Diskursi politik
Unifikimi i faktorit politik shqiptar në zgjedhjet lokale në Malësi si dhe fitorja e “Forumit Shqiptar” pa dyshim ka vulën e diasporës shqiptare e cila ka qenë vendimtare në këtë fitore historike duke dëshmuar së angazhimi i përbashkët mbetet e vetmja zgjidhje sot dhe në të ardhmën për të arritur objektivat politike që janë në favor të avancimit të pozitës dhe statusit të shqiptarëve në Mal të Zi.
Dr. Nail Draga
Duke marrë parasysh së pushteti monist, kundër vullnetit të shqiptarëve në vitin 1957 suprimoi komunën e Tuzit në mënyrë arbitrare, duke ia bashkangjitur ate komunës së Podgoricës, me miratimin e pluralizmit në vitin 1990, një ndër kërkesat e para të shqiptarëve ishte rikthimi i saj, që do të ishte në favor të barazisë qytetare e nacionale në këtë mjedis. Edhe pse një kërkesë e tillë ishte e arsyeshme dhe e mbeshtetur më shumë argumente, ishte pushteti që e pengonte realizimin praktik të një ideje të tillë, nga del së ende vazhdonte sindromi kundër kërkesave të shqiptarëve edhe tash në pluralizëm. Por, më së fundi u bë një hap i vogël në administrimin e qeverisjes lokale, sepse nga vitit 2006 në këtë aspekt kemi një ndryshim ligjor, duke formuar komunat urbane në kuadër të kryeqytetit (Podgoricës), ku bënte pjesë edhe ajo e Tuzit për tërë territorin e Malësisë. Por, një qasje e tillë të decentralizimit territorial si komunë urbane e më pas në kuadër të kryeqytetit, nuk plotësonte objektivat e shqiptarëve, sepse aspiratat ishin për komunë të pavarur si të gjitha të tjerat në Mal të Zi.
Pikërisht në këtë aspekt nuk ka munguar angazhimi i subjekteve politike shqiptare për avancimin e Malësisë në statusin e komunës së pavarur, si të tjerat në Mal të Zi, që më në fund u arrit kompromisi me pushtetin qendror dhe nga 1 shatori i vitit 2018 u bë realitet, por pritej që të shpalleshin zgjedhjet për të legjitimuar një status të tillë. Duke u bazuar në normat ligjore zgjedhjet u shpallën dhe data e zgjedhjeve u caktua 3 marsi 2019.
Koalicioni parazgjedhor
Nga përvoja dhe zhgënjimi në zgjedhjet e kaluara ndonëse ka pasur animozitet në mes të subjekteve politike në Malësi, e vetmja mundësi për të arritur rezultat pozitiv në zgjedhjet lokale për komunën e Tuzit ishte arritja e një koalicioni parazgjedhor. Pikërisht në këtë aspekt i parapriu koalicioni ASH-LDSH, por mungonte mbeshtetja nga UDSH, sepse fillimisht ishin deklaruar së do të dalin vet në zgjedhje. Por, në sajë të komunikimeve të ndërsjella, përfundimisht koalicionit në momentin e fundit iu bashkangjit edhe UDSH, me emrin “Forumi Shqiptar”, që ishte një lajm pozitiv jo vetëm për Malësinë por edhe më gjerë. Arritja e një koalicioni të tillë pati jehonë pozitive dhe u mbeshtet nga subjekte të ndryshme shqiptare e po ashtu edhe nga diaspora e Malësisë kryesisht në SHBA.
Rezultati arsyetoi unifikimin
Dita e votimit me 3 mars ishte ditë historike për Malësinë, sepse për herë të parë pas 62 viteve votohej për komunë të pavarur, andaj nuk ishte befasi interesimi i madh i mediave nga hapësira shqiptare dhe më gjerë, duke qenë lajmi kryesor i ditës. Këtij konstatimi duhet shtuar edhe ardhjen e diasporës shqiptare nga Malësia për të marrë pjesë në votim, të cilët i dhanë një peshë të veçantë kombëtare duke moblizuar votuesit për të dalë në zgjedhje, kryesisht mbeshtetësit e “Forumit Shqiptar”. Ishte kjo një sakrificë e tyre duke udhtuar me mijëra kilometra, për të mbeshtet vendlindjen dhe identitetin kombëtar në këtë kohë të krizës morale. Në sajë të informacioneve që disponojmë është përshtypje e përgjithshme se ishte një fushatë zgjedhore model ku shqiptarët kanë dëshmuar kulturë qytetarie dhe kapacitet demokratik.
Në regjistrin zgjedhor ishin 11904 votues, që kanë pasur mundësi të votojnë në 30 vendvotime për të zgjedhur 32 këshilltar, ndërsa në zgjedhje kanë marrë pjesë 6 lista zgjedhore, e nga to 5 parti politike (DPS, SD, SNP, BS, DCG) e 1 koalicion (Forumi Shqiptar). Sipas rezultatëve zyrtare të shpallura nga KZK i Komunës së Tuzit del së në votim kanë marrë pjesë 7824 qytetarë apo 65.7%, ndersa sipas subjekteve politike janë arritur këto rezultate: “Forumi Shqiptar”(ASH-LDSH-UDSH) 3683 vota apo 16 mandate, DPS 2490 vota 10 mandate, BS 961 vota 4 mandate,SD 361 vota 1 mandat dhe DCG 235 vota dhe 1 mandat, ndërsa SNP 86 vota pa mandat.
