RUAJTJA E EKUILIBRIT INTELEKTUAL NË FURTUNËN KOMPLOTISTE ËSHTË E ZORSHME

0
922
Ibrahim Kelmendi

Ibrahim Kelmendi

Rastisi të kishim debat me mikun shkodran, politologun Dr. Shenasi Rama (bashkorganizues i revoltës së studentëve, dhjetor 1990, dhe bashkëthmelues i Partisë Demokratike në Tiranë…, tani i angazhuar në Universitetin Publik të New York’ut). Pas atij debati, erdhi shtjellimi i tij, me titullin:
PËR RREGULLIMIN E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-SERBE DHE TË ARDHMEN E KOSOVËS – NJË TEMË PËR DEBAT”.

I pata premtuar se do të shkruaja një (ç)vlerësim, por jo vetëm për hir të miqësisë, por edhe për hir të angazhimeve që kishte manifestuar qysh nga dhjetori i vitit 1990, e sidomos për hir që e kisha njohur në Rambuje si këshilltar i “delegacionit” të UÇK-së. Dhe fjala duhet mbajtur, siç e pati mbajtur Miku Shenasi Rama, kur para ca ditëve më kishte premtuar se do të shkruante një shkrim analitik për gjendje aktuale në Kosovë, meqë ato ditë e kishte motivuar një shkrim imi.

Aspak nuk po mund t’i arsyetoj politologët, kolegë të Shenasiut, dhe bashkëveprimtarët, përse nuk po shfaqin asnjë opinion ndaj këtij shkrimi kaq “problematik” të Shenasiut. Nuk po di, nëse janë duke e injoruar apo po heshtin për shkak të konformizmit.
Unë nuk e injoroj dot, sepse e respektoj për Mik.

Citimet nga shkrimi i Shenasiut do të jetë origjinale, pa korrigjim as të gabimeve tipografike, sepse e pata korrigjuar, me ndihmë të programit të drejtshkrimit të Mickrosoftit, dhe e pata lut Mikun Shenasi ta riafishonte, por ai nuk e bëri. Për t’u dalluar po i citoj me germa kursive.

[1]
Fjalia e parë e këtij shtjellimi të Shenasiut: “Në një shkëmbim që kisha dje me një nga figurat më të spikatura të rezistencës shqiptare në Kosovë qysh në vitet 1980, Ibrahim Kelmendi, iu hymë disa temave që janë tejet delikate dhe problematike.”

Gjithsesi, e falënderoj Mikun Shenasi për konsideratën e tij të sinqertë, edhe pse, pasi e mbarova leximin e shkrimit të tij, e kuptova se ky madhërim ishte një si aperitiv për të ma nxitur apetitin që ta gëlltisja gjellën e tij të keqe dhe ta lavdëroja se e kishte gatuar mirë.

Fjalia pasuese e tij: “E natyrisht dolëm tek problemi i marrëdhënieve dhe marrëveshja me Serbinë dhe posacërisht problemi i taksës, problemi i marrëdhënieve me SHBA, problemi i besueshmërisë së disa figurave politike, problemi i rolit të Shqipërisë dhe i udheheqësve të saj si dhe rrugët e zgjidhjes.”

Komunikimin e bëmë në inbox (privat) të FCB-ut. Atë, prandaj, s’po e citoj këtu, por më duhet të them se nuk kemi komunikuar aq gjatë, sa krijohet përshtypje si këto në hyrje të shkrimit e gjatë të tij.

Pason sqarimi tjetër i tij: “Unë ka kohë që jam shkëputur nga problemet e Kosovës. E kam nxjerrë se fundi një libër me këtë temë, por nuk ka fort interes dhe unë nuk merrem me politikë. Megjithatë, ia premtova Ibrahimit se do të bëja një shkrim për këto gjëra, më duhet me e mbajtë fjalën.

Kush i ka përcjellë publikimet e politologut Shenasi dhe debatet e tij në FCB e në televizione të “kazanit”, siç po i diskualifikon Edi Rama mediat elektronike, është bindur se thënia e Shenasiut “unë nuk merrem me politikë” nuk është e saktë. Ndoshta ky ligjërues në fakultetin e “shkencave politike” (Me gjasë, emërtimin “shkenca politike” i pari e ka përdorur Joseph von Sonnenfels, i cili, në shekullin 18, “shkencat politike” i sajoi si disiplinë studimore në Universitetin e Vjenës…) – mendon se angazhim politik është vetëm të qenit udhëheqës partish apo funksionar shtetëror(?!)?

Konstatimi i politologut Shenasi, i vënë edhe si nëntitull, “fati i vendeve të vogla varet nga fuqitë e mëdha”, është tepër spekulativ. Ai konstatim mund t’i kishte hije një poeti, por jo një politologu.

Fati (latinisht: fatum) është, rëndom, emërtim që përmban rrjedhën e rrojtjes së njeriut, që nuk varet nga vendimet dhe angazhimet e njeriut, por nga paracaktimet e “zotave”.
“Fati” (ardhmëria) e vendit të vogël, respektivisht shtetit të vogël, siç dihet, varet shumë nga përcaktimi dhe angazhimi i njerëzve të atij vendi, shteti, por edhe nga fuqitë e mëdha.

Edhe konstatimi i Shenasi, “shtetet e vogla, si Serbia ashtu edhe Kosova janë tërësisht të varura nga vullneti i Fuqive të Mëdha që i mbështesin. Një shtet ekziston sepse një Fuqi e madhe e mbron”, – është i njëjtë me konstatimin për “fatin”.

Nuk duhen shumë mend për të ditur se shumë shtete të “vogla” ekzistojnë, pavarësisht vullnetit dhe mbrojtjes së fuqive të mëdha. Fuqitë e mëdha, si këto të sotmet: Amerika, Kina, Rusia dhe aleatet e tyre, – nuk janë aq të marra e aq monstrume, sa të mos i marrin fare parasysh përcaktimet e shteteve të “vogla”.

Në rastin konkret, të gjitha fuqitë e mëdha, deri në mars 1999, ishin kategorikisht kundër luftës çlirimtare të shqiptarëve dhe kundër çlirimit të Kosovës. Të gjitha e përkrahnin Serbinë neofashiste për ta mbajtur të pushtuar Kosovën. Megjithëkëtë, përcaktimi i “kokëkrisurve” për LIRI A VDEKJE, fatmirësisht e imponoi ndryshimin e përcaktimit të deriatëhershme të “botës perëndimore” (të organizuar ushtarakisht në Aleancën NATO) dhe u kurorëzua me çlirimin e Kosovës, në qershor 1999, dhe me shpalljen e pavarësisë së saj, në shkurt 2008.

Nëse do të ishim skllevër të fatit dhe të vullnetit të fuqive të mëdha, nuk do përcaktoheshim fare për luftë çlirimtare dhe nuk do ta bënim luftën. Kjo do të thotë, nuk do ta impononim ndryshimin e fatit dhe të vullnetit të fuqive të mëdha, në raport me Kosovën dhe me Serbinë, dhe, kështu, do të vazhdonim të ishim edhe sot nën pushtimin e Serbisë.

[2]
Politologu Shenasi Rama (në vazhdim Sh.R.): “kufiri europian midis SHBA-së dhe Rusisë kalon në Merdare dhe në Mitrovicë.

Nuk është e vërtet! Është interesant, përse e bënë këtë konstatim kaq vulgar, politologu Rama. Ndoshta është ndikuar nga spekulimi i Hashim Thaçit, i cili shkëmbimin e territorit me Serbinë, e arsyeton edhe me pazotësinë e Kosovës për të ushtruar pushtet të plotë, në gjithë hapësirën e saj kushtetuese?

Politologut Rama do të duhej t’i kujtohej se cilën marrëveshje ushtarake e kanë firmos NATO-ja dhe Serbia, në qershor 1999, kur kjo e fundit kishte kapitulluar, respektivisht cilët kufij i përmban ajo marrëveshje. Apo, ndoshta, NATO-ja nuk qenkësh në gjendje të mbrojë territorin e saj, sepse Rusia qenkësh aq e fortë, sa të imponojë kufirin në Mitrovicë?!

