NDARJA E PUSHTETIT NËN PLAFIN E LUFTËS ÇLIRIMTARE

0
471

Brahim Ibish AVDYLI:

PARA 20 VITEVE, EDHE SOT AKTUALE:

(Vlerësime mbi Qeverinë Thaqi
dhe formën e krijimit të saj
)

Pas disa shkeljeve të platformës çlirimtare, zhvilluar në vazhdimësi prej fillimit të luftës çlirimtare nga një strukturë e atëhershme politike, e verbuar nga etja e “marrjes së pushtetit”, respektivisht e “ndarjes së pushtetit”, më në fund doli konglomerati i të ashtuquajturës “Qeveri e Luftës” në Kosovë, e cila përbëhet në radhë të parë nga një shtresë mediokratike dhe gjysmë-intelektuale, veçanërisht sa i përket të ashtuquajturës “strukturë diplomatike” në shtetet perëndimore.

Sado që vetë kemi shtruar disa herë nevojën e riorganizimit të tërësishëm të shqiptarëve, pra edhe në Kosovë, duke i përfshirë dy rrugë të mundshme të sanimit institucional, shikuar nga përbërja e kësaj „Qeverie të Luftës“, sikurse forma përmes të cilës u konstituua ajo, nuk na mbetet tjetër gjë, pos me tërë keqardhje të fshikullojmë karakterin negativ të saj. Në radhë të parë obligohemi të shqyrtojmë rrugën e formimit dhe bazën e legjitimitetit në të cilat ajo thirret.

Botërisht është bërë e njohur se Qeveria, ndonëse e thirrë veten me prepotencë “qeveri lufte” nuk erdhi si rezultat i fitoreve të realizuara në fushëbetejë, por pikënisje të konstituimit të saj e mori Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për “zgjidhjen politike” të çështjes së Kosovës. Sa ishte “vullnet” i popullit shqiptar të Kosovës çështja e nënshkrimit të hedhur në Rambuje, apo si u shpreh ky “vullnet” në periudhën midis Rambujesë e Parisit, zatën kjo është një çështje shumë e paqartë. Mund të themi lirisht, për autorin e këtij shkrimi, ky ishte spekulimi i parë në emër të “popullit liridashës” dhe kontribut i Francës ndaj vetë Serbisë, se sa ndaj kombit shqiptar.

Edhe ndaj luftës sonë çlirimtare i kemi të theksuara qëndrimet e Francës. Por, tani, këtë çështje nuk e kemi në tryezën e shqyrtimit. Ajo që duhet të vendoset në këtë tryezë është fakti se bota përparimtare po e shqyrton me plot dyshim nëse duhet të përfillet marrëveshja e nënshkruar më parë nga delegacioni shqiptar, në Rambuje, duke qenë se Bashkësia Ndërkombëtare e forcat ushtarake të Aleancës Verio-Atlantike (NATO) u detyruan të sulmojnë disa javë rradhazi pushtuesit serbo-jugosllavë mbi Kosovën. Po e themi konkretisht se NATO-ja (Aleanca Verio- Atlantike) sulmoi të ashtuquajturën „Jugosllavinë Federale (Serbia e Mali i Zi)“ në pikat strategjike të saj në Kosovë 78 ditë me radhë, e jo më pak ditë, sepse kjo gjë është shumë njohur për ne, nga 24 mars e deri më 10 qershor të vitit 1999.

Pas këtyre sulmeve kryesisht të imponuara nga ana e shovinizmit, fashizmit e gjenocidit ushtarak serb mbi popullin shqiptar të Kosovës, të cilat natyrisht nuk janë fare pa logjikë, por e kanë logjikën e rëndësinë e tyre gjatë luftës shkatëruse të Serbisë, arbitri ndërkombëtar për mbajtjen e mëtutjeshme të Kosovës brenda Jugosllavisë u luhat e ra përfundimisht për tokë, duke lënë hapësirë të mjaftuar për shqiptarët, të cilët dëshirojnë t`i realizojnë aspiratat e veta kombëtare e të bashkimit territorial, me këte, t`i ndihmojnë edhe Serbisë së mbetur.

