YLBERI POETIK NË BUKURINË E FJALËS SË SHKRUAR

0
573

Avni Azizi

(Vështrim mbi përmbledhjen poetike, “TI JE DORA E ZOTIT” të poetit Bahri Shyti)

Në qoftë se jeta dhe bota është një mrekulli e padepërtueshme e cila ngrihet dhe shpërfaqet përmes fuqisë së fjalës krijuese, fjalës sonë njerëzore, dhe krijimi i bën të dallueshme shenjat e universit… Pa mëdyshje se vargjet e poezisë janë ndër mrekullitë më magjike të saj dhe poezia mbetet zhanri më i ndjeshëm e misterioz i letërsisë. Por, qëllimi i krijimtarisë dhe artit në përgjithësi nuk është të jep një shembull, një predikim, një ndërtim, apo edhe një sugjerim, por, ky qëllim përherë lë tek lexuesit të drejtën e tyre për të menduar, krahasuar dhe për të zgjedhur atë vet.

Lexuesi para vetës ka veprën poetike të poetit Bahri Shyti “Ti je dora e Zotit” Bahriu vazhdon mjeshtërinë e përsiatjeve të krijimit përmes trajtës poetike duke vazhduar melodinë e një libri të ri për lexuesin. Autori ashtu sikur edhe në librat e mëparshëm edhe në faqet e këtij libri mëton të dëshmoj gjitha ngjyrat e ylberit poetik. Ai duke kaluar përmes frymëzimeve të ndritshme dhe të pasionuara, vazhdon rrugës së rrahur të vargut me dëshirat për të vijëzuar të padukurën; të padëgjuarën, bukurinë e fjalës deri në kufijtë e shfaqjes. Duke u përpjekur për t’i testuar kufijtë e mendimit deri në ekstazën e mos humbjes…Deri në dritën e krijimit…

Ai përpiqet të paraqes tek lexuesit e këtij libri një pamje të punës së tij, mendimeve dhe botëkuptimeve mbi ngjarje, dukuri, mbresa dhe një pamje të botës. Në të cilën ai jeton, ngjarjet e jetës së tij, një pamje të një hapësire të përkohshme, e cila mbulon periudha të ndryshme kohore dhe hapësinore… Dhe kjo pamje shpirtërore e autorit sikur është mbëltuar bindshëm në vargun dhe fjalën artistike. Ai përmes kësaj tabloje të plotë e të larmishme në tema e vështrime zgjon kërshërinë e lexuesit drejt horizonteve të gjykimit e mbresave poetike.

Titulli i librit “Ti je dora e Zotit” sikur jep një shkëlqim përmes fjalës se njerëzit e fortë dhe të ndershëm janë gjithmonë të thjeshtë dhe unik. Madje vet fati jetës sikur është kaheje e erës së lehtë në fytyrat e tyre. Zemra e poetit përplaset me mirënjohje dhe admirim të pa kufij… Ai shpërfaq personalitetin e mikut me profesionin e mjekut, i cili brenda personalitetit të tij përfshihen gjitha cilësitë, virtytet dhe profesionalizmi të cilin duhet ta posedoj një mjek i vërtet… Madje poeti shkon edhe më tej duke e pagëzuar “Si një dorë të Zotit” heroin e emëruar i cili sikur vjen nga perëndia dhe i cili bartë peshën e profesionit rraskapitës e të vështirë po, me plot dinjitet e fisnikëri… Nga Këto vargje e ndjenja titullohet dhe pagëzohet ky libër. Poeti pafundësisht shpreh vargjet të kushtuara ngjarjes së mahnitshme dhe të lumtur të atit të lavdishëm…Andaj ai thotë:

Ti je vet dora e Zotit
Që ç’do herë përkëdhel
Helmin në këtë botë
Ti fare se mbledh

Këtu stabiliteti i lumtur frymëzon, rruga e aktivitetit fisnik përhapet përgjatë shtegut të fatit, mirëqenies, prosperitetit dhe lumturisë!

Në këtë përmbledhje poetike autori Bahri Shyti me gjuhën poetike përshkruan ngjarjet e jetës së tij, jetën e vendit të tij, kohën në të cilën jeton, njerëzit dhe dukuritë shoqërore qofshin ato edhe negative, ai thumbon dukuri të shëmtuara të cilat fatkeqësisht po zënë hapësirë në bërjen e jetës sonë…Personazhet e vjershëruara ose janë prototipa në jetën reale ose edhe portrete të përgjithësuara…

Po ashtu edhe marrëdhëniet mes njerëzve e shoqërisë autori jo rrallë i përfaqëson dhe i pasqyron me metafora dhe veshje të jetës objektive…Miqësia, dashuria, përvojat e thjeshta njerëzore dhe ndjenjat e atdhetarisë së shfaqur shpeshherë i kapërcejnë linjat e vargjeve të poetit Shyti.

