AV. XHABIR ZEJNUNI
Këto ditë (dhe netë!) po diskutohet me shumë pasion problemi i (I)legjitimitetit të opozitës extra parlamentare dhe (pa)mundësia e krijimit të një opozite alternative. Dikush, thotë se ekskluzivitetin e opozitës duhet ta kenë vetëm PD-ja dhe LSI-ja (ose nesër PS-ja!). Madje po arsyetohet se edhe ata deputetë që nuk dorëzuan mandatin, apo që hynë nga lista pritëse, nuk e paskan tagrin e opozitarit real, duke qenë se ata nuk qenkan “kalitur në kudhrën opozitare”!
Me 26 maj 2017, kur Basha bëri listën e tij, la jashtë kësaj liste disa opozitarë DOC, si Topallin, Bregun, Selamin, Patozin, Boden dhe gjeneral Imamin. Kurse Ruli si politikan me nuhatje të rrallë dhe të hollë (jo vetëm politike!), u dorëhoq në minutën e fundit, duke parandjerë të njëjtin fat me atë të kolegëvë të tij të përjashtuar! Përvoja ndërkombëtare politike, ka treguar se edhe pse ka dalë nga skena politike ndonjë parti politike (opozitare apo pozitare!), kanë hyrë menjëherë në skenën politike parti te reja.
Në rastin konkret, do duhej që elementët e spikatur të të përjashtuarve, të krijonin një parti të re politike, e cila të kishte një vizion të ri ndaj politikës dhe demokracisë. Por, si për çudi përveç ndonjë reagimi spontan të të përjashtuarve në rrjetet sociale me këshilla falas, apo me anë të ndonjë interviste “pilateske” ku flitet shumë por nuk thuhet asgjë, nuk po vërehet ndonjë bashkëpunim mes tyre për krijimin e një formacioni të ri politik, për të mbushur “vakumin opozitar” politik! Po ashtu, nuk vërehet një bashkëpunim mes këtyre politikanëve dhe atyre deputetëve, të cilët falë listës pritëse, tashmë kanë mandatin e deputetit. Pavarësisht se këta deputetë po anatemohen si djem (dhe vajza!) plangprishës, mercenarë të shitur, injorantë, tradhëtarë, të pabesë, besëprerë, etj.
Sot, më shumë se kurrë po bëhet i domosdoshëm krijimi i një alternative të vërtetë opozitare. Dhe elementët nuk mungojnë.
Nëse në maj 2017, opozitarëve të përjashtuar ju mungoi koha (por jo arsyeja!) për t’u organizuar në krijimin e një formacioni të ri politik, tani kjo kohë atyre nuk ju mungon. Ndërsa për arsyen, diskutimi tani mbetet akoma i hapur(…)!
Por, edhe mos riaktivizimi politik i opozitarëve DOC të PD-së, e ka një shpjegim më se të arsyeshëm. Rifutja e tyre në politikë, sjell që ata të jenë më pas objekte (dhe subjekte!) të vettingut politik.
Mbase ata e kanë bërë një bilanc mes rihyrjes në politikë, apo edhe të qenurit në “prapaskenën” e politikës shqiptare si opozitarë të përjetshëm.
Me sa duket, opcioni i dytë mund të rezultojë më “fitimprurës”(….)!
Të japësh sot këshilla falas se si mund të zgjidhet kriza e sistemit politik, por të mos japësh asnjë alternativë opozitare, është një lluks që vetëm një opozitar DOC mund t’ia japë vetes së tij!
Komplimenti!