Shkruan: Florim Zeqa, 11.03.2019
Është e vështirë të flitet në mënyrë hipotetike se çfarë do të ishte situata në vend sikur Lëvizja Vetëvendosje të mos bëhej pjesë e sistemit (pranimit të “Pakos së Ahtisarit” dhe kushteve të lojës parlamentare ), por jam i sigurtë se do ta kishim një forcë politike opozitare të gatshme jo vetëm për të protestuar, por edhe për t’u ballafaquar me sfidat e kohës nëpër të cilën po kalojmë.
Hyrja brenda kornizave të sistemit pamundëson opozitarizmin e vërtetë
Futja e të gjitha subjekteve në sistem, përkatësisht renditja e të gjitha subjekteve pas marrjes së pushtetit, ka bërë që ta lënë në harresë të plotë elektoratin pas përfundimit të procesit zgjedhor nga ana e partive politike, gjë e cila ka bërë që edhe popullata të pasivizohet dhe demoralizohet siq është më së keqi.
Nuk ka si të mos ndodhë pikërisht kështu për faktin se liderët e partive politike përveq pasurimit të skajshëm, kanë punësuar militantët partiakë dhe familjarët e tyre nëpër institucione e borde, nëpër agjensi e korporata tjera fitimprurëse…
Edhe të ashtuquajturat “OJQ”, po mendojnë vetëm si të pasurohen dhe vjelin para të buxhetit të shtetit me ca konferenca të mbajtura sa për sy e faqe dhe në koordinim të plotë me pushtetarët.
Duke e parë këtë situatë sa të dhimbshme po aq dëshpruese dhe vrastare për shtetin, qytetarët e zhgënjyer janë tërhequr nga të gjitha zhvillimet që po ndodhin në vend dhe rreth vendit tonë, duke u pajtuar në heshtje me të keqën e madhe që po i ndodhë këtij vendi, për shkak se e vetmja zgjidhje për qytetarët është që të ikin sa më larg, e për të mos u kthyer ndoshta asnjëherë në Kosovë.
Deri në këtë derexhe e kanë sjellë qytetarin kusarët politik të të gjitha llojeve e ngjyrave.
Nuk pritet gjë e mirë nga subjektet aktuale politike, e vetmja shpresë e vogël e qytetarëve të dëshpruar është ngjizja e një nisme të re nga Diaspora në bashkëpunim me kapacitetet e shëndosha intelektuale të vendit, me veprimtarët dhe atdhetarët e përkushtuar ndaj Kosovës martire, për ta ç’rrënjosur në themel të keqën që ka mbërthyer vendin tonë në këtë dhjetvjetshin e fundit.
Kjo është e mundur me vullnet e dashuri, me guxim e përkushtim, me besa-besë për një qëllim hyjnor për të dhënë gjithçka nga vetja për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Shëmbulli i mirë i një proteste
Protesta e 25 shkurtit në qytetin e Pejës, kundër ndërtimit të hidrocentraleve në rrjedhën e lumit Lumbardh, protestë e cila e detyroi Qeverinë ‘Haradinaj’ që të pezulloj vendimin për ndërtimin e Hidrocentralit në lumin Lumbardh. Njëherësh kjo e dëshmoi më së miri se me unitet e vendosmëri është e mundur të ndalohen edhe gjërat më të këqija për vendin.
Sikur të protestohej kështu fuqishëm në mbarë Kosovën siq u protestua në Pejë për mbrojtjen e Lumbardhit, me siguri do të parandalohej edhe dhënja e 2500 hektarëve Maqedonisë, do të parandalohej ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend,…dhe përseri pasojat do të ishin të njëjta; mungesa e liberalizimit dhe asgjë më shumë e as më pak.
Hiperbolizimi i taksës nuk e ndihmon Kosovën
Hiperbolizimi i situatave dhe problemeve nuk është një gjë e mirë, madje mund të prodhojë efekte shumë të dëmshme dhe me pasoja zinxhirore.
Hiperbolizimi i taksës ka neutralizuar në masë të madhe zërat kundër dialogut, përkatësisht zërat kundër ndarjes në prapaskenë që po i përgatitet Kosovës në emër të normalizimit të mardhënjeve dhe fqinjësisë së mirë me shtetin e Serbisë.
Pa dyshim, për ndaljen e procesit të ndarjes së veriut të vendit kërkohen veprime më energjike dhe më të unifikuara në nivel vendi.
Vendimet politike të cilat nuk përcjellën edhe me veprime konkrete në terren, jo vetëm që nuk implementohen asnjëherë, ato bëhen pengesë ecjes dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të proceseve.
Vënja e taksës 100 % ndaj Serbisë pa ndërmarrjen e veprimeve konkrete për zbrazjen e dyqaneve, supermarketeve dhe tregjeve të Kosovës nga mallrat serbe, jo vetëm që është shndërruar në lojë për konsum të brendshëm politik, e ka stimuluar kontrabandën dhe ndihmuar Serbinë në procesin e dialogut, duke u paraqitur kjo e fundit si “viktimë” në njërën anë, ndërsa në anën tjetër është duke e përdorur taksën si alibi për “fryerjen e zjarrit” në prishjen dhe tensionimin e raporteve të Kosovës me disa nga shtetet e BE-së dhe SHBA-të, aleatin tonë strategjik dhe jetik për mbrojtjen e shtetit tonë nga aspiratat grabitëçare të Serbisë.
Për faktin se edhe pas vënjes së taksës mallrat serbe janë me shumicë në Kosovë, dëshmon se taksa është futur në lojë jo për ta dëmtuar Serbinë, por që ta ndihmojë diplomacinë serbe kundër Kosovës.
Pra taksa e pa menduar mire, nga një masë sanksionuese ndaj Serbisë ka filluar të shndërrohet në masë me efekte negative dhe me rreziqe të sanksioneve ndërkombëtare ndaj vendit tonë.
Pezullimi i përkohshëm i taksës dhe zavëndësimi i saj me masa të reciprocitetit ndaj Serbisë do të ishte zgjidhja më e mençur dhe më pragmatike.
Për faktin se të gjitha partitë janë bërë përafërsisht të njëjta, zgjedhjet qofshin ato të rregullta apo të parakohshme, përveqse nuk ofrojnë zgjidhje të mirë për vendin, ato e vazhdojnë “Status Quon” e keq-qeverisjes dhe zbrazjen në heshtje të Kosovës nga qytetarët e saj.
Vetëm protestat masive dhe të pandërprera në të gjitha qytetet e Kosovës mund ta stopojnë dialogun vrastar të Brukselit, gjegjësisht procesin e ndarjes fatkeqe e tragjike të vendit tonë dhe jo vetëm.
Vetëm me protesta masive, demonstrata të fuqishme dhe padëgjueshmëri qytetare mund të vie deri të përmbysja totale e sistemit të instaluar tani e sa vite në Kosovë.