Sloterdijk akuzon perëndimin

0
508

Xhemal Ahmeti, 14 dhjetor 2013

Europa është një klub zbavitës, që nuk zgjedh dot probleme serioze. SHBA–të e pas 11 shtatorit janë bërë skllavë të luftës së tyre imagjinare. Që të dyja format kanë një cak: atë të vetëshkatërrimit! Kështu është diagnoza e kryefilozofit të popullarizuar Peter Sloterdijk. Ka vendosur edhe ky, përndryshe i pavarur, të bëhet neomarksist si Habermass & Co.?

Me librin e sapobotuar të tij „Reflektimet e njërit jo më apolitik“ (fjalim falenderimi gjatë marrjes së çmimit Ludwig-Börne, 2013) filozofi gjerman Peter Sloterdijk si përherë, tronditi opinionin perëndimor me tezat e tij. Për BE-në tha se drejtohet nga entertainer-ë e për SHBA-të mendon të jenë futur në një luftë të imagjinuar kundër islamit për t’iu ikur problemeve madhore të cilat veçse nuk eksplodojnë globin si: tëhollimi ekstrem i ozonit, kollapsi gjigant i sistemit të kapitalit, mungesa e resurseve energjetike dhe plot të tjera si këto.

Sloterdijk, faktikisht, nuk thotë asgjë të re, pasi këto akuza ditenatë recitueshëm, zgjuar e gjumshëm, vend e pavend dhe papagajshëm i përsërisin intelektualët e proveniencës neomarksiste dhe militantët e vonëzgjuar çegevaristë. Pse atëherë kaq tërmet në mediat amerikane e europiane? Arsyeja e reagimit qëndron tek komunikatori: Ai nuk i takon asnjë ideologjie, besohet të jetë vox liber-i i frymës pasmoderne dhe konsiderohet i pakorruptueshëm nga sistemet dhe doktrinat historike.

BIOINFO
Lindja e tij ishte një krizë në vetë. Për shkak të një rhesus-inkompatibiliteti (mospërshtatshmëria e grupeve të gjakut ndërmjet nënës dhe foshnjës) mjekët gabimisht i dhanë foshnjës vetëm disa ditë afat për t’u rikthyer në mosqenie. Nuk ndodhi. Përkundrazi. Qenia Peter Sloterdijk, e lindur në vitin 1947, në Karlsruhe të Gjermanisë edhe pas 66 viteve nxeh gjakra sa herë që shkruan dhe reflekton.

Popullaritetin akademive dhe mediave Peter Sloterdijk e fitoi me studimin e tij „Kritika e arsyes cinike“ (1983 – si aludim në antagoni ndaj „kritikës së arsyes së pastër“ të Kantit). Me veprat e mëvonshme; „Imperativi estetik“, „Derrida një egjiptas“, „Mllefi dhe kapitali“, „Në zonën e brendshme të kapitalit“ (ku trajton dhe enverizmin) dhe „Ti duhet patjetër ta ndryshosh veten“ dhe mbi dyzet tjera të llojit preku dhe u ul në Olimpin e mendimit filozofik. Disa e konsiderojnë llafollog të pashtershëm, tjerët në të shohin filozofin, pas Nietzsches, me gjuhën më të thellë të mundshme. Për dhjetë vite (2002-2012) bashkë me kolegun e tij poashtu famëmadh Rüdiger Safranski drejtuan emisionin „Das Philosophische Quartett“. Aktualisht udhëton gjithandej kontinenteve duke ligjëruar për jetën, botën, religjionet, ekzistosferat dhe subsferat e qenies, me një fjalë për çdogjë.

ANTI SHBA
Në librin e radhës (titull identik me atë të Thomas Mannit: Vëzhgimet e një apolitiku) Sloterdijk pandeh që laboret e Pentagonit as vetë mund të mos të jenë të vetëdijshëm se çka i shkaktojnë humanitetit me formulën „war on terror“, e cila si një virus ka demoluar jo vetëm habitusin si ashtu ekcesiv amerikan, por edhe atë të europianit përndryshe racional e kantik, republikëhapur. Bakteria madje, sipas filozofit, përdoret edhe nga ata që në fakt do të duhej t’i dobësonte, siç është rasti me kryeministrin fundamentalist turk Erdogan, i cili protestat paqësore të Gazi-Parkut i sulmoi me po të njëjtën retorikë pentagoniane të „war on terror“-it. SHBA-të sot në botë u perceptokan më shumë si një Wanted – Company, e cila luftoka të keqen në adresë të gabuar, sepse, kështu Sloterdijk, 99% e terrorit vazhdon të jetë prodhim i shteteve, pra terror i organizuar dhe legal.

