Efektivja e policisë nuk tërhiqet: Do flijohem në shtëpi; gjykatat janë për deputetët, jo për fëmijët tanë

0
598

Politiko.al, 13 mars 2019

Efektivja e Policisë së Shtetit, Blerta Dervishi hedh poshtë pretendimet e biznesmenit Aleksandër Gavoci se nuk kanë pranuar marrëveshjen për shtëpinë dhe truallin pranë gjimnazit ‘Petro Nini Luarasi’ në kryeqytet.

Në një intervistë për ‘A2’, Blerta thotë me lot në sy: “Ai thotë se na ka ofruar, por ne nuk kemi pranuar. I kemi pranuar, i kam pranuar ofertat e tua. T’i kam pranuar në sy Aleksandër. Më ke dhënë dorën mua, femër. Të kam thënë se do të firmosë në emër të dy familjeve. Edhe nëse nuk do të pranonin, do t’i firmosja unë sepse nuk dua të vazhdojë më ky kalvar kaq i gjatë. Unë fëmijët sot i kam të sëmurë. Kanë 3 ditë që nuk hanë e nuk pinë fëmijët e mi.”

Blerta nuk di çdo të ndodhen e 25 mars, por shprehet e sigurt se do ta mbrojë pronën me çdo formë.
“Shtëpia ime do të shembet bashkë me mua brenda! Kjo ndërtesë do të ndërtohet vetëm mbi kockat e mia dhe mbi gjakun tim”, thotë Blerta.

Pas 12 ditësh, Blerta, njëherësh efektive e policisë, do të jetë sërish përballë kolegëve të saj. U kërkon ndjesë për atë çka mund të ndodhë, por kjo është betejë për jetën, thotë ajo.

“U kërkoj ndjesë të gjithë. Unë do të përballem ndoshta. Nuk e di si do të jetë ajo ditë. Do ta bëjë për fëmijët e mi që të kenë një strehë. Unë nuk kam ku të shkojë më. Le të merret çdo lloj vendimi ndaj meje. Do të rrezikoj edhe vendim e punë. Unë shtëpinë nuk e lëshoj kurrë!”

Nëna e dy fëmijëve ka edhe një mesazh për qeveritarët që e cilësuan këtë rast vetëm çështje të drejtësisë.

Vetëm për të pafuqishmit janë gjykatat. Për biznesmenët, për gjyqtarët, për deputetët, për ministrat nuk ka gjykata, ka ndërhyrje nga shteti, ndërsa për fëmijët tanë jo”, thotë e përlotur Blerta.

Në shtëpinë dykatëshe që stonon me ndërtimet në këtë zonë të Tiranës, 14 familjarë kërkojnë ndihmë. Nuk duan banesa sociale, por drejtësi për pronën e tyre.