Druaj se mashtrimi, që gjoja kufiri mes SHBA-së dhe Rusisë na qenkësh në Mitrovicë, është një taktikë e luftës speciale për imponimin e komplotit që Serbia po provon ta imponojë, përmes kuislingut Thaçi dhe ustallarëve, që po prodhojnë frymë disfatiste, për të pranuar si fat (të paracaktuar nga “zotat”) dhe si vullnet të fuqive të mëdha, vendosjen në Mitrovicë të kufirit Kosovë-Serbi! Dhe, prandaj, kufirin në Mitrovicë, duhet ta pranojmë si të mirëqenë, sepse qenkemi të “vegjël” për të kundërshtuar “zotat” dhe fuqitë e mëdha!!!

Politologu Rama, edhe pse është i angazhuar në Universitetin publik të NY, nuk është në gjendje të ofrojë, qoftë edhe vetëm një provë konkrete, për përcaktimin e SHBA-ve që mes saj dhe Rusisë, Mitrovica të jetë si “pikë kufitare”!

Sh.R. konstaton: “Në planin politik, ushtarak e diplomatik, kjo marrëdhënie strategjike që e bën Kosovën shesh beteje me rëndësi strategjike të dorës së parë, kushtëzohet nga dy superfuqitë ushtarake që kanë interesa jetike, që herë përplasen pa u bërë luftë e herë pajtohen pa u pajtuar tërësisht.”

Ky konstatim është hamendësim halucinacionacist. Në Kosovë janë disa sundimtarë vulgarë, të cilët, për ta rritur peshën e tyre politike, Kosovën e prezantojnë si kërthizë politike të botës. Ky interes egoist i tyre është i kuptueshëm, por si mund të kuptohet interesi i politologu Rama, për të propaganduar këtë lajthitje? Ndoshta nga mostrajtimi “shkencor” i kësaj tematike?

Që fuqitë e mëdha synojnë shtrirjen, sa më gjerësisht, të ndikimit të tyre imperialist: politik, ekonomik, ushtarak, etj., vetëkuptohet, por nuk thyhen shtizat e garës mes tyre në Kosovë, sepse ajo është tepër e vogël, si hapësirë, për garën e tyre imperialiste.

Sh.R.: “Një nga këto marrëdhënie paradoksale është ajo midis Serbisë dhe Kosovës, që tashmë është problematizuar edhe më shumë.”

Me këtë formulim, Shenasiu po mundohet të na e mbushë mendjen se “marrëdhënia paradoksale” mes Kosovës dhe Serbisë, na qenkësh problematizuar pikërisht tani, kur Hashim Thaçi e ka dhënë alarmin për cunamin në legenin e tij.

Ky zhurmim, në fakt, është inskenim i Serbisë neofashiste, për ta anashkaluar kushtëzimin e BE-së për anëtarësim e Serbisë në BE (“Marrëveshja për mirëkuptim me Kosovën”, kapitulli 35).

Përmes kuislingëve e marionetave që i ka imponuar në krye të institucioneve të Kosovës, por edhe me përkrahje të serbofilëve rusë, amerikanë e europianë, Serbia po mundohet të zhvatë sa më shumë pasuri nga Kosova (Serbisë nuk i interesojnë shumë hapësirat e djerra, as serbët e Kosovës)…

Ngutjen e Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën, Thaçi dhe hashimët e tjerë po e plasojnë në opinion si – interes jetik dhe historik të Kosovës. Fatkeqësisht!

[3]
Sh.R.: “Si duhet me iu përgjigjë një kombi që ka shtet dhe një parie që e përdor shtetin sipas parimit të Pashiqit “narodo moja, stoko moja” e vetmja zgjidhje është kombi dhe ideja kombëtare por tashmë pykat kanë hyrë thellë dhe jemi të përcarë keq.

Për lexuesit që nuk e njohin serbishten, thënia e ish-kryeministrit serb Nikolla Pashiq, shqipërohet: “Populli im, kafshët e mia”.

Pyetja e Shenasiut është e pasaktë, sepse, siç është dëshmuar tashmë, paria serbe nuk e shpërdor popullin serb si kafshët, por e ka udhëhequr e motivuar për përparim të shpejtë kulturor, ekonomik e shtetëror.

Kurse “përgjigjia e vetme është kombi dhe ideja kombëtare” e politologut Rama, është një slogan që nuk i ka hije një politologu që ligjëron në Universitetin publik të NY, sepse Amerika nuk po bazohet në përcaktimet komb dhe ide kombëtare.

As “përçarja kombëtare”, siç e ka pykuar Shenasiu, nuk është e saktë. Dallimet ideopolitike nuk duhet ngatërruar me përçarjet kombëtare.

Sh.R.: “Me e thjeshtëzue problemin në cështje kohe, për t’u bërë shtet Kosova ka nevojë ose për një zgjidhje të shpejtë e përfundimtare.

Skandaloze! Për Mikun Shenasi, Kosova nuk qenkësh shtet! E vërteta është se Kosova është shtet, pavarësisht se është i brishtë, i pazhvilluar ekonomikisht e me vështirësi të mëdha që, përveç të tjerash, janë edhe pasojë e sundimit gati njëshekullor serb dhe pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Ky prononcim i politologut Rama dhe deklaratat e presidentit Thaçi, ngjajnë si dy pika uji mes tyre. As ky i fundit nuk po lodhet duke zhurmuar se Kosova nuk na qenkësh shtet, prandaj, sipas tij, duhet “marrëveshja finale” me Serbinë për t’u bërë Kosova shtet.

Këto konstatime, s’mund të kuptohen ndryshe, veçse pjesë e luftës komplotiste kundër pavarësisë së Kosovës, ndërkaq, – cila qenkësh “një zgjidhje e shpejtë e përfundimtare”, që e përmend Shenasiu, mund ta kuptojmë nga teksti i tij në vazhdim.

Për t’u bërë Kosova shtet, sipas këtij politologu, “duhet që shqiptarët të shtërngojnë dhëmbët dhe të përgatiten që edhe për do dhjetravjecarë të tjerë, si një komb kompakt, të luftojnë të kapërcejnë pengesat e shumta që do të dalin nga Fuqitë e Mëdha.”

Irrituese! Vërtet irrituese! As edhe diletantët nuk mund të arsyetohen me këtë mendim kaq ogurzi për Kosovën. Por, meqë nuk është i saktë, duhet ta gëlltisim. Edhe ky mendim është një nga therrat, nga krahu i therrave, për të cilat i pata shkruar mikut Shenasi, kur me insistim e urgjencë kërkonte vlerësimin e këtij shkrimi që po e shkokloj. Në fakt, ju pata përgjigjur shkurt e shqip: “Më lehtë do ta kisha me ngrënë një krah me therra, se sa ta lexoj shkrimin deri në fund.”

Parmbrëmë pata menduar se kjo përgjigje ngjan me humorin qortues shkodran. Pastaj, kur Miku Shenasi shfaqi pakënaqësi e hidhërim, deri në bllokim të miqësisë në FCB, u pendova pse nuk isha më me takt.

Përse duhet t’i dalin shtetit të Kosovës “pengesat e shumta nga Fuqitë e Mëdha”?! Dhe jo për kohë të shkurtër, por “edhe për do dhjetravjecarë”, siç thotë Shenasiu! Ky hamendësim i tij është, jo vetëm i pasaktë, por edhe tepër dëshpërues dhe nuk i ka hije një politologu, i cili, nga mëngjesi deri në darkë, nuk lodhet duke propaganduar se SHBA-të janë aleati dhe miku kryesor i popullit shqiptar dhe i Kosovës.

Nuk do mend se SHBA-të janë fuqia numër një në planetin tonë, edhe për shumë vite (nëse nuk vetëshkatërrohen nga mbipesha). Meqë është kështu, të paktën nga kjo superfuqi numër një, nuk duhet të na dalin pengesa, siç ka hamendësuar politologu ynë, Rama. Atëherë pse duhet të brengosemi kaq shumë dhe të alarmohemi?!

Mos ndoshta politologu Rama di diçka tjetër, që nuk e thotë dot. Ta zëmë, se në SHBA, pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, ka ndodhur “thyerje” e madhe, e kobshme: kalimi i miqësisë e përkrahjes së SHBA-ve në anën e Serbisë?

Uroj të mos na ketë ndodhur kjo fatkeqësi!
E, nëse vazhdojmë ta gëzojmë përkrahjen amerikane, nuk duhet të na brengosin shumë pengesat e superfuqive Rusi, Kinë, Indi…

[4]
Politologu Rama vazhdon me konstatime, kryesisht paragjykuese, spekulative e të përçarta, si ky i radhës: “Zgjidhja që kërkon kohë nuk është e pranueshme për shqiptarët e Kosovës sepse don të thotë që të jetohet në rrethim serb, edhe brenda Kosovës me enklava serbe, cka do të jenë një burim i përjetshëm sherri për shumë e shumë vite dhe që shumë lehtë mund t’ia vënë flakën Kosovës.”

