ITINERARI I NJË FAMILJEJE TË VETMUAR

0
6986
Fatmir Halimi - Vetmia

SHB PROKULTPRESS, PRISHTINË

SOT NXORI NGA BOTIMI ROMANIN ‘VETMIA‘,
AUTOR: BISLIM ALIU
REDAKTOR: FATMIR HALIMI
LEKTOR: MILAZIM KADRIU

Ma. sc. FATMIR HALIMI

Vetmia është titull shumë interesant dhe karakteristik i romanit të fundit të shkrimtarit dhe piktorit Bislim Aliut. Zbërthimi i titullit na shpie në dy venerime: atë artistik, simbolik e figurativ dhe në venerimin faktik e konkret.

Venerimi simbolik e figurative i titullit zbërthehet si një itinerar i një familje të vetmuar, si një rrugëtim i pandalshëm fiksional i një familje, pasi që gjatë rrugëtimit të tyre paraqiten shumë pengesa, të cilat i dalin përpara. Ndërsa zbërthimi faktik i romanit Vetmia valorizon kah një semantikë më filozofike dhe që është shumë vështirë të faktorizohet. Por, mbi të gjitha titullin mund ta konkretizojmë se vetmia çdo herë lidhet me qenien njerëzore, me njeriun, apo si në rastin tonë me një familje të tërë, siç është familja e Alinit, e cila për ta vrarë vetminë dhe izolimin nga fshati i tyre i dashur Rrahishte zgjedh rrugën, zgjedh largimin.

Shumë kritikë ndajnë mendimin se shkrimtari nuk është këtu për ta interpretuar, por për ta shkruar veprën e tij, prapë se prapë interpretimin na e bënë çdo shkrimtar përmes titullit të veprës së tij. Pra, titulli i veprës për diskursin kritik çdo herë merret si çelës për interpretim. Në rastin tonë titulli i romanit Vetmia zbërthehet nga vetë autori në momentin kur ai ka vendosur që ta emërtoj me këtë emër duke i lënë anash shumë tituj, që duke u bazuar në përmbajtje, hipotetikisht do të mund t’i kishte emërtuar si: familja e humbur, familja e shkatërruar etj.

Kurse, sa i përket fabulës së romanit Vetmia të Bislim Aliut, në kuptimin më të shkurtër do ta kisha konkretizuar me disa fjali, si një rrëfim mbi jetën e një familje, mbi jetën e një njeriu apo prindi, të cilit i vdesin bijtë dhe bijat e tij, të cilit në rrugë e sipër për ta mund vetminë i vdes edhe gruaja, Nëna Dinë e në fund vdes edhe Alini. Por mbetet i vetëm dhe i vetmi filiz i familjes, Bismiri, djali i tretë i tyre. Bismiri pas vdekjes së dy prindërve, e sidomos pas vdekjes së babait, mbetet krejtësisht i vetëm nga antarët e familjes.

Por ai është tash edhe krejtësisht i vetmuar nga shoqëria, nga ambienti ku jeton, pasi që në këtë vend nuk ka njeri të gjallë, asgjë nuk pipëtinë. Bismiri më nuk ka forcë të vazhdojë më tutje, që të largohet nga ky fshat pa asnjë njeri dhe i panjohur për të. Pra, në fund ai mbetet i shtrirë në dysheme me sy të zgurdulluar nga dritarja dhe me vesh hapur duke dëgjuar shushuritjen e degëve nga jashtë. Ai mbetet brenda kësaj kasolle me idetë dhe mendimet se kjo jetë nuk është asgjë më shumë, se një frymë e ndotur që del nga organi anal i njeriut.

Shkalla e shkrimit

Ky roman ka disa nivele apo shkallë të shkrimit të rrëfimit, të cilin e bëjnë shumë kompleksiv, të ngatërrueshëm e të vështirë për t’i hetuar autorin dhe narratorin, sepse nganjëherë krijohet përshtypja se autori e rrëfen jetën e vet por duke u përqendruar më thellë në zhvillim të ngjarjes, kjo del që nuk është e vërtetë. Pra, kemi një narrator krejt të ndryshëm nga autori.