Që të majtët, këtë kritikë të ashpër të tij ndaj SHBA-ve, mos nguten ta llogarisin pro së vërtetës së tyre, aty ku kanë konservuar edhe tezat e Habermas-it dhe Naom Chomsky-it, Sloterdijk ua riatakon idhullin, konkurrentin kryesor të tij duke ironizuar: „po ta kishin konsultuar Habermasin pas sulmeve të 11 shtatorit do të thoshte të mos jetë kompetent, sepse qenka i specializuar vetëm për relacione simetrike ndërmjet subjekteve të parasortuara racionale“, kjo konkretisht implikon që Habermas flet vetëm atëherë kur akuzohen SHBA-të, përndryshe nëse faktet janë në anën e tyre shpall veten inkompetent ose në pushime.

ANTI BE
Shumëkush mendon por Sloterdijk e thotë: BE të jetë klub i paaftë për të zgjedhur ndonjë problem madhor të kohës përtej kufinjve nacionalë të anëtarëve të sajë të ngushtë. Sloterdijk aludon sidomos në menaxhmentin e këtij suprainstitucioni në kohë krizash si lufta në Siri, kriza financiare, problemet në Ballkan, por edhe në ato të brendshmet si përballja me problemin e islamit politik, ekstremizmin e djathtë dhe të majtë e të ngjashme. Indirekt atakon edhe sjelljet iracionale të masave eurperendimore të „bëjnë referendume fantome për çështje që nuk kanë të bëjnë me realitetin konkret“ (kritikë ndaj iniciativave zvicerane, franceze… kundër ndërtimit të minareve dhe bartjes së shamive). Sloterdijk e përshkruan BE-në dhe vendet në të (jo vetëm anëtare) si kokëtundës kronikë të vendimeve amerikane, që nuk dinë të mendojnë vetë.

KRITIKA JONË
Megjithatë, edhe pse nuk e pranon, me këtë ese Sloterdijk duket të ketë rrëshqitur hundëpërtoke në mendësinë e konspiracioneve antiamerikane. Nëse jo për diçka tjetër atëherë për shkak të njëanshmërisë. Mirë kanë hetuar gazetat si FAZ dhe TA se Sloterdijk edhe pse përpiqet të duket sikur „padit“ gjithë botën, ai e bën atë vetëm ndaj një sfere të caktuar të saj – perëndimit! Filozofi i cinizmit asketik dhe imperativit estetik nuk thotë gjësend për rolin e Kinës, Indisë dhe Rusisë në shkaktimin apo obligimin e tyre në zgjidhjen e problemeve. Nga njëra anë ai akuzon SHBA të sillen si „boss-a revolverashë të globit“ e në anën tjetër tërë përgjegjësinë për procesin vetëshkatërrues të planetit e kërkon prej tyre, çka del si antagoni tipike neomarksiste. Logjikë që në përkthim do t’i shkonte ai proverbi i njohur „ngjitu se të vrava, zbrit se të mbyta“. Konstatimi pra del i pakalkuluar mirë ngase rezulton thirrjen e maskuar ndaj SHBA-ve në realcion me „99% e terrorit është shtetëror“ e cila sikur dekodohet në imperativin: „mos i luftoni 1% terroristët islamikë, por ato shtete që bëjnë 99% të terrorit legal, shtetëror“!

Në kritikën e tij ndaj BE-së autori është më argumentues. Ndoshta për shkak se aty e ka banesën e rregullt. Brukseli vërtet deri tani u tregua impotent për të zgjedhur ndonjë krizë. Së fundi BE shëtit ndërmjet Washington-it, Moska-s dhe Peking-ut sikur ta ketë humbur adresën. Demokracitë nacionale nuk ia varin asnjë qëndrimi që del nga burokracia e qendrës në Belgjikë ose e zgjasin çdo vendim deri sa ai të çaktualizohet. Sa herë që skuqet qielli janë sërish SHBA-të që duhet të vënë veton për të debllokuar situatën. Ndryshe nuk ecë gjë.

Kritika e Sloterdijk drejtuar Francës, Zvicrës, etj. të votojnë për probleme imagjinare duket vërtet e huazuar nga divizioni i trurit të majtë e që nuk i rrin pragmatikut Sloterdijk: Votimet në Zvicër e gjetiu kundër minareve, shamive dhe burkave nuk dolën si ide të shpikura nga kuzhinat ksenofobe, por ato – duke bastisur argumentet e realpolitikës ekzistente – erdhën si reaksion ndaj kërkesave të zëshme të komunitetit islam në vendet përkatëse.

Sloterdijk me eseun e radhës rihapi debatin rreth rikonfigurimit të sferave të ndikimit global. Kjo është me rëndësi. Ndoshta kësaj radhe – herat tjera dështuan – taboret majtas, djathtas, të mesit e neutralët u përafrohen problemeve konkrete dhe japin ide të vyeshme në vend të teorive kot, respektivisht akuzave reciproke.