Poezi nga INDIANËT E AMERIKËS

0
735

Black Elk (Heaka Sapës)
(1863-1950)

Gjithçka që bën Fuqia e Botës e bën në rrethore

Gjithçka që bën, Fuqia e Botës e bën në rrethore. Qielli është i rrumbullakët, kam dëgjuar gjithashtu se toka është e rrumbullakët si një top dhe se, kështu janë edhe yjet. Era, kur është më e fortë, vërtitet në shtjella. Zogjtë bëjnë foletë e tyre në ovale, sepse feja e tyre është e njëjtë me tonën. Dielli gjithmonë lind dhe perëndon në një rrotullim. Hëna bën të njëjtën veprim, dhe që të dyja janë të rrumbullakë. Edhe stinët formojnë një rrotullim të madh në ndërrimin e tyre, dhe gjithmonë do kthehen në pikën e nisjes. Jeta e njeriut është një qarkullim nga fëmijëria në fëmijëri dhe, e njëjta gjë ndodh me çdo send ku lëviz një pushtet. Çadrat tona ishin të rrumbullakta si foletë e zogjve, dhe tonat gjithashtu ishin të ngritura në rrethore, rrethi i kombit, një fole me shumë fole, ku Shpirti i Madh donte që ne të ngrohnim të vegjëlit tanë.

1. LUTJE

Shpirti i Madh,
zërin e të cilit e dëgjoj në erëra
shpirtin i të cilit i jep jetë botës mbarë,
dëgjomë!
Unë jam i vogël dhe i dobët.
Kam nevojë për forcën Tënde dhe diturinë Tënde.
Lejomë të eci midis gjërave të bukura
ndihmomë që sytë e mi të admirojnë perëndimin e kuq, të artë të diellit
Më mëso që duart e mia të respektojnë gjithçka që ke krijuar Ti
dhe veshët e mi të jenë të mprehtë për të dëgjuar zërin Tënd.
Më bëj të mençur, që unë t’i njoh gjërat
që Ti ia ke mësuar popullit tim,
mësimet që ke fshehur në çdo gjethe e shkëmb.
E kërkoj forcën, jo që të jem mbi vëllezërit e mi,
por që të jem i aftë të luftoj armikun tim më të madh: veten time.
Më ndihmo që unë të jem gjithmonë i gatshëm të vij tek Ti.
Me duar të pastra, dhe sy të çiltër,
që kur jeta të venitet si drita në perëndim,
shpirti im të arrijë të vijë tek ti pa turp.

2. FIKË NGA DASHHURIA
Këngë – Fox-

Nuk jam trembur kurrë nga një egërsirë mizore
gjatë gjithë jetës sime
s’jam trembur kurrë nga një pëllumbeshë
gjatë gjithë jetës sime,
s’jam trembur kurrë nga një flutur
gjatë gjithë jetën sime,
s’jam trembur kurrë nga një lule fushe
gjatë gjithë jetës sime

3. PAQJA
(Nohawh)

Paqja nuk është vetëm
e kundërta e luftës:
paqja është më shumë se kaq.
Paqja është ligji i jetës njerëzore.
Paqja është ajo
që kur ne veprojmë siç duhet vepruar,
Paqja është ajo kur mes çdo qenie njerëzore
mbretëron drejtësia.

4. SHPIRTI
Lutja – Sioux –

Trupi vdes.
Trupi është thjesht
ai që shpirti zotëron materialisht,
Trupi është këmisha e Shpirtit.
Shpirti vazhdon jetën e vet.

5. UNË JAM VETËM NJË NJERI
( Kintpuash dei Modoc )

Unë jam zëri i popullit tim.
Unë jam vetëm një njeri.

Sido që të jenë ndjenjat e tyre,
Unë them.
Nuk e dua luftën.
Unë dua të jem thjesht njeri.
Ju më mohoni të drejtën e një njeriu të bardhë. Lëkura ime është e kuqe,
zemra ime është si zemra e njeriu të bardhë,
Por unë jam një Modoc.
Nuk kam frikë të vdes.
Nuk do të bie mbi shkëmbinj.
Kur të vdes, armiqtë e mi do të jenë poshtë meje.
Ushtarët tuaj më sulmuan kur po flija buzë lumit Lost.
Ata më shtynë mbi këta shkëmbinj si një dre të plagosur.

