A vërtetë “ka dalë” dokumenti i marrëveshjes Kosovë-Serbi?

0
824

Pamje e shkëputur nga video (më poshtë)

Njeriu i Dosjeve kriminale po e zhbën Kosovën për hir të Serbisë së madhe…

Nga Revista Drini25 Shkurt 2019

Nga: Gjergj Kabashi

A do të ketë marrëveshje me 22 pika apo me vetëm një pikë, kjo tashmë nuk është aq me rëndësi. E keqja është që Njeriu i Zi, i cili qe së paku njëzet e dy vite (22 vite) përflitet për shumë të zeza, gjatë gjithë kësaj kohe nuk punoi e nuk u angazhua për vendin e vet, por vetëm për veten, të vetët dhe me apo pa vetëdije për interesat serbomëdha të Serbisë, duke punuar parreshtur që ta çmontojë e zhbëjë vendin e vet. Që ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës dhe ta koprometojë suksesin historik rreth saj si dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Pasi përmes “akraba-investimeve” turke në “vilajetin e errët neootoman”, e shndërroi vendin në “Lindje të Mesme” e në një “Kandahar” të kësaj pjese të Europës, duke i dhënë Dardanisë sonë imazhin turko-arab, dhe në anën tjetër, në mënyrë paralele (por ma shumë në mënyrë konfidenciale), punoj me serbët për zhbërjen e mëtejshme të vendit të vet, madje edhe 11 vjet pas bërjes së Kosovës shtet dhe njohjes së saj nga pjesa dërmuese e shteteve demokratike të kësaj bote.

Ajo që u arrit me mund e sakrifica të thuash shekullore, po prishet natën, në errësirën e pa dëshmitarë, nga ana e “presidentit tonë” !
Për të qenë e keqja më e madhe, ky “president” luan e tallet vazhdimisht deri në poshtërim me gjithë spektrin politik të vendit, pra me vet vendin e vet që atij i ka ardhur “në majen e hundës” dhe e ka lodhë pa masë për shkak të sharrimit të tij në Dosjen Antishqiptare, pasi qysh si i ri, tuj qenë afër agjentëve shqipfolës të Serbisë, të cilët e lavdëruan e trimëruan për “aftësitë e tij të mëdhaja”, atij iu rrit mendja aq shumë sa nuk eci më për toke, por për “qielli” dhe ashtu, sharroi edhe ma shumë e ma zi, në rrjetin e agjenturave me qëndrime armiqësore ndaj kombit shqiptar.

Eshtë zor të dihet se sa pika i paska ai “dokument” apo dokument për zhbërjen e Kosovës, por ajo që dihet është se me vet faktin se flitet kaq shumë për ndarjen e Kosovës sonë të vogël, gjërat kan shkuar shumë larg për të keqen tonë e shumë prapa për shtetin e Kosovës, kan shkuar të thuash në theqafje të pandalshme kombëtare.

“Presidenti ynë” mendjevarfër ndoshta ende nuk e din se ç’farë dëmesh i ka bërë vendit me aventurat e veta, pasi me gjasë ai nuk ecën “vet” por shtyhet për të ecur dhunshëm nga Dosja Armiqësore, në të cilën ka sharruar thellë, duke rënë qysh herët në gropën e provokimit ngashnjyes serbomadh.

Rënja e tij në kthetrat e interesave të huaja dhe përdorimi i tij i pashpirt makiavelist për interesa joshqiptare, është një tragjedi e madhe kombëtare dhe ndoshta një shembull botëror, se si veprojnë në perspektivë agjenturat me qëllime e synime armiqësore ndaj një populli të pafajshëm, duke ia zënë e mbajtë peng udhëheqësin “kryesor” një populli e duke luajtë me të e “popullin e tij” si maca me miun !

Publikimi provokativ i asaj që po quhet një marrëveshje-fantazmë 22 pikëshe, sipas të cilës Kosova dhe Serbia do të lidhin nja traktat miqësie, është në të vërtetë përhapje e mjegullës dhe mohim flagrant i pavarësisë së Kosovës dhe integritetit të saj territorial. Vërtetësia e kësaj marrëveshje, duke qenë se nuk ka burime dhe nuk dihet se nga ka dalë, nuk mund të merret seriozisht, mirëpo përmbajtja e saj dhe arsyeja se pse ka dalë në tregun mediatik, nuk mund të mos merret seriozisht. Kjo tashmë e ka marrë dhenë dhe po dalin fjalët se qysh në maj e qershor apo edhe më herët në vitin e kaluar, janë bërë disa vizatime se si do të duhej të duket Kosova jonë dhe në c’pjesë i mbante sytë e uritur bisha e egër serbe. Më së paku kjo mund të jetë një balon provues për të parë reagimet, për ta testuar opinionin publik bukur apatik të vendit. Për ta testuar Kosovën e rraskapitur e të uritur, “burrështetasit” e së cilës ndoshta janë më të korruptuarit në Europë !