Për fat të keq, faktori shqiptar ende nuk është këndellur sa duhet dhe ende nuk po e sheh mundësinë e madhe që koha ia solli, duke u përplasur gabimisht në luftën për pushtet, respektivisht për ndarjen e pushtetit, dhe, kur është fjala për Shqipërinë- në vijën antikombëtare të “mbrojtjes së sovranitetit të Shqipërisë” me kufijtë e “trashëguar” administrativë, politik dhe konceptualë. E keqja më e madhe qëndron në faktin se garnituara “përfaqësuese” e UÇK-së e pjesa qëndrore e Delegacionit të Rambujesë (në të cilën nuk kemi qemë si „pjesëmarrës“), përkundër sinjalizimeve tona nuk e bëri këtë çështje temë diskutimi dhe përshpejtoi të shpallë veten të konstituuar në “qeveri legjitime” të Kosovës, pa e rishqyrtuar as projektin në fjalë dhe as gjendjen e përgjithshme në terren.

Logjika e marrjes së pushtetit qëndror në Kosovë mbizotëroi politikën “gjithëpopullore”, duke lënë hapësirë sekondare, e ndonjëherë të anuluar, qoftë edhe për organizatat që në frontin e luftës i kanë bashkuar forcat ushtarake dhe mjetet me ato të strukturës fillestare të UÇK-së. Këto çështje dhe të tjera të lidhura me luftën çlirimtare, do të mbeten pa përgjigje…

Nuk ka dyshim se kjo “Qeveri e Luftës” është e vetmja qeveri në botë e cila e ka zanafillën e proklamimit të vet në një konferencë ndërkombëtare negociatash dhe jo në popullin prej të cilit rrjedh apo prej të cilit do të duhej ta gëzonte legjitimitetin e saj. Në qoftë se Qeveria Bukoshi u kritikua vite me radhë sepse nuk arriti të kalojë nga formaliteti në një udhëheqje legjitime dhe praktike, ndër të tjera edhe për shkak të njëanshmërisë politike e platformës së gabuar, atëherë, po këto gabime tragjike po i përsërit “Qeveria Thaçi”, porse duke ia shtuar vetes dy parametra tjerë spekulativë: ate ndërkombëtar dhe të luftës çlirimtare.

Në rastin e parë, do të ishte më se determinuese që bashkësia ndërkombëtare, përmes instrumenteve të veta, ta legjitimojë si “mëkëmbëse të veten”, gjë kjo që qeverisë së re do t`ia jepte dimensionin e një “regjence ndërkombëtare” në Kosovë; ndërsa, në rastin e dytë, do të duhej të krijoheshin instrumentet e luftës çlirimtare, e këto do të ishin: Fronti i Çlirimit (apo Shpëtimit) Kombëtar dhe Mbledhja Themeluese e Këshillit të Çlirimit (apo Shpëtimit) Kombëtar, si pikënisje të konstituimit të një qeverie legjitime dhe çlirimtare1.

Jashtë kësaj rruge, nuk ekzistojnë alternativa teorike për konstituimin e ndonjë “qeverie çlirimtare”. Është vetëm kjo rruga parimore dhe skena praktike të cilën e nxjerrë platforma çlirimtare. Si faktor vendimtar janë rezultatet e luftës; vetëdijësimi kombëtar dhe masovizimi i luftës çlirimtare, respektivisht, përkrahja masive e strukturave luftarake nga shtresat e gjëra e përparimtare të popullit.

Kjo është rruga e vetme nëpër të cilën trasohet unifikimi i “subjektit të gjërë politik”, apo themelet mbi të cilat ngritet ndërtesa e pushtetit çlirimtar. Natyrisht, qeveria që do të konstituohej përmes kësaj rruge, do të ishte një qeveri legjitime; popullore; çlirimtare; dhe i vetmi mekanizëm udhëheqës që do ta ngriste nivelin e luftën sonë në shkallën e një lufte të organizuar; me karakter kombëtar dhe mbarëpopullor- si rezultat i aleancave të pjekura nëpër sakrifica liridashëse në frontin e lirisë, repsektivisht të shpëtimit kombëtar.

