Vula e shpirtit

0
589
Fatmire Duraku

Arte pamore

(Mbresa, përsiatje lidhur me krijimtarinë artistike të Veli Blakçorit)

Fatmire Duraku

Thyerjet lënë pasoja. Kjo është e pashmangshme, dëshmohet ditë më ditë, pandërprerë, edhe tash, vite më vonë nga shungullima e luftës tronditëse, e rënë me gjithë brutalitetin e vet të bishës mbi ne-të pafajshmit… Veçse, ja, megjithatë, krijuesi i njëmend ia del të krijojë udhë, dalje nga kjo ngarkesë-skëterrë, të krijojë rilindjen, hapësirën e re të fluturimit të serishëm të feniksit qiellit të kaltër e të pafund të realitetit dhe imagjinatës. S` do mend, nga cilido kënd të shikohet, një gjë të tillë e prek me fuqinë e vet kreative piktori Veli Blakçori… i pranishëm kaq vjet me artin e vet mes nesh, i suksesshëm në disa disiplina të artit pamor, në karikaturë, me pikëqendrim në portret-për një kohë të gjatë, pastaj në pikturë, vizatim, grafikë … të shpërthejë së fundi kaq fuqishëm në skulpturë.

Personaliteti i fortë krijues – kaq i veçantë i Blakçorit, dëshmon se veprat e krijuara me përqendrim dhe stërkala shpirtërore i bëjnë dritë të pashuar e të gjatë vetes në kohë e hapësirë. Kjo dëshmi-dridhmë magjike, shfaqet te secila vepër, është shenjë e gjallë e frymës krijuese, e shndërruar në bindje dhe gjithnjë, si e tillë, domosdo, ndez dritën mes territ të dendur dhe ne përjetojmë flakën e pashuar shpirtërore, sythin e çeljes së mëngjesit… përjetojmë befasinë përrallore mes shkretëtirës nën yllin farfuritës, gjithnjë nga çel udhën vija e tërhequr nga dora e sprovuar e piktorit. Kjo vijë tashmë është bërë udhë e rrahur, ale, të cilën ka dëshirë ta ec dhe përjetojë secili nga këndi i vet.

I

Secilën herë, në çdo ballafaqim të ri me pikturat, vizatimet, skulpturat e V. Blakçorit, zbuloj ndonjë detaj të ri, ndonjë fshehtësi, të cilën nuk e kam vënë re më parë. Kjo, sa e zgjon kërshërinë ta vizitosh më shpesh studion “V” (në qendër të Prishtinës), sa zgjon një hije zhgënjimi të thellë: si kanë mundur të të ikin të pa shënuara kaq shumë gjëra… mbresa… thellësi, tone, ngjyra të nxjerra me mjeshtëri kulmore.. Ja pse çdo gjë duhet shënuar, të mos i prek tisi i harrimit! Pra, do të duhej të mbaj ditar, e s’mbaj! Mëkat. Mbesin të ikura kaq dridhje, përjetime, fshehtësi… të derdhura nga bota e veprës artistike, të cilat herën tjetër do t`i përjetosh nga një kënd tjetër, ndryshe.

Ja, ta zëmë, unë, asnjëherë dhe po të dua, nuk mund t`i ik një vizatimi të vogël …por kaq mbresëlënës… një pëllëmbë letër me disa vija të tërhequra pas një studimi dhe analize të gjatë, sigurisht, për të formësuar një kalë e një kalorës nga vijnë furishëm nga larg, të lodhur nga udha e të pluhurosur… vizatim i vogël për heroin Gjergj Kastrioti, vizatim i fortë në një çast të papërsëritshëm, i cili më vjen tash veç përmes rikujtimit. S` do mend, kanë ikur shumë tone e hapësira, që do t`i kesh ndierë gjatë ballafaqimit të më hershëm, sy më sy, gjatë përsiatjes nga e shikon…

