Stalinizmi e konsideronte katolicizmin gegë si kryearmikun e vet

1
680

Nga Arshi Pipa

E kjo ishte një nga arsyet pse Fishta ndalohej, sepse ai ishte përfaqësuesi kryesor i katolicizmit.

Merrni me mend një adoleshent shqiptar që, duke kërkuar në një raft të vjetër të gjyshes së vet, zbulon një libër të hollë, botuar më vitin 1905. Ai mund të lexojë pjesën e parë të titullit, Te ura…, pa qenë në gjendje për të vazhduar, pasi ka hasur vështirësi në shkollimin e disa shkronjave. Libërthi është në vargje, e djalit i pëlqen poezia. Fillon të lexojë këngën e parë, të titulluar “Marash Uci”. Pak nga pak, ai fillon të njohë shkronjat e pazakonta. Edhe pse nuk arrin të kapë kuptimin e disa fjalëve, ai merr vesh se poema flet për një bari, që ka udhëtuar deri në Stamboll. Mbërrin te vargjet 51 – 52:

Por shka, Zot, ka Mashi sot,
Qi na â vrâ e nuk bân zâ?

Ai e kupton rreshtin e parë, por të dytin jo. Atëherë, ai hap fjalorin e ShNjL dhe fillon të kërkojë për â. Në vend të kësaj fjale (që është një kontraktim i âsht) ai gjen a-në, e shpjeguar si pjesëz pyetëse (fjalia vetë është pyetëse). Mungon gjithashtu edhe vrâ, fjala më e afërt me të është vras. Mos e kanë vrarë turqit Marashin? – pyet veten djali.

Ditën tjetër ai vrapon te mësuesi plak i shkollës fillore dhe i kërkon shpjegime. Zhvillohet biseda e mëposhtme:
– Kam gjetur dje një libër të hollë, të ngrënë mole, i shkruar nga njëfarë Gjergj Fishta…
– Oh, mos! E gjete apo ta dha njeri?
– E gjeta kur po kërkoja për ca fotografi në një raft. Ka emrin e gjyshit tim në kopertinë.
– More vesh gjë kur e lexoje?
– Ca po, e ca jo. Është fjala për një hero shqiptar, që u vra në betejë me turqit. Ky shkrimtar ishte vërtet shqiptar? Përdor ca fjalë shumë të çuditshme.
– Shkrimtari ka qenë prift.
– E, po, ja përse nuk i merrja vesh shumë fjalë. Priftërinjtë duhet të kenë pasur një gjuhë të ndryshme, një lloj zhargoni, ndoshta një kod sekret. Se ku kam lexuar, që ata, ditë e natë, rrinin duke komplotuar kundër Partisë.
– Kjo është arsyeja, biri im, përse udhëheqësit tanë mendjendritur i kanë dënuar shkrimet e tyre.

Ajo që të ban përshtypje në rastin e Fishtës, është se ai është “spastruar” jo vetëm prej fushës së letërsisë, por edhe prej asaj të leksikut. Dihet se Fishta ka leksik të pasur poetik.

Max Lambertz-i, cili e ka përkthyer Lahutën e Malcís në gjermanisht, futi në Albanisch – Deutsches Wörterbuch (Fjalor shqip – gjermanisht) fjalë si me dheskë ‘locken’ (me joshë, me ndjellë), dumbare ‘doppellaüfiger Revolver’ (revolver vetëmbushës), grrêç ‘Kurbisflasche’ (susak uji), me kandritë ‘ausstaffieren’ (me pajisë), kryqalí ‘Christ’(i krishterë), latrâc ‘Viebauch’ (mullëz, lukth bagëtie), me leçitë ‘ankündigen’ (me kumtue, me bë të ditur), mêc ‘Bursche’ (djalë), shkallme ‘Schwert’ (pallë, shpatë), shkinë ‘Slavin’ (grua sllave), shkjení ‘Slavenland’ (popullsia e sllavëve të jugut, kryesisht serbë e malazezë), shmrijak ‘Almhirte’ (bari kullotash alpine), vithna, shumës i vath ‘Hürde’.

Asnjëra prej këtyre fjalëve, nuk gjindet në fjalorin e Kostallarit.

1 KOMENT

  1. Gjergj Fishta eshte letrari me i madh dhe me imire SHQIPTAR… i te gjitha koherave.

    Vetm vjersha e tij GJUHA SHQIPE, eshte me e mire dhe me patriotike se komplet veprimtaria e te gjithe letrareve oborrtarë te komunizmit ne Shqiperi ne vitet 1994-1990.

    Gjergj Fishta edhe sot nuk vleresohet, sepse hordhite barbare islamokomuniste nuk lejojne, qe ai te vleresohet ashtu siç e meriton… pra te cilesohet si me i MADHI SHQIPTAR QE KA SHKRUAR

Komentet janë mbyllur.