Për cilën zgjidhje është fjala? Përse popullata, mbi 95 % shqiptarë etnikë, duhet të ndihet e rrethuar dhe e rrezikuar nga minoritarët serbë, që janë rreth 3 %?! Këtyre pyetjeve shpresoj që do t’u përgjigjet politologu Rama, në kuadër të debatit e polemikave që do të duhej t’i bënim.

Në të njëjtin stil paqartësie është edhe konstatimi vijues i Ramës: “Jemi një vend ku hyn derri dhe ariu si don vetë dhe këtë ariun, që bën si don, duhet edhe me e përshendetë.”
Ndoshta, po të mos ishte shkrim për FCB, Shenasiu do ta formulonte më me përkushtim këtë shkrim, edhe pse afishimet në FCB po lexohen nga më shumë njerëz, se sa ato që po publikohen në gazeta e libra. Po, meqë politologu Rama është, njëkohësisht, ligjërues universitar në Amerikë, autor i disa librave dhe personalitet ideues e organizues i reblimit dhe kthesës ideopolitike, në fillim të dekadës së 90-të, të shekullit të kaluar, sigurisht që ai ka më shumë lexues e tifozë. Prej tij, prandaj, pritet përherë ruajtja e nivelit intelektual.

Sh.R.: “Problemi i shkëmbimit të territorit është I pandashëm nga kompaktësia etnike. Pikërisht kjo është edhe dilema për të cilën nuk po diskutohet si duhet. Me shkëmbye territore pa shkëmbye njerëz është gabimi më I madh që mund të bëhet. Në se nuk mbrrihet kohezioni etnik në zona të caktuara, kurrë nuk do të ketë paqe në Kosovë.”

Politologu Shenasi Rama doli, tashmë, te preokupimi kryesor i tij: “shkëmbimi i territoreve”, i startuar publikisht dhe i imponuar si “çështje”, pothuajse, vetëm nga presidenti Thaçi, meqë ai po i shpërdoron kompetencat që i ka posti i presidentit të shtetit.
Është vështirë të kuptohet nëse ky mendim i Shenasiut, i përçartë si ato pararendëse, është mendim i vetëm i tij, apo tifozëri propagandistike e tij, në favor të Thaçit, meqë formulimet mes tyre kanë aq ngjashmëri.

Unë nuk e kam të qartë, nëse liria e shprehjes së mendimit e mbron edhe mendimin për t’i dhënë pushtuesit territor shtetëror, të kamufluar me trukun “shkëmbim”?
Por, meqë politologu Rama nuk është shtetas i Kosovës, juridiksioni i Kosovës nuk mund t’ia ndalojë mendimin për t’i dhënë Serbisë territor të Kosovës, siç mund t’ua ndalojë shtetasve të Kosovës dhe, sidomos, presidentit të saj.

Vërtet, është anakroni e shekujve pararendës, edhe shprehja e mendimit për shkëmbim të popullsisë, meqë vendlindja dhe vendbanimi nuk janë vetëm pronësi fizike, por edhe pronësi emocionale, tradicionale…; poetët dhe fetarët do të thoshin edhe pronësi shpirtërore.

Mbase shkodrani Shenasi nuk ka përjetime emocionale si të ne shqiptarëve të Kosovës dhe hapësirat gjeografike deri në Nish e Sanxhak, ai s’i përjeton si hapësira etnike, pavarësisht nga fakti se një pjesë e madhe e popullsisë së atyre anëve, pas dëbimit, janë strehuar në Kosovë dhe ende e mbajnë emërtimin përcaktues “muhaxherë” (i huaj / imigrantë).

Secilën pëllëmbë toke të Kosovës që Thaçi, Shenasiu dhe simendimtarët e tyre mendojnë t’ia japin Serbisë, ose ta shkëmbejnë me Serbinë, prandaj, është hapësirë etnike shqiptare, pavarësisht mbipopullimit me serbë, të cilët Serbia i ka vendosur në Kosovë, si kolonistë, kryesisht në mes të dy luftërave botërore.

Tani pason mashtrimi, në dukje, tipik thaçist, por që duhet të jetë mendim i eprorëve të Thaçit, të cilin politologu Rama, këtu, e ka shtruar si mendim të vetin: “Cka përcakton shumëcka është se momenti është i tillë që Fuqitë e Mëdha, për interesat e tyre, duan që të zgjidhet ky problem në një mënyrë të caktuar. Rusia kërkon të vendosë një precedent. Po e arriti këtë, Rusia zgjidh probleme të shumta me fqinjët që kërkon ti shpërbëjë. SHBA kërkon të zgjidhë problemin e marrëdhënieve me një shtet si Serbia që është një shtet shumë problematic dhe që krijon shqetësime të përherëshme në Ballkan.”

As Thaçi, as miku i tij, Shenasiu, nuk kanë asnjë argument konkret, se fuqitë e mëdha “duan që të zgjidhet ky problem në një mënyrë të caktuar”. Për Rusinë dhe Kinën, Kosova është pjesë e Serbisë. Amerika me aleatët e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo është gjendja faktike. Asnjëra nga këto fuqi të mëdha nuk e ka shprehur as idenë, – kërkesë jo se jo, – për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, as për “korrigjim” të kufirit. Vetëm Thaçi e ka shprehur publikisht këtë ide, e cila duhet të jetë ide e sundimtarëve zyrtarë serbë, por që ata vetë, për arsye taktike, nuk e publikojnë.

Presidenti serb Vuçiq, – ndoshta i frymëzuar nga taktika komplotiste Millosheviq-Ibrahim Rugova, – ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare t’i lejojë Vuçiqin dhe Thaçin të arrijnë një marrëveshje dhe që, pastaj, ta njohë atë marrëveshje, pa thënë gjë konkrete për shkëmbim të territoreve. Për këtë kërkesë të Vuçiqit po angazhohet Thaçi, bile me agresivitet, dhe po përpiqet t’i bindë pushtetarët në Vashington, në Bruksel, në Moskë e në kryeqendra të tjera, që të dakordohen me “marrëveshjen” Kosovë-Serbi. Në fakt, tekstin që do ta përpilonin serbët e do ta firmoste Thaçi si president, plëngprishësi Thaçi po e quan “marrëveshje”!!!

Angazhimi i Thaçit, si një detyrim i një kuislingu ndaj eprorëve të tij, është i kuptueshëm, por si të kuptohet angazhimi i politologut shkodran, Shenasi Rama, i cili nuk ka të bëjë vetëm me persiatje intelektuale?!.

[5]
Sh.R.: “Këtu janë në qëndër aleati jetik e strategjik I shqiptarëve si komb, SHBA, që kërkon të zgjidhë këtë problem, me pak mirëkuptim e sakrifica nga shqiptarët dhe nga një këndvështrim I përhapur, armiku jetik, Rusia që sheh një mundësi të artë për të zgjidhur problemet e veta duke zgjeruar edhe Serbinë në Bosnjë, dhe duke i dhënë aleatit të vet mundësi zhvillimi ekonomik nga BE por edhe me pak mirëkuptim nga serbët që të njohin pavarësimin e Kosovës.”

Tashmë politologu Rama e ka konkretizuar fantazitë e tij. Kur injorantët folkloristë e mendojnë Amerikën si një alete jetike dhe strategjike të Kosovës, mund të arsyetohen, por ligjëruesit universitar të politikës e të drejtës ndërkombëtare, nuk i falet një gjë e tillë.
Politologu do të duhej të dinte se aleancat, qofshin ato edhe tepër të thjeshta, definohen me marrëveshje bilaterale apo shumëpalëshe (të shkruara e të nënshkruara nga presidentët). Kosova s’ka marrëveshje të tillë me Amerikën. Shqipëria londineze e ka, qysh kur është pranuar në Alenacën NATO.

Amerika nuk i trajton popujt si kombe, por si shtete, sepse amerikanët nuk kanë kombësi. Në aleancën e saj me Shtetin Shqiptar nuk përfshihet edhe Shteti “Kosovar”.

Është, vërtet, irritues dezinformomi e mashtrimi i Shenasiut: “SHBA, që kërkon të zgjidhë këtë problem, me pak mirëkuptim e sakrifica nga shqiptarët.”