Nga të dhënat e më sipërme del se Koalicioni i partive shqiptare “Forumi Shqiptar” është fitues i zgjedhjeve, ndërsa për të marrë shumicën parlamentare i duhet vetëm 1 mandat të këshilltarit. Nga ana tjetër humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve ishte DPS, sepse humbi 4 këshilltar nga zgjedhjet e fundit në vitin 2017, që sipas gjasave do të jetë në opozitë në pushtetin e ri lokal në Tuz.
Një votë vendosi mandatin e këshilltarit
Në zgjedhjet politike jo rrallë ndodhin momente të veçanta e kjo ka të bëjë sidomos me rastin e numërimit të votave dhe ndarjës së mandatëve. Madje nga përvoja e deritashme dihet se ka pasur jo vetëm numërime, por edhe rinumërime e madje edhe përsëritje të vendvotimeve që kanë ndikuar në rezultain definitiv të zgjedhjeve. Pikërisht, kësaj here në KZK në Tuz dy ditë pas zgjedhjeve ndodhi rinumërimi i votave, me të vetmin qellim për të vërtetuar votat për Demokratët e MZ, sepse ata ishin me mundësi reale për të humbur mandatin e këshilltarit, sepse në pyetje ishte vetëm një votë. Por, edhe pse u bë rinumërimi nuk ndodhi një gjë e tillë, sepse 235 vota ishin në kufirin e 3% dhe mandati për Demokratët e MZ ishte i vulosur. Por, po të ndodhte diçka e tillë atëhërë DPS-i do të kishte një mandat me tepër, ku do të kishim një situatë aspak të përshtatshme, sepse “Forumi Shqiptar” në njëren anë do kishte 16 mandate e të gjithë të tjerët së bashku me DPS-in do kishin 16 mandate, që do të ishte moment i veçantë dhe i diskutueshëm për formimin e pushtetit lokal në Tuz.
Kremtimi i fitorës historike
Fitorja e shqiptarëve në kuadër të “Forumit shqiptar” u kremtua në një manifestim të veçantë në restorantin “Troja”, që ishte moment i veçantë emocional për këtë fitore historike, me dekor me flamuj kombëtar dhe muzikë shqiptare. Ishte ky një festim i rrallë që i ka munguar Malësisë dhe të gjithë shqiptarëve, sepse u arrit ajo që është pritur vite me radhë. Ishte ky kremtimi i të gjithë shqiptarëve e në veçanti i diasporës shqiptare e cila ka dhënë një shëmbull patriotizmi se si duhet vendlindja duke i venë vulën fitorës së zgjedhjeve në Malësi. Ndërsa atyre që iu ka pënguar kremtimi i fitorës së shqiptarëve duhet thënë se shqiptarët do të festojmë përherë dhe nuk do të pyesim të tjerët se si të festojmë fitoret tona.
Malësia model për zgjedhje parlamentare
Nuk ka dilemë se fitorja e “Forumit Shqiptar”, ka nxitur reagime të ndryshme në aspektin pozitiv, duke dëshmuar së bashkimi i subjekteve politike në një listë zgjedhore duhet të jetë model edhe për zgjedhje tjera në të ardhmën. Madje nga tash theksohet së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptarët duhet të dalin me një listë zgjedhore. Por, duke marrë parasysh raportët jo të favorshme ndërpartiake në sajë të animozitetit të përfaqësuesve të subjektëve politike, mendoj se do të jetë vështirë për të gjetur një kompromis në këtë drejtim. Por, rezultatet e dy zgjedhjeve të fundit parlamentare duhet të jenë dëshmi e mjaftueshme, sepse duke dalur me disa lista zgjedhore, shqiptarët janë humbës, sepse në Kuvendin e Malit të Zi momentalisht janë të përfaqësuar vetëm me një deputet. Eshtë e tepërt të thuhet se sa do të ishte ndikimi i shqiptarëve nëse do të ishin të pranishëm me 2 apo 3 deputet që do ishin faktor kyç në procesin e avancimit të pozitës së shqiptarëve në këtë mjedis.
Madje në këtë aspekt shëmbull tipik mund të na shërbëjnë boshnjakët(BS) të cilët edhe pse janë të përfaqësuar vetëm me 2 deputet jemi dëshmitarë se kanë realizuar objektivat e tyre në shumë aspekte. Duke marrë parasysh se në Mal të Zi kemi një krizë politike e cila është duke u prezentuar përmes aferave koruptive në strukturat më të larta të pushtetit si dhe nga ana tjetër kemi protestat e qytetarëve dhe bojkotimi i parlamentit nga opozita, janë dëshmi të mjatueshme se kjo krizë politike do të zgjidhet me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pikërisht gjendja aktuale dhe rezultati pozitiv në Malësi, duhet të jetë motiv për unifikimin e subjektëve politike shqiptare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
(Mars 2019)