Në përkujtim të Besëlidhjes së Lezhës-575 vite më parë

0
1154

Pirro Prifti, 02/03/2019

Rëndësia e Kuvendit të Lezhës të mbajtur me 2 mars 1444, 575 vite më parë, është e padiskutueshme përsa i përket dëshirës për t’u bashkuar për të luftuar armikun e përbashkët osmanët, por edhe në ditët e sotme do të ishte një nga shembujt e shkëlqyer, por të rrallë se si shqiptarët lanë grindjet dhe cic-micet ndërmjet tyre dhe u bashkuan për të mbrojtur tokat e tyre dhe popullin e tyre, si dhe për të ruajtur identitetin e tyre kulturor, fetar, dhe dëshirën për të qëndruar me kombet e krishtera.

Kjo për fat të keq kjo ngjarje e para 575 vitesh, përbën një kontrast të madh në ditët e sotme kur shikon se si `princërit` e sotëm të politikës shqiptare vazhdojnë me kokëfortësi të grinden, dhe nuk përpiqen fare për t’u bashkuar dhe për tu integruar sa më parë në BE.

Sipas Historisë Besëlidhja e Lezhës, e organizuar nga Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti –Skënderbeu me përkrahjen e plotë të Princit fitimtar Gjegj Arianit Komneni dhe me pjesëmarrjen e shumë princërve orthodoksë të Arbërisë dhe Epirit, që quhet rëndom nga historianët edhe si Kuvendi i Parë i Lezhës, u mbajt si sot 575 vite më parë në Katedralen e Shën Kollit (Shën Nikolla) Lezhë, një kishë e cila duhet të ketë qenë brenda murit rrethues të Kështjellës (Kalasë) së Lezhës dhe jo jashtë saj.

Qëllimi kryesor i kësaj Besëlidhjeje ishte mbrojtja e tokave dhe popullatës së Arbërisë dhe Epirit nga Perandoria e fuqishme osmane si dhe bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botë krishtere ishin të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi me këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vete sillte edhe fenë islame.

Objektivat kryesore të cilat u shtjelluan dhe u miratuan nga të gjithë princërit e asaj kohe të Arbërisë dhe Epirit ishin:

1. Krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun.
2. Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.
3. Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.

Lidhja e Lezhës ishte aleancë politiko-ushtarake e princërve arbëror dhe njëherit ata ruanin dhe autonominë e luftës https://www.ikvi.at/?p=7679.

Pjesëmarrësit në këtë Kuvend madhështor ishin princërit e tokave të Arbërisë dhe të Epirit: Gjergj Arianiti- Komneni, princ i lavdishëm i cili për herë të parë mundi osmanët rreth vitit 1436, dhe e kishte kështjellën në Kaninë të Vlorës (nga ky fis rrjedh dhe Ismail Qemal bej Vlora por si familje e islamizuar). Më vonë Princi Gjergj Arianit-Komneni (me gjak blu, sepse rridhte nga Komnenët e Epirit Perandorë të Bizantit), u bë vjehrri i Gjergj Kastriot –Skënderbut sepse i dha Donika Arianitin për nuse, por ishte edhe babai i Angjelina Arianiti, shënjtore e Serbisë (dhe oshënare e Shqipërisë) siç quhet sot Shën Angjelina disa e të cilës është në kalendarin orthodox me 31 korrik.

Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karl Thopisë (Karl Topia futi për herë të parë osmanët në Arbërinë e asaj kohe më1862, duke i ftuar që të luftonin Balshajt), princi i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij Kominin e Muzakën dhe nga i nipi Tanush Topia.

Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë.
Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës.
Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë (Dukagjin-Metohi) gjer në kufi të Serbisë.

Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës.
Zaharia Gropa, Princi i zonave përreth liqenit të Pogradecit.
Pjetër Spani, princ i Malësive të Shalës e të Shoshit i shoqëruar nga të katër djemtë e tij: Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon.

