Pashai i Vilajetit të Shkodrës tek sulltani

0
604

Lis Bukuroca /gazeta Shekulli

Despoti Hamza Salioti fluturoi me një havateneqe drejt Turqisë. Pas dy orëve, ai zbriti në havalimanin e Ankarasë. Në dalje u prit dhe u përshëndet nga shumë vëllezër dhe nga një kallaballëk milet. Aty mbajti tre muhabete nostalgjike dhe pas dhjetë dakikave, mori një yryshteneqe “Mercedes”, për të vazhduar rrugën drejt sarajit të sulltanit. Pritja nga hyqymeti turk ishte vëllazërore, shumë intime dhe krijonte përshtypjen se po prodhonte bajagi shumë lezet.

Në saraj pashai dhe sulltani shkëmbyen habere për gjendjen në Perandori, për gjendjen politike në Arnavutlluk, për Kosovën e Mërdhiftë (veriore) për Junanistanin në derexhe dhe pa ilaç dhe për Sirbistanin në siklet. Në një bakllava-atmosferë dhe me shumë sevda, ata folën edhe për problemet e dynjasë. Në vijim Pashai i Vilajetit të Shkodrës falënderoi sulltanin për 100 vjet ndihmë arnautëve. Kryesisht për ndihmën në vitet e dymbëdhjeta, për ndihmën në vitet e tridhjeta, kryesisht për ndihmën në vitet e dyzeta, për ndihmën në vitet gjashtëdhjeta, kryesisht për ndihmat shqiptarëve të Kosovës në vitet e nëntëdhjeta dhe për ndihmat e sotshme dhe për sadakan e nesërme, që duhet t’i japë sulltani për ta mbajtur në pushtet despotin e arnautëve, Hamza Pashë Saliotin.

Sulltani nga ana e tij, i bëri të ditur Pashait tonë se kishte vendosur t’i falë Sirbistanit dhjetë milion Euro për të ndërtuar një havaliman në Kralevë. Ky është një dëmshpërblim për haraçin e marrë nga ky vend, tha ai. Pashait tonë i pëlqeu shumë ky vendim tatli dhe tregoi se edhe Vilajeti i Shkodrës, ka ndihmuar Sirbistanin në kohë lufte me naftë dhe tani ka urdhëruar Vilajetin e Kosovës, të blejë rrymë vetëm prej tyre.

“Tamam abi, tamam”, përsëriti Sulltani, “kështu i rritet ndikimi i Perandorisë sonë”. Në këtë çast u afrua një hizmetqar dhe u lëshoi dy bardaka mbi tryezë. Pashai u ngrit me gotë në dorë dhe falënderoi Sulltanin me temena të madhe për marrjen e qindra mijëra shqiptarëve në Turqi nga Jugosllavia në vitet e 50 dhe 60. Jo vetëm për këtë gjest plot njerzillëk, por e falënderoi edhe për përparimin e tyre atje; ata kishin shkuar me një haram kombësi, aranut hedepsuz, si hajvan dhe, tani ishin bërë hallal milet, turk elhamdyrilah, të gjithë. Gjashtë milion.

Në vazhdim Pashai i Vilajetit të Shkodrës falënderoi sulltanin edhe për dashurinë e madhe, që tregojnë turqit ndaj grave shqiptare dhe luti lartmadhërinë e tij, të dërgojë sa më shumë burra me kuvet në Vilajetin e Shkodrës. Sulltani me një nënqeshje të lehtë premtoi se do të motivojë shumë turq të vijnë me aletet e tyre gjatë verës, në kohën e jazëk mejdanit (plazhit) ku do të tregojnë në vepër dashurinë e madhe vëllazërore.
Sapo përfunduan shërbetin, bënë një syret së bashku dhe u dëbuan jashtë kamera-insanat dhe defeterxhinjët. Muhabeti vazhdoi surrat më surrat me penxhere dhe kapi të mbyllura.

Sulltani u ngrit, nxori një fletore nga një sirtar dhe ngriti kokën me një çehre hiçlezet.
Ti me gra shqiptare je krekosur edhe në Romë”, iu drejtua pashait. Pashai mbeti si i shtangur dhe në fytyrë i kaloi një hyxhym-çehre e sarit. “Kjo është axhamillëk, nuk mund të sillesh ashtu me jabanxhinj”, i bërtiti ai.

Hamza Salioti uli kokën dhe pesë dakika nuk foli fare. Sulltani nuk u ndalë këtu, por qortoi pashain ashpër edhe për belanë dhe hatanë me Junanistanin. “Marrëveshja duhej zbatuar”, tha ai duke ngritur zërin. Pashai përkulte kokën në shenjë pajtimi dhe pasi mori pak veten, i shpjegoi se deti nga mund të fitohen diku 500 miliard dollarë, do t’i falet Junanistanit, por disa maskarenj e kanë bërë pishman gjykatën.

Pas zgjedhjeve të ardhshme, do të kryhet edhe kjo bela shkëlqesi. Junanistani ka më shumë zor se ne dhe është në gazep më të madh.” Me të dëgjuar këtë, Sulltani u ngrit dhe i ra dy herë supeve.

