“BOMBA” APO SHASHKA E LAZES!

0
551

AV. XHABIR ZEJNUNI

Rastësisht, ndoqa një video tek Syri.Net, ku gazetari Alen Xhelili na dha një lajm ”bombë”, duke na njoftuar se “Mbrëmë gazetari Elio Laze bëri një deklaratë të fortë, duke deklaruar se bashkëjetuesja e tij, Ira Vejsiu, kandidatë e LSI-së për qarkun e Tiranës, është kontaktuar nga një deputet i PS-së, i cili i ka bërë asaj një ofertë të majme në para për të pranuar mandatin e deputetes”.

I ftuar, në studio ishte edhe gazetari Elio Laze në rolin e avokatit të bashkëjetueses së tij. Kur ai u pyet nga Xhelili “Nëse e faktonte akuzën e tij”, Laze tha se “Deklaratën e bëra dhe nuk më shpëtoi goja. I duhet treguar të gjithëve se deri në çfarë çmendurie dhe çudie ka arritur dëshira e këtij pushteti në ikje, për të përdorur çdo instrument të mundshëm për të ndenjur në pushtet”.

Sipas Lazes, “Ai që hyn në atë Parlament, është mercenar për të plotësuar vendet bosh”. Por, nuk kuptohet fakti se përse Ira paska qëndruar atëherë në stolin e rezervave të mercenarëve! Ose përse e paska lejuar Laze atë (edhe pse bashkëjetues ata!)! Laze na rrëfen se “Oferta nuk i është bërë Irës, por atij”. Sipas Lazes “Oferta me telefon, ishte e mirëfilltë, por ishte bindëse në kuadrin miqësor”! Por, ai nuk na rrëfen emrin e deputetit socialist, që i bëri ofertën atij, edhe pse thekson se bëhet fjalë për një deputet të nderuar! Laze na thotë se “Çmimi aktual i blerjes së një deputeti, është 300 mijë euro sipas deklaratës së Sazan Gurit”.

Laze edhe pse LSI ka vetëm dy vite që është në opozitë, na rrëfen se ai ka qenë opozitar tash 6 vite kundër pushtetit të satrapit Rama. Dhe në fakt, Laze është bindës me opozitarizmin e tij me anë të rrjeteve sociale!

Kur Xhelili e pyet “E nëse ju thërrasin në Prokurori për këtë ngjarje”, Laze i përgjigjet se “Nuk ka se për çfarë të thirrem në Prokurori dhe nuk kam se çfarë të deklaroj, sepse nuk është se më erdhi me një valixhe dhe tha numëroi, këto janë të tuat dhe ti më jep celularin tënd. Kjo është një bisedë e bërë dhe e thënë qëllimisht për t’i treguar kujtdo – publikut flas – sepse gazetarët dhe politika e dinë se çfarë po ndodh, se kushdo që po hyn në atë sallë, është thjeshtë i blerë, ose me klering për të mbyllur hallet e veta”.

Ja pra edhe “bomba” e Lazes u kthye menjëherë në një shashkë komike-mediatike. Pasi kushdo e din se oferta të tilla nuk bëhen menjëherë me valixhe në dorë. Laze si një gazetar ekspert që pretendon se është, duhej që të konkretizonte me fakte bindëse ofertën ndaj tij, duke siguruar audiot dhe videot me deputetin propozues dhe duke i bërë më pas to publike. Por, edhe duke vepruar kështu, nuk do thotë se provat e Lazes do e vinin pas hekurave deputetin socialist.

Pasi kemi pasur shumë raste më parë me video të tilla, të cilat më pas kanë rezultuar të “manipuluara”! Sidoqoftë, ky fakt nuk e justifikon Lazen që ai të mos siguronte prova të kësaj natyre. Ose të mos hidhte “bombën” e tij! Po ashtu, Laze ofendon ata persona të cilët janë kandidatët e listës pritëse, duke i paragjykuar ata si të shit-blerë. Pasi nuk është çudi që ndonjë kandidat t’i bëjë Lazes edhe kallëzim penal për SHPIFJE PUBLIKE!

Më pas, intervista dukej më shumë një promovim i vlerave demokratike të Lazes nga ana e tij, se sa trajtimi i “bombës”.
Mbase i duhet dhënë të drejtë Lazes, që nuk e trajtoi më gjerë problemin e tij! Tek videoja prej 24 minutash, vetëm 5 minuata ju dedikuan “bombës” së tij! Ose më saktë shashkës së tij komike-mediatike!

Laze. Kam një vërejtje për Ju. Protagonizmi nuk fitohet duke nëmur fëmijën e Kryeministrit, apo duke bërë akuza kaq qesharake.
Mos u bëni edhe Ju Kadri. Pasi na mjaftojnë këta kadrinj që i kemi me shumicë.