Përjetësisht në memorien shqiptare Bllaca 99′

0
680

Nga Jahja LLUKA

Sa herë vie pranvera, në kujtesen tonë na sjell lule me aromë gjaku. Na ndajnë dy dekada, nga episodet e tmerrit të cilat, nuk mbaruan as pas Luftës s’ë Dytë Botërore. Kampi i Bllacës ishte vazhdimësia e një gjenocidi i cili mori formën apokaliptike, duke shënuar kështu një shekull rresht, vuajtje dhe spastrimi etnik, ndaj popullit shqiptar. Sot, kur e kthejmë kohën pas është pothuaje e pamundur të mendohet ajo katastrofë humanitare, që u ngjiz në kontinentin e lashtë europian. Pas kampeve të përqëndrimit ndaj hebrejve, u tha “kurrë më” s’do lejohet diçka e tillë. Por vula e kësaj djallëzie, kaloi mbi trupa shqiptarësh, të cilët në frymën e fundit po kërkonin shpëtimin, s’paku të vdisnin me dinjitet.

Në kufirin e Bllacës, po gërshëtoheshin, dy epoka të ndryshme. Viti 1999, po përmbyllte një cikël ku ç’njerëzia kishte triumfuar me vellon e saj të zezë, e që po gëlltiste trupa të gjallë, pa moshë e përtej moshes. Prapa këtyre trupave që ishin ç’njerëzuar, po mbeteshin tokat e stërgjyshërve, andrrat, kujtimet, lotët, lindjet, dashuritë dhe varret. Po mbesnin luftëtarët të cilët deri në frymën e fundit, patën vullnetin t’i kthenin pushkën njërës ndër ushtritë më të fuqishme në Evropë, por që kjo e fundit veç luftë burrash nuk bënte. Ishin hiena që donin me çdo kusht zhdukjen nga kjo tokë të një populli të tërë, vetëm pse ky popull ishte shqiptar.

Pasardhësit e Lekës s’ë Madh, Pirros sy-patrembur e Skenderbeut hyjnor, që dikur ruajtën Evropën dhe civilizimin e lashtë, në vitin 99′ mbi trupat e tyre, po bartnin vulën e tmerrit, kaosit, pa shpi e pa atdhe ishin detyruar të merrnin rrugët e botës, për të mos u kthyer më kurrë, pa prag e pa varre, këmbëzbathur e barkëthatë, me sy të shterrur nga lotët, për t’u shuar në hirin e hiçit. Njezet vite pas ky memorial trenash, të cilët bartën mijëra shqiptarë, më ngjallë një emocion të përzier. Kur e mendoj çfarë kemi kaluar, ndihem thellësisht i trishtuar, por kur e shoh që pas njëzet vitesh kemi një shtet – Kosovën tonë sovrane, jam thellësisht i lumtur.

Le të jetë shenjë kujtimi për brezat që do vijnë vuajtja e kombit tonë. Mos të na humbas as një çast nga kujtesa se ku ishim dje, ku jemi dhe ku duam të shkojmë. Faleminderit NATO-s, dhe Presidentit Klinton të cilët na ndihmuan, por kjo ndihmë ishte një borxh ndaj shqiptarëve, sepse paraardhësit tanë luftuan në krye me Skenderbeun e plotë trima tjerë, nuk kursyen asgjë, për ta ruajtur Evropën në thelbin e saj. Viti 1999′ shënon një kthesë për shqiptarët, bota e kuptoi se ky popull asnjëhere nuk ushtroi gjenocid dhe dhunë ndaj askujt, veç se qe i detyruar me mish e shpirt të luftojë për ta mbrojtë pragun e shpisë, që të rrojë me dinjitet në trojet e veta, trashëgim dhe amanet nga të parët.

Dërgoi për publikim, Skënder Mulliqi, gazetar