Fatmire Duraku
Një ditë para se të ikja nga shtëpia dhe nga fshati, i shikoja të gjithë me radhë, duke filluar nga gjyshja dhe gjyshi plak, që rrinin afër njëri-tjetrit. Pranë tyre, me sy të mjegullt, qëndronte motra ime e vogël. Dhe vetëm këta të tre dukej sikur ishin të vetmit, që mërziteshin për largimin tim. Unë kisha tetë vëllezër, por asnjërin nuk e shihja kund. Punë e madhe pse për mua ishte nata e fundit në shtëpi!?
Të nesërmen një shoqe imja do të nisej për në Zvicër. Ajo më ka ftuar të studionim bashkë, pasi unë kisha fituar të drejtën të studioja atje. Ka shkuar para tri vjetësh dhe është martuar me një zviceran. Ajo m’i kishte rregulluar dokumentet. Më ka ftuar e unë do të shkoj, edhe pse po e shoh se kjo po iu pengon vëllezërve të mi të mëdhenj. Me të hyrë në dhomë, ku ishim ne, babai ma hodhi një shikim të mërzitshëm. Nëna me gjysmë fryme dhe me sy të përlotur më përgatiste diçka që ta merrja me vete për rrugë.
Motra dhe gjyshja sikur kishin një pikëllim të brendshëm dhe heshtnin. Muzgu tashmë ishte shtrirë dhe xhaxhallarët e mi me gratë e tyre kishin ardhur të përshëndeteshin me mua. Mbase e kishin menduar se unë do të iki atje larg pa u përfalur me ta fare… S’kisha arritur t’i vizitoja për një kohë të gjatë dhe ashtu si i zënë në faj, u përshëndeta me ta. Të gjithë më dhanë nga diçka, që ta merrja me vete në kurbet dhe i tretur atje në atë botë të largët, kur t’i shoh ato gjëra, t’i kujtoj ata.
Të gjitha ishin figura të çuditshme. I futa në torbën, që do ta merrja me vete. Motra ime e vogël dhe e vetmja, më dha një kubikëz-lodër, që në të katër faqet në mes kishte të shkruar nga një numër, nga një deri në katër, bashkë me disa lule të bukura, që ishin të mbyllura. Lulet dhe uji, që mbylleshin brenda lodrës, me një veprim të caktuar, kur i vije në ndonjë numër, e ndërronin ngjyrën.
Në atë veprim sikur krijonin një ndjenjë mistike mbi jetën, mbi qenien e njeriut dhe mbi fatin e tij. Nuk di se ku e kishte marrë. Unë shfaqja një ndjenjë të afërt me ata, që kishin ardhur të më përcillnin. S’kisha ndër mend të ikja përgjithmonë, shpresoja se do të kthehesha pa kaluar ndonjë kohë e gjatë, që i bën njerëzit të të harrojnë. Po ata u përshëndetën me mua sikur të mos prisnin më të kthehesha gjallë.
Dy vëllezërit e vegjël ishin ulur në gurët e strallit në mes të oborrit dhe nuk hynin brenda. Vërejta se ata mërziteshin për largimin tim, andaj edhe unë shkuarjen time e përjetoja me ndjenjë më të rëndë. Ata nuk hynin brenda, e unë në sytë e Artanit, Tomorit, Marigonës, gjyshit dhe gjyshes shihja shikimin e tyre të çuditshëm. Nëna ishte e lodhur, por nuk më dukej të kishte një shikim të tillë.
Vëllezërit e mëdhenj janë të martuar dhe si duket ishin mbyllur në dhomat e tyre e aspak nuk ua ndiente veshi pse unë po bëja natën e fundit në shtëpi. Marigonën unë e quaja Megi; sytë e saj të kaltër më bënin të mërzitesha më së shumti për të. Babain e lusja të mos ia ndërpriste shkollimin, se e dija që të dy vëllezërit e mëdhenj, si të ikja unë nga këtu, motrën do ta mbyllnin në shtëpi. Ajo ishte e zgjuar dhe e donte shkollën dhe nuk kisha dëshirë t’i ndërpriste mësimet.
Ajo mbrëmje ishte e mallkuar. Ditën e mërkurë e urrej që prej atëherë kur ika dhe i lashë të gjitha. Nga atëherë kanë kaluar nëntë vjet. Për kaq vjet nuk i kam vizituar më. Malli për të gjithë më ka brejtur shumë.
Megi më thërriste në telefon çdo të shtunë, kurse tashti kishte kaluar shumë kohë e ajo nuk u lajmërua fare. Nuk u lajmërua as ai shoku i saj, Dardani. Koha po kalon e unë po e pres. Sot është e shtunë e telefoni nuk po cingëron. Duket edhe Megi më ka harruar. Sa herë më lajmërohej, sa herë flisja me të përmes telefonit, nga ngashërimi sytë më mbylleshin vetvetiu. E para syve më dilte Megi me sy të kaltër, kur e vishte dhe e mbathte nëna, kurse unë e dërgoja në shkollë. Përfytyroja flokët e saj të zezë, kaçurrelë, që ja shprishte era. Më kujtohej kthimi i saj plot shend në shtëpi.