Një pjesë e vogël e botës intelektuale e politike shqiptare që shprehen publikisht, nuk e pranojnë lojën e tillë fare, ndërsa pjesa më e madhe e popullatës heshtë; PDK-ja mbanë qëndrim të thuash asnjanës thuajse “presidenti” nuk është nga kjo parti, LDK sillet me oportunitetin e saj të njohur “historik”, duke i lëshuar kohëpaskohe disa klithma individuale mospajtuese, kryesisht nga kuadro të rinj të saj, ndërsa AAK e vogël por zëmadhe përpiqet të bëjë “revolucion” në pjatë, por pas lëshimit e dorëzimit të lig e antishqiptar me rastin demilitimit te kufinit me Malin e Zi, ku për fatin tonë të keq u dha territor për një karrige Kryeministri, zor që t’i besoj kush më. Sidoqoftë ky “dokument” apo dokument, më së shumti mund të jetë drafi i përafërt nga një marrëveshje që mund të jetë arritur mes Thacit dhe Vucicit, në takimet e tyre herë të ndërmjetësuara nga Mogherini e herë sekrete, draft i cili me një përmbajtje më serioze mund të kthehet në një marrëveshje ndërkombëtare, që nëse do të ketë bekimin e amerikanëve, është shumë vështirë të kthehet mbrapsht.
Fatkeqësisht!

Por cfarë përmban ky draft? Së pari, atë që nuk do të duhej të ishte hedhur asnjëherë në tavolinë : kufinjtë e Kosovës ! Ata kufinj me të cilën u shpall pavarësia në vitin 2008. Por i ashtuquajturi “president” HTH , i fshimë përpara prej Dosjes Armiqësore, vrapon si delja e përgjakur pas ujkut që ia ka sulmuar tufën në tëban ! Shkëmbimi i territoreve është një ide që është hedhur poshtë me shpalljen e pavarësisë. Asnjë Shqiptar, pos serbomëdhenjve , nuk do të duhej as të mendonte për gjëra të tilla kobndjellëse. Kjo ka qenë e qartë për të gjithë, prandaj për këtë arsye përpak pati plasë Serbia, shpirti i keq serbomadh . Sepse u dështoj realizimi i ëndërres mbi njëqindvjecare për të na zhdukur krejt si popull e përvetësuar tokën tonë mëtutje. Por HTH i ndjeshëm dhe mëshirshëm ndaj synimeve serbomëdha, ishte aty dhe për të dalë nga gropa që e kishte futur vetën me Dosje të kota antishqiptarizmi e panjerëzie, u lajmërua fshehurazi përmes rrjetit të mbetur të agjenturës serbomadhe në Kosovë, tek Serbia e “lënduar”, tek udhëheqja e saj serbomadhe.

HTH është dashur ta dinte që edhe toka private kur blihet, nuk hidhet në treg kaq shpejt, sic i hodhi i mallkuari kufinjtë e Kosovës. HTH ka mundur t’i thoshte Serbisë se do të mundemi me folë për ndonjë këmbim eventual territoresh nëse na leverdisë, vetëm pasi Serbia ta njoh shtetin e pavarur të Kosovës ?!…

Së dyti, ky “dokument” apo dokument testues, përmban disa zgjidhje për qytetin e Mitrovicës që janë eksperimentuar pas Luftës së Parë Botërore në qytetin e lirë të Dancing, (Gdansk), historia e të cilit dihet si ka përfunduar, apo jo ? Nëse jo HTH i përfshirë përpara prej Dosjes Armiqësore, atëhere ekipi i tij do të duhej ta dinte që nuk mund të implementohen zgjidhjet e 100 vjetëve më parë, në realitetin e sotëm. Janë pikërisht gabimet e Konferencës së Paqes në Paris, në lidhje me territoret në shumë rajone të botës por edhe në Ballkan, që kanë krijuar shumë nga konfliktet e sotme, pikërisht sepse u përdor vizorja në vend të interesave të popujve që jetonin në to. Prandaj, pse të lejohet HTH që t’u nënshtrohet vizoreve të huaja, thikave të huaja që mund të lënë vërragë e plagë si dhe vatra të pashëruara e eksplozive për luftëra të tjera.

