Njeriu që dhuroi edhe pas vdekjes gjithçka për shqiptarët

0
487

Gazeta Observer, 04/04/2019

Para dy ditësh, një përfaqësi e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mbërriti në Zagreb dhe trokiti në portën e Ambasadës Shqiptare, në atë qytet ku i priste një ngjarje e pazakontë. Me një mirësi dhe urtësi që fliste shumë, ishte duke na pritur tërë emocion ambasadori Riza Poda. Na futi në zyrën e tij, ku qëndronte e ulur në një karrige në mesin e dhomës, një plakë e veshur në të bardha, që thinjat shtonin edhe më tej bardhësinë e heshtjes dhe urtësisë të asaj krijese të paktë në trup dhe që për nga nuret dhe sqimën e saj i ngjante një engjëlli të purpurt. Dhe vërtet ajo mbante emrin Angjelka – Ëngjëllushja!!!

Ishte e veja e Aleksandër Stipçeviqit, që priste me ankth të plotësonte një amanet, që i kishte lënë i shoqi para se të vdiste, dorëzimin tek udhëtarët e largët të një testamenti. Ishin pako me libra, shënime dhe korrespondencë…

– “Ato duhet të shkojnë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë”, kishte formuluar amanetin e fundmë të tij Stipçeviqi.

Nën këto fjalë, nën tonet e një belbëzimi, “Ëngjëllushja” u ngrit me zor në këmbë duke u mbajtur në krahun e karriges dhe na përqafoi me radhë.

– Tani mund të vdes edhe unë e qetë sepse “Arbëneshit”, siç kish dëshirë të identifikonte vehten Aleksandri, ia plotësova amanetin!

Këto qenë mërmërimat e pakta të asaj gruaje të paktë, por engjëllore kroate…

Stipçeviq ishte një arkeolog, bibliograf, akademik, eseist dhe albanolog i njohur. Ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Republika e Shqipërisë e kishte dekoruar atë me titullin e lartë “Naim Frashëri” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Lindi më 10 tetor 1930, në fshatin Arbanash afër Zarës në Kroaci, më 1930. Familja e tij ishte me origjinë shqiptare e zbritur prej gati 300 vjet më parë nga trevat shqiptare të Ana e Malit – Shkodër, të cilët emigruan dhe së bashku me familje të tjera arbërore dhe krijuan koloninë arbërore të Zarës.

Pa mëdyshjen më të vogël, origjina e rrënjëve të të parëve dhe e gjakut të tij kishte përcjellë në vetëdijen dhe frymëmarrjen e Stipçeviqit gjurmë influentive të rëndësishme, të cilat do t’i jepnin atij akrepin magnetik të orientimit dhe të lëvizjes në tërë vitet e jetës që do të pasonin. Por, ai shkoi edhe më shumë se kaq! Ai nuk ndaloi në zbritjen e tij vetëm 300 vite për të gjetur cakun dhe ditën e mbërritjes së të parëve në bregdetin Dalmat. Udhën e tij ai do ta vazhdonte edhe më tej, qindra vite më pas, drejt rrënjëve të panjohura dhe të vështira të pararendësve tanë, Ilirëve!

Unë vendosa të merrem me Ilirët herët, por e lidha rrugën time me ta kur isha student në arkeologji. Unë kam qenë prej kohësh i impenjuar dhe me vëmendje tek ata, së pari për shkakun se përherë kam menduar dhe vazhdoj të mendoj se historia e Ballkanit, si e vjetra, edhe ajo e re, nuk mund të studiohet dhe vlerësohet pa pasur njohuri të thella rreth elementit ilir. Çdo gjë që ka ndodhur në Gadishullin Ballkanik, gjer në mesjetë, në disa rrugë është ndërtuar duke pasur si bazament, substrat të njohur atë popull si që thërritet nga ne Ilirët. Kështu, çdo histori rreth Ballkanit fillon me Ilirët”.