Jashtë këtij tabani mund të lindin dhe mund të ndërtohen vetëm qeveritë e kompromiseve të rënda, të cilat, paraprakisht janë të destinuara të dështojnë dhe të mbesin në ndërgjegjen e kombit vetëm si shkelje të qëllimta të parimeve bazë. Zatën, konglomerati spekulativ i Drejtorisë Politike të UÇK-së, nuk pati kohë të presë rrugët parimore të lindjes së vet, sepse përmes tyre ajo e di që nuk mund të vetëzgjidhet, prandaj i bie trup e tërthor parimeve të luftës çlirimtare, madje edhe proklamimeve të veta të bëra para më se një viti dhe vetëshpallet “Qeveria e luftës”, në Kosovë.

Ajo e di fare mirë gjendjen e rëndë të popullit të vet, sikurse rrugën që duhet ndjekur, porse më me rëndësi e sheh krijimin e një “përfaqësuesi legjitim” politik (e pat dhe se pat fakt parimor të saj!) se sa krijimin e mundësive optimale për realizimin e çlirimit të plotë të territorit të okupuar e të shpopulluar të Atdheut, një pjesë të quajtur „Kosovo“, në emrin e dramës së të cilit tashmë është pasuruar aq sa për të mbajtur edhe propagandën “çlirimtare” dhe agjitacionin “qeveritar”. Shih për këtë punë madje ajo u rezervon vende të caktuara „të portofoleve ministrore“ për përfaqësuesit e strukturave ish-qeveritare të LDK-së, pasi ka marrë në gjirin e vet të gjithë ata që i shërbyen asaj dhe të mbahet në “pushtet”, duke e diskriminuar një pjesë të denjë të luftës.

Ndonëse ata kanë kaluar tashmë në parti “më avangarde”, në LBD (p.s. me vonë është krijuar PDK), prapëseprapë nuk janë në gjendje t`i harrojnë “shokët” e tyre të vjetër partiakë e të luftës. Zatën, kjo mund të konsiderohej krejtësisht në rregull, sikur të mos i kishim parasysh veprimtarët e njohur të LKÇK-së apo të PRSH-së, apo të ndonjërit që ka mbetur „i ndarë“ nga të tri elementet e UÇK-së, si „i papërshatshëm“ e nuk figuron askund, të cilët, në çdo pikëpamje ishin përkrahësit më intenzivë të luftës çlirimtare, duke dhënë që prej vitit 1992/93 kontributin e tyre të pazëvendësuar në organizimin e luftës dhe në vëtëdijësimin kombëtar e liridashës të popullit shqiptar të Kosovës. Këtu nuk duhet harruar as kontributin e një rrethi të vogël, por shumë domethënës, të mbledhur që në vitin 1990 rreth revistës (mbarë)shqiptare “Qëndresa”, në të cilën, e kishte si tematikë kryesore “Republikën e Kosovës dhe çlirimin e plotë të saj” apo „rezistencën aktive çlirimtare të popullit të robëruar shqiptar“, edhe të „bashkimit të tokave shqiptare në një shtet të bashkuar iliro-shqiptar“…

Sidoqoftë, ajo që më së shumti na irriton te “Qeveria Thaqi” është fakti se një nga funksionet e qeverisë mbahet në konspiracion të thellë e nuk deklarohet vetë publikisht; se kush e ka „ushqyer“ politikisht „drejtorinë politike të UÇK-së“; dhe enigma kryesore, cili do të jetë „Presidenti i ri i Kosovës“?! Zëdhënësi i UÇK-së është legal, ai rrezikohet; Kryetari i Përgjithshëm i Shtabit Suprem (më vonë „i Përgjithshëm“) është plotësisht ilegal dhe mjaft i rëndësishëm.

E tani po e shtoj: si është marrë (me dhunë apo jo!) nuk po e diskutojmë, por prej Kryetarit të Përgjithshëm të UÇK-së është krijuar „Drejtoria Politike e UÇK-së“, dhe kjo instancë e ka dashur të ketë „një parti politike“ (nëse mendoni se LPK-ja ishte, ajo ishte në kundështin të LDK-së; por të dyjat ishin për Kosovën, si ndarje admistrative të tokave shqiptare, me 80% shqiptarë, e të dyjat kanë qenë pjesëmarrëse e Konferencës së Rambujesë), dhe pjesa e tretë në politike mungon tërësisht prej këtij unifikimi, sepse do të krijohej gjatë luftës fronti politik i përbashkët, i nxjerrur nga lufta, psh. nga PUKSH, nga LKÇK, nga PRSH, apo vetë nga Komisioni i Këshillit Organizativ të Kuvendit Gjithëshqiptar.

