GJUHA SHQIPE

0
2393
Gjuha Shqipe

Arben Çokaj

Një nga karakteristikat e veçanta të një kombi është gjuha! Gjuha shqipe ne shqiptarëve na bashkon. Duhet t’i shërbejmë bashkimit, e jo ndarjeve. Pushtuesi osmano-turk, na e ndaloi gjuhën shqipe për 5 shekuj, nuk e lejoi dhe na e mohoi edhe etninë! Po ne sot, çfarë po bëjmë?

Shoh disa shkodranë, duan të promovojnë gegnishten. Kjo vjen si rrjedhojë edhe e një padrejtësie, që u bë me standardin e gjuhës shqipe, ku gegnishtja si dialekt u diskriminua mjaft, u përjashtua. Tani a ka mundësi reale gjuhësore, që format fonetike, gramatike dhe leksiku i gegnishtes t’i bashkohet edhe më shumë standardit të gjuhës shqipe, nuk e di. Nuk jam gjuhëtar, por mirë do të ishte të pasurohej gjuha shqipe. E njoh gjuhën shqipe më mirë se çdo gjuhë tjetër në botë, se jam shqiptar, e kam shqipen – gjuhën e nënës.

Një tetovar më tha një ditë, se po të shkoja në Tetovë, ka mundësi se do e kisha të vështirë që të merrem vesh me tetovarët – pasi gjuha e tyre lokale ndryshon mjaft prej standardit. Si t’ia bëjmë atëherë? Ta bëjmë tetovarçen gjuhë zyrtare shqipe, apo dibrançen? Apo gegnishten? A duhet ta kemi një gjuhë të përbashkët shqipe, me të cilën të merremi vesh të gjithë shqiptarët? Dikush i thotë standardit me përçmim: tepelençe

Si mundemi ta afrojmë gegnishten më afër standardit, që ata që mësojnë gjuhën shqipe të kuptojnë edhe autorët, që kanë shkruar e shkruajnë në gegnisht. Se standardi i sotëm ka një defekt, nuk e kupton mirë gegnishten ai që di vetëm gjuhën standarde. E këtë e kam parë te studentët e filologjikut më 1990, që kërkonin Fishtën ta “përkthenin” në shqip… :p Si psh. Homerin në greqishten e sotme… :p

E megjithatë, mendoj se me gjuhën duhet të kemi kujdes, duhet të synojmë bashkimin kombëtar përmes saj me respekt reciprok, e jo me injorim nga të dyja palët, si deri tani. Sot nuk duket e lehtë kjo punë, por nëse synohet në atë drejtim, nuk është e pamundur. Demokracia krijon edhe mundësitë për të mos i qëndruar besnik një rregulli të përbashkët. Pra, ka tendenca centrifugale nga liria e krijuar, e cila mundet edhe të na dëmtojë, nëse nuk menaxhohet si duhet. Na ka dëmtur rëndë psh. në shtetformim, por mundet na dëmton edhe me gjuhën… Liria e tepërt sjellë anarki.

Për më tepër, nuk na ndihmon urrejtja e standardit nga disa katolikë shkodranë. E kuptoj indinjatën morale që ata mund të kenë nga persekutimi komunist, kundërshtia që lind natyrshëm ndaj një padrejtësie, por kjo mundet se i dëmton në vazhdimësi katolikët shkodranë, të cilët nga persekutiumi i gjatë dhe nga shmangia që u bën një popullsi me shumicë muslimane, janë sot faktikisht më keq të përfaqësuar se sa në kohën e komunizmit. Marrim psh. Kolec Topallin, një gjuhëtar i cili u mor edhe me gjuhën, dhe dha edhe kontributin e tij, por pa hyrë në detaje, ajo që mbaj mend unë e shumë shqiptarë të tjerë nga puna e tij si akademik shkodran është “Fjalor Etiomologjik i Gjuhës Shqipe“, me të cilin na e nxorri gjuhën shqipe si jo origjinale, por të huazuar nga gjuhët e tjera.

Të paguhet tjetri me paratë e shqiptarëve dhe të mos i shërbejë si duhet e me patriotizëm gjuhës shqipe, kjo nuk është gjë e mirë. Pra, kemi dëmtim të gjuhës, por edhe të autorit, si shqiptar. A thua kaq thellë shkon indinjata morale te dikush, sa kthehet në vegël e prishur, që më shumë bën keq se mirë?! Ky fenomen do një analizë psiko-analitike. Prandaj duhet kujdes.

Pema e gjuhëve indo-evropiane dhe shqipja

Tani ne mbahemi se jemi popull i vjetër, ndoshta më i vjetri në Ballkan, dhe se trashëgojmë një gjuhë të pranuar nga të gjitë, si gjuhë e veçantë, në familjen indo-evroppiane të gjuhëve. Një gjuhë që mendohet se rrjedh nga pellazgjishtja e më pas nga ilirishtja. Atëherë, a është shqipja jonë burim për gjuhët e tjera, apo ka marrë ajo edhe nga gjuhët e tjera? Kjo mbetet për t’u gjykuar profesionalisht, por nuk ka dyshim, se janë të dyja, edhe kemi dhënë, por edhe kemi marrë. Nëse albanologët e huaj e konsiderojnë gjuhën shqipe si burim edhe për gjuhët e tjera, kemi akademikët shqiptarë, që në ndjenjën e tyre ka hyrë urrejtja ndaj standardit të gjuhës shqipe, dhe kështu përpiqen ta paraqesin atë si gjuhë e ardhur, si rrjedhojë e gjuhëve të tjera. Ka diçka që nuk shkon këtu, te ky gjykim, apo jo?

Prandaj mendoj se duhet të kemi kujdes. Se nisemi për të vënë vetulla, dhe lëmë edhe sytë. Nuk ndalet tjetri – edhe shkodran, edhe katolik, edhe shqiptar të ketë një indinjatë morale, një ndjenjë armiqësore për vendin e vet, apo për gjuhën shqipe. Mësojnë gegët gjuhë të ndryshme të huaja, por urrejnë shqipen… A pranohet kjo? E ushqeu turku për pesë shekuj këtë urrejtje ndaj gjuhës shqipe, e kjo nuk kalon pa pasoja. Turku na ndau edhe sipas fesë ne shqiptarëve. Muslimanët shumicë i quante turq, katolikët i quante latinë dhe ortodoksët i quante serbë e grekë… Po shqiptarët ku mbetën?

Prandaj e shoh se edhe sot, ne e kemi këtë tendencë disi destruktive, nuk po dimë të dalim nga rrethi vicioz, por kush i di punët, kush është intelektual dhe i dominon instiktet negative, kush ia do të mirën shqiptarisë, tregon kujdes, dhe nuk bën marrina. Vlerëson më shumë produktin, të mirën e përbashkët, se dukjen…