Jezuitët dhe historia: Këtë vit ishte në “Saint Aloysius College”, Maltë…

0
1742

Shkruan Kjara Pepushaj

Klasa e 11-të E, Gjimnazi “Atë Pjetër Meshkalla”

Malta, shteti ishull, arkitekturë e natyrës, magjia e pamatshme, me popullsinë më të vogël në Europë, nga data 3 deri më 6 prill, priti gjimnazistët jezuite që përfaqësuan shtetet e veta në aktivitetin e përvitshëm.

Këtë vit tema ishte “Gesuiti e la Storia”, (Jezuitët dhe historia).

Nxënës nga Europa, kaluam disa ditë të ngarkuara plot aktivitete në këtë mini-shtet që përbëhet nga 7 ishuj, ndër këta 4 ende të pabanuar dhe që të ngjan se je në një skenë të ngritur për të luajtur një film.

Ishte shkolla jezuite “Saint Aloysius College” në qytetin e bukur Birkirkara që për tre ditë shfletoi histori të treguara me aq sinqeritet nga nxënës të kombësive të ndryshme, por që i bashkon dëshira për dije e kulturë të përgjithshme, për t’i dhënë të ardhmes më të mirën e mundshme.

Krahas veprimtarive kolektive, ishin të bukura edhe shëtitjet. E veçanta është se kaloje nga një qytet në tjetrin në pak minuta. Nga qyteti Birkirkara për në kryeqytetin e Maltës, La Valletta, pa ecur shpejt me makinë, arritëm në 20 minuta.

Pra, është një shtet shumë i vogël dhe i veçantë, jo vetëm për dekorin, jo vetëm për historinë brilante, jo vetëm për klimën, për mënyrën e jetesës dhe jetës në komunitet, por për shumëçka që nuk e shikon syri i vizitorit, si fjala vjen, ajri i detit, drita, dashuria e njerëzve dhe e natyrës.

Në këtë veprimtari të përvitshme, ku këtë herë ishte Malta mikpritëse, të rinj e të reja që mësojnë e edukohen në dritën e hapësirave të pafundme, të thjeshta, të avancuara, të mbushura plot dëshira e ide,  bashkuan objektivat për rrugëtim suksesi.

Shqipëria u përfaqësua nga shkolla “Atë Pjeter Meshkalla”, vazhduese e Kolegjit Saverian me nxënësit Valeria Marku, Anxhelo Gjergji, Kjara Pepushaj dhe mësuesja Emanuela Matija.

Grupi ynë u përpoq të pasqyrojë shembullin e mirë në rrugën e filozofisë dhe teologjisë jezuite dhe të përfitojë nga përvojat e kolegjeve në Europë.

Performanca e nxënësve, me kostumin e bukur, unik, në aktivitetet e përbashkëta, flet për rregullin, respektin, serioziotetin, përgjegjësinë që reflekton tek nxënësit e përgjegjshëm të kolegjeve jezuite.

Atje, mësuesit ishin jo vetëm mësimdhënës, për më tepër ishin shokë e shoqe, por edhe shokët e shoqet ishin diçka më shumë, mësonin nga çdonjëri.

Kjo ndoshta është ajo që duhet veçuar si strategji e kolegjeve jezuite. Thjeshtësia  kur rri bukur përballë dijes e dija përballë thjeshtësisë krijojnë epoka të shëndritshme. Nëpër këto epoka jezuitët kanë prirë në ballë të dallgëve jetësore e kanë mbërritur gjithherë në breg, suksesshëm, duke dhënë shëmbull sakrificash, dashurie e progresi, në përshtatje të kohëve e të rejave që njerëzimi ka nevojë t’i pranojë e zhvillojë..
Grupi ynë, veç aktiviteteve të formalizuara, performoi nën duartrokitje, valle nga Shqipëria e Mesme me veshjen e bukur kombëtare.

Janë ditë vërtet të mbushura plot, janë banoret e Maltës që marrin nëpër shtëpitë e veta nxënësit. Na presin e na duan si fëmijët e tyre. Na shoqërojnë kudo e na çojnë me makinat e veta në të gjithë veprimtaritë, sipas axhendës. Na shoqërojnë edhe në vënde historike e kulturore.

Asnjë minutë nuk jemi bosh. Vendalinjtë e flasin mirë anglishten dhe janë shumë të dashur. Na ftojnë ngado e ndihemi si në shtëpitë tona.

Një mikpritje shembull, nga njerëz plot dashuri që mbajnë qytetin e banesat aq pastër e respektojnë njerëzit, natyrën e kafshët me shpirt.

Ka shumë fotografi, ftesa, shkëmbim kontaktesh, përqafime, por edhe premtime për t’u takuar sërish, në çastet kur vjen koha t’i thuash lamtumirë ishullit e më vonë të nisesh me avionin e Romës për të zbritur më pastaj në aeroportin Nënë Tereza.

Nesër një ditë e re na pret… Në shkollën “Atë Pjeter Meshkalla”.