Në zgjedhje, me kryeministër Edi Ramën?!…

1
674

Nga Av. Ma. Sergjio Mazreku

Ngecja e dy kahjeve të politikës shqiptare ka sjellë me vete dhe ngecjen e procesit zgjedhor dhe një ecuri normale të gjërave, duke mbartur me vete rrezikun e avragimit të situatës deri në befje të padëshiruara, të ngjashme me traumat kolektive të vitit 1997. Për fat të keq, debati nuk mund të reduktohet në një debat procedurial dhe jurdik, siç pretendon qeveria dhe as në një ultimatum të prerë, pa asnjë shans verifikimi, siç pretendon opozita.

Edi Rama e hodhi i pari dorashkën e “lëshimit”, kur deklaroi në Kongresin e Partisë Socialiste se do ta iniconte zgjedhjet e parakohshme në shtator, nëse opozita fiton qoftë dhe një bashki më tepër nga socialistët.

Lideri i opozitës Basha iu përgjigj me mosbesimin tashmë të njohur se Kryeministri priste që t’i vidhte përsëri votat, që të deklaronte se ishte i pathyeshëm. Pak a shumë ky është qarku i mbyllur ku “vegjetojnë” të patundura dy forcat politike kundërshtare, që nuk i hapin rrugë njëra tjetrës.
Në këtë rreth vicioz, ku vërtiten dy kampet politike, nuk duken gjasa zgjidhjeje dhe nëse nuk dalin në skenë qasje të reja nga të dyja palët ekziston rreziku i një konfrontimi civil, me pasoja.

Si avokat dhe pinjoll i një familje historike, familjes së Aqif Pashë Elbasanit, që njihet si një politikan i djathtë por i komkompromiseve, për hir të çështjeve madhore kombëtare, dhe gjithashtu stërnip i Luigj Gurakuqit, me agjenda të majta politike, Dua të japë mendimin tim modest, në një qasje modeste politike, se si mund të zgjidhej kjo krizë, që të mos percipitonte në gjendje bllokuese dhe në kthim prapa të proceseve demokratike.

Nuk jam i angazhuar në asnjë parti politike dhe interesi i vetëm që kam në këtë mes është interesi i të gjithë shqiptarëve, që duan të jetojnë në një vend normal dhe të bëhen pjesë e pakthyeshme e agjendës eurotlantike.

Unë mendoj se Partia Socialiste është një parti serioze që ka ditur të menaxhojë krizat dhe të sakrifikojë në emër të interesave më të larta se agjendat e saj të pushtetit me çdo kusht.

Edhe Partia Demokratike, si parti e krijuar për të thyer murin stalinist dyzet e pesë vjeçar, ka treguar se di të jetë e hapur dhe e kompromiseve, kur e lyp nevoja, di të lëshojë nga vetja, të shoh përtej hundës së saj, kur ka qenë puna në emër të interesave të vendit dhe vazhdimësisë së proceseve demokratike në Shqipëri.

Gjithashtu LSI-ja ka treguar në vijimësi të aksionit të saj politik se është parti e marrëveshjeve në dobi të stabilitteit shoqëror dhe politik, duke ofruar gjithmonë agjenda politike kompromisi.

Kriza ku është mbërthyer pretendimi i opozitës është kriza e besimit në zgjedhje të lira, për arsye të pretendimit të ngritur, të mbështetur dhe nga dosje hetimi nga ana e Prokurorisë, për shitblerjen e votave.

Duhet të rikthehet besimi tek zgjedhjet e lira e të ndershme dhe kjo nuk bëhet me fjalë dhe me retorikat e radhës, por me akisone konkrete demokratike, liberale dhe emancipuese.

Nuk duhet të presim nga ndërkombëtarët, pasi ata janë lodhur duke na këshilluar, janë lodhur me asistencë e me presione, duhet që vetë klasa politike shqiptare, e cila në momente deçizive për fatet e vendit ka treguar gjithmonë pjekuri e seriozitet, t’i tregojë këto cilësi të saj përsëri, duke mos lejuar thellimin e krizës dhe krijimin e pasojave të rënda për fatet e demokracisë shqiptare dhe të destinacionit europian të shqiptarëve.

Ka ardhur koha që të kemi një formulë të re, ku të lëshojnë diçka të dy krahët e politikës, për të hyrë në zgjedhjet lokale që po trokasin dhe koha më nuk pret.

E vërteta është se marrëveshje nuk mund të bëhet nga qeveria me opozitën fiktive, të krijuar me ngut në një paralament tashmë problematik, me deputetë opozitarë të “sajuar”, por vetëm me opozitën reale, opozitën institucionale, e cila duhet të ndihet realisht e përfaqësuar në rregullat e një loje të ndershme e të drejtë demokratike.

Duhet një marrëveshje e re mes PS dhe PD, mes Kryeministrit dhe Kryeopozitarit. Mund të krijohej struktura e një zv/kryeministri pranë Ministrisë së Brendshme, që të merrej vetëm me menaxhimin e zgjedhjeve, pa pasur funksion dhe përgjegjësi tjetër administrative, detyrë që mund ta kryente kreu i opozitës, zoti Basha. Të krijohet vendi i një ministri të brendshëm special dhe i një ministri drejtësie special, vetëm për menaxhimin e zgjedhjeve, që të mos kishte asnjë funksion tjetër administrativ, detyra ku mund të angazhoheshin figurat më të pastëra të PD-së, si p.sh z. Bylykbashi dhe z. Alibeja, por dhe ndonjë figurë serioze e LSI-së.

Mbi të gjitha të krijohet një taks forcë e zgjeruar zgjedhore, me lidhje të drejtpërdrejta me prokuroritë në qarqe dhe prokurorinë e përgjithshme, e kryesuar nga opozita, që të kontrollonte gjithë territorin për moslejimin e shitblerjes së votës dhe në raste kur kjo ndodhte të kishte ndëshkime të rrepta penale.

Komisionerët të mos jenë më militantë të partive kryesore politike, të opozitës dhe mazhdorancës, por ekspertë me shkollë të lartë, kryesisht juristë, të cilët të mos lejojnë asnjë lloj shkelje në procedurat standarde të votimit, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Këto struktura lypset të ngrihen dhe të funskionojnë deri në përmbylljen përfundimtare të procesit zgjedhor.

Nëse mazhoranca do të vazhdonte të kishte mazhorancën edhe në këto zgjedhje lokale, nuk do të kishte nevojë për zgjedhje të parakohshme. Nëse mazoranca në këto zgjedhje del në opozitë, siç dhe deklaroi vetë Kryministri, do të çelej rruga për zgjedhje të parakohshme.

Kjo formulë zgjedhore mund të vazhdojë jo vetëm në këto zgjedhje, por sa herë të ketë zgedhje, deri sa të vendoset besimi midis palëve politike dhe të ecet në procedura e rrugë normale zgjedhore.

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar

1 KOMENT

  1. Bekim Lita: Formula e av. ma. S. Mazrekut eshte brilante. Politika nuk duhet te bej veshin shurdher, por ta degjoj kete ze profesional dhe me trashegimi historike

Komentet janë mbyllur.