II

Prej secilit punim shpërthen dhe shfaqet qiellit të vet me vetëtimën e vet një botë e re, e cila ndërlidhet me punimin tjetër përmes ndjenjës, vijës, hapësirës e ngjyrës, të cilat i tërheq e njëjta dorë, e njëjta dritë e gjakut. Dhe, kështu, secila pikturë, vizatim, skulpturë bëhet ngjarje… lë mbresa, që vibrojnë brenda penjsh të shpirtit. Bëhen dhe pjesë jotja. Ja pse arti është vulë e shpirtit, pse është e kuqja e hartës së trupit-gjaku, pse është ëndrra dhe synimi për të zbuluar ura të reja, udhë të cilat i bien rreth e rreth planetit, të kthehen prapë aty prej nga u nisën, për të ikur andej përsëri. Ta afirmojnë artin e autorit, të qytetit ku ai jeton, të shtetit dhe të kombit ! Studio “V” ndoshta vetëm mua më ngjan herë-herë, ndoshta dhe gjithherë, në një pyll kaq të dendur dhe të veçantë, kaq të pasur me zogj, pemë, kroje… me vija, ngjyra, figura… me çdo gjë që e ndërthur dritën, ujin, qiellin e syrin.

Aty, sa herë ta kapërcesh pragun e hyn brenda, asnjëherë nuk hyn në të njëjtën studio, por në një botë tjetër, të re, shumë më të begatë; brenda të të njëjtit sfond flet tashmë edhe ajo që ndonjë ditë më parë heshte. Kështu, ti aty hyn më e varfër për të dalë gjithnjë më e pasur, me një përjetim të ri. V. Blakçori nuk e ngarkon punimin e vet, nuk e ik kaq larg nga syri i vizitorit, por as nuk i flet të gjitha gjërat që e preokupojnë… lë mjaft hapësirë për përsiatje, për ta përjetuar veprën, secili nga këndi i ve , për të zbërthyer dhe ndierë brendi të reja, ndërthurje dhe kompozime të gjërave, të cilat zbulojë tone, rrjedha, sfonde, detaje, të cilat kaq shumë ngacmojnë sa do ta kesh vështirë të mbetesh e qetë.

III

Thellësia e artit të V. Blakçorit , hetohet në secilin punim, shpërthen në të gjitha disiplinat. Ai te secili kompozimin – kaq magjishëm e origjinal, e flet botën e vet, kohën dhe tokën- këtu, në frymëmarrje me pikët e gjakut të atyre, që nuk e kursyen veten për të tashmen. Kjo e tashme, për asnjë çast nuk është e zhveshur, por gjithherë e ndërlidhur me copëza nga e kaluara, për të bërë një gërshet, një udhë në rrjedhë nga e nesërmja. Tërë këtë ai e thotë përmes fijeve më të thella të shpirtit, e cila gjë secilin punim e bën të jetë më i gjallë, më i afërt, plot emocion. E realizon këtë, detaj më detaj, me durim… me vullnet të fortë. Një përfundim-rrumbullakim i tillë, realizohet veçmas me ngjyrën eksploduese-të fortë, me vijën e përdorur me mjeshtri të stërholluar, me sfonde e tone krejt origjinale.

Kështu, detajet bëjnë zinxhirin e pashkëputshëm në udhë nga tërësia e veprës. Pra, kaq sa detajit… rëndësi i jep dhe tërësisë, e cila përshkohet gati gjithherë nga një ton i pathënë poetik, këputet herë-herë për t`u rishfaqur prapë në një sfond tjetër të së njëjtës vepër, apo në ndonjë pikturë të re . Vija e tij është lumë. Nis aty ku e parasheh autori të burojë, rrjedh… më pastaj ik diku në nëntokë, të rishfaqet prapë, po kaq me tension, me bubullimë të shpërthimit, të ujëvarës, mbi të cilat bien të gjitha ngjyrat e ylberit, që diku më vonë, në rrjedhën e vet e njëjta vijë prapë të qetësohet… Kjo vijë, e cila ik, rrjedh pa u ndalë, rrjedh, rrjedh të këputet diku ndërmjet hirit e zjarrit pa e krijuar kuptimin përfundimtar, pa e formësuar atë që shpërthen nga shpirti kaq i thellë, i pasur i oqeanit të brendshëm të Tij…

Kjo vijë e këputur e krijon tensionin brenda veprës, shpërthimin rrezatues, magjik… Të veprohej ndryshe, kam bindjen, do të varfërohej vepra, do të shpjegohej çdo gjë dhe nuk do t`i mbetej shikuesit shumë për t`u preokupuar me atë që i është ofruar. Nuk do të merrej në një rast të tillë fare me dimensionin e tretë, me pjesën me të fuqishme të veprës… Pra, në të gjitha variantet, ai ec vijës së vet të përcaktuar, për të arritur te qëllimi, te shpërthimi, i cili tashmë ik nga vepra dhe bashkëjeton për një kohë të gjatë me atë që e shikon me përqendrim. Ky shpërthim, kjo fuqi kreative, s` është veç në pikturë, s`është veç në vizatim, s`është veç në karikaturë… as në skulpturë, pikërisht pse kudo – në secilën vepër, derdhet i njëjti zjarr i papërmbajtur, e njëjta fuqi krijuese, që të bën për vete.

