Një jetë në shërbim të qytetarëve, me pasion e përkushtim

0
2103
Xhelal Murati dhe Gëzim Loka

Ne foto: Xhelal Murati Foto: Gezim Loka

Me rastin e 80 vjetorit të lindjes

Xhelal Rexhep Murati, luriani fisnik, me mendje e shpirt tek Lura e degëve dhe rrënjëve

Nga Gëzim LOKA

Çdo hap që hedhim në jetën tonë, mes sfidave dhe kujtesës, mes vështirësive dhe pasioneve që nuk kanë të sosur, ne lodhemi së kërkuari modele dhe harrojmë se shpesh ata i kemi mes nesh, në rrugë, në kafene, në mjediset e jetës urbane e rurale, në përditshmërinë tonë të ngarkuar, në blerjet tona, në ecejaket tona të përditshme, në komunikimin tonë.

Në ndejet dhe odat luriane, por dhe në Tiranë, Lezhë, Shkodër, Sarandë, kudo ku lurianë, në rrugë, në kafe, lulishte, shëtitje, lëviz zembreku i kohës e muhabetet plot sharm e filozofi të burrave të kësaj krahine, “sitin” burrat lurianë, flasin për vlerat e tyre, komunikojnë me ta dhe gjithë muhabeti vërtitet në atë se çfarë po bëjnë ata për vendin e tyre, për kullat e tyre, për bashkëmalësorët e tyre.

E kur fjala bie për Xhelal Rexhep Muratin, të gjithë njëgoje shprehin së pari me gjeste e më tej me fjalë respektin për këtë bir lurian që me një modesti shembullore, me atë dashuri flakëruese për Lurën e lurianët të bën për vete.

Ai është një model suksesi, por mbi të gjitha një model sjellje fisnike, mirësie dhe fisnikërie, ngrohësie e çiltërsie në komunikim me njerëzit, me brezat dhe vetë kohën.

Lindi në Lurën e bukurive magjepsëse me shpalim gati hyjnor më 14 mars 1939, në një familje me tradita atdhetare, e besës dhe nderit, trime dhe bukëdhënëse e në radhë të parë në një familje me ndikim të madh në unitetin dhe harmoninë e Lurës, me anë të zakoneve të së drejtës mexhelisore dhe karareve të dheut lurian.

Në vitin 1916, në maskarën famëkeqe të kryer nga Nemcja në kishën e Lurës, një nga viktimat e këtij akti barbar ishte Selman Murati. Limoni, kushëriri i parë i Xhelalit ka qenë partizan dhe kryetar kooperative. Murati është mjek i njohur, kirurg. Seferi ka qenë përgjegjës sektori në kooperativën e Lurës, Avdiu brigadier në SMT, Dervishi, universitar, njeri me pasione dhe përkushtim intelektual. Të katër vëllezërit e Xhelalit të gjithë me detyra dhe funksione shtetërore. Ishte një familje patriarkale, ku në vitin 1972 kishte tre universitarë, familje e mesme, familje buke e bese.

Sot në këtë familje, e cila në vitin 1974 ishte 26 vetë, janë 13 universitarë që punojnë me përkushtim e dinjitet. Ishte familja e parë në Lurë ku vaktet e ngrënies i servirte në pajta të veçanta për secilin anëtar familje dhe për miqtë, duke sjellë një frymë të re në mënyrën e jetesës në këto anë.

Xhelali i ka mbaruar të gjitha ciklet e shkollimit bazë në vendlindjen e tij. Gjatë viteve 1958-1959 nisi punë në grumbullim dhe transport qumështi dhe prodhime bujqësore, për të vazhduar më tej, gjatë viteve 1959-1960 si ndihmësmagazinier në Ndërmarrjen e Sharrës Lurë, tek magazina Lurë e vjetër, ku tregtoheshin dërrasa dhe lëndë ndërtimi.

Pas përfundimit të shërbimit ushtarak në repartin 6600 Kukës me detyrë radist dhe shkrues i jashtëm i batalionit, gjatë viteve 1963-1964 zgjidhet sekretar i Këshillit Popullor dhe sekretar i këshillit të Frontit për Gurë Lurën.

Gjatë viteve 1964-1967 do të shërbente si shitës në dyqanin ne Gurë Lurës, dyqan shtëpie me vleftë dhjetë mijë lekë, ku dallohet për sjellje shembullore, takt në komunikim dhe gadishmëri për të bërë më të mirën e mundshme për lurianët e tij.

