Thonë se Enveri ishte i paditur, por disa gjëra për fenë i dinte mjaft mirë…

0
634
Enver Hoxha mes popullit

Enver Hoxha për fenë:

“Për ti zhdukur praktikat fetare ne duhet t’i luftojmë ato sidomos me frymën revolucionare dhe patriotike. Le të marrim çështjen e praktikave fetare myslimane. Gjatë 14 shekujve ato ruajnë karakterin e unitetit arab, të dominimit arab me anën e fesë dhe Kur’ani është libri i këtij ligji. Çdo gjë tek ai predikon ruajtjen e kësaj ideje, propagandimin e saj, të pleksur natyrisht me dogma filosofike, idealiste, monoteiste, më racionale si të thuash se judaizmi ose kristianizmi.

Disiplinat fetare myslimane ruajnë të paprekur çështjen që, kur një person falet, qoftë ky arab, egjyptian, kinez ose shqiptar, duhet ta kthejë fytyrën nga Meka. Kjo do të thotë ruajtje e besimit të unitetit fetar, por edhe temporal. Për ta qendra për çdo gjë është Meka. Por, disiplina e fesë myslimane kërkon që çdo mysliman, i çdo kombësie që të jetë, duhet të falet në gjuhën arabe, Kur’anin ta mësojë dhe ta këndojë vetëm në arabisht. Myslimanët falen kudo njëlloj, numri i të falurave çdo ditë është njëlloj, marrja avdes është njëlloj. Njëlloj janë gjithashtu kudo, deri në përcaktimin e datave të tyre agjërimi, festa e bajrameve, matemi etj.

Ne duhet t’i thyejmë këto praktika dhe t’u tregojmë të gjithë atyre që besojnë, sa absurde është t’i ruash dhe të zbatosh gjëra të tilla, që nuk kanë asnjë lidhje me jetën tonë, jo vetëm aktualisht, por edhe në të kaluarën. T’u shpjegojmë atyre origjinën e qëllimin e tyre, t’u vërtetojmë se si, nën petkun e perëndisë, fshihej ligji i imperialistëve otomanë, i pushtuesve turq dhe i shërbëtorëve të tyre. Asgjë pra s’na lidhte dhe as na lidh me fenë, me praktikat e saj, jo vetëm si ateistë, por edhe si patriotë shqiptarë.

A mund të imagjinohet që shqiptari të vazhdojë t’u bindet ligjeve të të huajve, ligjeve të pushtuesve, qofshin këto ligje të veshura me petkun e fesë e të sheriatit? Të vazhdosh t’u bindesh këtyre ligjeve e zakoneve, do të thotë të jesh shpirtërisht me të huajt, me reaksionin më të zi të huaj. Nuk mundet nga një anë të mendosh dhe të veprosh drejt politikisht, kurse nga ana tjetër ideologjikisht të mendosh dhe të veprosh shtrembër.

Feja të bën të gabohesh rëndë politikisht dhe të frenon të ecësh përpara. Bota po përparon. Shqipëria po ndërton socializmin, kurse disa njerëz vazhdojnë akoma të besojnë ëndërrimet e një njeriu të shekullit të 6-të, që kish botëkuptimet e tij mbi jetën, qëllimet e tij mbi popullin e vet dhe mbi popujt e tjerë. Ç’lidhje mund të kenë këto ëndërrime të Muhametit me realitetin tonë të shekullit të 20-të? Asnjë lidhje! Prandaj, përfundimisht dhe pa nishan, duhen këputur këto lidhje që të mbajnë të lidhura këmbë e duar dhe të poshtërojnë.”

[ Enver Hoxha ], Prill 1976.