IV

Galeria e V. Blakçorit është një botë magjike, por megjithatë e vërtetë. Është e vërtetë, ngaqë aty ballafaqohesh me të kaluarën tënde, me të tashmen, por dhe me etjet dhe ëndrrat për të nesërmen, në të cilën mund të thurësh imagjinatën. Kjo pra është magjikja, e dëshiruara, ajo që rrezaton nga veprat, e që mund ta shprehin vetëm artistët e njëmendtë. Secilën herë – te galeria “V”, me secilën vepër përjetohet diçka e re, shumë e veçantë, që herën e ikur-sado të kesh qëndruar para saj, ose s`e ke vërejtur ose ajo nuk do të ketë qenë aty… është e para, ngaqë shikon të njëjtën vepër, të realizuar vite më parë. Pra, sa herë e shikon zbulon diçka të re, pashmangshëm. Krejt diçka të re, shumë të thellë, shumë të fortë, diçka të veçantë, e cila frymon me shpirtin e vet të padukshëm, të brendshëm, me frymën e zjarrit që e nxjerr dhe e derdh përreth, për të të endur nëpër perin magjik, të tërhequr përmes zemrës së tokës, përmes rrënjës së jetës, përmes qiellit e syrit të njeriut nga atje ku fillon zanafilla e gurit, nga atje ku fillon fjala dhe dashuria.

V. Blakçori i vë në një gërshet të përditshmen me rrënjët e gjethet e së kaluarës, me dridhërimat e ëndrrës që ikin nga e nesërmja, me të gjitha etjet e dëshirat, me dhembjet e mallëngjimet e njeriut, i cili është preokupimi kryesor, gjithnjë në qendër të trajtimit. Ky motiv i madh, kjo fushë e pafund, nis nga zanafilla e botës e vjen deri te çastet që lidhen me trokitjet e zemrës, me rrjedhën e gjakut nëpër hartën e kurmit dhe të tokës, është alfa dhe omega e veprës së Veli Blakçorit. Kjo, duke qenë kështu, pra një qasje shumë e thellë dhe e veçantë, na e afron gjithherë mundësinë ta përjetojmë, ta shijojmë një vepër që rrezaton gjithanshëm dritë nga etja dhe dëshirat, dritë nga ëndrrat dhe gjaku, që e përbën rrethin e lëvizjes së njeriut në këtë pjesë të botës.

V

Toka, Jata, Qielli, Njeriu, i bëjnë katër kariatidet kyçe, në të cilat vetëmbahet krijimtaria e Blakçorit, i bëjnë katër shtyllat e padukshme, ndërmjet të cilave rrjedh lumi i ëndrrës, çel drita, fluturon gjeli i ndezur në purpurin e agut, ndrisin sytë e plakut, bërlyket i harlisur demi, i cili synon ta marrë si në përralla kodrën në brirë,vjen mbi kalin e vet të djersitur një kalorës, me etjen për lirinë e popullit të vet, të cilit i kthehet pas ndarjes nga ai vite me radhë. Asgjë nuk është shuar as nuk shuhet te zemra, është mesazhi i veprës së Blakçorit, Kështu, secila pikturë, vizatim, skulpturë… duke reflektuar brendinë e vet bëhet pjesë e secilit që e shikon dhe jo vetëm një çast. Këtë thellësi magjike e rrezatojnë vetëm ato krijime, të cilat nuk krijohen mekanikisht, nuk lindin pa u ndierë, pa u përjetuar, pa u studiuar mirë e mirë. E këtillë është secila vepër e Blakçorit; vulë e jetës, vulë e shpirtit… e hedhur me mjeshtëri të veçantë në letër, në pëlhurë, apo në bronz…