Po e shtoj gjithashtu edhe këtë çështje se Komisoni i Këshillit Organizativ të Kuvendit Gjithëshqiptar ka pasur më tepër prioritet të thërrasë e të krijojë “frontin” politik (të bashkuar nga lufta ose pas lufte; unë e kam udhëhequr këtë Komision), më tepër se askush tjetër, madje as për së afërmi nuk shkojnë nismëtarët e idesë së “Kuvendit për Pajtim dhe Bashkim Kombëtar”, sepse Kosova nuk kishte për çka të “pajtohej me Shqipërinë”, e cila banohej nga kombi shqiptar dhe e ndihmoi pak a shumë në luftën tonë çlirimtare.

Nëse Qeveria Thaqi është konstituuar me “legjitimitet” atëherë, sikur ta kishte shumicën e instancave politike, duhet të njihej botërisht “Presidenti i ri”, dhe nuk po ua them as çka më premtonte mua Jashar Salihu apo Ali Ahmeti, e të tjerë. Kush ka qenë Jashar Salihu, ndjesë pastë, të gjithë e dinë; por, kush është dhe ka qenë Ali Ahmeti, edhe gurë e dru e dinë. Ne, nuk po futemi në këtë çështje…

Dr. Ibrahim Rugova ka qenë pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë, dhe në këtë “pushtet” erdhën kryesisht pjesëmarrësit e kësaj Konference Ndërkombëtare. Atëherë nuk është e mundur që ai të mos ketë ndonjë “portofol me rëndësi”, aq më parë kur dihet se Qeveria Bukoshi i kishte prishur raportet me Presidentin dhe ai nuk arrinte as ta shkarkojë dhe as të emërojë dikend tjetër në postin e Kryeministrit. Çështja qëndronte në faktin “e dhimbshëm” se Bukoshi mbante në duart e veta një pjesë “të forcave të armatosura”, por njëkohësisht edhe “fondin” material të ndihmave të mërgatës shqiptare dhe të “buxhetit shtetëror”, gjë kjo që Presidentin e kishte vënë një një lojë të pa fund.

Për fat të mirë të atyre që ishin të gatshëm të bëjnë kompromise të rënda politike në drejtim të objektivave kombëtare dhe të rindarjes së pushtetit, sikurse të Presidentit që dëshiron të luaj deri në fund vallen e “zgjidhjes politike dhe me kompromis” të çështjes së Kosovës, nën tingujt e simfonisë ndërkombëtare, më në fund u dha rasti të përbënte një “delegacion të zgjeruar kosovar” në Rambuje dhe të gjëjë një prototip ideal të allish-verisheve të veta: zotin Hashim Thaçi!

Me kaq, si duket, u mbyll plaga e rëndë në zemrën e Presidentit, meqë po i ipej një rast i jashtëzakonshëm jo vetëm të ulej në tryezë me kryesuesit e faktorit “çlirimtar”; jo vetëm të kishte pranë “nacionalistin” zhurmëmadh Qosja; jo vetëm të kishte pranë vetes Bashkësinë Ndërkombëtare, por të sigurojë edhe “kuletën e dytë”, Fondin “Vendlindja Thërret”, në të cilin i kisha dërguar dhe shpërdarë në disa pika të Zvicrës anëtarët e UNIKOMB-it, e askush nuk dëshironte ta dijë.

Kësisojit, në emër të “unitetit të subjekteve politike të Kosovës”, sikurse në emër të “luftës çlirimtare” të UÇK-së e të inkorporimit të “forcave intelektuale” nga ish- “të përpunuarit” nëpër burgjet serbo-sllave, doli “Qeveria Thaçi”.

Pa marrë parasysh se nuk kishte formulë të mirëfilltë si duhet të shpëtohet kombi shqiptar, i shkatërruar deri në tragjedinë më të dhimbshme njerëzore dhe kombëtare, “Qeveria e Luftës Thaçi” (kjo gjë thuhet për atëherë:) nuk ka nxjerrë asnjë vendim historik; nuk ka nxjerë asnjë rezolucion; asnjë maksimë që mund të shërbejë si platformë pune dhe orientimi, përpos faktit se ajo i ka rrënjët në “Konferencën Ndërkombëtare të Rrambujesë”, dhe se përpiqet të përmbushë këtë “projekt”, ta lë Kosovën përfundimisht nën të ashtuquajturin “pretektorat ndërkombëtar” që pretendon(te) “çarmatosjen e plotë të palëve në konflikt; rrëzimin e diktatorit Millosheviç dhe kthimin e besimit ndëretnik shqiptaro-serb”.