Amerika, siç dihet, e ka njohur Shtetin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe asnjë zyrtar i lartë i saj, nuk ka bërë kërkesë që Kosova t’i japë ndonjë metër katror territor Serbisë. Zyrtarët amerikanë, deri tani, kanë kërkuar që Kosova sovrane dhe Serbia, të negociojnë për një marrëveshje, e cila do të përmbante edhe njohjen reciproke shtetërore ndërmjet tyre. Kaq. Përse, pra, kërkesën e tyre, po e shtrembërojnë Thaçi, dhe tani, edhe politologu Rama, e simendimtarët e tyre?!

Deri në Konferencën e Rambujesë, siç dihet, Amerika ishte pro-serbe, në kuptimin që ishte dakord me sakrifikimin e Kosovës dhe lënien e saj, si pjesë të Serbisë. Këtë qëndrim ajo e pati dëshmuar edhe në Dejton, por edhe me favoret që ia pati ofruar Serbisë, të përmbajtura në tekstin e marrëveshjes së Rambujesë, që duhej ta pranonin “palët”, në përmbyllje të Konferencës së Rambujesë.

Mrekullia ndodhi kur, për shkak të arrogancës nacionalfashiste, Millosheviqi nuk e pranoi Marrëveshjen e Rambujesë dhe refuzimin e tij për nënshkrimin e saj, Amerika e përjetoi si sfidë poshtëruese. Ajo, prandaj, e bëri kthesën e madhe, fatlume për shqiptarët, dhe NATO i bombardoi caqet ushtarake e policore të Serbisë!

Aty e tutje, pa asnjë marrëveshje për ndonjë aleancë, Amerika e pati mbrojtur Kosovën nga agresioni serb dhe e pati përkrahur e njohur edhe pavarësisë e Kosovës. Ajo, të paktën deri tani, nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj zyrtar kundrejt Kosovës, pavarësisht mjegullnajave të përhapura gjithandej nga presidenti Thaçi…

Rusia është “armik jetik”, shkruan politologu Rama, në vend që të thotë armik permanent, apo akoma më shqip: armik i përhershëm.

Rusia, gjatë shekujve 18 e 19 dhe në fillim të shekullit 20, ishte në luftë kundër Perandorisë Otomane, e cili e deklaronte vetveten edhe Kalifat Mysliman. Shqiptarët, në këtë ndërkohë, ishin në fillet e Rilindjes së tyre kombëtare, por, megjithëkëtë, shumica e tyre angazhohej, herë vullnetarisht, herë për hir të Islamit, e më shumë si mercenarë, në luftimet kundër Rusisë, në krah të Prenadorisë Osmane. Është e kuptueshme, prandaj, që Rusia dhe shtetet europiane, atëherë kristiane, nuk i përkrahnin shqiptarët, në shumicë me përkatësi fetare islame. Ndërkaq, Lenini dhe Stalini, si Vilsoni dhe Clintoni, u angazhuan në mbrojtën e shqiptarëve. Lenini pati denoncuar e anuluar marrëveshjen e fshehtë të Londrës (të Rusia cariste dhe shteteve anëtare të Antantës, 26 prill 1915), për zhbërjen e Shqipërisë. Stalini e mbrojti Shqipërinë londineze nga invadimi ushtarak jugo-sllav, në vitin 1948. Dhe, fatkeqësisht, në kuadër të garës së fuqive të mëdha, për zona influence e dominim, Rusisë ende i ka mbetur Serbia, si aleate, në Europën Juglindore. Rusia, prandaj, e përkrah me përkushtim e sakrifica Serbinë.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, mendoj, do të ishte në interes edhe të Rusisë, në mënyrë që këtë pavarësi, pastaj, ta njihte edhe Rusia, për ta shpërdoruar si argument për legalizimin e pushtimit të Krimesë dhe të ndonjë territori të shteteve të tjera.

Mendimi i radhës i politologut Rama: “Është e pashmangshme që me durim do të mund të kalohen situatat dhe të pritet ndonjë moment i volitshëm për përmirësim.”, – më ka lënë shije të mirë, por këtë shije ma prishi mendimi tjetër i tij: “Duke e njohur mirë gjendjen dhe paritë tona këndej e andej kufirit, them se nuk ka shans që të ruajmë unitetin dhe besimin tek paria jonë politike për të zgjidhur këtë problem si duhet në një afat kohor të gjatë. Shumica e parive janë të kapur, të lidhur e të mbaruar. Cdo zgjatje krijon më shumë probleme për ne sepse nuk kemi asnjë parakusht që të mund të shpresojmë për ndonjë sukses përvecse në ndërhyrjen e Zotit.”

Herë pas here kam reaguar me takt në afishimet tjera të Mikut Shenasi, sepse nuk toleronte kritika. Njëherë i pata komentuar: “Fatmirësisht furra e picave nuk di t’i lexojë shkrimet Tua, se do të shndërrohej në frigorifer” (parafrazim). Ndaj atij reagimi ai e pati shprehur hidhërimin e përmasave që nuk do të lejonte më komente kritike të ngjashme.

Në kapitullin “PROBLEMI I SOVRANITETIT”, vetëkuptohet që fjalën e ka për sovranitetin shtetëror të Kosovës, Shenasiu shkruan: “Kur iu kam pase shkruar e thënë figurave politike të Kosovës, që nga para Rambuje-së e më pas, rregullisht dhe sa herë më është dhënë rasti se po marrin pushtet pa shtet, më kanë parë shtrembët dhe mi kanë mbyllë dyert e veshët.”

Pra, qysh në krye të herave, Rama e paska kontestuar Shtetin e Kosovës. Megjithatë, Shteti i Kosovës ekziston, pavarësisht nga kontestimi i tij dhe komplotet e Hashimit dhe hashimëve të tjerë!

Sovranitetin shtetëror të Kosovës, Shenasiu e mohon plotësisht në fjalinë pasuese: “Por e vërteta është se pavarësisht “shpalljes së pavarësisë” e shkruarjes së deklaratave të shkruara me gjak e me shumë romantizëm, realiteti është se Kosova nuk ka sovranitet.”
Fatkeqësisht, nuk kam intuitë aq të zhvilluar, sa të lexoj në mendjen e mikut Shenasi, se a e definon ai sovranitetin shtetëror, më konkretisht se sa në këtë sqarim: “E nuk është Kosova vetëm; në këtë botë ka shumë pak shtete që kanë sovranitet.”

Po atëherë, meqë në “botë” paskësh fare pak shtete me sovranitet të plotë, përse nuk i mjaftuaka kaq sovranitet sa e ka edhe Kosovës!? Nëse shtetet aq të emancipuara e aq të konsoliduara, si Anglia, Franca e Gjermania, kanë rrudhur sovranitetin e tyre nacional e shtetëror, në kuadër të BE-së dhe të NATO-s, përse të mos mjaftohemi edhe ne, shqiptarët, me sovranitet të kufizuar shtetëror të Kosovës – për hir të monitorimit nga shtetet që na kanë ndihmuar të çlirohemi e ta shpallim Pavarësinë e Kosovës (pa thonjëza)?!

Vetëm bukëpërmbysësit e plëngprishësit, por edhe mosmirënjohësit, mund të ankohen kundër fitoreve tona kaq të mëdha! Nuk është racionale të mbisundohemi nga dëshirat. Duhet të jemi të vetëdijshëm edhe për mundësitë dhe rrethanat. Sovranitet absolut nuk kanë as SHBA-ja, Rusia, Kina apo Izraeli, sidomos ky i fundit, siç i ka përmendur politologu Rama.

[6]
Sh.R.: “Indirekt, sovraniteti në Kosovë ushtrohet nga Fuqitë e Mëdha. Paria politike e shqiptarëve, pra, Kadri Veseli, Hashim Thaci, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Albin Kurti, Shpend Ahmetaj, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Nexhat Daci e me radhë ka legjitimitet në popull por jo aq fuqi sa me iu dalë kundër interesave të fuqive të mëdha. Këtë keni dashtë, kaq keni marrë sepse nuk keni dashtë me ba atë që duhet kur I keni pasë mundësitë.”
Ky konstatim është pjesërisht i saktë, megjithëqë formulimi i tij nuk përkon aspak me gradën akademike të politologut Rama: Doktor i shkencave politike.

