TRIME, SYSHQIPONJË

0
607

Zymer Mehani

Me rastin e 14 Shkurtit – Ditës së të Dashuruarve

Shkëputur nga libri im “Gjuha e truallit tonë”, Prishtinë 2016

TRIME,
SYSHQIPONJË

M’duhet një copë zemre
Për kthim n’dashuri
Ngrohtësi zemre m’duhet
Për shpresë n’ardhmëri
Aty ku u linda
Aty ku të njoha
Më pëlqen t’jetoj
Sa shpejt kalon koha
TRIME, zgjatma dorën
Se të dua Ty
T’i puth vetullat Tua
Me qerpik e sy
TRIME, ngrohtësinë e parë
Të sonës dashuri
Me Ty e shijova
Shpirti im u shkri
Aty zure vend
Dhe u fute vrik
Rri e mos më ik
Mos më lërë pa mend
Rri e mos më çmend
Me lundrën dashurore
Po lundrojmë të dy
Në valë të shkumbëzuara
T’shtrenjtës dashuri
TRIME, Ti je ajri
Që brenda meje lëkundet
Ti je Besa e dhënë
Që asnjëherë s’tundet
Ti mua më shkrin
Brenda për një çast
M’përvëlon dhe më pas
N’kujtimet e mia
Tretem dhe humbas
TRIME, unë me ty
Jam princ edhe mbret
N’zinxhirë dashurie
M’ ke lidhur përjetë
TRIME, as më thua
Ç‟na bashkon me Ty
Një shikim
Një puthje
Dhe një dashuri
Çastet më të ëmbla
Bashkë i kem shijuar
Ditën flenim bashkë
Natën rrinim zgjuar
E nga gjumi zgjohemi
Sepse dashurohemi
Për sytë Tu jetoj
Se të dashuroj
TRIME, për Ty vdes
Se pa Ty s’du’ t’mbes
TRIME, zemra ime
T’kam pritë i paepur
Për të përshëndetur
Të të puth pa reshtur
Ëmbël t’ledhatova
Se të dashurova
TRIME, shkëndijë flake
E kësaj zemrës Sate
Mbi duart e Tua
Ndalen duart e mia
N’çastet e një nate
TRIME, shpirti im
Ta dish-dashuria
Kur kthehet n’pikllim
Dije je lëngimi
I qerpikut tim
TRIME, jam i etur
Duart për T’i prekur
Se për Ty kam mall
Se vazhdoj të të dua
Me dashuri t’rrallë
TRIME, për këta sy
T‟bëj dashni me Ty-
Më mirë se t’flut’roj
Thellë në kaltërsi
Shpirti seç gjallërohet
Terri n’dritë shndërrohet
TRIME, gjatë të prita
Ta dish, je si drita
M’ke hyrë në damarë
Si ethe e bardhë
TRIME, moj dashni
S’po mundem pa Ty
As frymë s’po mund t’marr
Po tretem në flakë
Po mbetem pa gjak
Pak edhe ngapak
Pa shkëndijë e zjarr
TRIME, dashuri
Pse s’jemë bashkë ne dy
Shkojmë jetën të ndarë
Me shpresa t’lënduara
E me shpirt të vrarë
Më thuaj pastaj
Vallë, unë a kam faj
TRIME, syshqiponjë
Sa shumë më mungon
Digjem si qiri
E të flas nuk di
Të këndoj harroj
Më mbyllet kjo gojë
Gjuhën e kafshoj
Zëri që të ndalet
Për të gëlltitë fjalët
Emrin s’ta shqiptoj
Se më mbysin hallet
Sa më vjen çudi
Harrohem pa ty.
TRIME, yll i artë
Mungesa e gjatë
Më mundon çdo ditë
Më shqetëson çdo natë
Për shpirtin t’ënd t’artë
Ndizem edhe digjem
Si pishtar i zjarrtë
TRIME, diell e hënë
Pasha babë e nënë
Shpesh Ty të kam thënë
Kur Ty s’të kam pranë
Jam aspak i pasur
Jam me zemër t’ plasur
Por kur të kam pranë
Me ty gjithçka kam
TRIME, sy i zi
Sa kam mall për Ty
Për flokët e Tua
Malli më djeg mua
TRIME, rreze- ar
Për Ty kam shumë mall
Si për rrugët ku shkela
Për herën e parë
TRIME, dashuri
T‟lutem shko tani
Dhe krejt e qetë fli
N’heshtjen e lënduar
T’shpirtit tim t’trazuar
Unë nuk e di, TRIME
Ti a e ke ditë
Edhe pse kam sy
Pa Ty s’më bëjnë dritë
TRIME, buzët tua
As m’i ke falë mua
E fjalët e tua
Përkunden në erë
Dije, mos harro
Se të du’ përherë
TRIME, zemra ime
Më kujto pa dhimbje
Ty t’kam dashuri
E kjo zemra ime
S’do të rrah pa Ty
Moj e shtrenjta TRIME
O Besnikja ime