Zymer Mehani: BISEDË ME KOSOVËN

0
486

AUTORI: Kosovë, kush derdhi me shekuj gjak për ty?
KOSOVA: Bijat dhe bijtë e mi.
AUTORI: Kosovë, kush e dha edhe jetën për Ty?
KOSOVA: Bijat dhe bijtë e mi.
AUTORI: Kosovë, kush kaloi jetën nëpër burgjet e armiqve Tu me qindra vjet?
KOSOVA: Bijat dhe bijtë e mi.
AUTORI: Kosovë, kush të tradhëtoi gjatë historisë shpeshherë?
KOSOVA: Dikush nga bijtë e mi.
AUTORI: Kosovë, kush po të vjedh me të dy duart?
KOSOVA: Pushtetarët (Qyqarët) e mi.
AUTORI: Kosovë, kush po e bën arna-arna hartën Tënde me ZAJEDNICË-n, që po shëmbëllen me mushkëritë e sëmura?
KOSOVA: Qeveritarët (Qyqarët) e mi.
AUTORI: Kosovë, kush po i fal tokë Tënden Malit të Zi?
KOSOVA: Për fat të keq, bijtë e mi.
AUTORI: Kosovë, kush ta ndërroi Tëndin Flamur Kuq e Zi?
KOSOVA: Faqezinjtë, bijtë e mi.
AUTORI: Kosovë, kush po t’i gjuan me gurë policët e Tu?
KOSOVA: Vëllai vëllanë po e godet dhe po e gjuan.
AUTORI: KOSOVË KUSH PO TA QET FLAKËN?
Kosova: Gjatë shekujve armiqtë e panumërt e sot bijtë e mi.
AUTORI: Kosovë, kush dreqin po të quan multietnike?!…
KOSOVA: Bijtë e mi (pushtetaxhinjtë e pafytyrë)


1999

O i stërgjati vit
Vargan i tonave vuajtje
Që varre na hape në fushë e shpat
Çakall e korb duke krrokatë
E ne thërisnim parullën me furi:
– VDEKJE A LIRI!
Hallkë që s’i durove vuajtjet
As dhembjet tona
Loti na shoqëronte
e armët i zbrase
Plagët t’na i mëkosh
Kush qe luftëtar i fundit
Që të përcolli ty:
– VDEKJE A LIRI!
Sa herë të kujtojmë o vit 99
Na kujtohet pesha e dhembjes
I numërojmë të rënët për këtë tokë
E vjen e fuqishme ushtima:
– VDEJE A LIRI, O TRIMA!


MË FAL !…

Më fal, babë
Mua më fal
Zemra jote
Sa një mal
Më fal, nënë
Më fal, mua
Zemra jote
Porsi krua
Më fal, vëlla
O lastar
Zemra jote
Ndrin si ar
Më fal, motër
Sikur flutur
Zemra jote
Qoftë e lumtur
Më fal, shok
Imi krah
Vlera jote
Çmim nuk ka
Më fal, shoqe
Zemra ime
Në jetë prore
Paç gëzime
Më fal, bir
Biri im
Zemra jote
Shpirti im
Më fal, bijë
Ime bijë
Jeta jote
Bardh të ndrijë


DORA JOTE…

Dora jote, motër
M’i përkëdheli faqet
Dhe lotët m’i fshiu
Sot për ty shkruaj vargjet
E jotja dorë, motër
M’i lëmoi dhe flokët
M’i shfletoi dhe librat
M’i shfletoi fletoret
Motër, dora jote
Më preku në ballë
Sa herë pata dhimbje
Sa herë pata mallë
Motër, jotja dorë
Vuri dhe kurorë
Mbi atë varr lavdie
Të trimit dëshmor
Motër, dora jote
Pushkën mirë e mbajti
Kundër gjakatarit
T’ligut e tradhtarit
Dorën tënde, motër
Të pastër, të dëlirë
Të ta shtrëngoj dua
Prore kam dëshirë


RRUGËT S’FLEJNË

Gënjeshtër është
Se rrugët s’flejnë as natën
Ato rrinë zgjuar
S’flejnë dot
Nëse s’ecën kush mbi to
Ato ecin vetë
Udhëtojnë
Kthehen
Rendin
A ngarendin
Por edhe vrapojnë
E ne ecim bashkë me to
Ato mbarim s’kanë
Të pafund janë


Nënë

Në zemër
Kujtimi për Ty-
Zjarr
Në sy
Portreti Yt-
Vegim
Në jetë
Dashuria jote –
Ngushëllim


Do të çelin lulet

Kur të vish sërish
Gurgullimi i lumit
Prapë qetësinë do prish
Dhe zëri i gushëkuqëve
Prore do t’ buçasë
Kurrë në zemrat tona
S’do të ketë maraz
Në dallgët e jetës
Ti do rrish me ne
Porsi dallëndyshja
Në t’ngrohtën fole
Prore n’shpirtin tim
Je margaritar
Mbretëreshë n’timen zemër
Më i shtrenjti thesar
Kur të vish tek unë
Lulja do të çel
Do t’ ketë kuptim jeta
Pasha qiell e diell
Tek unë kur të vish
Do të mbushem me gëzim
Dhe valle do t’hedhim
Deri në agim


Vargje dashurie, për ty, Kosovë…

Kosovë e shtrenjtë,
vendlindja ime e dashur
Tokë etërish e bijsh
dhe bijash si shqipe mali
Si të të lë në lëngatë
e në vuajtje dhe në varfëri
Ty të kam në shpirt
në frymën e trashëguar prej të parëve
Kosovë-tokë dardane,
vatër e shqiptarëve

Si të të lë, Kosovë e dashur
në dremitje e mynxyrë
Në angullimën e përmbytur,
në ngërç e në mundim
Që sikur shkëmb mali
me shekuj ta zunë frymën
Kosovë-tokë arbërore
për vargun tim frymëzim

Kosovë kreshnike,
o fushë e paanë plot lulëkuqe
Kosovë, o Shqiponjë Flamuri,
e therur për hakmarrje
Kosovë, o vend trimërie
që digjesh në zjarrin e urrejtjes
Të armikut shekullor,
Kosovë o dheu arbëror

Kosovë, o dashuri mbi dashuritë,
për mua je prore
Ta dua Ribashkimin
me vatrën stërgjyshore
Kosovë, lulegjaku ,
moj lule Ballkani
Të lakmuan sa s’ka më
krajli e sulltani

Kosovë, atdhe shqiptar,
fole e Shqiponjave
Djep kreshnikësh prore,
vatër e heronjve
Mbi qiellin tënd
mbret është veç Kuqezi Flamuri
Kosovë-o tokë dardane,
kala prej shkëmbi, guri