Bashkëshortja e DioGuardit: SHBA dhe BE kanë tejkaluar kufijtë e tyre duke i bërë thirrje Kosovës që të shfuqizojë taksën

0
420

NGA: A.ZH MË: 14 SHKURT 2019BOTASOT.INFO

Shirley Cloyes DioGuardiThirrja e Serbisë për një shkëmbim të territorit është një përpjekje për të mohuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje
Shirley Cloyes DioGuardi, bashkëshortja e ish-konngresistit amerikan Joseph DioGuardi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë tejkaluar kufijtë e tyre duke i bërë thirrje Kosovës që të shfuqizojë tatimin e 100 për qind të importit nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Sipas saj, meqenëse Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, vendimi i saj nuk ka të bëjë asgjë me BE.

Ajo ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territorit, duke thënë se thirrja e Serbisë për një gjë të tillë, është një përpjekje për të mohuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe për të rihapur diskutimin e statusit të Kosovës si një komb sovran, përcjell Bota sot.

Shkrimi i saj i plotë:

“Kosova duhet të qëndrojë në kurs” nga Shirley Cloyes DioGuardi

Përgjigjja ndaj taksës 100 për qind mbi Serbinë:

Unë besoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë tejkaluar kufijtë e tyre duke i bërë thirrje Kosovës që të shfuqizojë tatimin e 100 për qind të importit nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Një vend sovran ka të drejtën sovrane të ngarkojë çdo gjë që dëshiron të ngarkojë. Dhe meqenëse Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, vendimi i saj nuk ka të bëjë asgjë me BE. Përveç kësaj, është në kundërshtim me Shtetet e Bashkuara që të thonë, siç ka bërë rishtazi, se e respekton sovranitetin e Kosovës, por që Kosova duhet të pezullojë tatimin. Meqenëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk i kanë kërkuar Serbisë të njohin produktet e Kosovës apo të ndalojnë fushatën e vet diskredituese ndërkombëtare kundër Kosovës, unë besoj se ata duhet të përmbahen nga ndërhyrja në vendimin sovran të Kosovës.

Unë nuk kam diskutuar me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn për shumë vite dhe prandaj nuk jam e vetmja që mendoj se çka e çoi deri te vendimi i tij për tarifat e tregtisë. Por unë e kam shumë mirë të njohur deklaratën e tij të përsëritur në shtypin shqiptar se Kosova është e gatshme të heq taksën sapo Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Sipas mendimit tim, ky është hapi i parë që Serbia duhet ta ndërmerr nëse është e sinqertë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Kosovën që zgjidh konfliktin serb-shqiptar dhe i vendos të dy vendet në një rrugë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Është e pamundur të arrihet një marrëveshje e ndërsjellë nëse Kosova dhe Serbia nuk vijnë në tryezë si shtete të barabarta dhe sovrane. Dhe është Serbia e jo Kosova, ajo që po i ndalon negociatat me qëllim të vonimit të mëtejshëm të njohjes së pavarësisë së Kosovës

Përgjigja ndaj thirrjes për shkëmbim kufijsh:

Thirrja e Serbisë për një shkëmbim të territorit është një përpjekje për të mohuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe për të rihapur diskutimin e statusit të Kosovës si një komb sovran – një status për të cilin Serbia ka punuar për ta dëmtuar që nga fillimi i bisedimeve Prishtinë-Beograd në vitin 2011. Bazuar në qasjen e Serbisë gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE (që atëherë Përfaqësuesja e Lartë e BE për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Zonja Catherine Ashton këmbënguli se do të përfundojë në 2013 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit), është bërë e qartë se Serbia po shtyn për shkëmbimet territoriale për të vonuar, nëse jo për të penguar tërësisht, normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën. Është thellësisht shqetësuese të shihet se zyra e Federica Mogherinit, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, kërkon që të varrosë njohurinë mbi favorizimin e BE-së ndaj Serbisë në të gjitha bisedimet Prishtinë-Beograd, duke e nisur një proces edhe më shkatërrimtar të shkëmbimeve kufitare që ka shkaktuar tashmë paqëndrueshmëri në Ballkanin Perëndimor.

Besoj se territori midis Serbisë dhe Kosovës mund të shkëmbehet vetëm nëse Serbia e njeh sovranitetin e Kosovës, pushon tentimin që të zgjidhte rezultatin dhe të pajtohet për një votë të lirë që mbikëqyret ndërkombëtarisht. Por ky nuk është realiteti. Beogradi këmbëngul që të merr të gjithë territorin e Kosovës në veri të lumit Ibër (në vend të vetëm një pjese më veriore të zonave me shumicë serbe të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut) dhe dëshiron t’i japë Kosovës vetëm një pjesë të luginës së Preshevës në Serbinë jugore (në vend të zonave me shumicë shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit). Serbia dëshiron të shtyjë njohjen përfundimtare të Kosovës, derisa është duke i ndjekur synimet e veta ekspansioniste (synimet që çuan deri te krijimi artificial i Republika Srpska në fund të luftës në Bosnjë në 1995). Nën këto rrethana, Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët tjerë të bashkësisë ndërkombëtare duhet të përjashtojnë mundësinë e ndryshimeve kufitare. Për fat të mirë, Gjermania, Britania, Holanda dhe Italia e kundërshtojnë këtë ide.

Në fundi, nuk ka as konsensus politik as mbështetje publike në Kosovë për një shkëmbim të territorit. Sondazhet e kryera nga Instituti Demokratik i Kosovës në shtator të vitit 2018 tregojnë se 75 për qind të anketuarve janë kundër ndryshimeve kufitare dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk e ka mbështetjen e Kuvendit të Kosovës për të bërë një shkëmbim të territorit si pjesë të fazës përfundimtare të negociatave.

Pse Kosova duhet të qëndrojë në kursin e vet:

E vetmja mënyrë që Kosova mund të ketë sukses është nëse qeveria e saj dhe populli i saj qëndrojnë në kurs të vet. Është koha që elita politike kosovare të merr një qëndrim pro-aktiv drejt së ardhmes së Kosovës dhe të imponojë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. (Siç e thashë më parë, imponimi i Kryeministrit Haradinaj për tatimin 100 për qind të Kosovës është hapi i parë). Kosovarët duhet të insistojnë që bashkësia ndërkombëtare të respektojë sovranitetin e Kosovës dhe të pranojë që Serbia përmes luftës së saj gjenocidale kundër shqiptarëve ka humbur të drejtën e saj për të ndërhyrë në punët e Kosovës. Është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare të sigurojë një rrugë për anëtarësimin në BE për të gjitha shtetet në Ballkan të cilat janë të gatshme të pranojnë vlerat e Perëndimit për demokracinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Nëse Kosova ndahet padrejtësisht, duhet të theksohet se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë bashkëpjesëmarrëse në shkeljen e vlerave të veta, sepse një vend i tillë i kapur nga Serbia do të shënonte triumfin e kërkimit të Sllobodan Millosheviqit për një “Serbi të Madhe ” të ndërtuar mbi spastrimin etnik. Dhe do të përhapte konfliktin etnik në Evropën Juglindore.

Sinqerisht,

Shirley Cloyes DioGuardi,
Këshilltare për Çështje të Ballkanit