Meqë këtu janë apostrofuar disa veta, le të shpresojmë se ata vetë do të reagojnë, sepse nuk është praktikë e mirë të simulojnë indiferentët e fortë, që injorojnë edhe mendimet, si ky i politologut Shenasi Rama, ish-këshilltar i “delegacionit” të UÇK-së, në Konferencën e Rambujesë.

Mbase nuk duhet të kapërcehet pa thënë se as fuqitë e mëdha nuk janë duke ushtruar sovranitet të plotë, ose nuk po vërehet se cilin sovranitet po e ushtrojnë ato, sidomos Kina.
Si argument të sovranitet të cunguar të Kosovës, politologu Rama e përmend “marrëveshjen Ahtisari”, duke harruar, kështu, se në vetë “Pakon Ahtisari”, ishte afatizuar monitorimi 5-vjeçar i sovranitetit të Kosovës.

Pastaj, Shenasiu nuk ka hezituar të sjellë edhe një argument tjetër, tash “më të fort”, të sovranitetit të cunguar të Kosovës. Sipas tij, “Kosova e ka sovranitetin e kufizuar shumë edhe pse nuk ka unitet në parinë e Prishtinës ku ka përcarje të mëdha e rivalitet në zona feudale, në ndarjen fshat-qytet, në përcarjen midis fraksioneve që i kanë shërbyer si Krajlit, Titas ashtu edhe Sllobodanit, ashtu të tjerëve dhe atyre, të themi të brezit të 1981 apo para tyre të lecitunve.”

Dr. Shenasi Rama i ka ngatërruar, tashmë, lisat me fshesat, sepse sovranitetin shtetëror nuk e cenojnë garat, grindjet e përçarjet partiake e personale. Edhe në Amerikë dhe në shtete të tjera të konsoliduara, ku zbatohet demokracia pluri-partiake, janë të pranishme garat, grindjet dhe përçarjet mes partive.

Sh.R.: “Shkurt e shqip, ka ardhë koha me marrë një vendim, që e kërkon një Fuqi e Madhe sepse pavarësinë e ke prej saj, sigurinë për të tashmen e të ardhmen e ke prej saj, dhe është jetike për të që të zgjidhet ky problem në këtë mënyrë. Kjo është logjika e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk ka njeri që mundet me e ndërrue në Kosovë.

Ky spekulim është për keqardhje. As shkurt, as shqip Amerika nuk ka kërkua nga Kosova “me marrë një vendim”. Amerika ka sugjeruar që Kosova dhe Serbia të bëjnë marrëveshje, e cila përmban edhe njohjen respektive shtetërore ndërmjet tyre. Pra, të dy presidentëve (serb dhe kosovar) presidenti Trump iu ka shkruar, pothuajse, njësoj dy letra që janë përditshmëri kurtuazie në shkëmbim letrash, pa ndonjë ingerencë juridike e politike, shtetërore.

Mendimi i Shenasiut, “është jetike për të që të zgjidhet ky problem në këtë mënyrë” është hiç-thënës, sepse ai, deri tani, nuk ka prezantuar cila qenkësh kjo “mënyrë”. Paraqitja e këtyre shtjellimeve, si logjikë në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk përkon me nivelin që parakupton kualifikimi akademik – Doktor i shkencave politike.

Në përmbyllje të këtij kapitulli, Shenasiu shkruan: “Nuk ka shans që me ikë SHBA nga Kosova. Nuk mundet kush me e lejue Kosovën me krijue probleme që mudn të cojnë në luftë të tretë botërore. Zor që ndërrimi I ndonjë administrate mudn të cojë në ndërrim të politikë. Prandaj duhen parë mirë zgjidhjet e mundshme.”

Në vend të komentit, mjafton të shprehet një keqardhje e madhe për këso formulimesh të përçarta e spekulative, të Doktorit të shkencave politike, Shenasi Rama. Dhe, për të kuptuar nivelin e ngritjes profesionale të Shenasiut, mjafon kjo pyetje: nëse zgjedhjet, qoftë edhe në Amerikë, nuk i ndërrojnë politikat e një shteti, atëherë pse duhet të mbahen zgjedhjet?!

[7]
Në kapitullin e radhës, “NË LIDHJE ME BISEDIMET”, Shenasiu shkruan: “Për aq sa di unë, dhe unë vetë një kohë kam kenë pjesë e bisedimeve, problemi I shkëmbimit të territoreve ka qënë gjithmonë prezent si temë.”

Miku Shenasi do të duhej të na informonte konkretisht, kur dhe në cilin delegacion ishte pjesëmarrës në bisedime me Serbinë? Në Rambuje, ai deklarohej se ishte këshilltar i “delegacionit” të UÇK-së, por ai nuk ka asnjë provë konkrete, që ishte këshilltar. Ta zëmë, një vendim, – kush, kur, e ka caktuar këshilltar, a kishte ndonjë kontratë përkatëse, kush ia ka mbuluar shpenzimet për ardhje nga Amerika në Rambuje dhe për qëndrim aty, etj.?

Shenasiun e kam takuar dy-tre herë në Rambuje, – bile paksa anash, sepse kisha përshtypjen se nuk donte ta shihnin të tjerët në takim me mua, – por kam qenë i rezervuar ndaj tij, sepse dyshoja në vetë krerët e “delegacionit” të UÇK-së, si marioneta të shërbimeve sekrete armiqësore.

Në Rambuje kishim marrë me qira shumë dhoma hoteli, për t’i strehuar veprimtarët e UÇK-së, të ngarkuar me detyra gjatë Konferencës, por strehonim edhe këshilltarë, përkthyes e gazetarë.

Shenasiu, si këshilltar i “delegacionit” të UÇK-s, nuk ka kërkuar strehim prej nesh. Do të ishte me interes që ai, Sokol Bare, ish-drejtor i policisë së Shqipërisë dhe ndonjë këshilltar tjetër, të rrëfenin konkretisht se si dhe çka e kanë këshilluar atë “delegacion”, kur me të nuk kishin mundësi të kontaktonin as fizikisht, e ishin të ndaluara edhe komunikimet telefonike, pos rasteve kur merreshin leje speciale.

Deri tani nuk më ka rastisur të informohem për ndonjë kërkesë zyrtare të delegacionit serb për shkëmbim të territoreve (zhurmimet mediatike nuk mund të merren si kërkesa zyrtare), ndërsa Thaçi ka deklaruar se ai vetë, tani për herë të parë, ka kërkuar bashkimin e Preshevës, të Medvegjës e të Bujanocit, me Kosovën.

Pra, nëse Thaçi, “eprori” i Shenasiut, nuk paskësh bërë asnjëherë kërkesë zyrtare, as si kryeministër, as si ministër i jashtëm, për shkëmbime territoresh, nuk mund të besohet se ndonjë delegacion tjetër, pjesë e të cilit paskësh qenë Shnasiu, paskësh kërkuar shkëmbime territoriale me Serbinë.

“Dekorimet”, në vazhdim, nuk po i komentoj, përderisa nuk kam prova se cili delegacion i Kosovës, ku dhe kur ka bërë kërkesa zyrtare për shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

Është për keqardhje edhe gënjeshtra ordinere e politologut Shenasi, sipas të cilit: “Argumenti i serbëve është se Leposaviqi iu shtue Kosovës nga Tita e Rankoviqi për të përmirësuar balancat etnike në Kosovë, në vitin 1953, e mandej në vitin 1956 u konsolidua.”

Ky nuk është argument i serbëve, sepse ata janë më seriozë. Kjo është shpifje e Hashimit dhe e hashimëve të tjerë. Më 26 korrik 2018, Hivzi Islami, ish-kryetari i ASHA të Kosovës dhe demografi i kualifikuar, i lindur në Letincë të Bujanovcit, bashkë më dr. Arsim Ejupin, patën reaguar kundër kësaj shpifjeje të presidentit Thaçi. Sipas tyre, as Leposaviqi nuk i është bashkuar KSA të Kosovës, as Presheva nuk i është dhënë Serbisë nga KSA e Kosovës. Uroj që Shenasiu ta lexojë atë reagim dhe ta korrigjojë lajthitjen e tij, të bazuar në besimin e bazuar në gënjeshtrën e “eprorit” të tij, Hashimit.**

Kufijtë e “natyrshëm”, sipas spekulimeve të Shënasiut, ndoshta të imituara nga pseudohistoriani Hashim Thaçi, që paskësh pas Kosova në vitin 1912, nuk ia vlen as të citohen, as të komentohen.

