ARBA DHE GJYSHJA SHQIPE

0
1213

Shkruan: Xhemail Peci

Një nga fotografitë e albumit tim flet vetë por ja që gjithmonë kam dashur të flas edhe unë prej saj, sa me kërshërinë po aq edhe me dashurinë time për gjyshen Shqipe. Ndonëse nuk ju kam folur më parë për të, unë shpesh shkoj tek gjyshja Shqipe dhe sa herë që shkoj bëhem shumë më e gëzuar, më e lumtur dhe më krenare. Rëndom shkoj të premteve por edhe ditëve të tjera. E përmenda të premten, sepse pikërisht nga e premtja hera-herës vazhdoj të rri edhe gjatë fundjavës, derisa kënaqem shumë duke e falenderuar gjithmonë gjyshen Shqipe për çdo gjë që bën për mua.

Dita e premte për shumëçka është e veçantë, sa herë që shkoj tek gjyshja ime. Të premteve, rëndom mbrëmjeve, sa herë që i bie ziles dhe e thërras emrin e gjyshes, gëzimi merr përmasat e tij. Hapet dera dhe unë gjendem në përqafimin e saj: ARBA!… Pastaj edhe unë hapë krahët e mi dhe kështu dua të shpreh gjithë gëzimin dhe dashurinë time për gjyshen Shqipe, e cila më vë përpara çdo gjë që dua unë. Pa u ulur mirë, sërish gjendem në përqafimin e saj, pastaj më ofron lodrat, më sjellë ëmbëlsirat që pëlqej, vë në televizor emisionet që i dua shumë, dhe më tej pasi që çmallet sërish me mua dhe sigurohet mirë se nuk më mungon asgjë, ngritet dhe fillon të gatuajë veçmas për mua. Madje, ajo gatuan aq bukur sa mua më bëhet se çdo gjë që më ofron me duart e saj më duket më e shijshme se edhe gatimet e mamit. Shpesh them përmes kërshërisë sime se sa të drejtë kanë mysafirët që thonë se gjyshja ime është sa bujare po aq edhe fisnike, sepse jo vetëm që nuk të lë të shkosh pa gatuar, por edhe i vë të gjitha në tavolinë. E nuk do mend, se më së shumti më pëlqejnë ëmbëlsirat. Madje ato i pëlqej aq shumë sa sikur nuk ngopem së ngrëni, vetëm e vetëm pse janë të përgatitura nga gjyshja ime.

Një ditë prej ditësh, mu përpara Vitit të Ri, gjyshja Shqipe më mori me vete dhe duke ditur sa shumë i dua ëmbëlsirat, më bleu nga ato që unë i zgjidhja vetë, së bashku me sheqerkat të cilat më dukeshin më të shijshme se kurrë më parë, prandaj edhe i hapja ato me ngadalë e gjithë kërshëri. E duke më vënë dorën e saj mbi supin tim të majtë, dolëm së bashku në fotografi dhe unë jo vetëm që ndihesha e gëzuar e krenare, por doja që me shumë dashuri të uroja të gjithë për Vitin e Ri. Në të vërtetë, fotografia me gjyshen Shqipe për Vitin e Ri, është një nga më të dashurat e albumit tim, të cilin edhe unë si Te’a Mila përpiqem ta mbajë me shumë kujdes dhe pedantëri. Madje, duke e shfletuar shpesh albumin me fotografi, ndalem tek ajo me gjyshen time për Vitin e Ri. E shikoj shumë dhe sa herë që e shikoj ndiej krenari. Pastaj shfletoj faqen tjetër dhe sakaq më bëhet sikur nxitohem pakëz, prandaj kthehem prapë me po aq dashuri tek e njëjta fotografi…

Por jo vetëm këto fotografi më duken aq të dashura, jo vetëm ëmbëlsirat, çokollatat dhe sheqerkat e gjyshes Shqipe më duken më të shijshmet e më të ëmblat, jo vetëm gatimet më duken më të mirat. Edhe kur ajo zë dhe më tregon përrallat, ato më duken më të bukurat. Aq të bukura më duken ato kur m’i tregon gjyshja Shqipe, sa dalëngadalë më zë gjumi në supet e saj. Dhe jo vetëm kaq. Kur gjyshja Shqipe zë dhe më rrëfen ngadalë, unë dëgjoj gjithë kërshëri sepse në përrallat e gjyshes qengji më duket i artë, nëntëdhjetë e nëntë delet që kalojnë shtegun e dritës në kopetë e tyre – më duken si engjëj të bardhë, ylberi më duket se ka ngjyra lulesh, shiu më bëhet sikur është më i butë në ritmin e tij, Kësulëkuqja më duket sikur del mu përpara syve të mi, e Borëbardha më bëhet sikur është duke ecur aty pranë, në lagjen Dardania.

