Ornamenti Lusi (Lucy’s Brooch)

0
781

Nga Gena Morina – BajramiIllyriaPress.com

LUCY’S BROOCH

(Me rastin e Shen Valentinit)

U bënë më shumë se dhjetë ditë dhe Lucy nuk po më shqitet nga mendja. Që nga dita kur mësova për të, ajo jo vetëm që u bë një histori interesante e jetës sime, por më duket se ajo për cdo dite më flet e më thotë: Trego historinë time! Le ta dinë dhe të tjerët. Mos e mbaj për vete!
E kur më mirë se sa për ditën e Shën Valentinit të tregoj ngjarjen për Lucy-n?

* * *

Për herë të parë për Lucy-n mësova në Washington, DC, këtë dimer, më 2 shkurt.

Lutjet e përvitshme fetare të Mëngjesit në kryeqytetin e Amerikës, kishin filluar dhe mbaruar në agun e mëngjesit me fjalimin e Presidentit Trump, dhe pasi kisha takuar personalitete të shquara nga e gjithë bota, pjesëmarrës të ceremonisë, na erdhi ftesa për një drekë me një ambasador të shquar amerikan, shumë popullor për përkushtimin e tij në zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Ishte një ditë e bukur shkurti, e pazakontë për këtë muaj të ftohtë dimri në Washington, DC ku kam jetuar edhe më parë në kohën kur bashkëshorti im ishte shef i Seksionit Shqip të “Zërit të Amerikës”. Atëherë Washingtoni për mua qe një qytet i ftohtë, jo vetëm me dimrin e acartë, por edhe me, sic më dukej mua, sjelljen e ftohtë të njerëzve, krejtësisht të kundërt me banorët e New Yorku-t. Cuditërisht, kësaj radhe, Washingtoni më bëri për vete. Këtë ndjenjë ma përforcoi jo vetëm moti i butë, i pazakontë në këtë stinë për këtë qytet dhe Lutjet e Mëngjesit, por, posacërisht historia e Lucy-t.

Takimi u caktua në orën 2 pas dite, në restaurantin e famshëm “Capital Grille”. Sapo hyra në lokal, u ndjeva mirë nga pritja, atmosfera e dekori. Kur je në Washington e do të nderosh një mik me një drekë apo darkë, nuk e thonë kot, shko në Capital Grille!

Tavolina speciale ishte e gatshme për mysafirët dhe unë isha e vetmja grua në këtë shoqëri me ambasadorin e miqtë e tjerë.

Fillon biseda. E falënderoj ambasadorin që para e pas luftës në Kosovë, vazhdon të jetë një mik i betuar i shqiptarëve. Dhe ai ka shumë gjëra për të na treguar për angazhimin diplomatik në Ballkan. Ajo që më bën përshtypje janë rrëfimet e tij mbi jetën personale dhe afërsia dhe biseda e sinqertë me ne. Më pyet për fëmijët dhe pasi merr përgjigje më hap rrugën për ta pyetur edhe unë për familjen e tij.

– Jam i gëzuar që kam tre djemë e një vajzë. Gruaja me të cilën kam këta fëmijë ndërroi jetë në vitin 2009. Ka qenë shumë e mirë dhe kemi patur një jetë shumë të lumtur, – tregon ambasadori.

E si rrodhi jeta juaj më pas ambasador? – e pyeta unë.

-Disa vite pasi bashkëshortja ime ndërroi jetë, – vazhdoi ai, – natyrisht unë u ndjeva tepër i vetmuar dhe për të mundur vetminë, fillova edhe më shumë të përdorja kompjuterin. Një ditë, përmes internetit, rastësisht rashë në kontakt me Lucy-n, dashnoren me të cilën kisha kaluar katër vite të lumtura gjatë kohës së studimeve në kolegj. Jeta na ndau për shkak se unë duhej të shkoja me misione diplomatike jashtë shtetit dhe kurrë më nuk u takuam apo dëgjuam më për njëri tjetrin.