Këto pati deklaruar në vitin 1985 një intervistave të tij Aleksandër Stipçeviq. Nuk ishte rastësi që libri i tij i parë, botuar më 1966 në Milano, u dedikohej atyre, për të cilët libri do të mbante edhe vetë titullin “Ilirët”. Kjo monografi thellësisht shkencore ka pasuar me nëntë ribotime të tjera dhe gjendet tanimë në disa gjuhë të huaja.

Pas kësaj puna e tij e palodhur do të nxirrte në dritë edhe një sërë veprash të tjera me një produkt të papërsëritshëm shkencor dhe me tematika fondamentale, të cilat të gjitha së bashku formonin profilin e thellë e të gjerë, të eposit të popullsisë së lashtë dhe autoktone të Ballkanit – ilirëve. Njëra pas tjetrës, ai nxori në dritë subjektet e rëndësishme, “Simbolet e kultit tek Ilirët”, “Arti i ilirëve”, “Historia e ilirëve”, “Bibliografi për ilirët”, “Historia e librit”, “Censura në biblioteka”, “Interpretime albanologjike” etj.

Kështu vazhdoi punën e tij të palodhur duke rrëmihur në fonde dhe arkiva të panjohura, duke lektruar dhe marrë pjesë në konferenca dhe kongrese shkencore, mbajtur referate, botuar artikuj dhe studime, të cilat mbështesnin qëndrimin e tij të palëkundur shkencor se “Ilirët ishin banorët autoktonë të Ballkanit perëndimor”.

Ishte njeri modest që fliste pak dhe që kurrë nuk glorifikoi arritjet e tij. Vlerësoi maksimalisht arritjet e arkeologjisë dhe të historiografisë shqiptare, duke e cilësuar atë si të niveleve të padiskutueshme ndërkombëtare. Drejtoi një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj., deri në Akademinë e Shkencave në Zagreb. Që nga viti 1987 ishte profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku mbante kursin e historisë së librit, sociologjisë së librit dhe bibliografisë.

Me një punë intensive, me përkushtim dhe shpirt vetëmohues, Stipçeviq vazhdoi rrugën e kërkimit dhe të botimeve për më shumë se dyzet vite, duke lënë gjurmë të thella në botimet e veprave me rëndësi shkencore sikundër “Acta et Diplomata – Res Albaniae…”, “Illyricum Sacrum”, etj. Studioi nëpër arkiva, përktheu dhe bëri të njohura dokumente të hershme me interes shkencor rreth artit, kulturës, muzikës, kostumografisë, riteve të popullsisë ilire, etj., gjersa ndërroi jetë në verën e vitit 2015.

I lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e të parëve, me etnosin ilir, me kërkimet e pafundme rreth tyre, me gjetjet që do të konsolidonin edhe më tej origjinën, autoktoninë dhe vazhdimësinë ilire të Ballkanit Perëndimor, Stipçeviq do të krijonte një fond të gjerë dokumentesh dhe botimesh në bibliotekën e tij personale.

Dikur, në vitet e para të studimeve të tij universitare, Stipçeviqi filloi të rrëmihte rreth origjinës së të parëve të tij, ilirëve, duke i kushtuar kështu rininë e tij!

Për më shumë se dyzet vite, ai vazhdoi të punonte dhe çapitej në ato rrugë të panjohura, duke kërkuar pa u ndalur që të na dhuronte veprat e tij unike për ilirët dhe të vërtetat rreth tyre, duke dedikuar jetën e tij!

Dhe tani, pas vdekjes, duke insistuar që i tërë fondi i librave dhe dokumenteve të tij të albanologjisë t’i dhurohej Akademisë Shqiptare të Shkencave, ai na dhuronte edhe shpirtin e tij.

Akademia e Shkencave, në shenjë mirënjohjeje të këtij kontributi të veçantë, do të ketë një studio në ambientet e saj që do të mbajë emrin e Aleksandër Stipçeviqit, brenda së cilës do të renditen inventari i testamentit të tij, seria e fondit të kërkimeve, të literaturës që ai mblodhi dhe inventarizoi si material referimi, korrespondenca me individë dhe institucione, si dhe botimet e tij të fushës së albanologjisë. /Shaban Sinani dhe Irakli Koçollari