VETËVENDOSJE E DYZUAR: PRO DHE KUNDËR KRIMIT

0
404

IDRIZ ZEQIRAJ

Dyzimi i njeriut cënon personalitetin dhe integritetin e tij. Ende më keq është dyzimi i një subjekti politik. Një subjekt i dyzuar nuk mund të thirret në parime. Sepse mbrojtja e parimeve përjashton mëdyshjen, hamendjen në marrjen e vendimeve.

Lëvizja Vetëvendosje u lind rrëmujshëm e zhurmshëm, karakteristikë e vrullit rinor. E nisi mbarë dhe me parimësi: “Kosova – toka që nuk falet!” Si e tillë Vetëvendosje u faktorizua bindshëm. Dëshmi e këtij faktorizimi janë demonstrimet masive, gjithnjë për çështje kruciale e parimore. Me veprimet e saj praktike, ajo ishte e vetme në mbrojtje të Republikës.

Dhe, dëshmitë janë faktike, si në rastet e poshtëshënuara:

1) Lojërat politike të Hashimit, mashtrimi dhe protestë-thyerja e popullatës mitrovicase, të dëbuar nga vatrat lindake, ftoi në provë Lëvizjen Vetëvendosje, e cila u goditë, deri në përgjakje, ke Ura e Ibrit.

2) Prova e radhës ishte 6 pikëshi i Baki Munit, të cilat Hashimi i pranoi lehtësisht! Viktimë e refuzimit ishte Presidenti Sejdiu. Vetëvendosje ishte aktive në mbrojtje të parimeve, rrjedhimisht, në mbrojtje të Republikës.

3) Hashimi, konspirativisht, kishte nënshkruar marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe, “Zajednica”. Isa Mustafa, në cilësinë e kryeministrit, e aprovoi dhe e nënshkroi. Ishte Lëvizja Vetëvendosje që reagoi dhe e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke e bllokuar asociacionin me kompetenca ekzekutive.

4) Zgjedhja e Hashimit president, është vepër ekskluzive e klanit të LDK-së, brenda Kryesisë të saj, të prirë nga Isa Mustafa. Një marrëveshje konspirative, në fshehtësi të plotë, duke anashkaluar jo vetëm anëtarësinë, por edhe vetë strukturat e partisë. Ishte egoja e ulët karrieriste e Hashimit dhe e Isës, për t’u bërë, përkatësisht, president dhe kryeministër, pasojat e së cilës vazhdon të vuajë populli i Kosovës dhe LDK-ja.

Fajësia bëhet më e rëndë, kur dihet porosia e prerë e Presidentit Rugova se “Hashimi nuk duhet lejuar të ngritet në pushtet, sepse është i rrezikshëm për Kosovën!” Dhe, kjo, tashmë, është provuar katërcipërisht. Kjo fajësi bartët edhe tek strukturat e partisë dhe anëtarësia, për heshtjen hiç fisnike, për të mos thënë të turpshme.

Dhe, ishte, pikërisht, Lëvizja Vetëvendosje, ajo që kundërshtoi fuqishëm, madje, pa zgjedhur mjetet, ngritjen në kupolë të shtetit të njeriut me dyshimin e bazuar, për krimin e organizuar dhe korrupsionin masiv, deri në vënien në pazar të kufijëve të Kosovës, duke ia hequr edhe emërtesën Republikë. Kujto “FAK”, në vend të “FARK”!

5) Shënimi i vijës kufitare, “Demarkacioni”, me Malin e Zi, ka dy eksponentë të realizimit të tij fatal: Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën. Ata u rrekën fort, për ta bindur botën, sidomos Qendrat e Vendosjes Botërore, se “Kosova nuk humbë asnjë milimetër tokë!”

Çuditërisht, asnjëherë partitë e binomit Thaçi-Mustafa, nuk kërkuan llogari, nga anëtarët e tyre, për fajësinë kriminale të tjetërsimit të territorit tokësor të Kosovës. Të cituarit, duke qenë në cilësinë, përkatësisht, të presidentit dhe kryeministrit, ishin valid, të besueshëm për ndërkombëtarët, për t’i marrë seriozisht deklarimet e tyre paushalle, por me prapavijë djallëzore, lidhur me “Demarkacionin”.

Lëvizja Vetëvendosje mbeti e vetme në kundërshtinë, për mbrojtjen e territorit tokësor, rrjedhimisht, të Republikës së Kosovës. Është folur e përfolur shumë për mënyrat e kundërshtisë të Vetëvendosjes, për pazaret e pista të presidentit dhe të kryeministrit.

Megjithatë, provokimi ishte i rëndë, madje, i përsëritur se “i kemi numrat dhe do ta sjellim për aprovim në Parlament “Demarkacionin”. Në këtë provokim, ndaj popullit shqiptar të kudondodhur, kishte mjaft elemente të rrugaçërisë. Reagimi i Vetëvendosjes ka qenë në proporcion me masën provokuese, një përgjigje adekuate, qoftë edhe me përdorimin e gazit lotsjellës dhe format tjera rrethanore.

