Histori të çmendura dhe fakte turpi

0
543
Artan Fuga

Nga Artan Fuga

T’u japim vend edhe fakteve madhështore, por edhe fakteve të turpshme në historinë tonë. Kjo është histori “objektive”, t’i lemë pasionet e mbështetura në zbukurimin e së kaluarës. Vetëm këta dy shekujt e fundit kemi bërë gjëra heroike, por edhe gabime kolektive që i kalojmë ashtu shkarazi, “hajdutshe”, si vogëlima pa rëndësi.

Çfarë do të na thoshte dikush nga jashtë, nëse do të kishte vrojtuar veprimet tona historike?

Ja, që mjaft shqiptarë në kohën e Luftës së Parë botërore pajtoheshin me qera si ushtarë në ushtritë e huaja që gjendeshin te ne dhe luftonin me njeri-tjetrin për pesë kacidhe ora e luftës.

Po ja, që mijëra shqiptarë nën udhëheqjen jo vetëm të Haxhi Qamilit, minonin ngritjen e flamurit të Pavarësisë.

Po ja, që kishte pjesë të elitave politike, fetare, artistike që mezi prisnin pushtimin italian të vendit dhe që nuk bënë asnjë veprim kundër pushtuesve, veç mbretit që iku si zog.

Po ja, që dhjetëra deputetë shqiptarë, bij të “familjeve të mëdha”, u bën pro pushtues dhe shumë prej tyre vajtën në Itali dhe i dhuruan perandorit kurorën e mbretërisë shqiptare, që u bë nënmbretëri.

Po ja, që Parlamenti shqiptar, pa pikë turpi, i shpalli luftë Greqisë fqinje dhe historianët nuk e botojnë vendimin e tij fashist.

Po ja, që gazetat kryesore në vitet ‘40 ishin pro Hitlerit dhe nazizmit dhe antiçifute? Ne përkujtojmë që, ne si popullsi, jo si elita, i kemi mbrojtur çifutët dhe kjo duhet të na bëjë të harrojmë gjithçka tjetër, edhe ndonjë mendësi të vockël genocidiste në mediat e kohës.

Po ja, që pas Luftës së Dytë Botërore, gazetat komuniste ishin sllavofile, duke i quajtur kombet sllave si më të lartat dhe antieuropiane?

Po ja, që në Konferencën e Parisit, pas Luftës së Dytë botërore, Greqia donte të na shpërbënte, kurse Jugosllavia të na mbronte. (Sigurisht, për hesap të vet, pse kot?)

Po ja, që iu dorëzuam serbëve gjithçka, me ushtri, me pare, me sekrete, me të gjitha duke u bashkuar de fakto dhe se po të mos ishte ai diktatori me mustaqe në Rusi, do të ishim bërë qytetarë të Maqedonisë. Askush nga ne nuk lëvizi.

Po ja, që në kuadrin e Traktatit të Varshavës iu dhamë rusëve të drejtën që sa herë të donin të hynin ushtarakisht në Shqipëri, madje pa pyetur kurrkënd. Askush nuk tha jo.

Po ja, që pati mijëra shqiptarë që u bënë spiunë dhe kishe frikë të thoshe një fjalë, se spiuni dëgjonte. Ku janë këta spiunët?

Po ja, që aty nga vitet ‘60 të shekullit të kaluar u bëmë prapë me Titon nga frika e muzhikut, që zbriti me tanke në Pragë dhe kosovarët ishin titistë?

Po ja, që për 50 vjet jetonim me thërrimet që na jepnin jugosllavët, rusët, kinezët?

Po ja, që gërthisnim me histeri, rroftë ky e rroftë ai, në mitingjet masive të viteve ‘50 apo ’60 të shekullit të XX.

Po ja, që mijëra të rinj hipën në çatitë e kishave dhe xhamive në mesin e viteve ’60 duke iu hequr tjegullat, nuk e dini? Shihni dokumentarët, ka plot.

Po ja, që merrnin nisma fshatshe e qytetshe për të ulur rrogat e vetvetes?

Po ja, që donin ta fitonim jetën pa punuar, nuk e kishte fajin Sudja dhe u bëmë si Pinoku, që mbolli lekët dhe prisnim të rriteshin si pemë.

Po ja, që shitëm me dhi e katandi për të vendosur lekët në firmat piramidale e marrë interesa, që në fakt ishin paret e komshiut.

Po ja, që pasi u vramë me njëri-tjetrin, thirrëm në ndihmë kalabrezë, rumunë, turq, grekë, që të na ndanin në vitin 1997, sepse po i hanim kokën njeri-tjetrit.

Po ja, që kurrë nuk kemi bërë zgjedhje të ndershme sepse sa herë dikush fiton, tjetri e quan hajdut votash.

Po ja, që nuk kemi industri dhe askush nuk shkon të punojë askund, se i duket se është bërë vetëm për të qenë sociolog, historian, ekonomist a pianist.

Po ja, që si asnjë popull tjetër, sado në vështirësi, morëm anijet dhe lamë pendët duke ikur sa më larg, larg, braktisur gjithçka.

Po ja, që kemi vite dhe pasi ëndërruam me shekuj bashkimin kombëtar, tani me Kosovën, jemi si çift i ftohur në prag të divorcit! Edhe kosovarët që vijnë në plazhet e Adriatikut dhe Jonit na renden.

Po ja, që gjithmonë kemi gjetur shpëtim duke u lidhur pas qerres së perandorive të mëdha, romake, osmane, austro-hungareze, ruse, kineze, etj., etj. dhe sapo kemi parë fundin e njërës, hop, jemi hedhur te gjiri i tjetrës, duke ndryshuar fe e besë masivisht.