( Kintpuash dei Modoc )

6. VEJUSHA
Këngë – Sioux –

Natën
kur bufi tregon ëmbëlsisht
historinë e vdekjes tënde
dhe gjithë njerëzve të vdekurve
të popullit tim,
ëndërroj të të gjej
në fund të horizontit të perëndimit,
dhe të ulem pranë teje dhe të këndoj kështu:
“Pse ike kaq shpejt, kaq larg që këtu?

7. ERA FRYN NGA DETI
Këngë Papago

Nga uji dhe rëra thith erën e detit;
Që andej vjen veriu
dhe fryn mbi tokën tejembanë.
Nga uji dhe rëra thith erën e detit;
Që andej vijnë të gjitha retë
dhe mbi tokë bie shi.

8. BEKIMI I TË SAPOLINDURIT
Këngë – Apache –

E ke filluar jetën tënde të re
në një tokë me fat,
E ke filluar jetën tënde të re
duke veshur mokasinë të mirë,
me dantella ylberi
Të qëndisura me rreze dielli.
E ke filluar jetën tënde të re
në mes të bollëkut.

9. LINDJA E TË GJITHA GJËRAVE
Apache

Kur u krijua toka ,
u krijua edhe qielli.
Këto male
nga maja deri në fund,
u ngritën në këmbë
plot jetë,
duke iu ofruar popullit tonë.
Lindi kështu kënga e parë,
në një rrjedhë jalësh.

10. SHIU FOSHNJË
Këngë – Navaho –

Në Gruan – Gurrë,
bie edhe një pikë e Burrit-Ujë-,
i jep jetë takimit,
Shiut-Foshnjë

11. GUGATJA
Tail Yellow

Të gjithë indianët e dinë që dhe kafsha më e vogël
ka një rëndësi të madhe e mund të na mësojë
shumë gjëra,
saktësisht siç janë të rëndësishme
të gjitha njohuritë e vogla që mësojmë çdo dite.
Për më tepër, çdo ditë e çdo çast
të jetës sonë janë plot me gjëra të vogla.
Pikërisht për s’duhet ta kemi mendjen tonë
mbi ngjarjet e mundshme të mëdha të së ardhmes,
por duhet të veprojmë për të kryer sa më mirë
detyrat tona të përditshme.
Kështu ne do të tregojmë
respekt për Shpirtin e Madh
dhe gjithçka që Ai ka krijuar .

( Tail Yellow ) – Crow

12. JETOJE JETËN TËNDE

Jetoje jetën tënde në atë mënyrë që frika e vdekjes
të mos mundet të futet kurrë në zemrën tënde.
mos sulmo askënd për fenë e tij ;
respekto idetë e të tjerëve, dhe kërko që edhe ata të respektojnë të tuat.
Duaje jetën tënde, përmirësoje atë,
Stolisi gjërat që të jep ajo.
Kërko që të jetosh gjatë
dhe të kesh si qëllim t’i shërbesh popullit tënd.
Përgatit një këngë fisnike vdekjeje
për ditën kur të ecësh drejt ndarjes së madhe.
Këmbe përherë një fjalë me një të huaj kur e sheh
që është i vetmuar diku.
Trego respekt për të gjithë njerëzit
dhe mos iu përul askujt.
Kur zgjohesh në mëngjes falëndero
për ushqimin dhe gëzimin ejetës.
Nëse nuk ke arsye për falënderim,
faji bie vetëm mbi ty.
Mos abuzo për asgjë e me askënd,
për të këmbyer gjërat e urta me të marrat
dhe hiq shpirtin e vizioneve.
Kur të të vijë çasti për të vdekur,
Mos u bë si ata, që i kanë zemrat plot me frikë,
dhe kur të vijë koha e tyre, ata do të qajnë
dhe do të luten që të kenë dhe pak kohë për ta jetuar jetën ndryshe.
Këndo këngën tënde të vdekjes
dhe vdis si një hero që kthehet në shtëpi.”

Capo Tecumseh

13. MJEGULL
– Këngë – Papago

Unë thërras mjegullën,
mjegulla vjen
të lagë tokën.
ndërsa unë eci,
zhytem pak në të tani.
Po rri në mes të fushave.
Mendoj për gjërat e mira, të bukura.

Përktheu: Faslli Haliti