KOMPLET VEPRASH QË MUNDËSOJNË NJOHJEN MË TË THELLË TË NËNË TEREZES

0
820
Anton Nikë Berisha - Nëna Tereze në shtatë shpalime

Isak . A H M E T I

Kohë më parë, shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur, Anton N. Berisha nxori në dritë kompletin e veprave, shtatëvëllimëshe, për Nënën Tereze, tashmë edhe zyrtarisht e shpallur shenjtëreshë nga Selia e Shenjtë, nga Vatikani. Në këtë komplet shtatëvëllimësh janë përfshirë këto vepra:

1. NËNA E DRITËS,
2. ËNDRRA E ERËS,
3. UJËVARË DRITE NË ZEMËR DHE SYTË E HESHTJES (përsiatje poetike),
4. DESHA NJERËZIT ME DASHURINË E HYJIT,
5. SHËN PALI DHE NËNA TEREZE,
6. SHËN MARIA DHE NËNA TEREZE,
7. ERRËSIRA SHPIRTËRORE – TESTAMENTI DHE NËNA TEREZE NË POEZINË BASHKËKOHORE SHQIPE.

Në këtë komplet veprash, që janë llojesh të ndryshme (artistike dhe studimore), kushtuar Nënës Tereze, autori ka ndriçuar dhe ka shpalosur, në mënyrë sa të thellë aq edhe bindëse, veprimtarinë e Nënës Tereze si Misionare e Dashurisë. Këto vepra të Anton N. Berishës jo vetëm që mundësojnë njohjen më të thellë të Nënës Tereze por edhe dëshmojnë se autori i tyre është njohës i thellë i teksteve të Nënës Tereze por edhe i Biblës dhe i literaturës biblike, në çka është frymëzuar dhe mbështetur çdo mendim dhe veprim i saj. Kjo shihet më se miri në këtë komplet veprash të këtij autori që janë shkruar në dy forma:artistike dhe studimore.

Në Parathënien e këtij kompleti: VEPRA QË NDRIÇOJNË THELBIN E PUNËS DHE TË FLIJIMIT TË NËNËS TEREZE PËR TË TJERËT, Atë Ndue Kajtazi shkruan se në veprat artistike (romane dhe përsiatje poetike) Anton N. Berisha – përmes rrëfimit artistik – e shpalos shpirtin e Nënës Tereze në veprime konkrete; rrëfen për dramat shpirtërore të saj dhe të atyre që ua kushtoi jetën, të varfërve nga më të varfërit, të gërbulurit me ç’rast dramat e tyre bëhën dramat e saj dhe anasjelltas, siç dëshmohet thellësisht në romanin: ËNDRRA E ERËS -RRËFIM DRAMATIK I NËNËS TEREZE (i përkthyer edhe në italisht),që bën objekt artistik tragjikën e të gërbulurve dhe Qytetin e tyre në Bengala (në afërsi të Kalkutës, Indi), të ndertuar për ta nga ajo dhe motrat e saj (fq. 6).

Veprat studimore të Anton N. Brishës kushtuar Nënës Tereze dëshmojnë se autori i ka studiuar me shumë përkushtim shkencor tekstet e uratave, tekstet e fjalimeve, të letrave ose të mendimeve të Nënës Tereze të shprehura në raste të ndryshme, përmes të cilave ndriçohet në mënyrën më të qartë dhe të thelluar thelbi i veprimit të saj dhe Misionareve të Dashurisë, të cilën e udhëhoqi nga themelimi deri në kalimin e saj në amshim. Autori ka vështruar në mënyrë të veçantë dhe më të thelluar sidomos dashurinë e thellë dhe besimin e palëkundur të Nënës Tereze ndaj Hyjit dhe Birit të tij-Krishtit, rëndësinë e jashtëzakonshme të lutjes – si mjetin kryesor të afrimit me Hjin dhe të besimit në Të-dhe nevojën e përhapjes së dashurisë së Hyjit tek njerëzit (fq. 7).

Këto vepra të Anton N. Berishës dëshmojnë që autori i tyre është njohës i thellë i teksteve të Nënës Tereze por edhe i Biblës dhe literaturës biblike. Kjo shihet sidomos në studimet “Shën Pali dhe Nëna Tereze”, Shën Maria dhe Nëna Tereze”dhe” Ërrësira shpirtërore…” ku mendimet e Nënës Tereze janë përafruar e krahasuar me tekstet e Biblës e sidomos me letrat e Shën Palit, Lutjen e Shën Marisë, me Psalmet etj (fq. 7).

Në shënimin e autorit për këtë botim, në fq. 13-14), ndër të tjera shkruan edhe këtë: kush i lexon me vemendje këto shtatë shpalime të veprimtarisë dhe të flijimit të Nënës Tereze për të tjerët, do të kuptojë mirëfilli qenësinë e titullit të veprës-të shpalimit 4 “I desha njerëzit me dashurinë e Hyjit“. Pikërisht kjo dashuri – hyjnore e dëshmuar, bën të mundur të kuptohet pse Nënën Tereze një pjesë e madhe e botës e quajti Nënë dhe pse qysh gjatë jetës së saj shumë nga barinjtë shpirtërorë, bashkëpunëtoret e bashkëpunëtorët e quajtën të shenjtë Ta quajsh Nënën Tereze vetëm bamirëse, siç del në disa libra të shkruara në shqip dhe në mendimet e disa individëve kur flasin për punën e saj, dmth ta sjellësh atë si një figurë krejtësisht të rendomtë.

Puna e saj është e qenësisë tjetër, shumëfish më shumë se një bamërëse, që mund të përmblidhet, siç thotë edhe ajo vetë: në flijimin për tjetrin dhe gjetja e paqes shpirtërore në përtëritjen e miqësisë me Hyjin.

Krejt në fund le të theksojmë se ky komplet veprash, shtatëvëllimësh, mundëson njohjen më të thellë dhe më të plotë të Nënës Tereze, tashmë edhe zyrtarisht e shenjtëruar!

Durrës, 9 prill 2919