Nga kritikët shkalla e shkrimit ndryshe cilësohet edhe si kategori stilistike, gjë që romanit Vetmia ia shton edhe më shumë vlerën artistike e letrare. Me shkallë të shkrimit kuptojmë aktin ose veprimin kur autori me vetëdije ikë nga rrëfimi në veprën e tij, atë ia lë në dorë narratorit, ndërsa narrator rrëfimin na e paraqet përmes personazheve të tjerë, të cilët tregojnë për ngjarjen që u ka ndodhur atyre, apo njerëzve të tjerë.

Vetë shkrimtari është shkalla e parë e shkrimit, sepse është ai që na e jep veprën letrare. Shkalla e dytë e shkrimit është narratori, i cili në roman është i paemëruar. Ai na tregon për lumturinë, gëzimin dhe harenë që kishte familja dhjetë anëtaresh e Aliut, të cilin fëmijët do ta thërrasin baba Alin, ku edhe narrator më vonë gjatë rrëfimit çdo herë do ta quan Alini, deri në një natë ku zogj të shumtë do të krrokatin mbi shtëpitë e fshatit Rrahishte. Mëngjesi, familjen e Alinit e zbardhë me shtatë të vdekur, pra i kishin vdekur të gjithë fëmijët, e u kishte shpëtuar vetëm Bismiri.

Ngjashëm si këta ishin zgjuar të gjitha familjet e lagjeve të fshatit Rrahishte. Pra, fshatit i kishte rënë sëmundja e kolerës, që ndryshe në popull njihet si rrëfija. I varrosin kufomat dhe Alini me nënën Dinë e Bismirin për t’i shpëtuar vdekjes dhe për të shpëtuar nga vetmia në fshatin e tyre marrin rrugën e shpëtimit, pra rrugën e mbytjes së vetmisë me shpresë se do të takojnë njerëz, e ndonjë vend tjetër që nuk ka kolerë.

Kurse shkalla e tretë e shkrimit na paraqitet përmes rrëfimit të personazheve siç janë: Nëna Dinë, Alini, Besmiri etj.

Toposi dhe koha

Pas një leximi të kujdesshëm do të vërejmë se Bislim Aliu romanin e tij me vëllim jo shumë të madh, por me përmbajtje tematike e ndërtim të thukët ka përdorur disa kategori stilistike, të cilat romanin e veçojmë si rrëfim e shkrim modern. Ndërsa, sa i përket vendit-toposit dhe hapësirës marrim informacione qysh në fillim të veprës se toposi quhet Rrahishte, që do të thosha se është një topos fiksional ose imagjinar.

Autori e komplikon kronotopinë-kohën, ku mbi të gjitha mund të them se romani u përket të gjitha kohëve historike shqiptare. Mund të emërohet si roman i kohës sonë, por edhe i një kohe pak më të largët të jetës bukolike të popullit tonë, i cili gjatë historisë ka përjetuar shumë sëmundje dhe epidemi gati deri në shfarosje. Pra, toposi apo koha te romani Vetmia është e papërcaktuar dhe mund të konstatoj se i përket një kohe universale njerëzore.

Përfundim

Pas këtij shqyrtimi teorik të diskursit letrar mbi romanin Vetmia të Bislim Aliut vijmë në disa përfundime.

Së pari, romani Vetmia na vjen si perlë në letërsinë tonë, i cili të lë pa frymëmarrje nga kureshtja se ç’do të ngjet në faqet pasuese të tij. Është roman, i cili vazhdimisht ngreh idenë e kërkimit të shpëtimit nga sëmundja epidemike, siç është kolera, e në të njëjtën kohë edhe përpjekjen e ruajtjes së identitetit të familjes në shoqëri.

Së dyti, si për nga rrëfimi i tekstit e po ashtu edhe për nga ndërtimi dhe realizimi i tij si tekst, është roman modern, që me sukses autori i shfrytëzon edhe kategoritë stilistike. Kjo tashmë është vetëdije letrare, të cilën e zhvillon shkrimtari ynë Bislim Aliu në gjithë diskursin e tij letrar, e sidomos te romani i tij i fundit Vetmia.