Ato ndonjëherë janë të përziera me motive filozofike e dhembje e jo rrallë edhe me reflektime të drejtpërdrejta poetike… Autori nganjëherë duket të jetë jashtëzakonisht i rreptë dhe i shqetësuar për shumë ngjarje dhe bëma të mbrapshta dhe gjithë kjo revoltë shpërthen në vargje. Kjo revoltë edhe këto vargje duken sikur rryma të së vërtetës në një det të gënjeshtrave totale. Madje, poeti sikur habitet se si këto rrjedha rrjedhin, pavarësish nga të gjitha të këqijat, vazhdojnë të enden edhe nëpër vetëdijen e një pjese të popullit tonë.
Një ilustrim i kësaj janë edhe këto vargje të poezisë: Ah moj nënë, ku poeti thotë:

Ah moj nënë, na është zënë dielli
Retë e zeza na rrinë përmbi
Po na shembet toka nën këmbë
Pse ç’do herë këtë fat të zi…

Në botën e tij, ashtu si në ritmin e vargut, të rimës dhe figurës ka përsëritje dhe shfaqje të ëmbla. Dhe kjo botë është e jashtëzakonshme e madhe dhe e shprehur në mënyrë të kënaqshme…Këtu duket sikur shfaqen gjitha kodet letrare e poetike, lidhjet e imagjinatës, kufizimet e arsyes, etika, estetika, fjalori, gjuha kombëtare, gjendja psikologjike, gjendja e fshehtë e rrjedhës së ndërgjegjes, fantazive dhe ëndrrave…Andaj në një poezi poeti thotë:

Në atë tokë Dardane, Më e vjetër se vet bota
Në atë dhe prej ari, që neve na mëshiroi
E bukur po dukej, edhe këtu ku jemi
Por Dardaninë time, asnjëherë se ndërroj

Nëpër shumë poezi të poetit Bahri Shyti sikur vërehet një erë e lumturisë e cila buron nga poezitë e tij. Megjithëse në përmbledhje ka disa fjalë dëftuese e madje edhe urdhëruese, edhe këtu është vet imagjinata e poetit e cila nganjëherë si rrjedhojë e kësaj përmbyllet me një humor të zi, me ironinë dhe fishkëllimën deri në zhveshje të plota të shumë dukurive…

Përvoja lirike e autorit, gjithashtu edhe fusha tjetër ajo e rapsodisë me të cilën poeti Shyti është lidhur ngushtësisht me të, shpesh i kthejnë vargjet e krijimit të tij tingëlluese me koncepte emigruese dhe me zërin melodik. Marrëdhënia shumë e ngushtë midis poezisë dhe këngës dhe ashtu si mjedisi njerëzor i veprimit: mërgim-atdhe, ndikon në këtë marrëdhënie, që është si muzikalitet i një ngushtimi apo zgjerimi të poezisë por, edhe si një bashkim dhe një përcaktues kohor e historik.

Një vend të rëndësishëm në poetikën e poetit Bahri Shyti, zënë vend edhe poezitë me motive patriotike. Autori beson, jo në shqiptimin dhe shkrimin e këtyre fjalëve por, në një qëndrim të ndershëm ndaj njerëzve dhe atdheut si një çështje e angazhuar e një kauze të përbashkët.

Të tilla janë poezitë…Atje do jem, Dallimet, Dështimi, Dilema, Bukuria shqiptare, Gjysh e mbesë etj… Mendimet e tij janë të qarta, pozicioni i tij është i qartë dhe nuk ka asgjë të tepërt në ato që i thotë poeti, madje shumë dukuri duken sikur copa të panevojshme që mund të prehen nga blloku i një mermeri për ta kthyer atë përfundimisht në një statujë të jetës së dinjitetshme. Kështu edhe këto vargje sikur thërrasin për një përmirësim të ndritshëm dhe përparimtar të shoqërisë sonë. Artisti dhe arkitekti i fjalës shpesh ka më shumë të drejtë të marrë edhe vendimet alternative, problematike dhe paradoksale, për ndryshim nga politika dhe politikanët, vendimet e të cilëve janë Më të standardizuara.

Edhe pse ndonjëherë në shikim të parë kemi ndjesi të ngrysjes së fjalës megjithatë ëmbëlsia dhe dashuria shihen dukshëm nëpër këta rreshta të poezisë. Kjo dashuri është sikur gjaku i derdhur i dëshmorëve i cili është i shenjtë dhe për të cilin poetin Shyti i këndon me pietetin më të lartë.

Edhe përmes këtyre vargjeve duket sikur poeti është gjithmonë në rrugë. Gjatë Këtij udhëtimi ai takon njerëz të rinj, përshtypje të reja, peizazhe unike… Ashtu si cilësitë e tija shpirtërore, ai takon miqtë e vërtet, flet me ata si burrat… Poetit fare nuk i bën përshtypje pozita e tyre, paraja, farefisnia… E drejta dhe e vërteta mbetet në zërin e tij dhe zemrën plotë shpirtbutësi. Bazuar në poezitë e librit me plotë të drejt mund të thuhet dhe shpresohet se libri i ri i poezive të poetit Bahri Shyti do të gjej lexuesin e tij, do zgjoj tek ai ndjenjat më të mira, do t’i jap atij reflektimin serioz për vendin dhe veprimin e tij në shoqëri…

Lexuesi do merr këtë buqetë me lule, ku ai mund të zgjedh për vete pëlqimin dhe perceptimin e tij të dëshirueshëm… Dhe poezitë e poetit Bahri Shyti pa mëdyshje do ndikojnë në përzgjedhjen e jetës së dikujt, do hapin horizonte tek lexuesi, do ndihmojnë atë në kohë e rrethana të vështira. Atëherë mund të thuhet se përpjekjet dhe mundimet e autorit nuk ishin të kota, ani se jeta shpesh është e ashpër, megjithatë ajo është e lumtur në rrjedhën e saj ashtu sikur këto poezi të këtij libri.