“Dëgjo abi Saliot”, tha ai duke ndenjur në këmbë pranë tij: “Një copë deniz, nuk është fundi i dynjasë, ne dy i kemi marrë më shumë atyre, gjysmën e Qipros, prandaj, me këtë akt, ti bën sevap dhe kështu i përmirësojmë kësmetet, përndryshe Xhumhuria e Helenëve mund të pengojë anëtarësimin tonë në Avrupë.” Disa dakika më vonë, sulltani telefonoi me llafhava (celular) kryepeshkopin e Junanistanit në Stamboll dhe i kumtoi xhevapin taze. “Duhet të keni edhe pak sabër”, i tha atij dhe u selamosën.

Sulltani bëri disa hapa duke fiqirosur dhe u kthye pranë tryezës duke piskatur: “Efendi Saliot, nëpër zyra të Arnavutlukut, po shihet akoma përmendorja e gjaurit më të madh në Avrupë, Skenderbegit!

Pashait i hipi një yrysh-siklet dhe u skuq. Uli kokën dhe vazhdoi të llafosë pa parë sulltanin në sy. I premtoi se procesi i largimit është duke u bërë me marrëveshjen e kalemosur dhe se do të respektohet pikë për pikë. “Duke ndryshuar historinë, do të zhduket edhe ky problem dhe do të largohet nga zyrat e hyqmetit. Ne po punojmë në ndryshimin e historisë lartmadhëri: Ahmet Bej Zogollin kemi shpallur hero. Tani do ta shpallim edhe Esat Pashë Toptanin. Ne po punojmë shkëlqesi. Po punojmë!”, përsëriti ai. “Në qitapet e Arnavutlukut do të shkruhet se Perandoria Osmane na shpëtoi si NATO në Kosovë. Na shpëtoi nga hajdutët e Kastriotëve…

Atmosfera po tendosej dhe Pashai ishte beterisht në gazep, prandaj Sulltani ndërroi temën e muhabetit. Shfletoi defterin e tij dhe pyeti me zë të ulët, duke ngritur kokën ngadalë: “Kush është Edi Rama?”
“Edvin Kristaqi mendoni shkëlqesi?“
“Po Kristaqi!”, pohoi sulltani duke shikuar përsëri në defter.

“Lartmadhëri”, tha ai duke e parë sulltanin i pa qejf: “Edvin Kristaqi është jazëk insan. I pa din. I pa namuz. Belaxhi, delenxhi, jeshil dhe axhami, prej sabahi deri në aksham. Ai ka një politikë shumë bajate dhe llafosë badihava. Ai bën xhenaze-politikë. Bile i kam falur edhe unë disa xhenaze. Di si të sillem me të, e kam nën kontroll, më shërben për të luajtur demokracish, por problemin e madh e kam me Kreshnikun. Këtu më duhet ndihma. Ky po ma bën jetën pelin. Ky është dushman i madh i Perandorisë dhe kudo që del, shfaqet me turbo-trumcakun…

“Ç’ është kjo”, e ndërpreu sulltani i shqetësuar.
“Shqiponja shkëlqesi, e quajta turbo-trumcaku për të evituar trazimin dhe pezmatimin Tuaj.” Sulltani tundi kokën tre herë majtas e djathtas dhe mori përsëri disa shënime.

“Ky po punon”, vazhdoi pashai, “në zhvllaznimin tonë. Ai ka grumbulluar shumë insana rreth një bande, që quhet “Pembe-Katran.”
“Kjo nuk është mirë! Pembe Katran nuk më pëlqen hiç!, tha Sulltani dhe e këshilloi si të shkretohet politika e pahajr e Kreshnikut. Ta bëjë pikë së pari fukara. Ta shpallë haram dhe domuz insan. Ta shajë para arnautëve si pis. “Nëse nuk ka bërë ndonjë pisllëk, atëherë duhet prodhuar një”, shtoi sulltani. “Shpalle rezil”, tha ai duke humbur durimin.

Pashai tundi kokën në shenjë pajtimi dhe mori llafin përsëri: “Shkëlqesi, Kreshniku është një beter dhe iblis insan. Katil. Ky ma prishi hesap-miletin (censusin), që i duhej Junanistanit. Ky nuk duhet të ketë ymër në politikë. Ai ka ndërmend të bashkojë Vilajetin e Kosovës me neve. Bile, po përzien çorbën edhe për Vilajetin e Janinës dhe për Vilajetin e Manastirit. Kjo është kiamet politikë lartmadhëri. Kam frikë se do ta pengojë Kosovën në krijimin e miletit kosovar dhe zëvendësimin e turbo-trumcakut me një sorrë (mjellmë) në bajrak. Bashkimi i këtyre dy vilajeteve është shejtan politikë dhe mund ta ndryshojë kismetin tim në vatan. I kam thënë edhe miletit në sehir-dollap (tv) se ai ka lindur i pa surrat. Lufta kundër tij po bëhet birinxhi mirë, por do t’i shtohen edhe rekomandimet Tuaja”, shtoi në fund Pashai i Vilajetit të Shkodrës Hamza Salioti.

Në këtë çast hyri një hanëme brenda dhe informoi sulltanin se një delegacion nga Sirbistani, po priste me çanta në dorë. Ata u ngritën, u përqafuan me lot në sy si dy vëllezër dhe u përshëndetën duke i shtrënguar dorën njëri tjetrit. Copëra nga ky takim përcollën “live” në sehir-dollap edhe burrat shqiptarë. Trimave më të mëdhenj në surratin e tokës, u pëlqeu shumë ky maskarallëk muhabet…