Shih për këte, edhe Qeveria e “shtetit amë” të shqiptarëve, e ulë kokën ndaj sulmeve të Serbisë në territorin “sovran” të Shqipërisë dhe rithekson përcaktimin e vet të “demokracisë multietnike” e të “gjakftohtësisë paqësore” në Ballkan, duke sinjalizuar opinionin e brendshëm e të jashtëm se nuk pretendon të bashkojë territoret e veta, të okupuara e të sakatosura tërësisht nga dhuna gjenocidiale serbe, perderisa pjesëtar të kombit të Shqipërisë e dhanë jetën e tyre si luftëtarë të UÇK-së dhe ne e dimë këtë shifër.

Një parametër tjetër mjaft komprimitues i Qeverisë Thaçi është poashtu fakti se nga njëra anë shpallen dikasteret e zëna, ndërsa nga tjetra anë, në emër të “unitetit të subjekteve politike të Kosovës”, ftohen “subjektet tjera” për të caktuar përfaqësuesit e tyre në Qeveri. E tërë kjo i ngjanë lojës së fëmijëve, në stilin:

Unë e ruaj portën, ndërsa ju vraponi nëpër fushë. Mjafton që të përbëjmë një ekipë dhe të prekim topin me këmbë!
Padyshim se kësisojit, kërkesa jonë për sanimin institucional të Kosovës, është keqkuptuar, apo nuk ka dashur të mirëkuptohet. Në rast se do të krijohej një “qeveri lufte” do të duhej ftuar përfaqësuesit e të gjitha subjekteve në Mbledhjen konstituive të Qeverisë, derisa funksionet do të ndaheshin brenda saj, sepse as “qeveritë e përkohshme” dhe “teknike”, nuk krijohen jashtë kësaj logjike. Madje, një qeveri që mbanë konotacionet e “qeverisë së luftës” nuk guxon të mos jetë “koncenzusi i të gjitha subjekteve”, e veçanërisht i atyre që kanë nxitur e ndihmuar luftën çlirimtare të popullit të vet. Në Qeverinë Thaqi, mungojnë zëdhënës të dëshmuar të rezistencës çlirimtare e të çështjes kombëtare. Këtë gjë duhet që ta mbajmë në mendje dhe kurrsesi të mos e harrojmë!…

Për fat të keq, kjo është një dëshmi e hidhur për atdhetarët dhe revolucionarët konseguentë. Shihet mirëfilli se atdhetarët nuk kanë vend në “ballë të odës”. Për këte, nuk duan të “dinë” të manipulojnë masat e as të keqpërdorin ndihmën e përkrahjen e shtresave të gjëra të popullit. Ata, me sinqeritetin e tyre, nuk do të arrijnë kurrë të zënë vendin që e meritojnë. Si njerëz të sinqertë e të pakompromis, mund të injorohen lehtë nga spekulantë e dallaverexhinj të paskrupullt, të cilët dinë jo vetëm t`i lënë anash sa herë ua dikton karrierizmi i sëmurë, por edhe t`i kualifikojnë si “aventuristë”; “radikalistë”; “bartës të ideve të parealizueshme” apo “individë të papërshtatshëm”. Kështu më kanë nënçmuar apo diskualifikuar edhe mua, qoftë si “i papërshtatshëm”.