Këtë kapitull, politologi ynë e mbyll me këtë konstatim: “Një bazë e marrëveshjes është kthimi në natyralitetin gjeografik të Kosovës. Në gjendjen ku jemi më vdekjeprurëse do të jetë prania e enklavave të organizuara si Zajednicë se sa kthimi në natyralitetin gjeografik të Kosovës të përcaktuar në bazë të parimit etnik.

Është e pa kuptueshme, se si mund të bëhet një spekulim i tillë, duke dezinformuar, sikur paskësh marrëveshje që e përmban “natyralitetin gjeografik i Kosovës”! Fantazi jo vetëm mashtruese e destruktive!

[8]
Në kapitullin “POLITIKA E TIRANËS DHE KOSOVA”, politologu Rama do të duhej të ishte më konstruktiv, meqë ka informacione më konkrete për politikën e Tiranës.

“Paria e Tiranës nuk ka shumë dashuri për Kosovën as si shtet, as si trevë themelore kombëtare shqiptare.”, shkruan Shenasiu në fillim të këtij kapitulli.

Emërtimin “pari”, Shenasiu duhet ta ketë huazuar nga Malësia e Madhe. Por atje emërtimi “pari” kishte kuptim pozitiv, sepse përfshinte të parët e fiseve të krahinës. Me ngjan, ky po e përdor gabimisht, në kuptimin pezhorativ, në vend të emërtimit “bandë”, që e përfshin gjithë nomenklaturën politike të vendit.

Konstatimi i Shenasiut se paria e Tiranës nuk ka shumë dashuri për Kosovën është spekulim, pa mbështetje në ndonjë anketë apo në ndonjë të dhënë empirike. Megjithëkëtë, ajo pari nuk ka nevojë ta dojë shumë Kosovën. Mjafton që ajo ta dojë Kosovën, ta zëmë, sa e do Krahinën e Labërisë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për konstatimin tjetër të Shenasiut: “Edi Rama po kërkon me mjelë këtë process politik dhe po e bën këtë me zgjuarësi. Sali Berisha gjithashtu”.

Konstatimi tjetër i Ramës, se “nga Tirana, Kosova, me dy milionë shqiptarë, kombëtaristë, deri në ekstrem, atdhetarë dhe patriotë është një kërcënim për vdekje. Sepse është vetëm cështje kohe para se kombëtarizmi i Kosovës të infektojë Gegninë dhe të shtrihet deri në Tiranë duke e ndrruar përfundimisht rrjedhën e politikës anti-shqiptare të Tiranës”, – përveç që s’është i vërtetë, ai është edhe me sherr të madh në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.

E para, Kosova nuk i ka as dy milionë banorë, me të gjitha komunitetet pakicë, se le më dy milionë “kombëtaristë, deri në ekstrem”, dhe këta dy milionë, që s’ekzistojnë, prandaj, s’kanë as si ta “infektojnë” Gegninë, që, e dyta, sipas tij, po u shtrika vetëm deri në Tiranë; Ndoshta Shenasiu nuk po e ditka se kufiri etnografik në mes të Gegërisë dhe Toskërisë është Lumi Shkumbin?! Uroj ta kupton njëherë e mirë edhe Miku Shenasi, se ne gegët e Kosovës nuk e kemi as si ide për të imponuar politikë patriotike as deri në Tiranë, as gjithë Gegnisë (edhe Shkodrës). Këtë hile primitive e plasonin ustallarët e luftës speciale të shërbimeve serbe…

Pastaj broçkulla tjetër e Shenasiut: “…duhej të ishte shtet shqiptar e që nuk është aspak shtet shqiptar por I kontrolluar nga pakicat, serbët, grekët e dreqi dhe i biri”, – është aq e qartë sa s’ka nevojë as për koment.

[9]
Në kapitullin “PROBLEMI NDËRSHQIPTAR NË PRISHTINË”, Shenasiu shkruan: “Ka një ndarje që mbetet e mprehtë në politikën e Prishtinës në mes të veglave të vjetra të Serbisë, të veglave të të huajve dhe nga ana tjetër, të pasardhësve të lecitunve, të brezit 1981 e të UCK.”

Si politolog, Shenasiut nuk i ka hije tjetërsimi i njerëzve në “vegla”, sepse ky cilësim është nënçmues për ata njerëz, por si shqiptar, i ka hije edhe Shenasiut dhe është njëlloj diskreditimi metaforik.

Në grupimet e njerëzve të angazhuar në politikën operative në Prishtinë, disa janë titistë, tashmë pleq, dhe pinjollët e nomenklaturës së atëhershme titiste, disa marioneta të Millosheviqit me argatët e tifozët e tyre, disa ish-të burgosur politikë dhe familjarët e tyre, që Shenasiu i quan “të leçitur” (izoluar) dhe disa ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Por, përvijimi tashmë nuk është aq skematik. Ta zëmë, janë shumë marioneta të shërbimeve të Serbisë dhe shërbimeve të huaja, që janë bashkuar, për ta rritur ndikimin dhe sundimin e tyre në shoqëri. Si shembull mund të përmendet Baton Haxhiu, që përjargavët shpesh me prezantimet se është shok me Hashim Thaçin…

Fjalia pasuese e Shenasiut: “Pra, edhe tehu I sulmit të të gjithë këtyre, dhe I veglave të vjetra që kanë dalë nga vrimat në Prishtinë dhe shihen gjithkund në media duke sulmuar gjithkënd, kinse si atdhetarë të papërlyer është me krahun e luftës dhe të UCK”, – është formulim goxha i ngatërruar.

Duke pasur parasysh sistemimin, në fjalinë pararendëse, tani po na del se të gjithë na qenkëshin kundër “krahut të luftës dhe të UCK”, por, meqë “krahu i luftës” e ka brenda edhe UÇK-në, do të mjaftonte ta përmendte vetëm atë, pra vetëm UÇK-në. Nuk jam i mendimit se edhe ish-të burgosurit politikë dhe familjarët e tyre janë kundër “krahut të luftës”. Bile edhe shumë titistë e pinjollë të titistëve nuk janë kundër “krahut të luftës”. Kundër këtij krahu, siç dihet, janë marionetat e shërbimeve sekrete të Serbisë dhe tifozët e tyre.

Ka gjasa që kritikat, sulmet dhe diskreditimet që iu bëhen disa individëve, të cilët prezantohen si ish-udhëheqës e ish-komandantë të UÇK-së, Shenasiu i identifikon me sulme ndaj UÇK-së. Individë të tillë, më tipikë, janë Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, – këshilltar i të cilëve paskësh qenë Shenasiu, – të cilët kanë qenë sabotuesit e komplotistët më goditës ndaj UÇK-së.

Shpresoj që edhe Shenasiu do ta kuptojë se kritikat e diskreditimet që po iu bëhen këtyre komplotistëve, nuk janë domosdo edhe sulme ndaj UÇK-së. Përndryshe, do të duhej të më kategorizonte edhe mua, në grupimin e kundërshtarëve të UÇK-së.

[10]
Janë tifozëri vlerësimet konkrete të Shenasiu për “sundimtarët” e Kosovës. Sipas tij: “Ramushi e ka tregue veten burrë shteti dhe meriton respekt për aq sa ka ba, anipse në pika të ndryshme mund të ishte sjellë më me finesë. Hashim Thaci, si thonte Baci Adem, “është më dinaku që kemi” dhe po sillet me shumë mencuri e inteligjencë.”

Vetë kjo tifozëri dëshmon se “sundimtarët” e Kosovës Shenasiu nuk i ka vlerësuar si politolog, as analist i paanshëm e neutral, as si “dr.” e ligjërues universitar në Amerikë, por si tifoz i zellshëm i tyre.

Politologu Rama më tutje shkruan: “Natyrisht nuk është mirë që politika shqiptare e Prishtinës është shumë e përcarë sepse kjo nuk lejon të merren vendimet që duhen”.
Natyrisht, mirë e ka edhe Shenasiu, por do ta kishte edhe më mirë nëse ai do të tregonte konkretisht, si dhe përse është e përçarë politika shqiptare e Prishtinës.

Në shtetet që praktikohet demokracia, ata që marrin vendime politike votohen. Edhe në Kosovë kemi Kuvend, që e ka votuar qeverinë. Bazë e koalicionit qeverisës, në dukje, është “krahu i luftës”, i përkrahur edhe nga dhjetë parlamentarët e “listës srpska” dhe dhjetë parlamentarët e minoritetve të tjera. Nëse qeveria nuk merr vendime të duhura, kush e ka përgjegjësinë? Opozita, që nuk po e përkrah qeverinë?!