Në vitin 1968 filloi kursin gjashëtmujor të tregtisë në Shkodër, ku tre muaj ishin teori e tre muaj praktikë dhe këtë të fundit do ta kryejë në Rrëshen, për arsye se në këtë kohë tregtia e Lurës gjendej në vartësi të Rrëshenit.

Viti 1969 e gjen si inventarizues në sektorin e tregtisë Lurë, ku shquhet për punë me përkushtim e korrktesë dhe si gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar bashkëmalësorët e tij.

Gjatë viteve 1971-1974 do të punojë si përgjegjës i degës tregisë Lurë. Vështirësitë e kohës ishin të mëdha, nevojat akoma më të mëdha e më të shumta dhe tregtia ishte sektori më delikat ku përlaseshin nevojat e hallet e lurianëve dhe të gjithë shqiptarëve të asaj kohe. Xhelali nuk shihte “biografinë” por hallet e njerëzve dhe mundohej t’u jepte zgjidhje të gjithëve, shpesh duke shkelur “vijën”, siç thuhej aso kohe. Ndaj në vitin 1975, shkarkohet nga detyra e përgjegjësit të sektorit të tregtisë Lurë me vendim të Komitetit të Partisë Dibër, me motivacion “për mungesë vigjelence në punë”, me riedukim në kooperativë bujqësore.

Më tej gjërat në jetën e tij kanë rrjedhë me probleme për vetë kohën, por ai kudo ku e kanë çuar, në administratën e kooperativës, prap si shitës në dyqanin e Krej Lurës me artikuj të përzier, më tej si shitës në Qendër në një dyqan me artikuj industrialë, ka ruajtur profilin e tij prej njeriu të ndershëm e të përkushtuar për punën, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar njerëzit, qoftë dhe kur kjo ndihmë shoqërohej me pasoja në karrierën e tij.

Pas kryerjes së zborit tremujor në vitin 1972 në Burrel, gjatë viteve 1973-1985 kalon zv/komandant batalioni për prapavijë në batalionin e Lurës.
I ati i tij ka qenë partizan dhe përbën një krenari të ligjshme për Xhelalin dhe vëllezërit e tij, Muartin, mjekun kirurg të talentuar, Dervishin, matematikant, ish drejtor shkolle në Gurë Lurë dhe kushëririn e tij Isufin, agronom i lartë.

Djemtë e tij Esat Xhelal Murati, me arsim të mesëm në ndërtim, sot president kompanie në Londër “Lura Konstruksion” dhe Ligor Xhelasl Muarti, mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë dhe punon e jeton me dinjitet në Shqipëri, e bëjnë krenar Xhelalin si baba, si kryefamiljar, si lurian me virtyte të qëndrueshme burrërie e fisnikërie.

Puna plot pasion e përkushtim kanë qenë dhe mbeten motivet e jetës së Xhelal Muratit; urtësia e tij, zgjuarsia dhe intelekti natyral, fisnikëria dhe mirësia, shpirti human dhe gadishmëria për të ndihmuar lurianët, janë disa cilësi të Xhelalit, që edhe tani në moshën e pleqërisë nuk e kanë braktisur, por janë bërë më të evidentueshme dhe më përcaktuese në jetën dhe karakterin e tij.

Dashuria për lurianët, gadishmëria për të qenë kurdoherë pranë tyre, në të mirë e në të keq, ka qenë dhe mbetet virtyti themelor i jetës së tij, një shtytje drejt punëve të mira që mbajnë peshën e dinjitetit të bukur njerëzor.

Sa herë që e takoj, në fjalët dhe sjellen e tij ka shumë ngrohtësi e mirësi, një dëshirë të flasë sa më shumë për lurianët e tij, të mësojë për hallet e tyre, t’iu gjendet pranë e të shkembejë me të gjithë dy fjalë, si vlerësim për ato pragje kullash kryelarta nga kemi ardhur dhe për të cilat përmallohemi çdo ditë.

Xhelali është një person me një kujtesë të fortë dhe me pasion për mbledhjen dhe shkrimin e historikut zonal të Lurës, me kontekst të spiktur në aftësitë e komunikimit mexhelisor, në odat dhe ndjenjet e Lurës, për muhabete me rrotulla, ose hidh e prit, siçe kanë zakon lurianët dhe dibranët.

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar