimtaria gojore ose përmes mediumeve moderne si Interneti. Kjo Antologji dhe tërë krijimtaria poetike kombëtare, tregon për pathyeshmërinë e shpirtit shqiptar.

Në shekullin e njëzetë, me heqjen e theksit tonik të vargut dhe zhdukjen e rimës, poezia e vargut të lirë është një mundësi e madhe dhe hapësirë për t’u shprehur talenti i poetit. Në fakt, këtu duhet të kemi kujdes tek mospërdorimi i tepruar dhe arbitrar i vargut të lirë, që mund të çojë në zbehjen e bukurisë poetike të gjuhës sonë, gjë që në këtë Antologji nuk ka ndodhur dhe poezitë kanë dalë kuptimplote në materien dhe tematikën e vet parësore-dashurinë! Edhe në këtë Antologji shihet se shkrimtarët me kapacitet të talentit për thurjen e vargjeve shkruajnë pothuajse njësoj bukur si vargun e lirë ashtu edhe atë të rimuar.

Në përgjithësi, në Antologjinë e autorëve Ymrije Beqiri dhe Hysen Ibrahimi ”TË DASHUROSH NUK ËSHTË MËKAT” janë prezentuar krijues të shquar, antarë të shoqatave të shkrimtarëve dhe poet e poetesha prej atyre në fillimet e karrierës e deri tek krijuesit me përvojë disa deceniesh, që kanë shumë vëllime librash të botuara.

Kjo Antologji voluminoze nuk është e lehtë të realizohet, sepse nuk krijohet për disa muaj, por është libër që shkruhet tërë jetën.
Brenda fletëve të saj janë poezi të krijuara më herët, por edhe të reja, që do të thotë se në këto fletë libri janë vënë krijimtari e shumë viteve të dashurisë për poezinë.

Përzgjedhja e poezive është mund dhe përgjegjësi, por autorët kanë arrijtë me sukses që pa kompromis të zgjedhin poezitë më të bukura, për çka meritojnë lëvdata. Kjo Antologji është si një kopsht me lule, ku të gjitha janë të bukura, por është në përzgjedhjen e lexuesve se cilat do t’i pëlqejnë, pra me cilat lule do ta krijojnë buqetën e tyre!