Ditën e parë, kur e dërgova në shkollë, ishte shumë e gëzuar. Ajo më shtyri që në shkollë të shkojmë një orë më herët. Të gjitha mendimet e saj ishin rreth librave, shkollës dhe mësimit. Sa me padurim e priste cingërimën e ziles. Për çdo njeri që kalonte atypari, më pyeste:
“A është ky mësuesi im?!”
Tani, ajo ka të njëzetat dhe është e pjekur, është në vitin e dytë të studimeve dhe ka shpenzime, i duhen paratë. Me siguri ka mbetur pa to dhe nuk ka mundësi të më thërrasë. Nesër do t’i dërgoj para, kurse ajo posa t’i marrë, do të më thërrasë. Ajo nuk më harron kurrë. Çdo të pesëmbëdhjetën ditë i dërgoj para për shkollim. Jam bërë të çmendem. Ëndrrat më thonë se diç i ka ndodhur asaj, por unë nuk di çka. Të dielave e marr postën rregullisht. Ndoshta Megi kësaj radhe më ka shkruar, që të kuptoj sesi janë dhe pse nuk më janë lajmëruar deri më tani?! Tërë dita më kaloi pranë telefonit duke pritur, dikur edhe kjo pritje m’u bë e tepërt dhe monotone. Mendja më shkonte gjithkah, por ajo më shkonte gjithnjë nga e keqja. Kjo ndodhte nga frika.
Mbrëmja ishte e tmerrshme; isha mbushur mall për familjen time. Edhe shiu i madh dhe bubullima atë mbrëmje nuk më linin të qetë.
Gjithherë para se të flija, bëja një lutje, edhe pse në shtëpinë tonë kurrë nuk iu kemi lutur zotit, pasi nuk qemë dhënë pas asnjë besimi. Ishim gjysagjelë: as katolikë, as myslimanë. Në shtëpinë tonë nuk është përfillur asnjë festë fetare. Pas asaj lutjeje mendja më rrinte shumë larg, atje larg, shumë larg nga këtu. Atje ku edhe gurët e sokakut janë shumë të bukur. E unë kam humbur këtu në këtë vend të mallkuar, ku u treta vetëm për pak para.
Nata kalonte e ëndrrat nuk më linin rehat. Megi, gjyshi, gjyshja dhe dy vëllezërit e vegjël, të cilët kur u nisa i lashë duke qarë në mes të oborrit, mbi gurët e strallit, tërë natën ishin në ëndrrat e mia dhe më brenin kokën. Nëna me gjysmë fryme në fyt, më thërriste gjithherë për të shkuar në shkollë, sikur atëherë në fëmijëri.
Në këtë ëndërr vendi im ishte i zbrazët. Ajo me thërriste, kurse unë nuk bëzaja fare. Megi, gjyshi, gjyshja dhe dy vëllezërit e vegjël ishin veshur në të bardha. Me ta ishte edhe një djalë i ri, të cilin nuk e njihja. Vëllezërit e tjerë nuk i shihja askund, por as babanë. Vetëm nëna, që më thërriste si e çmendur, sillej dhe mbështillej nëpër oborr. Çudi! Ajo më kërkonte edhe pas trungut të pemëve e nën gurët e strallit, që ishin në mes të oborrit. Po sa lehtë i ngrehte nga vendi! Ata gurë janë shumë të mëdhenj, askush më parë nuk ka mundur t’i luante nga vendi i vet; ajo i luante me një dorë dhe më kërkonte mua nën ta. A thua pse më kërkonte ashtu?
Ajo ëndërr imja ishte e çuditshme. Nuk munda ta kuptoja fare, andaj u ngrita se po të vazhdoja edhe pak gjumin, do të çmendesha nga ëndrrat. Nuk është kjo nata e parë që unë shoh ëndrra të këtilla. Sot e katër javë ballafaqohem me to. Dita e nesërme ishte e diel. Edhe pak do të zbardhej dhe diku nga ora shtatë, do ta marr postën e nëse nuk ka letër nga Kosova, menjëherë do të nisem për atje.
Ora shtatë e pesë minuta. Posta arriti. Letra kisha, por jo nga Kosova. Nga Kosova kisha vetëm lajmërimin për paratë që ishin kthyer, pasi Megi nuk i kishte marrë. Me siguri asaj i ka ndodhur diçka e keqe. Nuk m’u lajmërua fare. Paratë nuk do t’i ketë marrë. Ah, si të kisha krahë dhe të shkoja sa më parë, atje ku janë nëna, Megi dhe ata të tjerët. Të shkoja tek ata, për të cilët unë po kam mall të madh.
Koha kalonte. Nuk dija si të shkoja atje. Andaj i bëra një telefon aeroportit. Aeroplan kishte vetëm të hënën. Dita e nesërme ishte e hënë. Vendosa që të nesërmen të shkoja drejt në aeroport dhe të ikja për në vendlindje. Menjëherë zura të bëhesha gati. Me vete mora edhe figurat që m’i dhanë vëllezërit e babait, por edhe kubëz-lodrën e Megit. Ata e kishin pasur mirë.