Çka nënkuptojnë të gjitha këto?! Padyshim se kombi shqiptar, në të dy anët e kufirit administrativ, ka rënë në rrjedha të padefinuara dhe mjaft të dyshimta politike, në të cilat, fati i kombit shqiptar po gremiset dhe po shkatërrohet duke u bërë viktimë e manipulimeve të një konture kolltukomane mbarëshqiptare, e cila, në emër të luftës e manipulon luftën; në emër të rezistencës e shfrytëzon rezistencën; në emër të çlirimit e pamundëson çlirimin e plotë; në emër të bashkimit e saboton bashkimin; në emër të çështjes kombëtare e tradhëton njëkohësisht çështjen kombëtare; në emër të shpëtimit kombëtar e gropos akoma më tmerrshëm popullatën e vet; në emër të përparimit e kthen kombin shekuj të tërë drejt shkatërrimit; në emër të humanizmit e viktimizon gjithnjë e pandërprerë popullatën e pambrojtur; në emër të ndërhyrjes ndërkombëtare e stërshet si pa vlere edhe pavarësinë e shtetit; etj. Parimet e luftës shkilen “në emër të luftës”; karrierizmi provincial mbulohet me plafin e “çlirimit”; stagnimi kombëtar dhe parcializmi me plafin e “ndërhyrjes ndërkombëtare”; ndarjet administrative me “pretektoratin e fuqive të mëdha”; paaftësia grupore intelektuale mbulohet me prepotencën e bajraktarizmin; tradhëtia kombëtare me “sukseset madhore të luftës”, etj. etj…

Kjo situatë kërkon nga të gjithë atdhetarët, revolucionarët konseguentë e intelektualët përparimtarë, etj. të përparojnë në vijën e parë dhe të krijojnë ndërlidhje më të fuqishme organizative. Të ngrisin zërin gjithnjë e pa u trembur ndaj çdo shkelje të platformës çlirimtare dhe kompromiseve të rënda në dëm të interesave kombëtare. Të krijojnë vetë rrugët e reja të artikullimit të interesave kombëtare, madje të forcojnë prezencën e tyre aktive edhe në Shqipëri. T`u bëhen barrierë atyre që me paraqitje dhe veprime të padenja shkelin çështjen e shenjtë të bashkimit të tokave shqiptare në një shtet. Të kuptojnë se lufta nuk përfundon me krijimin e një “qeverie teknike” dhe se ka mijëra forma e mundësi alternative.

Më në fund, le ta dinë të gjithë se pushtetin mund ta marrë secili që di të luajë lojën e turpshme të karrierizmit, por do ta ketë shumë të vështirë të qëndrojë në maje të piramidës, nëse nuk është i denjë për te!
Historia do t`i hakmirret pa mëshirë!…

19 Prill, 1999.

Referencë:
1. Shikoni po deshët artikullin e dyanshëm, në mërgatë e në Shqipëri, p.sh. te gazeta “Kombi”, 12 gusht 1992, nga unë, Kryeredaktor i gazetës/apo revistës “Qëndresa”, në Zürich (CH), “Ora e fundit për opcionin e fundit”, Gazeta “Kombi”, Organ i Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar, Viti i II, Nr. 27 (48).

P.S.:

-Ky punim analitik është shkruar e dërguar në mjaft gazeta apo gazeta elektronike, dhe është botuar në shtypin e vogël ilegal, e dërguar çdo kund me një pseudonin nga disa pseudonime nga koha e ilegales dhe të kohës së luftës, që tani po e dekonspiroj për herë të parë, krahas Petrit Ibrahimit, Vinçenco d`Albanit, Petrit Dukagjinit, të cilët tashmë i kam dekospiruar, e ky është: Kushtrim Dukagjini.

– Gazetat dhe gazetat e njohura elektronike nuk e kanë botuar. Ky punim është botuar në “Kushtrimi i Lirisë”. Ju, shikone mirë dhe mendohuni. Plot 20 vite ka “qeverisur” dhe e ka bërë të veten “Qeveria e Kosovës”, e cila dëshiron të “tregëtojë” më tutje tokat e pasura të Republikës së Kosovës dhe “të ndërrojë” vende të tokës shqiptare andej kufirit të Republikës së Serbisë dhe t`ia lë asaj tokat shqiptare me plot xehe e minerale, gati një të tretën e Republikës së Kosovës.

– A bëhet kjo punë, pas 20 vite të luftës! Jo kurrë! Nuk ja ka lënë baba Presidetit të Republikës tërë territorin e Kosovës, që ai të bëjë çka të dojë!…
– Toka e shenjtë e Kosovës i takon popullit të Kosovës, pa marrë parasysh etnitetin e tyre dhe ai duhet që ta mbrojë tokën e vlershme të saj.
– Në vazhdim, pritet të dërgohet artikulli i ri:

T’ia japësh Trepçën Serbisë, është si të vrasësh kolektivisht popullin shqiptar të Kosovës”…