STUDIMI: DEMOKRACIA E VËRTETË ËSHTË E MIRË EDHE PËR SHËNDETIN E NJERËZVE

0
516
Frank Shkreli - Demokracia nuk pret

Nga Frank Shkreli

Winston Churchilli ka thënë se, “Askush nuk pretendon se demokracia është një sistem qeverisës i përsosur ose i përkryer. Në të vërtetë, është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të formave të tjera të qeverisjes që janë provuar, nga koha në kohë.” Me fjalë të tjera, demokracia ka shumë të meta dhe probleme, por të gjitha format e tjera të qeverisjes kanë më shumë probleme dhe të meta, në krahasim me sistemin demokratik, ashtu siç është provuar gjatë historisë së njerëzimit.

Natyrisht se Demokracia e vërtetë nënkupton, ndër të tjera, zgjedhje të lira e të ndershme. Për mua dhe për shumicën e njerëzve, natyrisht, bazuar në përvojën time, demokracia — pa marrë parasyshë se çfarë ka thënë Winston Churchilli për ‘të, si një sistem politik qeverisjeje megjith të metat dhe sfidat e saja — është forma më e mirë e qeverisjes. Është sistemi qeverisës më i mirë nga disa pikëpamje, por sidomos përsa i përket respektit që ky sistem ka për të drejtat bazë të njeriut, siç është, ndër të tjera, liria e fjalës dhe liria e fesë, por edhe nga këndveshtrimi i zhvillimit në fushën ekonomike dhe zhvillimit, përgjithësisht, në të gjitha fushat e tjera të aktivitetit shoqëror.

Demokracia e vërtetë, në parim, i ofron çdo individi, të drejta dhe përgjegjësi si dhe mundësi të barabarta për të përparuar në një shoqëri të lirë e demokratike. Demokracia garanton lirinë për secilin individ për të ndjekur lumturinë duke u aktivizuar në çfarëdo veprimtarie që i pëlqen, pa ndonjë detyrim nga askush. Në thelb të demokracisë është garancia e të drejtave dhe përgjegjësive të barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallim. Për më tepër, në një qeverisje demokratike, degët e qeverisë janë të hartuara në atë mënyrë që të kontrollojnë njëra tjetrën dhe të shërbejnë si forca balancuese ndaj njëra tjetrës, me qëllim për të minimizuar abuzimet me pushtetin politik publik.

Të gjitha këto janë disa të drejta dhe privilegje që një qeverisje demokratike u ofron qytetarëve të saj.

Por, kujt ia kishte marrë mendja se Demokracia, si sistem politik qeverisës është i lidhur ngusht edhe me shëndetin tonë. Lindë pyetja pra nëse demokracia, si një sistem politik qeverisës – në krahasim me sisteme të tjera politike — ka ndonjë përfitim edhe për shëndetin tonë, përveç disa prej përfitimeve politiko-shoqërore që përmenda më lartë. A është demokracia e mirë për shëndetin e njeriut? Disa shkencëtarë dhe hulumtues thonë se po.

Sipas një studimi të bërë nga hulumtues në tri institucione amerikane: Këshilli për Marrëdhëniet e Jashtme, Fakulteti Mjekësor i Universitetit Stanford, nga Instituti Amerikan për Vlerësimin e Shëndetit – dhe nga Universiteti Bilkent i Turqisë. Në studimin që kanë botuar kohët e fundit në revistën prestigjoze dhe ndër më të vjetërat mjekësore, Lancet – me zyra në Nju Jork, Londër dhe Pekin — thuhet se demokracia e vërtetë ka lidhje të ngushtë dhe pozitive me shëndetin e njerëzve. Studimi përfshinë të dhënat nga 170 vende të botës me të ardhura të ulëta dhe mesatare, bazuar në informacionin politik, ekonomik dhe shëndetësor, duke filluar nga viti 1970 e deri në vitin 2016. Në bazë të këtij studimi, të botuar ditët e fundit, qeverisja demokratike dhe institucionet e saja, duket se ndikojnë më shumë në shëndetin e individëve.

“Rezultatet e këtij studimi sugjerojnë se zgjedhjet e lira dhe demokratike janë të lidhura ngusht me shëndetin e njerëzve”, u shpreh Thomas Bollyky, Drejtori i programit shëndetësor botëror pranë Këshillit Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme, i cili edhe kryesoi këtë studim të katër institucioneve të lartë përmendura. Ata zbuluan se jetëgjatësia e njerëzve është rritur më shpejt në vendet që kanë kaluar në demokraci, duke filluar nga viti 1970 e deri në vitin 2015, në krahasim me vendet që nuk kanë pasur këtë tranzicion demokratik. Gjatë kësaj periudhe, vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare në vendet demokratike, janë pakësuar me 25 %, sipas studimit. Rritja e shpenzimeve buxhetore për programet që promovojnë institucionet transparente dhe proceset demokratike mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit për qytetarët dhe në rritjen e investimeve në fushën e përkujdesjes shëndetsore të një cilësie të mirë, thuhet në këtë studim.

Përpiluesit e këtij studimi thonë se shoqëritë e lira arrijnë përfundime më të mira dhe suksese në fusha të ndryshme, përfshirë shëndetësinë, jo sepse janë më të pasura, por për arsye të presioneve publike që ushtrojnë votuesit ndaj qeveritarëve, për të kërkuar të drejtat e tyre. Si rrjedhojë, “Pa një trysni të fortë nga votuesit”, për themelimin e institucioneve demokratike që promovojnë përmirësimin e kujdesit shëndetsor për qytetarët, “Sunduesit autokratikë kanë më pak arsye që të financojnë programe për trajtimin e sëmundjeve të zemrës, kancerit ose sëmundjeve të tjera krinike, në krahasim me udhëheqësit e vendeve demokratike”, shprehet Thomas Bollyky, Drejtori i programit shëndetësor botëror pranë Këshillit Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme dhe njëri prej përpiluesve të këtij studimi.

Në thelb pra dhe pa u futur në shifra dhe statistika shkencore, ky studim arrinë në përfundimin se Demokracia e vërtetë është e mirë për zemrën, për shëndetin në përgjithësi, si dhe për jetëgjatësinë e njerëzve në moshë të rritur. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të rëndësishme për përmirësimin e shëndetit të popullësisë, siç duket si rrjedhojë e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së qeverisë ndaj votuesve…Ka më të ngjarë që vendet demokratike të shënojnë përparime të dukshme në fushën e shëndetësisë, në krahasim me vendet autokratike”, thekson raporti, në një kohë kur demokracia po sfidohet kudo, ndërkohë që po shtohen edhe prirjet autokratike anë e mbanë botës. Sidoqoftë, ky studim, i pari i përmasave të këtij lloji për nga numri i vendeve që përfshihen dhe për nga periudha që mbulon, arrinë në përfundimin se liria politike, zgjedhjet e lira e të ndershme dhe proceset demokratike, në përgjithësi, të pakën kur është fjala për shëndetin e njerëzve, përbëjnë qeverisjen afatgjatë më të mirë, për të gjithë. Pa Demokraci të vërtetë nuk ka shtet, por nuk ka as shëndet, sipas këtij studimi. Ja pra, edhe një arsye tjetër pse Demokracia nuk pret!