Poezi nga Dea Halimi

0
843
Dea Halimi

DEA HALIMI

Peri i zemrës

E ndiej zemrën tënde nga troket
Thellë në zemrën time, kaq vjet…

Mami, ti je peri i zemrës sime
Që më mban në jetë

11.08.2011

Mall për mamin

Shumë mall kam për mamin

Jetoj në një pallat
E vetmuar me sy larg të pres
Dua të jem me ty mami
Të më ledhatosh të më qetësosh
Të m`i ndalësh lotët

Të mos ishe ti mami
Jeta ime do të ishte e zbrazët
Pa dritë e pa dashuri

Porosi për ty

Ndize në errësirë vetëm një dritë

Ti do ta bësh këtë gjë për mua gjithnjë
Të jetë e ndriçuar rruga deri te lulja
Të arrij atje dhe t`i marrë erë jetës
Të arrij atje për gjëra të vogla e të mëdha
Për gjërat që kanë kuptim baba

Ta ndriçosh rrugën gjithnjë
Për të shkuar te dhoma e ëndrrave
Ta kërkoj aty miushin e fëmijërisë
Ta kërkoj kutinë e sekreteve
E të kthehem me ngjyra të ylberit
Me çantën me libra për zemrën e botën
Me bukur shkrimin për ty e atdheun

Ti gjithnjë do të kujtohesh baba
Ta ndezësh dritën nga do të ec unë

Porosi mamit

Në krijimin e ëndrrës e të dritës
Merr pak etje, gjak e zjarr nga unë,
E ndërlidhi me dashurinë
Në librin tënd për gjithësinë;

Ndryshe s’rritet pema në zemër,
Ndryshe molla nuk piqet në gemb,
Ndryshe s`do të ketë rrugë
Për të arritur te kroi i jetës.

Ndërlidhja me rrënjët

Kudo të të dhemb ty babi
Më dhemb edhe mua

Është diçka që hyn ndërmjet
I ndërlidh rrënjët gjenet
të mund të marrë frymë
të mund të ec nga yll i dritës

babi kjo është jeta ndoshta
për të cilën lidhem me sytë e zogut
flas me gjuhën e qiellit
dëgjoj me veshët e gjyshit

Kudo të të dhemb ty
Më dhemb babi dhe mua

Mos më lë vetëm

Mami, mos me lë kurrë vetëm.
Shpirti im është ndezur flakë.
Si do të mbizotërojë drita mbi mua,
Po nuk qe ti të të puth, të të dua.

Mami, mos me lë vetëm,
Në këtë vetmi, në këtë natë.


Libri

Libri është lulja më e bukur në jetë
E në atë lule ti je gjithnjë bletë!
Është flutur e bukur me ngjyra ylberi,
Është mollë e kuqe në brirë dreri.

Është koka e zemra e filozofit plak,
Është pak ti, është dhe unë pak.
Është drita vetë në shkronja e fletë
Ta gjesh pak nga pak udhën në jetë.

Të mëson ç`është fjala, ç`është ora,
Pse të shërben syri, pse të duhet dora.
Brenda guacës a fle natën deti,
Brenda fjalës a jeton vallë poeti!

Unë librin e kam mik, shumë e dua,
Është uji bilur nga pikon në krua.