Lufta për të marrë nuk vlen sa dëshira për të dhënë

0
458
Zogu me Viktor Emanuelin III

KTHIM – III

Sot bëj tre vjet që u nisa të shkoj nga s’vihet më, e më ktheu udhës, e s’di pse e ç’gjë kish në mëndje që më ktheu. Dhe si çdo vit, më lini të përpiqem të kuptoj e t’u them diçka.

Shiheni me kujdes mirë këtë fotografi. Në të, njëri është Viktor Emanueli III, ish mbret i Italisë dhe Shqipërisë dhe ish perandor i Etiopisë. Tjetri është Zogu I, ish mbret i Shqipërisë.

Të dy në azil politik në Kairo, të ftuar në një drekë tek mbreti Faruk i Egjiptit, në behar të 1946-ës.

Për dhjetra vjet figura dominuese në vendet e tyre dhe për gati dy dekada edhe rivalë të egër me njëri-tjetrin.

U zunë, u pajtuan, komplotuan, bënë pakte e nënshkruan marrveshje, ja hodhën njëri-tjetrit, i pari që përçmonte malokërinë e të dytit, i dyti që e kompleksonte sqima e të parit. Në kulisat e oborreve përkatëse, pinjolli i Burgajetit që përpiqej t’i merrte të bijën për grua (a për peng, s’kuptohej mirë); dhe pasardhësi i Savojave që financonte atentate për t’a hequr qafe.

Ja bënë gjithë ç’mundën njëri-tjetrit, dekorata, korrupsion, kurthe, derisa në fund i pari i pushtoi mbretërinë të dytit, i rrëmbeu kurorën dhe historia i ndau si armiq për vdekje.
Pastaj historia vijoi udhën e saj dhe … 7 vjet më pas, i uli të dy bashkë si dy pleq të ngeshëm e të padëmshëm, të hanë bukë bashkë në një tavolinë.

Sikur të mos e kishin luftuar aq fort njëri-tjetrin, ndoshta historia do ishte shkruar ndryshe dhe, jo vetëm historia e vendeve të tyre, por edhe e botës përreth.

Sa për të thënë një variant: Nëse Italia s’do e kish pushtuar Shqipërinë, Italia s’do kish sulmuar as Greqinë një vit më pas dhe, për rrjedhojë, s’do kish ngecur gërxheve të Epirit në luftën Italo-Greke. Për pasojë, as Gjermania nuk do kish qenë nevoja t’i shkonte në ndihmë për ta fituar atë të shkretë luftë dhe kështu nuk do ishte vonuar ato dy muaj të çmuar të pranverës ’41. Pra Hitleri do e kish sulmuar Bashkimin Sovjetik që në prill dhe jo në fund të qershorit të ati viti. Për rrjedhojë gjermanët do kishin arritur në portat e Moskës jo në dhjetor, ku i ngeci dimri i tmerrshëm rus, por që në tetor kur s’do kish patur zot ti ndihte sovjetikët. Dhe historia e botës do kishte vajtur ndryshe.

Por ja që këta të dy ziheshin, njëri për të marrë gërxhet e Shqipërisë (që s’i hynin në punë as dreqit) dhe tjetri për paratë e Italisë (që i kishte edhe pa gjithë atë sherr) dhe … në fund i humbën të gjitha.

Duke mos u mjaftosur asnjëherë me ç’kishin a me ç’arrinin, nuk dinin të ndalnin e të kuptonin atë që unë e kuptova tre vjet të shkuara. Njerëz, ndaluni për një çast dhe shihni përreth. Ka për të gjithë, mjaft të dijmë të merremi vesh.

Natyra është racionale dhe tenton të mos harxhojë asnjë kalori të vetme energjie më kot. Xhirafës evolucioni ia ka bërë qafën të gjatë aq sa duhet për të kapur gjethet e sipërme të pemëve, ndërsa fokave u ka formuar dhjamë të trashë që të durojnë të ftohtin. Njerëzve u ka bërë këmbë të gjata që të rendin shpejt, ndërsa peshqve u ka bërë bisht të gjatë për të njëjtën arsye, që të notojnë shpejt.

Ky ishte zhvillimi përmes evolucionit brenda Universit, derisa arriti njeriu dhe futi në mes evolucionin brenda Shoqërisë. Ky i joni është i vetmi evolucion, ku harxhohen pa fund energji jo për të prodhuar, por për të shkatërruar.

Pa bëni hesap se sa energji, kohë, mjete, harxhon secili prej nesh për të luftuar e për t’u mbrojtur nga të ngjajshmit e vet dhe se sa pak harxhojmë për të prodhuar të mirat materiale. Komplote, hile, pabesi, makrutëri, kurthe, thashetheme, të gjitha këto nuk prodhojnë asgjë të mirë, por megjithatë harxhojmë më të shumtën e kohës, një takëm duke i bërë e një takëm tjetër duke u mbrojtur syresh.

Ndoshta Perëndisë nuk i del hesapi që të na thërresë të gjithëve një e nga një atje lart për të na i shpjeguar kaq gjë, ndaj përmes neve që na nis e na kthen udhës, përpiqet të shpjegojë kaq gjë: Lufta për të marë nuk vlen sa dëshira për të dhënë.

Mos u lodhni m’kot, sepse gjithë energjia e botës nuk mund ta ndalë orën e historisë që një ditë ta lerë secilin prej nesh si këta dy ish të gjithëfuqishmit e pafuqi.

Artan Lame

Shënim: Artan, duhet t’u sugjerosh lexuesve të lexojnë vëllimet “Anatomia e destruktivitetit” të Erich Fromm, për të kuptuar më mirë impulset agresive e destruktive dhe se si mund të sublimohen ato në produkt e jo në shkatërrim!