Të gjitha shfletohen kështu palë-palë nga përralla në përrallë, derisa mbi sytë e mi vie gjumi me ngadalë. Shpesh, gjyshja Shqipe qëndron aty pranë meje për të mos ma prishur gjumin, dhe kur zgjohem unë sërish e shoh veten në duart e saj që më ledhatojnë flokët, më përkëdhelin e më mbajnë gjithmonë pranë.

Edhe kur rastis që unë nganjëherë pa dashje të bëhem pakëz trozovaçe, gjyshja më merr sërish në mbrojtje të saj dhe unë ndihem edhe më e fortë, edhe më krenare, edhe më e gëzuar, edhe më e lumtur.

Ndërkaq, kur mbrëmjeve të së premtes shfaqet në ekran fytyra që unë e dua aq shumë, të gjithë më pyesin me radhë se kush është në ekran. Pastaj, unë shkoj ngadalë dhe vë të dy duart mbi ekranin e televizorit, e prekë me butësi dhe duke u larguar sërish shkoj tek gjyshja Shqipe dhe ia them emrin me shumë dashuri: Te’a Mila.

E një ditë prej ditësh, desha edhe unë t’i bëja gjyshes Shqipe një befasi. Shikova të gjitha rrobet që kam, ato që më ka blerë mami me babin, ato që më kanë blerë të dyja gjyshet, ato nga Te’a Mila, ato nga Nina, dhe ato që të tjerët më kanë sjellur si dhuratë, nga Zvicra, Anglia, Dubai, Amerika…prej ku më duan njëlloj dhe me përshendesin e më dërgojnë dhuratat e shoqëruara me urimet më të mira, si: I gëzofsh Arba! Arbës, me shumë adhurime! Me shëndet Arba!…

Nga të gjitha rrobat, zgjodha fustanin më të bukur, rregullova flokët si gërshetë dhe u bëra gati që bashkë me urimin për ditëlindjen, t’i dërgoja gjyshes Shqipe edhe një buqetë me lule.

Me kërshërinë time prej fëmije, unë jo vetëm që e merrja me mend se sa do të gëzohej gjyshja Shqipe, por edhe sikur e parandieja një gëzim të tillë. Në urimin e përzgjedhur, unë do të shkruaja emrin tim, por jo vetëm atë. Bashkë me emrin tim unë së pari do të vizatoja edhe dy duar të vockëla.
Në të vërtetë, ashtu siç më kishte gëzuar Zoti me një vëlla, njëlloj doja ta gëzoja edhe gjyshen Shqipe, duke shkruar dy emrat së bashku dhe të rrethur me dy zemrat e vizatuara:

101! ARBA dhe ARISI!

E shikoja gjithë kërshëri urimin e stolisur me shkronjat më të bukura dhe ndjeja një gëzim të papërshkruar. Pastaj shikoja fletët e luleve të cilat së bashku në buqetë dëshironin edhe ato të dhuronin një buzëqeshje si timen. Ndihesha më e lumtur se kurrë më parë dhe zemra më mbushej gjithë dashuri, e nga padurimi që urimi të hapej dhe të binte në duart e gjyshes Shqipe, unë vetëm sa nuk fluturoja nga gëzimi; duke e ditur se këtij urimi do i shtoheshin edhe Genti, Shendi, Jara…

Kështu, me padurim prisja të nisesha e të përqafoja gjyshen time dhe t’i uroja ditëlindjen. Doja që të shkoja sa më shpejt dhe ta uroja me dashuri pa kufi, e me vete do të merrja edhe Arisin. Doja t’i thoja se fotografitë e Vitit të Ri do të mbeteshin nga më të dashurat për mua, se madje edhe kur do të rritem unë gjithmonë do t’i kujtojë ato me të njëjtën dashuri.

Veçse për ditëlindjen e gjyshes Shqipe, sërish dëshiroja që edhe një fotografi të fliste vetë, siç flasin dhe lulet e renditura në buqetë, veçmas në ditëlindjen e saj të 70-të:

Gjyshe Shqipe, gjyshe Shqipe…
Çdo fjalë e jotja, u bëftë rreze drite!
Gjyshe Shqipe, gjyshe Shqipe…
Gëzimi i kësaj dite vie për ditëlindje!
Prandaj dhe dorën time e vë në zemër,
aty ku tani e mbajë tok edhe një emër.
Arba dhe Arisi t’urojnë sa Bila e Mila,
në zemrat tona: je gjyshja më e mira!