Mitrovica nuk ka nevojë të ketë asnjë status special. Ajo ka qenë gjithmonë Mitrovica jonë, Mitrovica e të gjithë banorëve të saj, rëndësinë e së cilës e ka ditë shumë më mirë luftëtari i betejave të vërteta, dragoi i Shalës së Bajgorës Isa Boletini, se sa luftëtari dhe “burrështetasi” i shpifur dhe i rrejshëm, Hashim Thaci. Mitrovica duhet të integrohet plotësisht në Republikën e Kosovës, sic ka bërë në vitet e fundit, kur janë shuar strukturat paralele. Shtetet që udhëhiqen nga njerëz e politikan të aftë edhe në rastet kur një fuqi pushtuese ua pushton pjesën e caktuar të vendit, apo gjithë vendin, nuk dorëzohen kurrë, nuk jipen dhe nuk pajtohen me pushtimin.

Cka pati Hashim Thaci, atëhere ? HTH po ikë prej Dosjes, e duke ikur prej saj po na e cmonton vendin tonë të shenjt, aq të rrudhur historikisht nga Serbia e Rusia !

Në atë “dokument” fantazmë apo dokument të vërtetë , thuhet për Mitrovicën: “Qyteti ka buxhetin, policinë, letërnjoftimet dhe pasaportat e veta, kurse ushtria NATO-së ruan sigurinë”! Pra një qytetet-shtet ne mes të Kosovës dhe Serbisë, shumë më e avancuar se autonomia që kanë kërkuar serbët deri tani?!…

Shakaja më e madhe bëhet me Trepcën e cila, sipas “dokumentit” apo dokumentit, i jepet ne menagjim rusëve, amerikanëve, francezëve dhe kinezëve për 99 vjet ! Nuk mund të ketë përfshirje të superfuqive në një cështje kaq të vogël, sic është një minierë, kur interesta e tyre janë diametralisht të kundërta dhe në konflikte shumë më serioze, si psh Lufta në Siri, nuk janë përfshirë të gjitha. E njejta gjë vlen për menagjimin e Liqenit të Ujmanit (Gazivodës). Ata që e kanë hartuar këtë “dokument” apo dokument në Beograd apo në bashkëpunim me agjenturën e Qendrës Ruse në Nish, është e qartë se kanë hulumtuar nepër disa raste të vecanta nëpër botë, me qëllimin për të bërë lëmsh opinionin, por as përafërsisht zgjidhje të tilla nuk duhet të pranohen në Kosovë, pasi do të ishin rrënim i shteti dhe gjithckaje që është arritur deri më sot.

Qesharake është edhe ndërtimi i një baze ushtarake amerikane në Serbi me 50% serbë.
Nje marrëveshje e cila nuk sanksionon që Serbia duhet ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj, nuk është traktat miqësie, por deklaratë për luftë.

Këto lloj propozimesh e pazaresh, qofshin edhe si balona provuese, duhet të hidhen poshtë më forcë të madhe nga i gjithë populli, jo vetëm nga politika e përgjegjshme e vendit. Publikimi i marrëveshjeve të rreme i shërben përpunimit të opinionit publik, që të mësohet me lëshime maksimale, në mënyrë që lëshimet në marrvëshjen e vërtetë të mos duken aq negative.

Ka ardhur koha e fundit që populli papritur ma shumë të dal në skenë e ta thotë fjalën e vet për integritetin territorial të vendit, tërësinë tokësore të kësaj Kosove, harta e së cilës është edhe në flamurin e saj. Populli që heshtë në kësao rastesh, sikurse edhe politika që nuk i njihet zëri por heshtë përpara një tragjedia të paralajmëruar, ai nuk është popull dhe ajo nuk mund të jetë politikë për popullin.

Me Serbinë duhet Reciprocitet dhe serbët e Kosovës duhen parë vetëm si njerëz, e jo si “racë e vecantë hyjnore”, për të cilët u dashkan ekstra të drejta. Thjeshtë : Ato të drejta të bazuara në konventat ndërkombëtare për pakicat, duhet t’i kenë si serbët e Kosovës ashtu edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, në Serbi.

Jo ndarje e vendit dhe asnjë marrëveshje ndërshtetërore Kosovë-Serbi nuk mund të pranohet përderisa në krye të shtetit ta kemi një “president” të vetlënduar, që për shkak të frikës enorme nga Dosja ku ka sharruar, mund ta bëjë vendin tonë të pafajshëm coopë e grimë !