Kontakti me të më ktheu 50 vite pas, në një kohë kur ishim në moshën e bukur të rinisë. Caktuam takimin. Ky ishte një cast tepër i jashtëzakonshëm. I emocionuar para takimit, shumë pyetje i bëja vetes: A thua si do të duket Lucy pas 50 vitesh? A thua sa do të ketë ndryshuar? Si do të ndjehesha para saj, a do të më pëlqente prapë si më parë? A do t’i pëlqeja unë asaj?

Cuditërisht, Lucy ishte e njejta. Shumë pak ndryshim vërejta në dukjen e saj. Që në takimin e parë, më bëri prapë për vete. Bisedën e vazhduam aty ku e kishim lënë gjysmë shekulli më parë. Ne u martuam dhe për 3 vite me rradhë jetuam jashtëzakonisht të lumtur, të dashuruar dhe në harmoni. Por fatkeqësisht, Lucy u sëmurë dhe në prillin e vitit të kaluar ndërroi jetë…

Ky ishte rrëfimi i jashtëzakonshëm i ambasadorit. Ne mbetëm të prekur nga kjo histori e lumtur dhe e hidhur njëkohësisht.
Pas një pushimi të shkurtër, ambasadori vazhdoi rrëfimin:

– Lucy jetonte në San Francisco dhe kishte një kopsht shumë të bukur me lule nga më të ndryshmet. Lulet ishin të bukura sic ishte e bukur edhe ajo vetë. Ajo i adhuronte dhe përkudesej për to me shumë pasion. I donte lulet, i donte njerëzit, kishte një shpirt të mirë. Kur shkuam bashkë në Kosovë, ajo u mahnit nga takimi me shqiptarët. E donte Kosovën dhe kishte dëshirë ta ndihmonte, bile filloi të bashkëpunonte me një grua tjetër të mirë për të ndihmuar gratë e Kosovës.

Kur ajo grua dëgjoi për vdekjen e Lucy-t, u pikëllua shumë dhe në shenjë kujtimi për të, ideoi prodhimin e një lloj artizanati me emrin e saj, “Lucy’s brooch” një lloj zbukurimi që gratë e vendosin në xhaketën e tyre. Gratë e Kosovës do ta qëndisnin me duar këtë brooch dhe me punën e tyre do të krijonin të ardhura për vete e familjet e tyre. Këto brooch-s janë të dizajnuara nga një dizajer italian, në një formë luleje që simbolizon Lucy-n dhe dashurinë e saj për lulet. Ato punohen edhe sot nga gratë e Kosovës…

Vdekja e Lucy-t, la shumë njerëz të pikëlluar, përsëriti disa herë ambasadori historinë, një rrëfim si në filmat romantikë me ndryshim se kjo ishte një ngjarje e vërtetë.

Të gjithë u prekëm nga tregimi i ambasadorit. Një ngjarje e vërtetë dashurie që nuk ngjan me asnjë tregim tjetër.

Pasi u ndamë me ambasadorin, unë së bashku me bashkëshortin tim, për një kohë komentuam këtë histori dashurie sa të bukur, po aq interesante dhe të jashtëzakonshme, teksa shëtisnim dhe bënim fotografi para ndërtesës Capitol Hill.

Koha kishte filluar të errësohej, dhe bashkëshorti im më pyeti nëse do të dëshiroja të takoheshim edhe me një mik të tij të ardhur nga Kosova. Unë e pranova me shumë kënaqësi. Ky person, që ishte mysafir i Lutjeve të Mëngjesit, kishte qenë shumë aktiv për cështjen e Kosovës për rreth tri dekada dhe takimi me të na ktheu në një kohë të largët kur ai në fillim të viteve të 90-të dhe më pas na vizitonte shpesh në New York ku takohej me mërgimtarët e më pas me zyrtarët amerikanë në Washington për t’i bindur ata në të drejtën e Kosovës për pavarësi nga Serbia. Kishim shumë kujtime me të, rrugëtime të përbashkëta, ai bashkëpunëtor i afërt i Dr. Rugovës, ndërsa ne si përcjellës të ngjarjeve për t’i pasqyruar në gazetën “Illyria”. Takimi me 2 shkurt ishte shumë i ngrohtë dhe dashamirës, një rifreskim i kujtimeve tona të bukura rinore kur e kishim takuar dy dekada e gjysmë më parë.

