KTHIM MANDATI?!

0
514

AV. XHABIR ZEJNUNI

Mes një hareje opozitare, Basha deklaroi sot (21 shkurt) se “Është një ditë historike, pasi mandatet më të pastra i kthehen popullit”! Të pranishmit, sapo dëgjuan këtë deklaratë, u mallëngjyen aq shumë, sa përqafuan njëri-tjetrin pa u njohur më parë! Madje ndokush mezi çpo priste që të kishte në duartë e tija mandatin e kthyer nga Basha!

Pa i hyrë analizës mbi pastërtinë e mandatit të çdo deputeti dhe kushtëzimit të tij, nga kjo deklaratë duket se është populli sovran, i cili me të vërtetë i jep mandatin përfaqësues një deputeti. Por, edhe ia merr atij. Ose më saktë, ja japin si në rastin në fjalë!

Kushtetuta, në nenin 70, par. 1, disponon se “Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”.

Në Shqipëri, pas shndërrimit të sistemit, përdorej sistemi mazhoritar (edhe i përzier!) i zgjedhjeve. Që do thotë se në një zonë elektorale, fitonte mandatin e deputetit ai kandidat, i cili fitonte shumicën e votave. Pra, zgjedhja e tij bëhej direkt nga populli. Nëse për arsye të ndryshme, deputeti tërhiqej nga mandati i tij, atëherë në zonën e tij duhej të bëheshin përsëri zgjedhjet për të zgjedhur deputetin e ri.

Në sistemin proporcional, që u vendos më vonë, seicila parti paraqet një listë me aq emra sa janë mandatet në Parlament (ose edhe më shumë!) dhe fitojnë në bazë të totalit të votave ata deputetë, që janë në vendet e para (ose afër!). Në këtë rast, zgjedhja e një deputeti bëhet falë listës dhe jo falë votimit direkt. Nëse për arsye të ndryshme, deputeti tërhiqet nga mandati i tij, atëherë vendin e tij e zën kandidati, i cili është i pari në listën pritëse.

Sistemi proporcional i zgjedhjeve, sanksionohet në Kushtetute, ku neni 64, (i ndryshuar me Ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008), tek par. 1, disponon se “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore”.

A mund të quhet atëherë “përfaqësues i popullit” ai deputet, i cili mandatin e tij e fiton në bazë të listës proporcionale dhe jo mazhoritare direkte? Në këtë rast, mëdyshja është shumë e madhe!

Par. 1, i nenit 70, ndahet në dy pjesë:
1. “Deputetët përfaqësojnë popullin” dhe ata
2. “Nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”.

Tek pjesa e parë, ku “Deputetët përfaqësojnë popullin”, duhet t’i bëhet referim sistemit mazhoritar, edhe pse në fakt votimi bëhet me sistem proporcional.

Ndërsa tek pjesa e dytë, ku deputetët “Nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”, që lidhet me mos kushtëzimin e mandatit të tyre, i bëhet referim sistemit proporcional aktual (dhe jo atij mazhoritar të supozuar!).

Siç shihet, par. 1 i nenit 70 të Kushtetutës, ka dy pjesë, të cilat kundërshtojnë njëra tjetrën!
E para, i referohet sistemit mazhoritar.
E dyta, i referohet sistemit proporcional.

Pasi nëse të dyja pjesët do i referoheshin sistemit mazhoritar, atëherë nuk ka asnjë kuptim që të marrësh mandatin direkt nga populli dhe nga ana tjetër të përdorësh këtë mandat sipas nevojave dhe interesave tuaja apo të partisë që përfaqëson!

A ka vlerë po ashtu vota e popullit, kur ai voton një kandidat për deputet me sistemin proporcional, i cili në bazë të listës rendore e ka të fituar paraprakisht mandatin e tij?

Deklarata e Bashës se sot “Është një ditë historike, pasi mandatet më të pastra i kthehen popullit”, të duket se është në mbështetje të neni 5, par. 1, të Kushtetutës së Republikës Popullorë Socialistë të Shqipërisë (1976), i cili dispononte se “I gjithë pushteti shtetëror në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë BURON nga populli punonjës dhe i PËRKET atij”.

Të jetë vallë e vërtetë, se për herë të parë pushteti ju kthye popullit sovran?!
Aq më shumë kur këtij populli sovran nuk iu nështrua vetëm një koalicion opozitar, por edhe lista rendore pritëse!

Uroj të mos jetë ëndërr.
Amen.