6) Organizimi i protestave, duke kulmuar me demonstrimin e madh kundërshtues në gushtin e vjemë, në Prishtinë, në mbrojtje të territorit të Kosovës, me moton se “një popull, nuk duhet t’i nënshtrohet një njeriut të vetëm”! Dhe, ky njeri është hiç më pak se presidenti aktual, Hashim Thaçi! Pra, presidenti, garantues i sovranitetit tokësor, bëhet tregtar e tjetërsues i territorit shtetëror.

Ana tjetër e medaljes të Lëviyjes Vetëvendosje

Përmendem pozitivitetin, luftimin e krimit nga Lëvizja Vetëvendosje. Por, medalja ka edhe anën tjetër. Dhe, kjo është negativiteti, mbrojtja e krimit nga Vetëvendosje!

Citojmë vetëm disa nga rastet, ku qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është pro krimit:

1. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë dhe mbetet, në vijimësi, kundër Gjykatës Speciale Ndërkombëtare. Arsyetimi se “kriminelët mund të gjykohen në Kosovë”, është bajat e qesharak, kur dihet se drejtësia vendore është kapur nga bandat në shtet e pushtet. Për dy dekada radhazi, mijëra kriminelë, anekënd Kosovës, bredhin të lirë, vjelin haraç, madje, shumë syrësh janë të veshur me pushtet!

2. Lëvizja Vetëvendosje ka aprovuar ligje skandaloze, kinse, në mbrojtje të vlerave të luftës, duke i trimëruar “komandantët” kriminelë, për ta shantazhuar popullin dhe shtetin, me demonstrimet e tyre banditeske, siç janë protestat kundër arrestimit të kriminelëve faktikë. Ndërkohë, kurrë nuk kanë kërkuar trajtimin e fëmijëve jetimër të viktimave të “komandantëve” vrastarë!!

3. Lëvizja Vetëvendosje i ka heshtur, rrjedhimisht, edhe aprovuar, vrasjet politike gjatë dhe pas luftës, të cilat janë numerike dhe këto ekzekutime kanë për autorësi partitë-banda të koalicionit PAN.

4. Lëvizja Vetëvendosje anjëherë nuk ka kërkuar hetimin dhe dënimin e agjentëve të Serbisë, të cilët organizuan protestat e mars-prillit 2004. Rrjedhojë e protestave të porositura nga Serbia armike, ishte decentralizimi i pushtetit lokal e deri ke Bashkësia e komunave, përkatësisht, “Zajednica”.

5. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të heshtë për makro-krimin me Listat e “Veteranëve”. Dëmi është i dyfishtë:

a) Deri tani ësht abuzuar me milionat e buxhetit shtetëror dhe, më vonë, kuota do të rritet në miliarda euro;
b) Është rrënuar sistemi demokratik zgjedhor, me blerjet e votave klienteliste.
Në këtë pikë, gjendja është identike si në Shqipëri, veçse atje protestohet, ndërsa në Kosovë heshtet!

6. Lëvizja Vetëvendosje ka një çoroditje aktuale, është larg misionit të saj. Ajo merret me përrallat e taksës, e cila është një lojë e pistë e PAN-it, për t’i zgjatur jetën qeverisjes shpërdoruese e buxhetit shtetëror dhe kriminale, në të gjithë politikën e saj inkriminuese kadrovike. Pushtetarët po e përdorin taksën, për ta vjelur kontrabandën. Tashmë, “janë zënë me pelë për dore!”

Qasja e Vetëvendosjes për taksën, na kujton Fatmir Limajn, kur Murat Jashari i bënë pyetjen: “Kush ma vrau vëllain, Ismet Jasharin-Kumanova”, ndërkohë që Fatmiri bënë veshin e shurdhër dhe bashkë me Shpendin englendisën në bjerrakohën e dialogut tërkuzë! Vetëvendosje duhet të përqendrohet në shporrjen e PAN-istëve nga froni tyre i përgjakur.

7. Lëvizja Vetëvendosje, me heshtjen e saj, po e favorizon krimin në pushtet. Primati i saj opozitar, duhet të dëshmohet me protestat masive, siç ajo dinë t’i organizojë. Ajo duhet të tërheqë LDK-në, anëtarësinë e saj në protesta, sepse SHIK-u i ka argatët e tij në strukturat vendimmarrëse dhe imponojnë statusquonë, heshtjen.

Është marrëzi të zgjedhësh në mes Hashimit e Ramushit, për kryesimin e dialogut, siç dëgjohen zëra nga LDK-ja! Kjo nënkupton se SHIK-u dirigjon LDK-në dhe përfiton në kohë, deri sa ta mendojë një pisllëk tjetër, larg qoftë, edhe ndarjen e saj. Njëjtë, si Hashimi, Ramushi, Kadrija, Fatmiri janë të shantazhuar të shumëfishtë, sepse janë pjesë e krimeve numerike e faktike. Saktësisht, kanë vrarë kuadro e veprimtarë të LDK-së si dhe ushrakët FARK-istët e Ibrahim Rugovës, për ta marrë dhunshëm pushtetin pas luftës.

Edhe heshtja është aleat i krimit. Dhe, historia i dënon heshtakët. Kujdes, vajza dhe djemë të Vetëvendosjes! Sepse mund të turpëroheni në nismë të karrierës politike?! Gjenerali francez Charl De Gol edhe indiferentët i konsideronte si pjesë e kolaborimit me armikun pushtues, gjatë Luftës së Dytë Botërore.