Paqe e përhershme apo konflikt i vazhdueshëm?

0
457

Autori: Blerim Shala, 21 shkurt 2019

Boshti i paqëtimit dhe stabilizimit afatgjatë të kësaj ane të Evropës, është Marrëveshja eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Shkruan: Blerim Shala

Dihet se si përfundoi Lufta e Dytë Botërore për Evropën.

Evropa, si kontinent, por edhe si nocion politik, si kryeqendër e Qytetërimit, si bartëse kryesore e nocionit të Perëndimit dhe Iluminizmit, u rrënua. Nuk dukej që do të ndodhte ndonjëherë, apo, në një të ardhme që mund të parashikohej, mëkëmbja e Evropës.

Ajo tani ishte e ndarë në Perëndim dhe në Lindje, me atë ‘Perdën e Hekurt’ në mes (nocion i njohur i Churchillit).

Mundësia e luftës në mes të SHBA-së dhe Evropër Perëndimore në një anë, dhe Bashkimit Sovjetik dhe Evropër Lindore në anën tjetër, ishte reale.

Sidoqoftë, falë një përkushtimi të jashtëzakonshëm politik, ushtarak dhe finaciar të Amerikës, dhe një vizioni të burrshtetasve të Francës dhe Gjermanisë, Evropa, në këtë anën Perëndimore u ringjall. U bë bashkë. Po të mos bëhej diçka e tillë, Evropa nuk do të mbijetonte, dhe gjithsesi, nuk do të ndodhte as fundi i ‘Luftës së Ftohtë’.

Njëzet vjet pas përfundimit të luftës së madhe shkatërrimtare, apo, në vitin 1965, nuk kishte trashëgimi të keqe të këtij tmerri në Evropën Perëndimore. Franca dhe Gjermania, dy shtetet që njihnin një armiqësi shumë të madhe, që solli miliona viktima në dy luftëra botërore, ishin bërë boshti i ndërtimit të një Evrope të bashkuar.

Dy shtetet dhe dy kombet që vetëm pak decenie më parë, llogaritnin që do të kenë armiqësi të përjetshme, tani ishin shtete mike dhe madje aleate për një Evropë të paparë për shekuj me radhë.

Lufta ishte gjendje e natyrshme në Evropë, me përjashtime të rralla. Tash e tutje, paqja duhej të bëhej gjendje e natyrshme. Ashtu edhe ndodhi.

Këtë vit, do të mbushen njëzet vjet prej përfundimit të luftës në Kosovë, dhe 24 vjet që nga imponimi i paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Krahasimet që këtu mund të bëhen në mes nesh, në këto anë të Ballkanit dhe Evropës, me atë zhvillimin e përmendur më parë midis Francës dhe Gjermanisë, me gjasë, dëshmon më së miri se në çfarë gjendje të keqe, mbase, edhe të mjerueshme, gjindemi si rajon.

Pak javë më parë, njëra prej vatrave të tensioneve të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, pushoi së ekzistuari. Maqedonia ndërroi emrin në Maqedonia Veriore, dhe kështu u konfirmua Marrëveshja historike për një gjeografi të mëdyshur. Për më shumë, shteti fqi i Kosovës përfundimisht mori anën e Perëndimit politik dhe ushtarak me këtë Marrëveshje. Për pak muaj, Maqedonia Veriore do të bëhet shtet anëtar i Paktit NATO.

Megjithatë, të gjithë ata që sadopak përcjellin zhvillimet në rajon, apo, që duan tutje ta bëjnë atë krahasimin në mes të Evropës qendrore të pas-Luftës së Dytë Botërore dhe Ballkanit qendror të këtyre ditëve, e dinë shumë mirë që boshti i paqëtimit dhe stabilizimit afatgjatë të kësaj ane të Evropës, është Marrëveshja eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë, që njihet me ‘titull pune’, si Marrëveshja gjithpërfshirës dhe Ligjërisht detyruese.

Vetëm nëse bëhet kjo Marrëveshje, Ballkani Perëndimor do të mund të transformohej në një rajon të qetë, dhe më nuk do të prodhonte historinë që nuk mund ta konsumojë (sërish Churchilli).

Për më shumë, duket që kjo Marrëveshje do të mund të ishte themel edhe i sigurimit të interesave të SHBA-së, të BE-së dhe të Aleancës Veri-atlantike në këtë pjesë të Evropës.

Pra, jo vetëm që do të arrihej situara kur një histori e rëndë dhe tragjike, do të merrte fund një herë e mirë, por poashtu, do të siguroheshin kufijtë e jashtëm të Evropës Perëndimore, apo, do të ndodhte rrumbullakësimi i këtyre kufijve të Bashkimit Evropian.

Në këtë mënyrë pra, një gjendje e natyrshme e konfliktit të vazhdueshëm në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila është ekskluzivisht pasojë e politikës së mbrapshtë, hegjemoniste të Serbisë, do të mund të zëvëndësohej me një politikë të bashkëpunimit dhe të paqes së qëndrueshme në mes të këtyre dy shteteve.

Për këtë shkak zatën, çelësi i Marrëveshjes historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, është njohja formale reciproke në mes të këtyre dy shteteve.

Ky synim, ky themel i raporteve të ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, u konformia javën e kaluar, në mënyrën më të mirë të mundshme, nga ana e Presidentit Trump and Sekretarit Pompeo, në Letrat dërguar autoriteteve më të larta të Kosovës, me rastin e përvjetorit të pavarësisë.

(Autori është kolumnist i rregullt i Lajmi.net)