Është interesant edhe vlerësimi pozitiv që i bën politologu Shenasi Rama, “përçarjes” së “politikës shqiptare” në Prishtinë, një fjalinë pasuese: “Ama, kjo ka qënë një taktikë që ka funksionuar sepse nuk është lejuar kush që të dalë e të marrë vendime që mund të kishin qënë shumë të dëmshme për Kosovën”.

Duket se këtu miku Shenasi e ka fjalën për “turbulencat” anarshiste që manifestoheshin në Kuvendin e Kosovës, në mandatin pararendës, kur kundërshtohej votimi për miratimin e marrëveshjes me Malin e Zi, për demarkimin e kufirit.

Pastaj, në vijim, ai shkruan: “Dhe me gjasë, kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Por, në këtë rast, SHBA kërkon të hiqet taksa dhe kjo taktikë, në këtë rast, nuk ka funksionuar”.
Shenasiu duhet ta ketë menduar përçarjen, si taktikë të mirë, për të penguar vendimmarrjet e dëmshme, por, vendimmarrja për taksën 100 % ndaj prodhimeve serbe, atij nuk i ka pëlqyer. Ndoshta vetëm sepse disa sundimtarë amerikanë po e kundërshtojnë.

Si alternativë të taksës, Shenasiu parapëlqen një veprim tjetërfare, që e ka prezantuar të mjegulluar: “E kështu mund të pezullohet taksa, ndërkohë që mund të gjenden zgjidhje të tjera që tregojnë vullnet të mirë por që qëllimin e arrijnë njëlloj.

Pra, ai preferon bojkotin e konsumatorëve, për shkak se sundimtarët e shtetit që ia jep rrogën Shenasiut, janë kundër taksës që ka vendosur qeveria e Kosovës. Unë do ta ritheksoja, shkurt e shqip: fatkeqësisht ky vendim për taksim 100 % të prodhimeve serbe është i vonuar, meqë është dashur të vendoset bashkë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Po të vendosej qysh atëherë, Serbia do të ishte më e përmbajtur, më racionale në bisedime me Kosovën dhe në zbatimin e marrëveshjeve, për hir të interesit të tregut të Kosovës.

Sh.R. shkruan: “Le të mos mendojë njeri se të huajt nuk e dinë se sa e papranueshme është një marrëveshje me Serbinë për shqiptarët.”

A janë “të huajt” kaq homogjenë, sa i kategorizon politologu Rama? Për shqiptarët, në përgjegjësi, sidomos për shqiptarët e Kosovës, nuk është me interes një çfarëdo “marrëveshje” me Serbinë, por marrëveshja për njohjet reciproke shtetërore, që do ta miratonin Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi Serbisë.

Pra, shqiptarët nuk janë kundër marrëveshjeve, që bëhen në mes të përfaqësive ligjore, por janë kundër “një marrëveshjeje” që po duan të na e kontrabandojnë e imponojnë Serbia dhe kuislingët, marionetat e miqtë e saj!

Sh.R.: “Edhe Hashimi, Ramushi, Kadria, dhe të tjetër e dinë se nuk munden me e dënue veten me vdekje se në një anë kanë Gjykatën Speciale e në anën tjetër kanë Marrëveshjen. Por duhet me ua shpjegue njerëzve se cili është cmimi dhe pse po duhet me u ba, anipse duhet punue me shpresë se munden me marrë ma shumë se po u jepet në këtë pikë.”

Si duket, në këtë qëndrim Shenasiu e ka harruar krejtësisht profesionin e politologut, me të cilin prezantohet. Ky qëndrim i tij ngjan më shumë me qëndrimet politike të liderucëve politikë në Prishtinë e në Tiranë.

E para, Dr. Shenasi Ramës nuk i ka hije t’i tjetërsojë “Dhomat e Specializuara”, në “Gjykatë Speciale” (me germa të mëdha në fillim). Ai, të paktën, do të duhej ta ofronte edhe emërtimin zyrtar të saj. Pastaj, në Europë nuk ekzistojnë gjykata që japin dënim me vdekje, por Shenasiu e ka fjalën, sigurisht, për vdekje politike të sundimtarëve, që i ka përmendur me emra.

Ndërsa emërtimin e marrëveshjes, që shpresojmë se do të arrihet, Shenasiu nuk është dashur ta prezantojë si “Marrëveshje” (me germë të madhe, sepse ende nuk është miratuar). Bile asnjë zyrtar kompetent, deri tani, nuk i ka “vizatuar” e prezantuar as konturat, që rëndom propozohen nga palët apo ndërmjetësuesit, në prag të fillimit të bisedimeve. Ndërsa “çmimin” që e ka përmendur Shenasiu, që u dashka ta paguajmë, duket se është plagjiaturë, meqë ngjan të jetë në frymën dhe në stilin e Hashim Thaçit!

[11]
Në kapitullin “NJË PROBLEM I ZGJIDHSHËM POLITIK: TARIFA 100% MBI IMPORTET NGA SERBIA”, Rama e ka paralajmëruar edhe zgjidhjen për “problemin” 100 % taksë, për prodhimet serbe.

Taksa 100% për prodhimet serbe është një pengesë e madhe për bisedimet”, shkruan ai në fjalinë e parë të këtij kapitulli.

Po, është pengesë, por për ke? Taksa nuk është pengesë për të gjithë, siç e ka përgjithësuar Shenasiu. Është “pengesë e madhe” vetëm për Serbinë, për kuislingët, marionetat dhe miqtë politikë të Serbisë! Për mua, ta zëmë, është taksë e vonuar. E pata shkruar edhe më herët se është dashur të vendoset qysh kur e kemi bërë Kosovën Shtet.

Kjo tarifë ishte qartazi një mjet politik nga qeveria e Kosovës për të frenuar dikë si Presidenti Thaçi”, shkruan Shenasiu(!).

Tashmë është e qartë se Shenasiu nuk na qenkësh tifoz i “krahut të luftës”, por i Hashimit! Është fatkeqësi që një politolog, ligjërues universitar në Amerikë, shpërfaqet në hashimist!
Taktika e tij, se na ka ofruar një shqyrtim intelektual, është ofenduese, sepse na ka nënvlerësuar për injorantë, që nuk e identifikojmë dot shpërfaqjen e tij si hashimist!

Dhe, për të mbetur mirë me të gjithë sundimtarët e Kosovës, pavarësisht nga pozitat e tyre të kundërta, në raport me taksën, Shenasiu e përdor dyzimin ose taktikën edhe… edhe(!): “Në një anë kjo ka treguar shumë karakter nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj që është për t’u përgëzuar që nuk ka hequr dorë”? (…) Të gjitha shenjat që po jepen janë se kjo marrëveshje është me peshë e me rëndësi dhe kërkon zgjidhjen, jo sic e duan shqiptarët, jo sic e duan serbët, por sic e duan fuqitë e mëdha. Putini shkoi deri në Beograd me ndikue në zgjidhjen. Presidenti Trump dërgoi letër. Jo një, por dy letra. Dhe pati një seri masash e sanksione që janë tregues I qartë se sa e rëndësishme është kjo marrëveshje. Tani nuk duhet me të rrufeja në kokë që me e kuptue se është moti i keq.”

Nuk besoj që kam gabuar, kur me humor, ndoshta shkodran, në një komentim publik, i kam shkruar Mikut Shenasi: “Mirë që furra e picës nuk di t’i lexojë shkrimet Tua, përndryshe do shndërrohej në frigorifer”.

Me këtë pështjellim që citova, Shenasiu ka sajuar bubullimë në qiell të kthjellët, apo cunami në gotë. Serbia as miqtë e saj nuk duan, për momentin, marrëveshje për njohjen shtetërore të Kosovës nga ana e Serbisë. Serbia do vetëm zhurmë, për të arsyetuar anashkalimin që i ka vënë BE-ja, në kapitullin 35, të kushteve për anëtarësim në BE. Dhe për këtë qëllim ajo i ka angazhuar kuislingët, marionetat dhe miqtë e saj. Kaq!

Për këtë do të bindemi, kur Këshilli i BE-së të ketë marrë qëndrim për dakordimin me anashkalimin e kushtëzimit të kapitullit 35, me arsyetimin se “Kosova ka pretendime territoriale ndaj Serbisë”, duke pamundësuar, kështu, arritjen e “marrëveshjes për mirëkuptim ndërmjet Kosovës e Serbisë”, siç është konkretizuar në kushtëzimin e kapitullit 35.