Mendja e keqe e Hashim Thacit e la Kosovën pa historinë e vërtetë shqiptare, pa identitetin e saj kulturor e historik shumëshekullor, që nga periusha e Dardanisë e deri sot. Kosova e Hashim Thacit dhe serbomadhit Aleksandër Vuçiq, është një Kosovë që se ka kulturën e vet, pra një vend i pa rrënjë historike e pa të kaluar, që banohet nga një Jo-Popull ! Krejt cka ka ky vend, sipas mendjes e synimit neootoman e serbomadh, janë shenja të kulturës pushtuese; janë “kishat dhe manastiret serbe”, janë xhamitë e Perandorisë Osmane të ngritura mbi rrënojat e kishave shqiptare, apo janë , së fundmi , xhamitë e meremetuara e ndërtuara nga Qeveria e Turqisë në Kosovën tonë Shqiptare !

Tragjedi !

Prandaj, është koha e fundit që ky popull të ngritet paqësisht qysh i ka hije një populli të kulturuar e të ndërgjegjshëm për fatin e vet, e të mos e lejoj vetrrënimin kombëtar e shtetëror cfarë po e bënë për interesat e huaja një i vetquajtur president.

Se, siç thekson Albin Kurti:

“Opsione për Kosovën, sa të duash. Me 13 pika, me 16, me 17, me 22 pika! Sepse i ashtuquajturi president i Kosovës e ka vënë shtetin tonë në pazar dhe po thotë se u bë aksham. Kosovën don ta çmontojë dhe ta falë ose shesë pjesë-pjesë: dikujt Trepçën, tjetërkujt Ujmanin, me përqindje KEK-un, Mitrovicën ta bëjë Bërçko, kishat e manastiret ortodokse Hilandar, dhe, statuse speciale gjithandej diku 35 e diku 99 vjet. Çka i bie kjo, si Bosnja, si Palestina apo si Hong Kongu? Paj, të trija këto. Ama në fund të dialogut na vjen njohja, thotë edhe qeveria porsi ai – pra, do të njihet ajo që mbetet nga Kosova, ndërkohë që e kanë pranuar mosnjohjen e Serbisë. Këta njerëz edhe pavarësinë ta varin.”

Prandaj, Ndalu Hashim Thaci dhe mos e fut në luftë të panevojshme vendin e rajonin për shkak të trembjes tënde të jashtëzakonshme që të ka kaplue, për të cilën nuk të ka askush faj pos mendja yte e prishtë, shpirtkeqësia dhe poshtërsia jote si njeri i padinjitetshëm.

Kosova nuk mund t’i jep me dëshirë as një metër kator tokë të saj Serbisë për njohje, dhe vendi ynë nuk ka nevojë të mendoj “për ruajtjen e paqes e stabilitetit rajonal” gjithnjë përderisa Serbia nuk e pranon faktin se Kosova në tërësinë e saj është shtet dhe nëse nuk do ta pranoj, nuk ka të drejtë ta kërcënoj dhe provokoj nga jashte apo nga brenda. Për shqiptarët e Kosovës duhet të jetë me rëndësi jetike ruajtja e qetësisë dhe sigurisë së brendshme, ruajtja e integritetit territorial të vendit, pra paqja e brendshme, e jo ruajtja e paqes në rajon se Kosova është tepër e vogël për t’i dhënë vetës obligime të mëdhja e joreale, përderisa është mu Serbia që e kërcënon paqen në rajon e këtë pjesë të Europës, duke mos hequr dorë nga synimet e qëllimet e saja serbomëdha as sot e kësaj dite.

* * *

Këto dhe marrëveshje të tjera mund t’i mësoni në videon në vazhdim.
Ka rrjedhë dokumenti i marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Mësohet se nga kjo marrëveshje, Serbisë do t’i jepen 592km/2 nga Veriu i Kosovës, transmeton “Bota Sot”.
Kufiri do të kalojë përgjatë Ujmanit dhe Ibrit. Zveçani dhe Kopauniku i kalojnë Serbisë.

Trepça do të ketë status special për 99 vjet dhe do të menaxhohet nga Amerika dhe Rusia.
Mitrovica do të bashkohet, por gjithashtu do të ketë status special për 35 vjet.

Disa fshatra të Preshevës do t’i bashkohen Kosovës, por qyteti i Medvegjës mbetet jashtë.
Presheva i bashkohet Kosovës, ndërsa Bujanoci merr status in “Special District” për 35 vjet.