U takuam në “Hilton Washington”, qendra e takimeve për shumicën e atyre që kishin ardhur këtu për Lutjet e Mëngjesit… Para se të ndaheshim ai më tha se kish sjellë një dhuratë me vete nga Kosova.

E gezuar pranova dhuratën dhe që në shikimin e parë m’u duk e vecantë. Hapa kutinë dhe c’të shoh? Një brooch në formë të një trëndafili të verdhë, punuar me fije ari, qëndisur me dorë dhe në rrethin e cdo petali i stolisur me gurë të kuq, ashtu sic e kishte përshkruar ambasadori amerikan.

E befasuar si asnjëherë më parë në jetën time, i drejtohem mikut tone:

– Oh Zot, po kjo është Lucy’s brooch (ornamenti Lucy), për të cilën vetëm para dy orësh na tregoi ambasadori! Si është e mundur që më erdhi kjo dhuratë pikerisht sot? Miku mbeti i shtangur kur dëgjoi rrëfimin tim për Lucy-n. E pyes nëse dinte diçka për këtë histori. Më tha se jo, por e dinte që gratë në Kosovë i punonin këto artizanate për të mbijetuar dhe paguheshin mjaft mirë. Kur unë i tregova rrëfimin e ambasadorit për Lucy-n, ai mbeti komplet i befasuar: Ç’farë koincidence! – tha ai

Pas largimit të tij, e emocionuar pa masë, e pyes bashkëshortin tim:

– Sa është ora?
– 6:30 e mbrëmjes, – tha ai.

M’u kujtua menjëherë se në Kosovë tani ishte ora 12:30 pas mesnate. Data këtu ishte 2 shkurt ndërsa atje 3 shkurti sapo kishte filluar, data e ditëlindjes sime.

– O Zot, më duket sikur kjo dhuratë më erdhi nga Lucy, pikërisht në datën e ditëlindjes sime, – i them bashkeshortit tim.

Nuk mund të besoja për atë që po ndodhte. Dhe e ndjeva si detyrë pa tjetër t’i telefonoja ambasadorit e t’ia tregoja gjithë ngjarjen. Mora në telefon ambasadorin që në atë moment po drejtonte makinën rrugës duke u kthyer në shtëpi.

I tregova tërë ngjarjen me shpejtësi dhe ai i emocionuar ma ktheu:

-Si është e mundur? Cfarë koincidence! Waw sa interesant!
I thashë me bindje të plotë se besoj që kjo dhuratë më erdhi sot nga Lucy. Ky është një mesazh për ta përcjellë ty se ajo është shumë e lumtur që ti e kujtove sot me aq shumë mall e dashuri…

* * *

Kjo është historia e vërtetë e Lucy-t që ua tregova sot pikërisht për Shën Valentinin. Lucy dhe brooch-i saj, u bë pjesë e jetës sime që desha ta ndajë me të gjithë ju, këtë histori të një gruaje me shpirt të bukur e zemërmirë, që i adhuronte lulet, e të cilën kurrë nuk e takova por që la gjurmë në jetën time.

Sa herë që do ta vendos këte brooch në xhaketën time, do të më kujtohet kjo dhuratë sa e cmuar, aq domethënëse dhe kuptimplote. Një dhuratë e shenjtë për mua që flet shumë, sepse jo vetëm që është dedikuar me shumë mall e dashuri nga shoqja e saj, e është qëndisur me aq shumë djersë e mund nga duart e arta të grave shqiptare, por per faktin se ajo më erdhi në ditën kur i dashuri i saj, më tregoi gjithë historinë e saj dhe mua m’u dhurua në ditën e ditëlindjes sime.

Më dëgjon Lucy? Besoj se e përcolla porosinë tënde. Happy Valentine’s Day!

Dhe gjithë ju të tjerëve, Gëzuar Shën Valentini!