Të improvizojmë për një moment sundimtarët e Serbisë, për të kuptuar se ata e duan gjithë Shtetin e Kosovës, si neokoloni, siç e kishin nga shkurti 2008 deri tani, dhe jo vetëm ndonjë copë territori pa ndonjë vlerë, siç po trumbetojnë ca hashimistë dhe ca patriotë njëdimenzio¬nalë, si edhe Miku Shenasi, të cilët, si me qenë pjesëtarë të të njëjtit kor, po zhurmojnë për “shkëmbim të territoreve etnike”!

Sh.R.: “Zgjidhja që do të propozoja, krejt si një njeri që nuk ka asnjë interes në këtë punë, është që të ndiqet rekomandimi dhe kërkesa e SHBA për të pezulluar përkohësisht, jodefinitivisht, pa e hequr taksën. Kështu tregohet respekti i duhur për mbështetësin stregjik dhe zgjidhet një problem i panevojshëm që po përdoret me shumë efektivitet nga serbët. Hiqet edhe një pengesë për bisedimet e pashmangshme.

Mashtrimi me bisht i Shenasiut: “krejt si një njeri që nuk ka asnjë interes në këtë punë”, ka për qëllim për ta imponuar si neutral, propozimin e tij për pezullimin e taksës. Po cili shqiptar, duke përfshirë këtu edhe Mikun Rama, nuk ka interes në këtë çështje kombëtare, kaq serioze!?

Përse Shenasiu, si Hashimi e hashimistët e tjerë dhe miqtë e Serbisë, po i propagandojnë kaq kategorikisht “bisedimet e pashmangshme” me Serbinë? Përse qenkan të pashmangshme bisedimet për marrëveshje me Serbinë, pikërisht tani?

Natyrisht, sepse këto bisedime po i duhet urgjentisht Serbisë, për interesin financiar të saj nga BE-ja.

Interesi i Kosovës është të shprehë përherë gatishmëri për marrëveshjen kapitale me Serbinë, por me kushtëzimin e njohjes reciproke shtetërore, që të barazohemi, si palë, në bisedime. “Fizkulturat” e tjera nuk janë në dobi të Kosovës, por vetëm të Serbisë.

Kosova dhe Shqipëria kanë bërë marrëveshje për energjetikë, por ato ende nuk po kanë guxim të lëshojnë as largpërçuesin elektrik Kukës-Prizren, të ngritur me ndihma gjermane. Kjo është një dëshmi se edhe ajo “marrëveshje” ishte një “fizkulturë” e Serbisë, duke shpërdoruar kuislingët, marionetat e miqtë e saj, në Prishtinë e në Bruksel, për të krijuar përshtypje mashtruese, se ajo është e gatshme për bisedime për marrëveshje…

[12]
Në kapitullin “CFARË MARRËVESHJE MUND TË BËHET”, Rama as e diskuton marrëveshjen me Serbinë, por, sipas tij, çështja është se çfarë marrëveshje do të jetë ajo?

Kina si “superfuqi” dhe Tajvani si “milingonë”, nuk kanë marrëveshje për njohje reciproke shtetërore, por kjo nuk e ka penguar Tajvanin të jetë shumë më i zhvilluar e më demokratik se sa Kina. Secili kinez i informuar, do të parapëlqente Taivanin për jetesë…

Miku Shenasi po spekulon, sikur të ekzistonte marrëveshja: “është mirë që të shkohet tek shqiptarët dhe të parashtrohen e sqarohen pika të vështira e të paqarta të marrëveshjes (…) Direct ose indirect duhet me dalë dhe me ia shpjegue popullit se cfarë është në tavolinë dhe për cka është dakordësuar.”(!), shkruan Rama, por ai nuk tregon për cilën marrëveshje e ka fjalën?

Asnjëra palë, as ndërmjetësuesit, deri tash, nuk kanë njoftuar për ndonjë tekst të marrëveshjes. Bile, sipas tyre, as që është biseduar për ndonjë çështje konkrete. Pra, të gjitha janë vetëm “fizkultura”, që po i duhen Serbisë për të simuluar gatishmërinë e saj për marrëveshje me Kosovën, që ta kamuflon përcaktimin kushtetues të saj – Kosova si pjesë e Serbisë.

Kjo marrveshjemani është bërë, tashmë, si një lloj tërbimi kolektiv(!).

“Sepse në fund të fundit kanë ardhë letrat dhe presidentët presin nënshkrimin.” Këtë sihariq, që s’e ka dhënë as kuislingu Hashim Thaçi, ngutet ta publikojë Shenasi Rama(!), por ai nuk tregon cilët presidentë po e presin nënshkrimin e marrëveshjes.

Por Shenasiu shkon edhe më larg me profecitë e tij: “KA me pasë problem për emër; Serbët kanë me dashtë me e quajtë Kosova I Metohija dhe me Metohi kanë nënkuptue Zajednicën dhe me evokue manastiret dhe qendrat e tyre. OKB mundet me e quajtë Kosovo e me radhë.”

Edhe ky spekulim i politologut Rama është nën çdo dinjitet. Me fantazinë e tij, ai po e dika edhe se si do të manovrojë OKB-ja, e cila e paskësh të gatshëm anëtarësimin e Kosovës, por do të ketë “kusuritje” vetëm për emërtimin(!).

Shenasiu nuk paska informacion as për emërimin e kahmotshëm serb “Metohija” për Dukagjinin, që buron nga gjuha liturgjike e Kishës serbe, dhe do të thotë pronë kishtare.

Sh.R.: “E sa për me thanë, nëse Kosova merr, të themi 50% të të ardhurave të Trepcës, nuk është pa peshë. Dikur thuhej “Trepca radi, Beograd se gradi” pra, në Kosovë nuk hynte asgjë, dhe pesë miliardë dollarë në vit shkonin në Beograd… prapë mbërriti Kosova me mbijetue deri që nisën me ardhë fondet e federatës, që ishin … paratë e Trepcës. (…) Ka shumë gjëra të pakëndshme që do të dalin me marrëveshjen, kjo është e pritshme, por për mua më të rëndësishme janë disa kushte që nuk po i përmend njeri si për shembull, me ua kthye 1000 hektarët e tokës shqiptarëve në Pejë, që i morën francezët me dhunë dhe tokat e tjera të sekuestruara që u përdorën me u dhanë hapësirë objekteve të kultit se sa kombinati në Mitrovicë. (…) Po u bë shkëmbim territoresh, atëherë të ketë edhe shkembim popullate. Le të vijnë shqiptarët nga disa nga fshatrat mbi-Ibrit ku jemi pakicë e papërfillshme, e që nuk na i jep njeri, e po humbnim e të ndërrohen me serbët në Kosovë në fshatra si Davidovci apo nga krahu I Kamenicës e Gjilanit për shembull. Le ta ketë Gracanica statusin e ekstraterritorialitetit, por me nje numër të kufizuar banorësh dhe me kusht që kishtarët drejtues të jenë vendas në Kosovë e me radhë. (…) Do të ketë zona e qytete nën administrimin e huaj, të UNMIK, për shembull, por gjithmonë ka rrugë e mënyra për të punuar si duhet e për të avancuar interesat e palëve.

Shenasi Rama, tashmë, po e luan rolin e fallxhiut dhe është thelluar në “leximin” e filxhanit të kafesë. Në vend të komentimit të spekulimeve të tij, mjafton të thuhet se broçkulla kaq të paskrupullta nuk mund të dëgjohen as nga shovenistët serbë.

[13]
Në kapitullin PËRMBYLLJE, Shenasiu shkruan: “Në vend të një përmbyllje kisha thënë se ka një mirëkuptim në mes të fuqive të mëdha se si duhet me u zgjidhë kjo punë.”
Kjo është një gënjeshtër me bisht dhe hileqare!

Sipas Shenasiut, “Kosova ka me pague një çmim të rëndë por shumë është e logjikshme.” Pra, çmim të rëndë, por, për Shenasiun, të logjikshëm!!!

Edhe mund të na ndodhë fatkeqësia që të paguajmë çmim të rëndë, sipas motos serbe: “sila ne moli ni boga” (forca nuk pyet as zotin), por ai çmim nuk mund të jetë edhe i “logjikshëm”, siç ka shkretuar Shenasi Rama!