Sa herë hyja dhe dilja nga dhoma, më binin në sy ato figura, por më së shumti kubëz-lodra e Megit. Unë i kisha blerë asaj diçka, por jo aq të bukur sa ajo kubëz-lodër. Gjithë në mendje më rrinte dita kur u largova dhe i lashë të mërzitur. Fytyrat e përlotura të nënës, babait, gjyshes, gjyshit, Artanit, Tomorit dhe Megit më rrinin para sysh. Fytyra e Gëzimit, e prishur, më dukej sikur rrinte mbi kapakët e syve të mi. Ai sa herë mërzitej, prishej në fytyrë. Dita e nesërme më zbardhi pak më të pushuar.
Ndoshta pse kisha vendosur të kthehesha e bëra gjumin më të mirë se netëve të tjera. Si e piva kafenë, u nisa për në aeroport. Atje kishte shumë njerëz. Aeroplanët ngriheshin dhe zbritnin. Gjithë ata njerëz dika shkonin; dikush kthehej, dikush shkonte. Unë kthehesha nga Lugano e Zvicrës. Jeta më qe mërzitur atje. Gjithçka më qe bërë monotone. Shikoja në të katër anët e aeroportit sesi më ndryshonin ngjyrat si në kubëzin e Megit, që e mbaja në dorë. Edhe në aeroport ishin numrat 1, 2, 3, 4 si në kubëz. Çuditesha si i ka rënë ai Megit në dorë.
Aeroplani im nisej edhe pak minuta.
Të gjithë ne që vinim në Kosovë, ishim shqiptarë. Ishim më shumë se njëqind e pesëdhjetë veta dhe që të gjithë u ngarkuam në atë aeroplan. Ishte hera e parë që fluturoja në qiellin e kaltër atje afër reve të bardha, që ishin nën qiellin e Zvicrës. Me të hyrë brenda në barkun e madh të atij aeroplani, që fluturonte si egërsirë me kthetra në atë qiell të kaltër, m’u duk vetja sikur arrita në shtëpi. Po prapë isha shumë larg nga ajo shtëpi ku u linda dhe u rrita. Puna që po e bëja unë, kishte të bënte me ngritjen e zërave për të drejtat e njerëzve të këtushëm, për atë vend ku më kanë lindur gjyshja e katragjyshi, ku janë shkelur të drejtat e njerëzve sa e sa vjet.
Kubëzin e Megit e mbaja në dorë. Më dukej se po e shihja Megin kur ma dha dhe m’u kujtuan fjalët e saj:
“Ja, Edi, merre këtë kubëz dhe sa herë ta rrotullosh, ky do t’i ndryshojë ngjyrat. Në secilin numër ka nga një ngjyrë dhe lulet ndërrojnë formën.”
Lulet ishin të bukura, të thuash magjike me katër format që krijonin. Po ku do ta ketë marrë Megi, që ma dhuroi mua. Atë, Megin sykaltër, e kam gjithçka. Dua të shkoj atje sa më parë dhe t’i shoh sytë e saj të kaltër, ata sy që tashti, me siguri, janë duke lexuar diçka. A thua i ndjek ajo tashti ligjëratat. Ah, si ta dija se ku do ta gjeja, në shtëpi apo në fakultet. Do ta befasoj. Ajo nuk e pret kthimin tim. Kur të më shohë, do të hutohet.
Ndoshta e gjej në shtëpi, duke lozur me qenin që ia kam dhuruar unë për ditëlindje. Ajo i ka vënë një emër të çuditshëm – Shmiki. Si e ka kujtuar këtë emër. Ajo është e prapët me disa gjëra, po ka mendje të mprehtë e të çuditshme. Është gjë e çuditshme sesi nga të dojë ajo, edhe mendja i fluturon. Edhe punën si punë e kupton mirë; aq e vogël ishte dhe i kuptonte të gjitha.
Tash është e madhe. Me siguri ka ndërruar shumë. Është bërë edhe më e bukur sesa ishte.
Mezi pritja të arrija në Shkup. Nga aty do të arrija shpejt në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë e nga këtu në fshatin tim, te nëna e babai, te vëllezërit e te Megi. Mezi po pres t’i shoh fytyrat e vëllezërve të mëdhenj, të cilët kurrë nuk më kanë shkruar e as nuk qenë përshëndetur me mua kur mora rrugë. Po pse askush nuk ma sqaroi kurrë, as nëna e as babai, pse ndodhi kjo?
Një vajzë ishte ulur afër meje dhe vetëm më shikonte, por nuk fliste gjë. As unë nuk flisja me të. Ajo e shikonte kubëzin në duart e mia. Me siguri ia tërhiqte vëmendjen kubëzi se kur e rrotulloja, ai ndërronte ngjyrën dhe formën e luleve. Pas pak më tha:
“Zotëri, ku e ke marrë këtë kubëz?”
Unë e shikova me habi.