VARGJE PËR ATDHEUN, JETËN, DASHURINË

0
804

Fatmir Z. Çitaku “Ecim nëpër kohë”, SHB “Lena”- Prishtinë, 2019

Milazim F. KADRIU

Sa gjatë nëpër vuajtjet e trishtimit
Në ty epokë e shkruar me gjak
Nëpër dallgët e mjerimit
Sillen shtrigat e murrlanit plak.

Janë këto vargje të poezisë “Ecim nëpër kohë”sipas të cilës e ka titulluar edhe librin me poezi poeti Fatmir Z. Çitaku. Duke u nisur nga titulli i përmbledhjes me poezi dhe duke kaluar nëpër poezitë e librit shohim se autori edhe kësaj radhe na sjell një varg poezish me ndjenjën e nostalgjisë nga e kaluara nëpër të cilën kaloi dhe ka shumë kujtime madje edhe të hidhura të asaj kohe,kur edhe vendi ynë kalonte ditë të vështira nën okupimin serbosllav.

Përmbledhjen me poezi “Ecim nëpër kohë” autori Çitaku e ka konceptuar në tri cikle ( Ecim nëpër kohë,Sot lindi një rreze … dhe Ty lulëkuqe …)

Në ciklin e parë autori sjell poezi patriotike dhe përkushtuese e që këtë cikël e nisë me poezinë “Krenaria e vendit tim ” kushtuar simbolit të rezistencës kombëtare Bacë Adem Demaçit me rastin e shkuarjes së tij në amshim. Ai ndër tjera në këtë poezi shprehet:

Lamtumir Bacë Adem Demaçi
Krenaria e vendit tim
Qofshin t’ përhershme idealet tuaja
Për Mëmëdhe e për Bashkim…

Përpos kësaj poezie në këtë cikël autori sjell edhe disa poezi tjera përkushtuese për heronj e dëshmor dhe disa figura të veprimtarëve kombëtar si : Skënderbeut, Zahir Pajazitit, Selim Berishës, Antigona Fazliut, Bekim Berisha-Abeja, Bahri Fazliut, Agron Rrahmanit, Bajrush Behramit, Behxhet Vidishiqit, Xhevat Isufit etj.

Edhe në shumë poezi tjera të këtij cikli autori shpreh dashurinë dhe respektin që ndjen për dëshmorët dhe vendin e tij. Heroizmin e dëshmorëve dhe luftën e lavdishme të UÇK- së mundohet ta përshkruaj me vargjet që i dalin nga shpirti. Ja si shprehet ndër tjera në poezinë “Vijnë shqiponjat”ku tregon për një unitet të madh që kishte nga pjesa më e madhe e popullit në luftën për liri :

Krisi pushka e Zahirit
U dëgjua anë e mbanë
Krah i dolën vëllezër e motra
Për liri e vatan

Autori Çitaku në vargjet e tij nuk i këndon vetëm nënës së vetë por ai me plotë dashuri u këndon nënave të heronjve, dëshmorëve,…

Ti Nënë e dëshmorëve, martirëve e atdhetarëve
Me lot e dhembje e në zemër që mban barrë
Nënë ti ishe dhe do të mbetesh gjithnjë ajo
Madhështia e lavdia e Kombit Shqiptarë.

Autori Çitaku i këndon lirisë, pavarësisë, bashkimit kombëtar që është i bindur se një ditë pa tjetër do të ndodhe ngase ky ishte edhe qëllimi i dëshmorëve të rënë në luftën çlirimtare. Çdo e arritur në këtë drejtim atë e gëzon dhe thurë vargje. Kështu ai vargje i thurë edhe Ushtrisë së Kosovës, po edhe fitores së shqiptarëve në Malësinë e Madhe.

Në ciklin e dytë autori na sjell poezi nga jeta ku shkruan për gëzimet, kujtimet për prindërit, familjarët,vendlindjen sidomos në kohët kur detyrohej të ik nga vendlindja për të shpëtuar nga kthetrat barbare të okupatorit. Ja si shprehet në poezinë “Largimi nga shtëpia” :

Nën dritën e hënës shushuritnin gjethet,
Një puhi e lehtë frynte nga veriu
Yjet më përcillnin nën hijen e drunjtëve të gjatë,
Nga fshati kur e lëshova shtëpinë atë natë

Shkrepa kodra e male disi i kalova,
Dikur vonë n ‘atë natë hëna më la n’ vetmi
Rruga s’shihej, dritë me ndez s’guxoja,
Si të vazhdoj rrugën apo ku të rri.

Autori shpeshherë në vargjet e tij shpreh dhembjen dhe ka një shpirt të plagosur, e kjo sidomos vërehet te poezitë që ua kushton prindërve, vëllait etj.

Në vargjet kushtuar babait ndër thera thotë :

Më mungon zëri yt,
Ledhatimet e fjalët e tua
Atëherë kur në prehër më mbaje
Dhe më thoshe se të dua
Më mungon prezenca jote
Ai shikim plotë dashuri

Ose vargjet për nënën:

Sytë më janë përlotur kaherë për ty nënë
pranë varrit qëndroj në heshtje mërmëritëm!
I strukur..! Mbetur larg i ikur në mendime
Te varri yt nënë si në errësirë venitem

Por kemi edhe vargje ku autori shpreh edhe gëzimin e tij kur në jetë vije ndonjë fëmijë, kur gëzohet edhe shtëpia apo në ndonjë rast kur arrihet ndonjë sukses në rrafshin kombëtar.

Erdhe engjëllushë pranverë në familje
Shndrite shtëpinë e mbushe gëzim
Të rroshë vite e mote të jetosh e lumtur
S’ bashku me prind me plotë dashuri.

Në ciklin e tretë autori na sjell disa poezi të dashurisë ku shumicën e tyre siç shihet i ka shkruar në mërgim derisa ishte larg atdheut, larg familjes, larg të dashurës. Ja si shprehet ndër tjera kur thotë se i mungon e dashura e tij :

Më mungojnë ata sy
Edhe buzët tua mbushur nektar
Loti i mëngjesit para agimit
Kur fillon gjumi me të dalë

Ai edhe ndarjen nga e dashura e kujton ku i është dashtë të ikë pa dëshirën e tij dhe ta lenë atë me lot në sy :

Hedhja vështrimin nga pas
Sikur dëgjoja lutjen tuaj atë ditë
Lotin që të pash për faqe
E fjalën kur më thoshe më pritë

E pas një kohe,pas çlirimit të vendit edhe të dashurit kanë pas lehtësim ngase tani qëndrojnë më afër njëri tjetrit. Këtë e shpreh edhe Çitaku në vargjet e tij :

Tani je e lirë si zogu,
Nën qepallë s’të dua lot
Fluturo pa mbarim,
Bej ëndrrën realitet sot

Pra siç shihet Fatmir Z. Çitaku në përmbledhjen me poezi “Ecim nëpër kohë” na ka sjell poezi që ua kushton heronjve, dëshmorëve, veprimtarëve të çështjes kombëtare, po edhe dashurisë dhe jetës në përgjithësi.

Kështu autori me vargjet e tij komunikon me lexuesin qartë e thjeshtë dhe kështu poezitë e tij kuptohen nga të gjithë dhe kjo e bënë atë të dashur dhe të afërt me lexuesin.