Lek Dushmani, princ i Zadrimës.
Stefan Çernoviçi (Gjurashi), princ i Malit të Zi se bashku me djemtë Gjergj dhe Gjon.
Moisi Golemi – Dibrani – ushtarak dhe drejtues i dibranëve, kushëri i Kastriotëve.
Hamza (Dhanil) Kastrioti – nipi i Gjegj Kastriotit, djali i Stanisha Kastrioti (konvertuar në islam, jetonte pas pushtimit në Kostandinopojë).

Përfaqësues të Venedikut, meqenëse Lezha ishte pushtuar nga Venediku duke kthyer edhe kishat i kishat orthodokse në katolike megjithëse popullata fshatare ishte orthodokse dhe ajo qytetare ishte e përzier.

Vendimet e kuvendit ashtu si u tha më lart ishin:Krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun,formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtri, me ushqime dhe para kundër Sulltan Muratit i I. Të ardhurat e ushtrisë së Besëlidhjes, në vit, vinin nga pagesat e princërve të Besëlidhjes, nga të ardhurat e principatës së Kastriotëve dhe nga shëllinat (minat e kripës) e Kampopeshkupit, afër Shën Kollit, në veri të Durrësit. Vlerën e një ushtrie të gatshme për luftë në çdo minutë Skënderbeu e kishte parë tek shërbimet e Jeniçerëve. Fitimet e Turqisë i detyroheshin këtij trupi ushtarak i cili ishte themeluar nga Sulltan Orhani (https://www.shqiperia.com/Kuvendi-i-Lezhes-dhe-krijimi-i-Beselidhjes-Shqiptare-(2-mars-1444).156/).

Pas Kuvendit të Arbërit Skënderbeu organizoi një ushtri prej 8000 kalorësish dhe 7000 këmbësoresh, ku një të tretën e përbënte garda e tij. Rreth 3000 veta formonin ushtrinë e rajoneve kufitare nën komandën Moisi Golemit. Në rast mobilizimi, do të krijoheshin reparte vullnetare. U organizua rrjeti i informacionit për lëvizjen e armikut. https://sq.wikipedia.org/wiki/Bes%C3%ABlidhja_e_Lezh%C3%ABs

Sikurse na njofton Barleci, sapo shpalosi në Kalanë e Krujës flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenare, Skenderbeu shkoi prej një vend në vend tjetër për ta ftuar popullatën në luftë çlirimtare kundër zgjedhjes së huaj. Krahas kësaj ai shikonte si një hapë përpara e të domosdoshme, thirrjen e një kuvendi të përgjithshëm në të cilin do të përfaqësoheshin sundimtarët e Arbërisë dhe të Epirit (të cilët i përmendëm më lart) https://ina-online.net/kuvendi-beselidhja-e-lezhes-2-mars-1444/.

Kjo ngjarje përbën hapin e parë për bashkim të të gjithë trojeve të Arbërisë dhe të Epirit përfshi dhe Kosovën. Hapi tjetër i dytë për formimin e shtetit shqiptar tashme, mbetet28 Nëntori i vitit 1912, ku përsëri Ismail Bej Qemal Vlora, një pinjoll i Princit të famshëm vlonjat Gjergj Arianit- Komnenit me gjak blu.

Beslidhja e Parë e Lezhës së 2 MARS 1444, mbetet një shembull se si fisnikët shqiptarë i lanë mosmarrëveshjet midis tyre dhe u bashkuan për një qëllim të përbashkët-luftën kundër perandorisë më të fuqishme të asaj kohe-Perandorisë osmane, duke mbrojtur gjithashtu dhe vlerat fetare kristiane të popullit dhe të Europës. Le të shërbejë kjo datë përkujtimore edhe për drejtuesit e sotëm politik të Shqipërisë për të lënë mënjanë grindjet dhe për t’u bashkuar, për të hyrë në BE.

[email protected]